Se ç’kam një plagë këtu në brinjë

Dhemb sa herë që prishet moti

Në sytë e tu, të thellë, të zinj,

Kur çel si lule vjeshte loti!

 

S’ka shërim, thotë im at

Q’e njëjta dhimbje e vret në gjak

Vjen prej kohës që kur Zoti

Kuptoi se kishte një brinjë më pak!

 

 

….

 

S’mund ta heq k’të dimër prej trupit

K’të kafshë që fryma jote la mbrapa

Ngjyrë e purpurtë lulja ime e shkurtit

Perëndim ku shkon të vdes nata…

 

S’di ku ta gjej zjarrin që shkrin zemrat

Me fasha flakësh të lidh plagën që vret

Janë tretur stinët, u harrova dhe emrat

Ndanë një rruge të kalldrëmt në qytet!

 

 

….

 

Këtu shitet shpirt. Kilogrami/ Një Lek.

Gjithkujt që blen dhe vjeshtë

I jepet për dhuratë një lejlek.

 

Këtu shiten ëndrra

Çdo njera matet me zgjime.

Në një cep të ftohtë krevati

Është tretur përgjithmon nata ime!

 

Këtu shitet zemër. Çmimi ; Një thikë.

Ti, dhemb më shumë,

Të heq prej gjoksit kam frikë!

 

….

 

Unë të pash o e vdekur, e heshta

Trupi yt gjysëm kalbur vinte erë

S’kish faj dimr’i fundit, as vjeshta

Kyç’i ndryshkur, myshku mbi derë

 

Unë të pash o e vdekur, e s’fola

Zëri kockë prej trupit tënd m’u bë

Më kujtohesh, kur çelte manjola,

Atyre viteve që ikën e s’vijnë më…

 

Dëshpërimisht provoj të jap jetë

Por, thonë se, është tretur drita ime!

Kush nga ne është i vdekuri vërtet!?

Kë përcjellin kështu, …me vajtime!?

 

 

 

….

 

Jeta ime matet me zemra

Orët, minutat s’kanë vlerë

Një nga një i kam thyer të tëra

Të gjitha më kanë vrarë disa herë!

 

Jeta ime matet me ëndrra

Në çdo njerën i vdekuri jam unë

Kush më deshi, më hodhi në të tëra

Për t’më rivrarë mijëra herë, a më shumë!

 

….

 

Diçka po vdes në zemrën time,

E ndiej prej hapit që nata hedh,

I rëndë, si gjumë pa ëndërrime

Si er’e plakur që s’mund të bredh!

 

Diçka po vdes në zemrën time

Si dritë që kurrë s’arriti sytë

Si libër i vjetër që ruan kujtime

E pluhur’i kohës ngadal e mbyt!

 

Diçka po vdes në zemrën time

Si flokë dëbore që bie e shkrin

Si lotë nga sytë e një violine

Rënë mbi gurë ku lulet s’mbijnë

 

Diçka po vdes në zemrën time

Pa zhurmë e bujë, si me magji

Dhe çuditërisht s’i jap dot emër

S’di në është vjeshta, apo je ti!

 

….

 

Ta putha dhimbjen, atje, në zemër

Ku zemra ime rrihte fort,

Ndaj dhimbja jote m’u bë emër

E zemra ime t’u bë lotë.

 

I rëndë ky emër, për një si unë

Me shpirtin që përvlon si shpuzë,

Po deshe puthmë një herë më shumë

Veç kthema lotin e tharë mbi buzë…

 

….

 

Qëndron heshtur, fjalë mërguar

Si breg i zhveshur nga det e valë

Asnjë këmbë ere nuk pati shkuar

Shkova veç unë, ndaj dhe s’më fal!

 

Unë vdiqa dje, pardje, dhe sot

Ndodhtë nesër, s’prish punë aspak

Veç heshtjen tënde, s’ma tret dot

Acid’i dhimbjes që kam në gjak

 

Qëndronë heshtur, si pllakë guri

Në heshtjen tënde varrosur unë

Vetëm një herë vjen në jetë burri

Vdes dy-tri herë, a dhe më shumë…

 

….

 

Shpesh më ësht’ dashur të vdes

Në dhjetra mënyra mizore

Në kohëra t’pakohë e pashpresë

Në kohëra me fytyra njerëzore!

 

Kurrë s’harruan t’më thoshin

Përmes ritualit të vjetër, antik

Fjalët e athëme, që s’joshin;

Lamtumirë, lamtumirë ti o mik!

 

Ndodh t’më përcjellin në ikje,

Unë qesh gjatë meshës, varrimit

Se rilind sërish dielli në lindje

Se rihapen prapë portat e zgjimit!

 

Kush diellin provoj të mbulonte

Me të vjetrat dredhira njerëzore

Nuk zgjati shumë kohë të dëgjonte

Këmbana të kobshme, mortore.

 

Ç’ka vallë kjo natë që po qanë!?

Ç’gjeth këputi kjo vjeshtë!?

Guxim, miqët e mi, unë s’kam

T’ju them; Lamtumirë. Ndaj hesht!

5 Komente

Leonardi, ka lindur poet, sec ka nje dell poeti por si erzat e egra te malit smiley

Copezat me pelqyen shume z. Leonard. Nuk e di per erza te egra mali ( smiley )por brishtesia ne poezine tuaj eshte mjaft e kendshme per lexuesin.

S'jane poezite e para qe po lexoj nga ky poet, shpresoj mos te jene te fundit per te. Kjo poezi per mua eshte si oksigjeni ne lartesi shume te medha!

Arome sherebeli smiley

Bukur si gjithmone! 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).