Një nga themeluesit e gazetës DITA, drejtori i saj Ardian Osoja ka ndërruar jetë natën mes të martës dhe të mërkurës, pas një infarkti në zemër.

Lajmi tragjik është konfirmuar nga familjarët.

Kolegu dhe miku ynë i dashur, ishte vetëm 46 vjeç. Vdekja ka ndodhur rreth orës 01.30 pas mesnate në shtëpinë e marrë me qira për pushimet e gushtit në Vlorë ku Ardi ishte bashkë me bashkëshorten Entelën dhe djalin Kristianin.

Ardi është paraqitur në urgjencën e mbingarkuar të Vlorës me shqetësime të shendetit rreth orës 19.00 mbrëmjen e së martës, por e kanë diagnostikuar me probleme stomaku dhe protokolli standart i kontrollit nga të dhënat e para duket i anashkaluar. Ardi merrte prej disa muajsh mjekim për probleme me tensionin.

Trupi është sjellë në Tiranë dje në mesditë, varrimi kryhet sot në orën 11.00 në varrezat e Sharrës.

Ardian Osoja ka qenë një nga drejtuesit më të suksesshëm në infrastrukturën e vështirë të shtypje-shpërndarjes së gazetave në Shqipëri. Ai ka qenë drejtor dhe administrator në të përditshmet Gazeta Shqiptare, Metropol, Panorama, Tirana Observer, Shekulli,  si dhe në gazetat sportive Gol dhe Sport Ekspres.

Prej nëntorit 2012, që prej numrit të parë të saj, ishte drejtor i gazetës DITA.

Stafi i bashkohet dhimbjes së Entelës, Kristianit të vogël, prindërve të moshuar të Ardit, vëllait Teos, familjarëve, miqve dhe të afërmve

Lamtumirë Oso!

 

**************

Kjo është Shqipëria që kemi gatuar

Nga Adrian Thano

Nuk pushonte kurrë një sekondë, ndërsa unë rrija e dëgjoja me atë heshtjen time të zakonshme prej skeptiku. Zemërmiri Oso kishte përherë diçka për të thënë.

Habitesha si arrinte të mbyllte dhjetëra takime në ditë, duke ecur nxituar me atë çantëzën e vogël në njërën dorë dhe cigaren e nëmur që nuk e ndante, në tjetrën. Unë lodhesha shpesh, ai jo. Unë prishja thuajse gjithçka me nervozizmin tim prej të marri, ai gjente gjithmonë fjalët e duhura për të më qetësuar. Optimisti Oso nuk dorëzohej kurrë.

E kuptoja nga përpjekja e mundimshme për të zgjedhur fjalët, kur gazeta nuk ecte mirë. I ndjeja numrat e suksesshëm kur këmbëngulte të më zgjonte nga gjumi me telefonatat e shtuara mëngjeseve. E ngreja më në fund atë telefon dhe i flisja gjithë përtesë, kurse ai buçiste nga ana tjetër shend e verë: “Po të kam thënë njëqind herë more djalë, ngrije atë dreq tirazhi, se më plase…” Ishte shprehja që ia thosha unë, sa herë më ankoheshin lexuesit që nuk gjenin DITA në treg. Unë e ulërija i nervozuar, ai e kthente po aq herë i qeshur.

E humbëm Oson. I plasi zemra në duart e Entelës, pak orë pasi një debil në urgjencën e Vlorës i dha recetë me ilaçe stomaku, një pacienti me simptomat e parainfarktit dhe e dërgoi shpejt e shpejt në shtëpi.

Por humbja e Entelës, Kristianit të vogël (fëmija më i veçantë që kam njohur ndonjëherë) Teos, prindërve të moshuar, miqve është vetëm ajo e dukshmja që dhemb. Ka edhe një humbje tjetër që do mbetet e tillë po aq gjatë. Shtypi i shkruar ka humbur dje në heshtje një nga mjeshtrat e tregut të shtypje-shpërndarjes. Pak njerëz e njohin këtë treg mizerje. Është një nga punët më të vështira në Shqipëri. Merrem që prej marsit të vitit 1996 me gazetat, plot 18 vjet që endem redaksive; nuk kam njohur kurrë një njohës më perfekt të këtij tregu se Osoja.

Nuk do them gjë tjetër sot. Nuk mjafton të shkruash fjalë. Dhe nuk dua t’u thyej edhe më zemrën familjarëve të Ardit. Ata janë njerëz të mirë e të urtë; nuk donin as zhurmë as bujë në dhimbjen e tyre. Nuk donin të shkruaja asgjë në gazette, sidomos kundër mjekëve, etj. Dhe ndoshta kanë të drejtë. E çfarë nëse shkruaj që edhe sikur debili i urgjencës të ishte gjeni mjekësie, në urgjencë për TURP ka vetëm një dollapë dhe ca regjistra? Çfarë nëse shkruaj që një ndihmëse e debilit donte për TURP 20 mijë lekë ryshfet që të fuste trupin në morg? Çfarë nëse shkruaj që edhe agjensia e funeralit është për TURP pronë e mjekut ligjor dhe pasi të firmosin dokumentin e vdekjes, të ofrojnë për TURP arkivolin dhe transportin për Tiranë?! Çfarë nëse kërkojnë për TURP rreth 1 mijë euro për një transport nga Vlora në kryeqytet a thua se po faturon avion çarter Tiranë-Romë e kusur? E çfarë nëse thua për TURP që drejtuesi i ri i spitalit në Vlorë është produkt i pazareve të deputetëve lokalë? Çfarë turpi… Kush ka më turp në këtë vend?

