Çdo album muzikor vjen tek unë fillimisht si një eksperiencë dëgjimi. Prej saj marr përshtypje, ide, emocione, por gjej në të njëjtën kohë edhe hapësirën për të reflektuar dhe analizuar atë çka po dëgjoj. Në rastin e “Toka Incognita”-s të Eda Zarit më bënë përshtypje një sërë elementësh: përzgjedhja e materialeve, mënyra sesi ishin punuar, vokali dhe shkrirja e tij me një mjedis tingullor instrumental sa të ndryshueshëm në përbërje, po aq edhe kompakt në cilësinë e vet. Po kështu, më tërhoqi regjistrimi, detajet e montazhit audio, miksimi dhe post-produksioni. Materialet të imponoheshin në dëgjim për cilësinë që kishin, gjë që dëshmonte një kërkim të kujdesshëm për gjetjen e tyre dhe një punë të bërë me po aq kujdes në realizimin e saj. Në fakt, albumi “Toka Incognita” të nxit të shkruash dhe këtu nuk është fjala për formatin e një shkrimi promovues. Të nxit të shkruash para së gjithash për mesazhin artistik të Eda Zarit dhe sesi ajo përfaqësohet me këtë album, qoftë në muzikën shqiptare, ashtu edhe në tregun ndërkombëtar.

Te “Toka Incognita” bashkohet përvoja gati 15-vjeçare e një artisteje. Është një profil që qëndron te jazz-i, por që në kërkimet e veta i referohet edhe asaj që, sot për sot, cilësohet si “world music”. Në këtë album gjejmë këngë të njohura shqiptare të rikonceptuara nga ana e Edës në mënyrën e vet. Nga këto mund të përmendim: “Kroi i fshatit tonë”, “Pranvera filloi me ardh’” apo “Zare trëndafile”. Krahas tyre vijnë materiale të reja si: “Dj(a)ellëzore” apo “Foggy Lake”, që në shumicën e rasteve mbajnë edhe autorësinë e këngëtares. Ndër këto është gjithashtu edhe një version-cover i “My Yiddishe Momme” (Nëna hebreje), një këngë sentimentale nostalgjike e kompozuar rreth vitit 1925, por shumë e njohur në muzikën dhe kulturën popular amerikane.

Në qoftë se do të duhej të përcaktonim një lloj “gjeografie” muzikore në këtë album, do të vërejmë që pika kryesore e referimit mbetet gjithsesi Mesdheu, me ndërthurjen e jashtëzakonshme të kulturave muzikore: nga ajo arabo-lindore, tek ajo afrikane, hispanike, latino – perëndimore e ballkanase. Interesi qëndron në mënyrën sesi Eda Zari iu jep zë këtyre melodive. Vëren në interpretimin e saj eksperiencën e muzikës jazz, vokalitetin e impostuar që shkrin swing-un, bebop-in dhe në krah të tyre, modele të të kënduarit tradicional shqiptar. Këto të fundit ajo i ka përvetësuar në mënyrë intuitive falë kontaktit që ka pasur sidomos me modelet e të kënduarit të këngës polifonike të jugut, muzikës me saze, por edhe zhanreve muzikore të Shqipërisë së mesme.

Eda arrin të kombinojë me zhdërvjelltësi dhe me një impostim natyral këto vokalitete. Veçoritë e këtij fonacioni i ndjejmë sidomos te mënyra krejt personale e të kënduarit në scat, si ajo artikulon grupin e zanoreve ae, aë dhe eë në këngë të tilla si “Dj(a)ëllëzore”, “Thrill in 9/8” dhe “Toka Incognita”. Krahas vokalitetit, një tjetër element me interes është mjedisi instrumental. Përbërja tërësisht akustike, përdorimi i instrumenteve të ndryshëm, shpesh të prejardhur nga praktikat e muzikës tradicionale ose folklorike prodhon larmi timbrike. Megjithatë, është para së gjithash, fuzioni mes të gjitha palëve pjesëmarrëse një nga veçoritë më të spikatura.

Ky konvergim nuk paraqitet vetëm si një akt artistik, por edhe human. Eda Zari bën të bashkëveprojnë  individë me eksperienca dhe shkolla muzikore sa të ndryshme aq edhe të ngjashme me njëra-tjetrën. Ndër ta, fillimisht mund të veçoj Gert Kapon, sepse ndan me artisten njohje të përbashkëta sa i takon muzikës shqiptare dhe asaj jazz. Po kështu, mund të dallojmë profilin e klarinetistit, që i përmbahet funksionit tipik që klarineta ka brenda formacionit të muzikës me saze në Shqipëri. Më pas, Eda Zari “hap lojën” me artistë dhe timbre instrumentale të cilët nuk kanë lidhje të drejtpërdrejta me atë çka ne jemi mësuar të dëgjojmë si muzikë shqiptare. Çdo njëri prej këtyre artistëve është protagonist në fushën e vet: Rhani Krija (perkusion), Dominic Miller (kitarë), Sebastian Studnitzky (trompë), Hayden Chisholm (saksofon) etj., kurse ajo çka ofrojnë së bashku është një model komunikimi; komunikim mes gjuhësh të ndryshme muzikore, po aq sa edhe mes kulturash. Kjo do të thotë që ajo çka ngjizet kur artistët luajnë bashkë me një përkushtim të caktuar ka të bëjë jo thjesht me eksperienca muzikore, por edhe me eksperienca jete.

