Në rrethana normale, në rubrikën time do të shkruaja për ndonjë temë konkrete politike. Kur u nisa për t’i thurë këta rreshta, temat që m’u dukën me vlerë për t’u trajtuar ishin të shumta: paqartësitë rreth krijimit të qeverisë, pasojat e raportit tronditës të Williamsonit, kafshëritë e bashkëqytetarëve tanë që po u bashkohen fashistëve të ISIS-it. Por ja që në këto ditë zhegu, kur shumë prej nesh akoma jemi me pushime, më mjaftoi vetëm përfytyrimi i të shkruarit për tema të tilla që të ndjeja sëkëlldi.

Arsyeja kryesore nuk është vetëm natyra shqetësuese e këtyre lajmeve, por fakti se këtë verë po e kaloj nëpër një rrugëtim eksperimental të “pastrimit shpirtëror”. Jam duke agjëruar pothuajse krejtësisht nga konsumimi i lajmeve dhe nga preokupimi me çështjet politike, gjë të cilën në rrethana normale e bëj në mënyrë obsesive. 

Gjithçka nisi rreth mesit të qershorit kur pas një viti politik intensiv me dy palë zgjedhje që prodhoi rreth 1000 megavatë budallaki, m’u dogj “siguresa” e interesimit për lajmet politike. Ndonëse jam larg nga të qenët idealist, një betejë e pastër e ca burrave për pushtet që u mbështoll me retorikë të fortë morale, më gërditi aq fort sa refuzova ta vëja një siguresë të re. U shkëputa përkohësisht nga ky cirk, për të jetuar pa "rrymën” e ciklit 24-orësh të lajmeve. E bukura e stinës së verës është se ajo krijon kushte të përshtatshme për një shkëputje të tillë. Rrezet e diellit na bëjnë më optimistë dhe më të prirë për aktivitete të qejfit. 

Ato debatet banale politike që zakonisht na nxehin gjakrat - të tipit “çka i tha Dema Kadrisë?” - verës mbeten në margjina. Veç kësaj, rënia e ritmeve të punës sjell prodhim më të pakët edhe të lajmeve politike. Nga bota e jashtme na vijnë për vizitë familjarë dhe miq të cilët, përveçse na mundësojnë që të çmallemi dhe të kalojmë bukur, i japin edhe frymëmarrje ekonomisë. Mos t’i përmendim pastaj ditët e kaluara në plazhe apo male që na ushqejnë shpirtrat duke na rikthyer pranë nënës natyrë; për kampionatet sportive që na mbushin adrenalinë; për librat apo filmat që më në fund gjejmë kohë për t’i lexuar apo për t’i parë. 

Mbrojtja nga ndërhyrjet e “qafirëve politikë” që nuk agjërojnë, megjithatë kërkon qasje proaktive. Përgjatë verës, në takime me miq u përpoqa t’i shmangja bisedat për temat politike, si dhe ta kufizoja qasjen time në rrjete sociale dhe portale. Kështu arrita të izolohesha nga kukuvajkat dhe moralizuesit që postimet në internet i përdorin si terapi personale dhe që miqtë virtualë i kanë kthyer në thasë boksi për shfryrje të dufit.

Dhe kështu, si besimtarët myslimanë që gjatë muajit të Ramazanit e përjetojnë në lëkurën e tyre se si është të jetosh në uri, edhe unë – i varuri nga lajmet politike – e përjetova se si është të jetosh si njeri thellësisht i painteresuar për zhvillimet e përditshme, duke u zhytur në aktivitete mondane si ngasja e biçikletës, ndjekja e serialeve amerikane dhe përzgjedhja e përditshme e pemëve dhe perimeve të freskëta në pazar. 

Jetova, pra, për nja dy muaj si një nga ata indiferentët tipikë dhe “politikisht të paemancipuar” që i irritojnë revolucionarët, por çuditërisht u ndjeva më i çliruar dhe më i emancipuar se kurdoherë. 

Rikujtova se prej perspektivës së jetës mondane – duke darkuar me familje dhe me miq, duke udhëtuar, duke parë filma, duke lexuar letërsi, etj - gjërat esenciale të jetës dhe të natyrës njerëzore, përfshi edhe ato mbi politikën, kuptohen shumë më qartë dhe më thellë. Metafora që më bie ndërmend për ta përshkruar këtë përvojë është ajo e një fotografi që fiksohet me detajet e një shkëmbi dhe papritmas bën një “zoom out” për të parë në sfond gjithë malin mahnitës bashkë me vargmalet, qiellin e kaltër, zogjtë dhe lumenjtë. Ashtu si Zarathustra i Niçes që pas vitesh reflektimi në izolim zbret nga mali me një këndvështrim tjetër mbi botën, edhe unë prej kësaj përvoje izolimi po dal me ca përfundime modeste për preokupimin tonë histerik me politikën.

Po më duket se ne kolektivisht, për shkak se jemi të paaftë për të marrë përgjegjësi individuale qoftë edhe për gjërat më të vogla si pastërtia e lagjeve tona, i kemi varur shpresat te shfaqja e ndonjë supermeni që do të na i zgjidhë të gjitha hallet me sustë, ashtu siç na solli NATO-ja mrekullisht lirinë. 

Prandaj edhe si në dramën e Beketit brenda ciklit 24 orësh të lajmeve jemi duke e pritur Godonë dhe jemi lidhur me politikën në gjendje pothuajse permanente, secili me teoritë dhe rolet e veta si spektatorë, tifozë, besimtarë, kritikë, komentues, autorë statusesh, moralizues, mendshitës, interesxhi, histerikë, bartës gojëdhënash, gjykatës, viktima, arsyetues, dhënës dhe kërkues “llajkash”, etj.

Dhe gjatë gjithë kësaj kohe shpesh po harrojmë të jetojmë dhe t’i bëjmë pikërisht ato gjërat e vogla që i sjellin ndryshimet e mëdha. Po e lejojmë politikën të na hajë shpirtërisht nga brenda dhe të na çnjerëzojë, në vend se ne të ishim ata që do ta bënim politikën më njerëzore.  Prandaj nëse jeni soj i njeriut si puna ime, që mendoni se duhet të jeni 24 orë te informuar dhe që ndiheni të detyruar për të thënë ose për të bërë diçka për “çështjet e mëdha”, them se do t’ju bënte mirë ndonjë periudhë agjërimi dhe frymëmarrjeje. Bota mund të mbijetojë për pak kohë pa shqetësimin apo kontributin tuaj rreth temave sociale dhe politike. 

Po jetojmë në epokën e artë të serialeve. Shikoni “Breaking Bad”, “Sopranos” apo “House of Cards” për ta shijuar kompleksitetin e natyrës njerëzore. Blini pemë dhe perime në mëngjes dhe diskutoni me shitësin në pazar mbi atë se në cilin rajon prodhohen kumbullat më të mira. Nisuni me më dashurit tuaj në ndonjë udhëtim, qoftë edhe deri në Batllavë. Sa humbni kohë duke diskutuar nëse Hashimi apo Ramushi duhet bërë kryeministër, lexojeni ndonjë roman ose mblidhni shoqërinë dhe pastroni lagjen. 

Shfrytëzoni edhe pak gushtin, sepse shtatori po vjen. Politika është e paevitueshme dhe do të rikthehet me forcë për të na shtyrë prapë në mejdan dhe për të na bërë më pak njerëz se që jemi kur e kemi luksin për ta injoruar.   

 

Botuar te Gazeta Jeta ne Kosove (12 Gusht 2014)

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).