Kjo është Shqipëria që kemi gatuar. Dhe që me sa duket do na hajë një nga një të gjithëve.

11 Komente

RIP

46 vjec me infrakt ne zemer.

I ri i shkreti smiley

RIP

ka ardhur koha qe peshku te hap rubriken e nekrologjise. per njerez te famshem, apo jo.

po mjere ai qe iku, thuaj... se ja, ky Thano, qe presupozohet se ka bere nje artikull homazh per kolegun e tij, e paska telendisur keq fare sistemin e korruptuar te shendetesise. te gjithe shkaktaret i ka demaskuar, me "emer mbiemer"... qe nga doktori i paafte, drejtuesi spitalit, e deri te deputet pazarexhinj. i fut edhe nje "turp" me shkronja kapitale dhe u kry!

Vite me pare nje i aferm i imi vdiq me infarkt.  I ri dhe ai, me femije dhe ai, jo i famshem.  Nje vit tek doktoret me dhimbje ne kraharor, ftohje i thoshin.  

Megjithate nuk eshte cudi qe kur dikush i njohur vdes, shkaqet e rrethanat te bejne me jehone se per te panjohurit.  

Problemi nuk eshte aty.  Problemi eshte qe Turpi te mos lihet te hahet me buke.  Nqs cka thote Thano jane te verteta, strukturat perkatese te perveshin menget.  (Qe te sqarohemi, jo strukturat e Kryetarit te Bashkise qe s'duhej te ishte kryetar bashkie ketu e nje vit.) 

Ngushellime familjes per humbjen. 

Thano është i gjallë dhe i shendetshëm. Ata përemrat që përmend me profesione e biznese do t'i duhen nesër. Ska pse e prish me ta e të krijoj konflikte më së koti. Politika editoriale e gazetave është "Sharje në përgjithësi" sa majtas-djathtas.

Shume gjynof. 46 vjec vetem po qe antar i ISIS e merito me vdek. Sidomos po qe se ta kane fajin ata kasapet qe bojne ligjin neper spitale. Megjithate tensioni i larte osht nji silent killer per shumicen e shqiptarve. Ka pas qene kokrra krypes sa i kokerr groshe, per ato qe e majne men. Edhe ajo cigarja e nemur nuk besoj se ka ndihmu shume ke shendeti i ketijt gjynofqarit. RIP.

Ka pas qene kokrra krypes sa i kokerr groshe, per ato qe e majne men...smiley

Vetëm duhet me dijtë se nuk ka qenë e radioaktivizuar si kjo e bardha qumësht që ta ka lezet shpirti tye smiley lexo pak ..Kripa ( ajo që lëpinin bagëtia dhitë dhëntë e deshët e sqeprit ) ose kripa e Gurit që  tregtohej në Popull , megjithse kishte sa të hajë dreqi nga e bardha , është faktor Plus për shëndetin , jo siç trajtohej më parë e dëmëshme për hipertonikët !

Past rahmet Osja dhe e kujtofshin me admirim siç ka bërë dhe miku i tij Thano pa emocionet ekstreme !

...

Kapitalizmi,kshu si po e jetojme ne,paska qene sistemi i zhvatjes.Te gjithe jemi pjese e sitemit - zhvasim dhe zhvatemi.

Keqardhje per aq sa na takon per nje te panjohur.Ngushllime familjes.

Qe prej kohes se qepes sistemi ka qene sistemi i zhvatjes, dhe do vazhdoje deri ne kohe te hudhres neqoftese nuk kuptohet qe Sistemi Jemi Ne, jemi ne qe prodhojme sisteme, dhe riprodhohemi prej sistemeve.

Zhvatja e fundit dhe perfundimtare eshte zhvatja e kesaj te vertete, bashkejetesa me iluzionin se sistemi eshte diçka i ardhur si meteroit nga qielli, krijuar nga "Ata", qe nuk jane "Ne", dhe jane kunder "Ne".

Ne fakt sistemi arketipik quhet "Une", i zhvaturi i vetes, mbetur pa breke, lakuriq si piskuriq.

 

" .... Çfarë nëse shkruaj që një ndihmëse e debilit donte për TURP 20 mijë lekë ryshfet që të fuste trupin në morg? Çfarë nëse shkruaj që edhe agjensia e funeralit është për TURP pronë e mjekut ligjor dhe pasi të firmosin dokumentin e vdekjes, të ofrojnë për TURP arkivolin dhe transportin për Tiranë?! Çfarë nëse kërkojnë për TURP rreth 1 mijë euro për një transport nga Vlora në kryeqytet a thua se po faturon avion çarter Tiranë-Romë e kusur?..."

 

U mbush viti i Rilindjes, dhe sindromi i zhvatjes neper spitale, akoma nuk eshte hequr. 

Thano eshte nga kritiket e sinqerte te makuterise qe ka plasur... kam sjelle njeher nje fjalim dhe interviste te Thanos perpara komisionit parlamentar, kur kishte kandiduar per drejtor te RTSh-es.. nuk e nxorri Blend K.ri apo ndonje administratore by.. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).