Në këtë mënyrë, Mesdheu muzikor me format e polifonisë me iso, kabanë instrumentale, ritmet e përziera apo taksimet, ndërthuret me riff-et, groove-et, thyerjet ritmike, sinkopat dhe seksionet improvizative. Shpesh, lidhje të tilla mes jazz-it dhe shprehjeve folk cilësohen si ‘ethno-jazz’.Në këtë rast, ama, unë personalisht shoh diçka më tepër se kaq. Në kuadrin e hapësirave të shumëllojshme të muzikëbërjes sot në botë dhe të lëvizjes së pandërprerë të muzikantëve, te albumi i Eda Zarit unë shoh “histori kozmopolite jazz-i”. Kozmopolitizmi muzikor shfaqet atëherë kur individë të caktuar janë në gjendje të  krijojnë hapësira të reja muzikore me ndërmjetësinë e talentit dhe njohjes që kanë, por edhe falë shijes muzikore dhe kënaqësisë që gjejnë kur luajnë së bashku.

Kjo ka ndodhur edhe me këtë album dhe e para që mbart tiparet e këtij kozmopolitizmi është vetë Eda Zari.Ajo këndon shqip, por si një muzikante kozmopolite; ruan lidhjet me kulturën muzikore shqiptare, por duke u pozicionuar në një hapësirë më të gjerë të përbërë nga një shumësi shprehjesh të tjera muzikore. Në këtë hapësirë, ajo i jep shprehje kreativitetit të saj. E duke e dëgjuar albumin “Toka Incognita” si një korpus të vetëm, elementi i fundit por mjaft thelbësor që unë personalisht shikoj te ky album dhe që do të doja ta veçoja është nostalgjia. Nëpërmjet saj, Eda Zari evokon këngët, kulturën, vende të caktuara; evokon Lasgush Poradecin dhe gjithçka që në gjuhën shqipe vjen e përkufizohet me fjalën mall. Ajo e Eda Zarit është një “nostalgji reflektive” në të cilën e shkuara rikrijohet në të tashmen dhe thelbi i këtij rikrijimi mbetet të jetë një takim (rendevouz) i Eda Zarit me vetveten: me artisten, këngëtaren, femrën dhe gjithçka e bën të jetë ajo që është: një personalitet origjinal, i formuar dhe gjithmonë në kërkim të së bukurës.

7 Komente

Artikull i shkëlqyer, model si i duhet prezantuar muzika lexuesit të interesuar. Këngëtares së kalibrit të lartë Zari i del fati edhe në shtyp, për meritë të Mingës.

Deri diku. Nuk i eshte shmangur dot shmangies se venies ne dukje te defekteve. Mbase eshte album pa defekte.

Te dyja gocat ishin pjese e jurise ne nje produksion te tv Klan.Shume respekt per Eda Zarin dhe ndoshta Minga ka thene gjerat e duhura,por nuk i shpeton shijes se hidhur te "cokave". Kritika e cokashoqnise na e shpifi.

Pjeter,

Me e frikshmja ne kete mes eshte se une kam na 3 vjet qe e kam ble kete album. Te besh artikull ne gazete per nje album te dale 3 vjet me pare eshte paksa qesharake. Nese e ke zbuluar tani albumin dhe te pelqen, mjaftohu me nje : "Sa inat qe e zbulova kaq vone", te thene me vete.

Nuk eshte e thene, ne fakt, qe nje "studiuese e muzikes" te kete dijeni per albumet e artisteve shqiptare se dihet qe prodhohen miliona ne muaj. Sidomos nga artistet tane jashte. 

Nejse albumi eshte shume i bukur dhe Eda ka ze fantastik. 

Nejse albumi eshte shume i bukur dhe Eda ka ze fantastik. 

d.m.th qenka cope-cope smiley

Iii kush flis Katrori! Me u qujte muzike ene ajo qe nigjo ti moooo!

një personalitet origjinal, i formuar dhe gjithmonë në kërkim të së bukurës.

eh, moj mikaela minga: per xhaxhin enver kenge do te thurr tere jeten. akoma me kultin e individit?

se po nuk kendoi eda zari per te shitur disqe, s'do e gjenim te bukuren ne te tjeret. 

ky albumi qe nga emri ma hoqi deshiren t'a degjoj. pastaj i dhashe edhe nje shans tjeter dhe germova ne rrjet. dy sekuenca kengesh qe degjova, me mjaftuan per ta harruar.

tani: vertet kaq qejf eshte te shkruash nje artikull te tere per te tille muzike?

nje pershendetje te gjitheve qe degjojne jazz me:

http://www.youtube.com/watch?v=PHdU5sHigYQ

kjo mbetet gjithmone kozmopolitane.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).