Populli që ëndërronte Rusoi nuk pati gjasa që të shihej në Europë, ku u shndërrua në turmë revolucionesh dhe më pas në hordhi të dy luftërave botërore. “Francezët dhe anglezët – na thotë Stefan Cvajg – të zhgënjyer nga civilizimi, iu vërsulën ekzotikes”, dhe na jep shembullin e lord Bajronit, që iku nga vendlindja dhe shkoi në Shqipëri për t’i kënduar pastërtisë dhe heroizmit të shqiptarëve dhe grekëve. Lirizmit të romantikut të madh nuk mund të mos i shpëtonte pa parë naivitetin e popullit tonë nga njëra anë dhe veset e paudhësitë njerëzore nga ana tjetër. Të shkujdesurit që popullojnë këtë vend ende nuk e dinë dhe as duan t’ia dinë ç’është të nxjerrit mësim. Po davarit nga tisi i kohës disa grabitje, për të cilat s’ka se si të të mos skuqet faqja:

***

Koha e parë, viti 1926. U krijua një bankë nën emërtimin Banka Kombëtare e Shqipërisë, e cila, siç u provua, nuk ishte gjë tjetër përpos se një instrument në dorën e Partisë Fashiste Italiane që do i paraprinte aneksimit e pushtimit të Shqipërisë. Me karakteristikat e një banke monopol, ajo mori përsipër emetimin, kreditimin dhe administrimin. Banka Kombëtare e Shqipërisë nuk ishte gjë tjetër përpos se grupi financiar privat italian, kur dihej se në të gjitha bankat e botës, banka e emetimit është bankë e shtetit dhe jo private. Për të qenë bankë kombëtare, aksionerët e saj patjetër duhet të ishin pjesëtarë të kombit të vet. Pronari i aksioneve themelore, Banka Credito Italiano, që ndërkohë administronte edhe aksionet që kishin bankat e tjera italiane të grupit financiar të Mario Albertit, bleu brenda vitit dhe 30 mijë aksionet që i kishin lënë palës shqiptare. “Të shkujdesurit” e parë në historinë e bankës ishin Mufid bej Libohova, Ajet bej Libohova, Neshat pashë Vlora dhe Eqrem bej Vlora, të katër zotërues të paketës shqiptare të aksioneve. Shumëkush thotë se ishin agjentë të Italisë e tradhtarë të vendit të tyre. Viti 1927 e gjeti bankën shqiptare tërësisht në pronësi të italianëve. Filloi kështu grumbullimi i arit që ndodhej në Shqipëri. Për këtë, u përdor politika e mbajtjes së kufizuar të sasisë në qarkullim të kartëmonedhës 5, 20 e 100 franga ar. Në këtë mënyrë, banka i detyronte zotëruesit e monedhave ar të shkëmbenin në sportele monedha ar me kartëmonedha. Sasia e arit të grumbulluar shkonte në pronësi të grupit financiar italian, emetuesit të kartëmonedhës. Mes viteve 1926-1929, ata grumbulluan 58407 copë monedha ari.

***

Koha e dytë, viti 1939. Një opinionist i njohur i yni në fushën e politikës, para do kohe, tejkaloi nxënien e dijeve të tij dhe u fut në ekonomi, duke bërë pyetjen: përderisa ari i Bankës së Shtetit Shqiptar, i marrë nga pushtuesit gjermanë përfundoi pas Luftës II Botërore në Londër, pse e akuzojnë më kot Ahmet Zogun? Dhe ngatërroi kështu i ngrati, garantimin e paritetit të mbulesës kartëmonedhë me lingota ari, të cilat ishin në Itali. Ahmet Zogu mori prerje monedhash ari që ishin në qarkullim. Përmendet shifra prej 183 kg. Blendi Fevziu përmend shifrën prej 178 kg, të futura në 11 valixhe. Më e saktë është shifra që përmend arkëtari i përgjithshëm i Bankës Kombëtare, Ramadan Berberolli, 448535 monedha ari. Pra, mbreti ynë mori gjithë gjendjen e monedhave të arit që ishin në bankë, ndërsa nëpunësit e saj, një pjesë ia bënë gati, një pjesë bëri sehir dhe disa nga të shkujdesurit e tjerë e shoqëruan në ekzil.

***

Koha e tretë, viti 1997. Është pak t’i përkëdhelësh me emërtimin “të shkujdesur”. Vetëm një mendje, jo thjesht e paaftë në drejtim dhe administrim, por dhe e sëmurë, mund të merrte vendimin që thesari në metale të çmuara etj., i shtetit shqiptar të hiqej nga një prej bankave më të sigurta në botë dhe të çohej në “shpellat” e gërxhet e fshatit Skuterrë, ku një mendje edhe më e sëmurë kish ndërtuar tunele ku do të strehohej Shtabi i Përgjithshëm në kohë lufte, e nga ku do të drejtohej lufta kundër dy superfuqive, “… deri në fitoren përfundimtare”.

