Ka një përkujdesje të veçantë nga ana e qeverisë në dy fusha të rëndësishme për të; propagandën dhe rritjen e taksave përmes instrumenteve që shmangin diskutimet në opinionin publik.

Gjatë diskutimeve të stërzgjatura në parlament, 10 muaj më parë, mazhoranca përdori termin “buxheti më i madh” e më pas e zbukuroi termin me investime të pafundme që ky buxhet do t’i mundësonte vendit. Tani, pas 10 muajve qeveria rishikon buxhetin duke ri propaganduar rritjen e buxhetit, e duke ribërë të njëjtat premtime që bëri në dhjetor  e duke ligjëruar këtë buxhet si më të lartin në këto 5 vjet.

Kur hedh sytë rreth e rrotull apo kur dikush me njohuri minimale në ekonomi qëmton të dhënat e publikuara nga Ministria e Financave, kupton se gjatë këtyre 10 muajve nuk kemi asnjë mrekulli infrastrukturore. Qeveria, e cila premtoi dhe propagandoi rritjen e investimeve përmes super buxhetit të miratuar në kohë rekord, duket se ka harruar të investojë paratë. Natyrisht këtu nuk po flasim për fondin e veçantë të akorduar për 70 vjetorin e Çlirimit, për ri zbukurimin e Lapidarëve apo fjala vjen reklamat me billbordera për arritjet e 300 ditëve! Këto të gjitha futen në propagandë.

Përtej zhurmës së arritjeve dhe përtej suksesit të pamatë të shfaqur vetëm nëpër reklama logjika e pamëshirshme e bilancit na tregon diçka tjetër. Të ardhurat e 8 mujorit flasin për një mosarritje të tyre në masën 624 milion lekë, të cilët propaganda zyrtare natyrisht nuk mundet ta paraqesë në kopertinën e librit të saj financiar.

Thuajse të gjitha taksat që pësuan rritje kanë një tregues negativ; kjo duke filluar që nga akcizat që kanë një deficit afro 5 miliard lekë e për të vazhduar tek Taksat Nacionale dhe për të përfunduar tek taksa progresive. Këtë të fundit propaganda populiste e përfoli si një taksë ku të varfrit do të paguanin më pak mirëpo duket se sistemi i ngritur nga mazhoranca aktuale është ndërtuar që në dukje të varfrit dhe shtresa e mesme të paguajnë më pak.

Sot 83% e qytetarëve paguajnë më shumë taksa se sa kanë paguar dje, megjithëse mazhoranca u përbetua (nëse e mbani mend tabelën që ministri mbante në dorë në dhjetorin e kaluar) se 95% e shqiptarëve do të paguajnë më pak. Edhe në këtë rast qeveria ka me se të krenohet sepse pasanikët e këtij vendi janë shtuar nga 5% në 12% e mund ta përdorë këtë në billborderat e fund vitit.

Ndërkohë që nuk mjaftuan taksat e rritura, nuk mjaftoi që jemi duke dëgjuar për lloj lloj taksash të reja, por tashmë qeveria po bëhet kreative duke u  përpjekur të na e shesë rritjen e taksave përmes tarifave. Shembulli më i mirë është ai i regjistrimit IMEI, regjistrim që Gjykata Kushtetuese e quajti anti-kushtetues, përmes këtij regjistrimi qeveria tentoi të vendoste një tarifë. Logjikisht tarifa vendoset për një shërbim të cilin qytetari përfiton, mbetet për t’u ditur nëse përgjimi qeveritar është një shërbim që qeveria ia ofron qytetarëve. Në po të njëjtën metodikë në datë 1 Shtator  Ministri i Financave dhe ai i Transportit dhe Infrastrukturës kanë firmosur një udhëzim që rregullon tarifën e shërbimit për kalimin me avion të kufirit të Republikës së Shqipërisë.

Duke i paraprirë propagandës se kjo tarifë do të shërbejë për të taksuar ato që kanë më shumë para, po rikthejmë në mendje një taksë që në analet e historisë së ekonomisë shqiptare ka marrë emrin e kryeministrit që e themeloi. Bëhet fjalë për taksën “Majko” e cila u vendos për të ndërtuar Rrugën e Kombit edhe qe 10 mijë lekë, sikurse e dimë Rruga e Kombit nuk u ndërtua nga paratë e asaj takse që nuk e di se ku përfunduan.

Tani, ajo që po përpiqet të kryejë qeveria është mbushja e gropave të buxhetit që vjen për shkak të të ardhurave në rënie, sidomos në taksat që kanë rritur, në rastin konkret qeveria llogaritet të fitojë rreth 18 milion dollarë në vit. Po përse mazhoranca po përpiqet t’i aprovojë këto taksa në formën e tarifës?  Përgjigja duket se fshihet pas faktit se asaj nuk i pëlqen të ballafaqohet me opinionin publik, i cili është treguar shumë aktiv në kundërshtimin e nismave qeveritare të këtij lloji.

Ndaj për të shmangur opinionin publik, mazhoranca përdor hile të tilla si fshehja e qëllimit të vërtetë duke e shndërruar hera herës taksën në tarifë. Mirëpo kjo qeveri alkimistësh, duket se sintezën e saj do ta prodhonte në miratimin e buxhetit të ri. Një buxhet i fryrë artificialisht si për t’i treguar shqiptarëve që qeveria do të investojë më shumë ndaj ato duhet të flenë të qetë.

Gjatë fjalimit për buxhetin Kryeministri u përpoq që t’i përkthente në investime rishikimin e tij. Një nga këto premtime ishte edhe ajo e tabletave dixhitale, kush është një dëgjues i rregullt i premtimeve buxhetore të qeverisë duhet t’i kujtohet se ky premtim ishte i njëjtë edhe me buxhetin paraardhës.  Por synimi për të impresionuar përmes një investimi shumë afër fantashkencës (në një Shqipëri si kjo e jona) sjell impakt edhe është një goxha arritje në fushën e marrëdhënieve me shtypin. Megjithëse një përsëritje e mërzitshme e të njëjtit premtim por në kohë të ndryshme, si për të justifikuar veten që paratë që do t’u marrim juve përmes formave të reja do dimë se si t’i investojmë.

Përtej zbukurimeve dhe garniturës interesante që qeveria paraqet, buxheti i rishikuar do të jetë më shumë taksa (që do na paraqiten si tarifa) dhe më pak shpenzime ashtu që qeveria në fund të vitit të fillojë rregullimin e një borxhi që e dërgoi në 70%. Pjesa tjetër është thjesht demagogji dhe propagandë që nëse nuk do të vijë në formën e billborderave do të na vijë në formë zbukurimesh dhe dasmash.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).