Gjithnjë e më shumë xhihadistë shkojnë nga Gjermania në Siri dhe Irak, ku vrasin cvilë të pafajshëm.

Vdekja vjen ngadalë. Dhe lexuesit e "Süddeutsche Zeitung" mund ta ndjekin ardhjen e saj në faqen kryesore të gazetës. Gazeta tregon pesë pamje të marra me kamera nga tre pozicione të ndryshme. Në pamjet e 19 korrikut të këtij viti shihet një makinë e bardhë. Ngadalë ajo lëviz në drejtim të një pike kontrolli në qendër të Bagdadit. Pasi e arrin drejtuesi i mjetet e hedh makinën në erë. 54 njerëz vdesin, një numër personash mbeten të plagosur dhe gjymtuar. Drejtuesi i mjetit, sipas informacioneve të deritanishme është një i ri me origjinë turke nga qyteti Ennepetal në mes të landit të Renanisë Veriore - Vestfalisë në Gjermani.

Ahmet C., siç quhet i riu, kishte mbërritur vetëm pak orë më parë në Bagdad. Po aq shpejt u zhvillua edhe radikalizimi i tij deri në atentatin vrastar. Në mars të këtij viti ai paraqitet në Facebook me dy foto: njëra e tregon atë me një shishe uiski dhe cigare. Ndërsa tjera si mysliman që po lutet. "Nuk është shumë vonë", e komenton ai transformimin e tij nga mëkatar në besimtar të mirë, një besimtar që katër muaj më vonë do të vrasë 50 vetë.

 

Xhihadistët dhe neonazistët

Si ndodh ky transformim? Dhe para së gjithash: si mund të zhvillohet brenda vetëm pak muajsh kjo gatishmëri për dhunë? Shpjegimet e ofruara nga sociologët dhe psikologët depërtojnë deri në thelb të fenomenit: transformimi është tejet i pakuptueshëm sa të mund të analizohet pikë më pikë deri në hollësitë më të imëta. Sidoqoftë ka disa pika referimi që përsëriten: ndjenja e të qenit i përjashtuar dhe i braktisur; mungesa e kontrollit mbi jetën e vet, dhe pamundësia për të gjetur një vend në shoqëri. Nuk është rastësi që e vetëquajtura "policia e Shariatit" e cila patrullonte në gusht të këtij viti në Wuppertal, shpresonte të gjente simpatizantë në sallonet e lojërave të fatit. Sallonet e lojërave të fatit janë vende në të cilat takohen njerëz që kanë para së gjithash një gjë: shumë kohë dhe në të njëjtën kohë shumë pak plane për jetën e tyre. Kush i premton njerëzve një jetë të re gjen jo pak vetë që interesohen për këtë përreth salloneve të lojërave të fatit.

I ashtuquajturi xhihadizëm pop me emblemat e tij përkatëse, xhaketa të gjata, mjekra të fuqishme, parrullat e thjeshta u ofron përkrahësve të tij ndjenjën e mrekullueshme se nuk janë më në skaj por në qendër. Në qendër të një grupi me mendime të ndriçuara që duan ta kthejnë me kokë poshtë shoqërinë. Nga aspekti psikologjik kjo dinamikë i përgjigjet pikërisht asaj që, bashkon edhe neonazistët gjermanë edhe pse me tjetër kahje. Ata gjenden kryesisht në lindje të Gjermanisë. Në perëndim dominojnë xhihadistët, xhihadistët pop, nga të cilët disa bëhen vrasës në masë. 400 luftëtarë vlerëson Agjencia për Mbrojtjen e Kushtetutës, kanë shkuar ndërkohë në Irak dhe Siri. Të paktën pesë prej tyre kanë kryer atje atentate vetëvrasëse.

Për të shfuqizuar shpirtin e keq të xhihadizmit do të duhen vite. Thelbi i përpjekjeve do të përfundojë në një pikë qendrore: ofrim i kuptimit për jetën. Xhihadistëve potencialë duhet t'u ofrohet një vend në jetë dhe shoqëri. Ekstremizmi nuk lulëzon në qendër të shoqërisë por në skajet e saj.

 

Mes vigjilencës dhe histerisë

Por fillimisht do të jetë e rëndësishme të vihet nën kontroll rreziku akut. Aktualisht autoritetet gjermane të sigurisë merren kryesisht me dy çështje: si të ndalohen xhihadistët e rinj të dalin jashtë vendit? Dhe si duhen trajtuar të kthyerit nga zonat e luftës?

Ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Mazière ka bërë disa propozime. Në diskutim është për shembull heqja e pashaportës xhihadistëve gjermanë. Po kështu një opsion është edhe ashpërsimi i ligjit për të huajt. Me këtë duhet të bëhet e mundur që ekstremistët që jetojnë në Gjermani të dëbohen më lehtë. Aktualisht propozimet po shqyrtohen nga një grup pune me përfaqësues të Federatës dhe landeve.

Situata aktuale është kaq e vështirë edhe sepse skena xhihadiste është e vështirë të kuptohet. Kufijtë mes alarmit dhe alarmizmit, vigjilencës dhe histerisë mund të zhduken lehtë. E megjithatë ky diskutim duhet zhvilluar edhe pse deri tani mund të duket i mprehtë. Dhe duhet të vijë një kohë edhe për përballjen me pasojat. Këtë shteti ligjor gjerman e ka detyrim jo vetëm para qytetarëve të tij por edhe gjithë atyre sirianëve dhe irakianëve të cilët janë vrarë ose mund të vriten nga xhihadistë të ardhur nga Gjermania.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).