Selia qendrore e Bankës Kombëtare, e cila u inaugurua pesë muaj para pushtimit italian, vepër e arkitektit Morpugo, dekoruar nga artisti roman Alfredo Biagini, është vlerësuar nga të tjerë arkitektë jo vetëm për figurën e shfaqjen monumentale, volumet madhështore të sallës së veprimeve dhe mozaikët e punishteve venedikase, por sidomos për shkallën e saj të lartë të sigurisë. Sipas kujtimeve të historianit Kristo Frashëri, “… kasaforta madhështore e bankës ku ruhen mbulesat e saj në ar, argjend, stoli e gurë të çmuar, së bashku me hambarin e kartëmonedhave … është e siguruar me mure të betonuara, jashtëzakonisht të fuqishme dhe me një portë hekuri të rëndë, me disa çelësa dhe kode, të cilat asnjëherë nuk ndodheshin në duart e një njeriu të vetëm”. Italianët e kishin ndërtuar atë jo me logjikën e viteve ’90, “buona per Albania”, por si për veten e tyre. Kishin menduar të rrinin gjatë e përgjithmonë.

Në malet e Skuterrës u vodhën në vitin 1997, 340 kg ar, kryesisht, siç thuhet, monedha. Prej tyre u gjetën 26 kg. Të tjerat luhaten në këmbime mes luksit, ndërtimit të pallateve dhe shthurjes në hapësirat e një shteti të ndodhur disa herë në honin përbuzës të shtetit të dështuar. Vjedhja u zbulua prej një administrate të dobët, të paaftë, pothuaj të vdekur, vetëm pas tre vjetësh.

***

Koha e katërt, 2014. Në të vërtetë vjedhja ka ndodhur që nga viti 2011 e në vazhdim. E shndërruar tashmë në strehëz të këndshme punësimi për të afërmit e një pjese të elitës politike, kontrolli në Bankën Qendrore të Shqipërisë, në institucionin me privilegjet më të posaçme, rezulton se është shndërruar në formalitet. Sasia e lekut për asgjësim dhe ajo që pret të hyjë në qarkullim, matet me peshë ose me metër kub (?!). Siç po provohet këto ditë nga mediat e shkruara dhe ato vizive, drejtimi, organizimi dhe administrimi i bankës ka qenë në mëshirë të fatit. Guvernatori, Këshilli Mbikëqyrës dhe drejtuesit e departamenteve të saj, për shkak se nuk kanë kryer detyrat funksionale, kanë lejuar përmes mosveprimit vjedhjen e mbi 700 milionë lekëve. Veç një gjë nuk u duhet mohuar: botimi periodik i buletinit zyrtar dhe raportet tremujore të politikës monetare. Të jeni të sigurt, asnjë nuk i lexonte. Botimi i tyre në tirazh pesë mijë kopje ka ndikuar vetëm për të shpërdoruar ato pak para të taksapaguesve shqiptarë.

***

Ndërsa politikanët tanë, me zë të mekur, hedhin e presin fjalë me dy kuptime, opinioni qytetar, i ndier i nëpërkëmbur, është i zemëruar. Ata duan jo thjesht shkarkimin e titullarëve. Ata e dinë më mirë se bankierët rolin e madh që kanë bankat në një shoqëri moderne e me tërë politikën e një vendi. Çudi është, por ja që guvernatori nuk e jep dorëheqjen për të lënë të lirë hetimin, ndërsa Këshilli Mbikëqyrës nuk e jep guvernatorin! Shpresojnë ende se do të dinë të përfitojnë nga të mirat dhe të bukurat e këtij institucioni. Çfarë qëndrimi fatal!

7 Komente

"Filloi kështu grumbullimi i arit që ndodhej në Shqipëri. Për këtë, u përdor politika e mbajtjes së kufizuar të sasisë në qarkullim të kartëmonedhës 5, 20 e 100 franga ar. Në këtë mënyrë, banka i detyronte zotëruesit e monedhave ar të shkëmbenin në sportele monedha ar me kartëmonedha."

aha, prandaj ka lindur edhe ajo shprehja legjendare ne kartmonedha: "i paguhen pruresit me të parë".

Shkrim i bukur!

smiley me pelqeu, autori perveçse sillte fakte te rendesishme, e kish ndertuar shkrimin me nje ironi therse smiley

Koha e tretë, viti 1997. Është pak t’i përkëdhelësh me emërtimin “të shkujdesur”. Vetëm një mendje, jo thjesht e paaftë në drejtim dhe administrim, por dhe e sëmurë, mund të merrte vendimin që thesari në metale të çmuara etj., i shtetit shqiptar të hiqej nga një prej bankave më të sigurta në botë dhe të çohej në “shpellat” e gërxhet e fshatit Skuterrë, ku një mendje edhe më e sëmurë kish ndërtuar tunele ku do të strehohej Shtabi i Përgjithshëm në kohë lufte, e nga ku do të drejtohej lufta kundër dy superfuqive, “… deri në fitoren përfundimtare”.

Kete asnjehere se kam kuptuar se pse duke filluar qe nga  R Alia e te mepasshmit ne nje kohe qe e kishin banken bosh mbanin qypat me flori te fshehur ne qafe te krrabes.

Nja 4500 kg ar na i paska transferuar në Itali, gjatë viteve '30, edhe rivalja e mëpasme e Banca Credito Italiana, Banca di Napoli.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).