Nëse hyni në Tetovë rrugës që vjen nga Gostivari, do përballeni me fytyrën pas socialiste të këtij qyteti. Pra do shihni godina moderne, restorante nga më luksozet.  Kësaj rruge që ju çon drejtë qendrës , nga ana e djathtë e saj, do ju bie në sy Kampusi joshës i Universitetit të Evropës Juglindore i cili ka edhe dy emra “përkëdhelës”: “Universiteti i Shtulit” si dhe “Universiteti i PDSH-së”. Këto emërtime na çojnë të mendojmë se ndoshta ka ardhur koha të ngitet iniciativa që ky universitet të bartë emrin e ideatorit  dhe njeriut që është më i merituara që ai ekziston – emrin e të ndjerit Arbër Xhaferi.

Pra, nëse vini nga Gostivari dhe hyni në Tetovë, para se të arrini në qendrën e saj, do shihni nga ana e majtë Reçicën e Vogël, e cila është e njohur nëpërmjet "monumentit" të quajtur “Selia e Bashkimit Demokratik për Integrim” e ku Ali Ahmeti me shokët, në qetësi, larg zhurmës së Shkupit,  bënë plane si të arrijë atë që e dëshiron çdo mendje e mëkuar me “leninizëm”: si ta sundojë popullin sa të jetë gjallë. Dhe mbase shumëkush e ka kuptuar se cili koncept politik e lodh Ahmetin, prandaj qëllimkëqinjtë thonë se selisë së BDI-së më së shumti do i përshtatej  emërtimi “Selia e Shoqatës Aksionare të drejtuar nga Ali Ahmeti”.    

Nëse hyni në Tetovë nga rruga që lidh këtë qytet me Shkupin, do shihni fytyrën socialisto-kapitaliste të Tetovës. Pra do përballeni me bulevardin e thurur anëve me godinat të ndërtuara qysh në kohën e socializmit, e të cilave tani u bashkëngjiten ato të “epokës kapitaliste”. Dhe posa të arrini tek sheshi i qytetit, përballë do shihni godinën me mbishkrim që do ua ndërmend ato të Partisë së Punës të Shqipërisë: ndërtesën me mbishkrimin e Partisë Demokratike Shqiptare, me çka do e kuptoni se bëhet fjalë për selinë e partisë së Menduh Thaçit. Edhe sa i përket kësaj selie partiake, shqiptarët e këtushëm nuk e  lënë pa ia shtuar emrin “përkëdhelës”, por që shpjegon shumë: “Selia e Kompanisë Private Fitimprurëse e Menduh Thaçit”.

Por si do që të jetë, sado që të doni t’i largoni asociacionet që kanë të bëjnë me partizimin e shoqërisë së këtushme shqiptare,  është e pamundur të mos vëreni se rrugëve të Tetovës, si në asnjë vendbanim tjetër shqiptar, me qartë e lexoni orën që mat kohën e veprimin politik dy partiak, e që përcakton të sotmen dhe të ardhmen e shqiptarëve të Maqedonisë. Në të vërtet, Tetova ishte dhe mbeti kalendari i saktë i ambicieve kulturore, arsimore, ekonomike e politike të shqiptarëve të këtushëm. Pastaj Tetova ishte dhe mbeti foleja ku ngjizeshin e merrnin zë ambiciet kulturore, arsimore, ekonomike e politike të shqiptarëve të Maqedonisë. Tetova ishte dhe mbeti qendra që vuante dhembjen e shqiptarëve të këtushëm dhe që festonte ditët e lavdishme të shqiptarisë së kësaj ane. 

Nëse vini në Tetovë gjatë stinës së verës, aty do shihni Perëndimin e ardhur në këtë qytet, por kryesisht nëpërmjet veturave luksoze të cilat sa nuk ju shkelin, e që i drejtojnë mërgimtarët e përmalluar për vendlindjen ku nuk jetohet aq shpejtë sa duan ata ngutshëm të ngihen me Tetovën. Por nëse vini në Tetovë gjatë vitit shkollor, do keni përshtypjen se në këtë qytet jetojnë vetëm të rinjtë, se aty të moshuarit janë shërbëtorë të nxënësve dhe studentëve të  dy universiteteve, të një rinie që lëvizë vrullshëm, si valët që mezi presin të derdhen në oqeanin e ardhmërisë. 
Po, Tetova është qytet i dy universiteteve, i atij që e përmendëm më lartë dhe i Universitetit Shtetëror të Tetovës i cili gjithashtu ka edhe emrin përkëdhelës  të vet: Universiteti i BDI-së. E kështu e quajnë sezonalisht, ngaqë posa vjen në pushtet PDSH-ja, të gjithë ata që tani kanë “licencat” partiake të BDI-së, do ua lëshojnë vendin të deleguarve të PDSH-së. Dhe këtë universitet sot e quajnë të BDI-së, ngaqë libreza e kësaj partie është më e vlefshme se cilido kontribut shkencorë, për t’u ngjitur lartësive akademike dhe për t’i marr provimet në afatet e caktuar.

