Intervistë imagjinare guvernatorit të Bankës Kombëtare

-         Zoti Fullani Njerëzit kërkojnë që ju të ikni nga ajo detyrë. Përse qëndroni?

-         Unë qëndroj që të zbardhet çështja e vjedhjes, që ne të bankës e kapëm vetë.

-         Ju lumtë! Jeni vërtet i dëshiruar për zbardhje?

-         Po aq sa jeni ju i dëshiruar për nxirje.

-         Çfarë do të thotë fjala “guvernator”?

-         Vjen nga fjala guvernim që do të thotë qeverisje.

-         Pra ju qeverisët në mënyrë të tillë, sa u vodhën shtatë miliardë lekë kollaj-kollaj! Nuk janë ca si shumë?

-         Kam qejf të thoni shtatëqind milionë, se janë të reja dhe do ta shikoni që duken më pak. U bënë plot 50 vjet që lekun ne e nxjerrim të ri dhe ju e lexoni të vjetër! Doni t’i rëndoni gjërat?

-         Ku janë gabimet e qeverisjes?

-         Nuk flas se prishim hetimet. Ne po bashkepunojmë me prokurorinë në partneritet të plotë. Dhe po nxjerrim gabimet tona të përbashkëta.

-         Të përbashkëta, dmth, gabimet tuaja dhe gabimet e prokurorisë?

-         Të kujtdo qofshin ato!

-         Dhe do t’i shohim më së fundi ato gabime?

-         Do të shikoni vetëm gabimet e prokurorisë!

-         Po tuajat?

-         Nuk lejohet. Destabilizohet sistemi bankar.

-         Në cilat fusha bashkëpunoni me prokurorinë?

-         Kemi miratuar një program me disa pika. Programi përfshin 1.Miratimin nga ne, të prokurorëve që na hetojnë. 2. Hartimi i  përbashkët i listës së arrestimeve…

-  Arrestimeve të njerzve tuaj?

-  Edhe njerëzve të prokurorisë, po e mbushi ndonjëri kupën! Më lejoni të vazhdoj: 3. Një drekë e shtruar nga ne, në Dajti…

-         Në Hotel Dajti?

-         Jo në mal të Dajtit! Dhe pika e fundit, 4, një ndeshje volejbolli e ekipit të femrave të prokurorisë me ekipin femëror të Bankës tonë.

-         Oh, pa shiko! U bënë modë tani këto ndeshje të mëkatarëve me drejtësinë. Pas Lazaratit kam dëgjuar se do të bëhen disa ndeshje të llojit. Është një ndeshje që do të bëhet mes policisë dhe të kërkuarve nga Interpoli, një ndeshje tjetër midis ish të burgosurve me hetuesit e tyre, dhe një ndeshje interesante mes  pronarëve dhe atyre që u kanë zënë pronat!  Shikoni se këto ndeshje janë ogurzeza. Kam parasysh Lazaratin që fitoi ndeshjen e futbollit me policinë por humbi davanë.

-         Është një arsye që ne ta lemë prokurorinë të na mundë… Në volejboll!  

-         Pra ju e dini rezultatin e hetimeve dhe nuk do të lëvizni nga ai post. Nuk lëvizni ngaqë keni gjetur rehat?

-         Nuk lëviz ngaqë dua që të ndihmoj deri në fund hetimin.

-         Sa zgjat ai?

-         Nuk e di. Ka patur raste nëpër botë edhe dhjetë vjet. Di një rast në Kuala Lumpur unë, hetimet zgjatën trembëdhjetë vjet!

-         Si e shfajësoni veten që drejtor të Thesarit emëruat burrin e mbesës?

-         Nuk flas se prishen hetimet. Dhe hetimi I drejtë është në interes të vendit, të atdheut!

-         A është e vërtetë që përditë pjesëtarëve të familjes suaj kudo që janë  u vjen gjella e gatshme nga restorante të posaçme dhe paguhet me paratë e bankës?

-         Nuk flas, se dëmtoj hetimet. Dhe hetimet…

-         Janë në interes të atdheut, e kuptoj! A nuk është si shumë një drekë për një njeri, që bankës t’i faturohen njëqindetetëdhjetë mijë?

-         Pse i fryni këto? Thoni tetëmbëdhjetë mijë! Ju pëlqen të akuzoni me të vjetra!

-         A është e vërtetë që rroga mesatare e punonjësve të Bankës së Shqipërisë është dhjetë milionë në muaj?

-         E fryni. Është vetëm një milion! Ju pëlqejnë të vjetrat se akuzojnë më fort. Ajo është paga mesatare, por tek unë ka njerëz që marrin shumë më pak.

-         Nuk e besoj se jeni ju ai që merrni më pak. Sa merrni ju?

-         Pengoj hetimet.

-         Po pastrueset? Thuajeni rrogën e tyre, pa penguar hetimet!

-         Katërqind mijë!

-         Të vjetra! Tani ju pëlqen juve të flisni me të vjetra!

-         E po ju ashtu e kuptoni më mirë.

-         Sa e bletë Hotel Dajtin? Përse ju duhej ai hotel i bukur dhe përse e keni lënë gërmadhë? Apo nuk përgjigjeni, se pengoni…

-         … hetimet. Pikërisht. Nuk flas.

-         Banka e Shqipërisë tuaj, - më falni! - Banka juaj e Shqipërisë bleu vetëm Hotel Dajtin?

-         Vetëm atë. Nuk na eci po kishim ndërmend të blinim edhe Bulevardin e madh megjithë Skënderbeun, i cili, ashtu hipur mbi kalë, na pengon të sodisim Dajtin.

-         Hotelin?

-         Jo, malin.

-         Përse nuk i bletë?

-         Për Bulevardin, protestuan taksistët. Për monumentin, na erdhën ca kërcënime nga kruetanët.

-         Të ndalemi tek Dajti…

-         Te mali?

-         Jo, te hoteli. Hoteli para se ta blinit ju ishte i…?

-         …i shtetit shqiptar.

-         Po ju çfarë banke jeni? E cilit shtet?

-         E shtetit shqiptar.

-         Pra, banka e shtetit shqiptar bleu hotelin e shtetit shqiptar dhe tani ai hotel është përsëri pronë e shtetit shqiptar. Mos keni ndërmend t’ia shisni qeverisë së Ramës?

-         Nuk flas. Pengoj hetimet. Guvernatori, sipas jush, nuk mund të urdhërojtë të shësë dhe blerë?

-         Shitblerjet i bën, po urdhërat i jep ai që komandon.

-         Ti mendon se më komandon njeri muaaaa?!

-         Meqënëse fyheni, atëherë kjo tregon se që nga ky post kyç ju keni shtrirë dorën drejt ca burrave dhe i keni zënë ata në një vend që nuk thuhet, dhe ua shtrëngoni… Pra, komandoni ju? Ju lutem, përgjigjuni!

-         Ore, nuk flas sikur përpjetë të hidheni! Mos doni që të dështojnë hetimet? Turp t’ju vijë! Nuk ju dhimbsen paratë e shqiptarëve! O, i gjori popull, kundër teje kanë rrëmbyer kazmat e po të hapin gropën!...

 

                                                              Botuar sot, dt. 15 gusht 2014, tek "TemA"

1 Komente

smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).