Tetova është ajo që shihet  dhe ajo që fshihet pas makijazhit të saj. Por si do qoftë, ajo është epiqendër nga përhapen rrathët e veprimit politik të shqiptarëve të Maqedonisë. Nga Tetova përhapen edhe rrathët e kulturës, arsimimit dhe zhvillimit ekonomik të shqiptarisë së këtushme, ngaqë rrallëkush si tetovarit dinë ta “rrotulloj lekun” dhe shumë të paktë janë ata që kanë investuar për arsimimin e të rinjve sa tetovarët. Por, edhe si e tillë, Tetova ngjanë në perandoreshë pa kurorë. Edhe atë jo pse shqiptarët e kësaj ane nuk e kanë pranuar si “qendër” nga përhapen rrathët e çdo gjëje që ka të bëjë me shqiptarinë e Maqedonisë, por ngaqë kurorën nuk ia vuri mendësia lokaliste tetovare, e cila mendësi trekëndëshit  Tiranë-Prishtinë-Shkup,  donte t’ia shkurtojë njërin krahë, duke e shpallur Tetovën si një nga kulmet e këtij trekëndëshi mbarëshqiptarë.  Tetova mbeti si mbretëreshë pa kurorë edhe shkaku se është qytet i dy universiteteve, por pa bibliotekë universitare dhe është qytet i studentëve, por që kurrë nuk ka organizuar protesta studentore. Dhe si e tillë, Tetova mbetet mes ambicieve të barazohet me Tiranën e Prishtinën, por duke harruar se fati i saj varet nga Shkupi. 

Si do që të jetë, kur të vini në Tetovë, më qartë se kudoqoftë, do e dëgjoni tik-takun e orës dypartiake që matë kohën politike të  shqiptarëve të Maqedonisë, e të cilët tani e jetojnë periudhën kur e shohin se njësoj e ke nëse e mbështet “Shoqatën Aksionare të drejtuar nga Ali Ahmeti” apo “Kompaninë Private Fitimprurëse të Menduh Thaçit”. Pra, në Tetovën e këtyre ditëve, do e ndjeni se shqiptaria e këtushme është e hutuar, se ajo nuk dinë nga t’ia mbajë, ngaqë nga çdokund i paraqitet o Thaçi, o Ahmeti, e që të dy së bashku i bindin shqiptarët e këtushëm  se vetëm të paudhët e kërkojnë fatin politik jashtë partive të tyre. Ç’është e vërteta, kryetari aktual i komunës së Tetovës, Sadi Bexheti duket se mundohet Tetovën ta nxjerr nga kthetrat partiake, e t’ua kthejë qytetarëve të saj. Dhe mbase Bexheti është kryetari i parë që Tetovën e ka bërë të mos i ngjajë  fushëbetejës ku partitë shqiptare dëshmojnë se cila ka në pronë më shumë qytetarë të saj, por Tetovën ta bëj qytet në të cilin  partitë do u shërbejnë qytetarëve.

Në ndërkohë, kur ta braktisësh Tetovën, do ndjesh një zbrazëtirë të çuditshme. Zbrazëtirë që ka të bëjë me atë se Tetova i ngjanë një qyteti që më së miri e pasqyron shqiptarinë e këtushme, këtë shqiptari që nuk e kupton se për çdo kokë mund të porositësh kurorë, por kurora i ka hije vetëm kokës që e ka kuptuar se e plotë është vetëm ajo që i ka të gjitha. Pra, Tetova pasqyron shqiptarinë e këtushme, e cila shtiret se ka shumëçka, por të cilës i mungon plotësia që e përcakton portretin e një vendbanimi dhe të një etniteti të tërë.

Almakos.com 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).