Ti fal të gjitha trishitmet e mija,

Merri me vete kur të më ikësh prej zemrës.

Nuk jam egoist, jam i pashpresë

Dhe s’dua të të bëj keq

Dua vetëm të heq prej supesh

Hallin e thënies së fjalëve të ndarjes.

E di, ti mund të ikësh, edhe pse s’do të ikësh

As unë s’dua të ikësh, as të iki askund.

Por duket se po mbaron, se s’zihemi më si më parë,

Tani mëria mes nesh zgjat me ditë.

Mëri e kotë, krenari idiote,

Se në çdo lëvizje tënden pres t’më puthësh supet!

Por vetë s’vij tek ty, dhe pse dua shumë.

Të dua po aq sa nuk dua vdekjen!

Por po shoh të vdesë mes nesh... s’e di...

Di vetëm që jam i dëshpëruar,

Sa dashuroj këdo që më fal një buzëqeshje.

Por nuk jam idiot. Madje jam i zgjuar,

Aq sa me to nuk shkoj përtej buzëqeshjes.

Ato s’janë gjë tjetër veçse mungesa jote.

Kurse ti je mungesa e dëshirës për gjithçka tjetër.

Ti je fillimi dhe fundi i çdo mendimi

Je shpresa dhe frika në gjithçka bëj.

Je dashuria më e madhe e jetës time

Por je dhe dështimi im më i madh,

Se u dashurova me ty kur isha keq,

Kur isha i zbrazët dhe i palumtur me jetën time.

Dhe të bëra të dashurohesh në mua

Siç dashurohen fluturat pas dritës së qirinjve.

Të gënjeva me ndriçim të stisur

Dhe me ngrohtësinë për të cilën ti kishe aq shumë nevojë.

Të premtova lirine tënde të çmuar

Por në fakt vetëm sa të dogja krahët.

E çfarë mund të gjeje ti, zog i lirë i qiejve të kthjellët,

Në honet e zbrazëta të mendjes time të errët si ferri?!

Ç’deshe që u dashurove në mua?

Sa herë ma ke thënë që je penduar!

Po si nuk pate guximin të ikësh?

Aq nevojë ke për dritën time vdektare?

Sa mund të zgjasë një dashuri e vjedhur?

Sa mund të dashurojë një zemër e fituar me mashtrim?

 

Kur jam i vetmuar jam i pashpirt

Të futem në zemër, të futem në mendje

As unë s’e di si e bëj, por e bëj.

Ta shkul jetën prej trupit!

Ta thith gjakun prej venash!

Kuptohet, figurativisht.

Por realisht të marr më të shtrenjtat:

Qetësinë e mendjes dhe lirine e shpirtit.

Dhe vuaj me ty si një i mallkuar

Se të dashuroj me gjithë zbrazëtinë e qenies time!

Të dua, po. Të dua shumë!

Por të dua larg meje, se afër të lëndoj.

Se dua të të shtrydh e të të fus në gjakun tim.

S’ngopem me ty! Je si ajri që thith.

Por ti s’më mjafton për të jetuar.

Dua edhe qetësi. Dua qetësinë time!

Dua edhe vetmi. Dua vetminë time!

Dua të jem me ty kur s’jam me ty

Dhe kur jam me ty dua të jem vetëm.

S’e di se si mund të zgjidhet kjo

Dhe ti ndoshta, me të drejtë mund të lodhesh.

(Me të drejtë mund të lodhemi prej njëri-tjetrit)

Dhe nesër mund të ikësh, t’më lësh për fare

Dhe unë dua të ikësh, Zoti e di sa dua!

Po, dua që të ikësh, të më ikësh prej zemre.

Por në fakt ti mund të ikësh vetëm prej syve të mi.

Se në zemrën time ke mbjellë metastaza,

Dhe unë, si uji i shiut,

I ushqej bashkë me gjithë gjërat e bukura që më jep.

Pa dallim.

Se s’i dalloj dot.

 

Dua që të ikësh. Ti të ikësh prej meje.

Se unë s’e kam guximin të iki.

S’kam guxim të përballem me jetën dhe me njerëzit

Pasi të kem flakur në det një gur të çmuar si ti.

Dua që të ikësh aq sa dua që unë të mund të iki

Dhe aq sa dua të kem një vend ku të mund të shkoj.

 

Nëse ikën, nëse nesër apo një ditë tjetër

Zgjohesh dhe vendos se s’mund të jemi më

Dua që të dish disa gjëra:

Në çdo vend të botës ku të më hedhin dallgët

Do të kërkoj dikë që të të ngjajë.

Jo ty

Dikë që të të ngjajë.

Qoftë edhe dikë që qesh aq çiltërsisht sa ti

Dhe unë di si t’ua nxjerr njerëzve të qeshurën nga shpirti.

Nuk do t’i them më askujt që e dashuroj,

Nëse s’do të kem mësuar të dua vehten time.

Do ta mbush humnerën brenda meje

Me çdo helm që s’është dashuri njerëzore

Se çdo helm tjetër sjell më pak dhimbje,

Sado që vret më shpejt.

Do të vazhdoj të harroj çdo gjë që bëj dhe që ka rëndësi për të tjerët

Do t’i thyej vazhdimisht premtimet që bëj kur jam i lumtur

S’do të jem romantik pasi t’ua marr zemrat vajzave,

S’do t’i dhuroj kurrë askujt luledielli

S’do të gënjej askënd më pak nga ç’të kam gënjyer ty,

S’do të resht së bëri keq gjërat që më mësojnë si t’i bëj,

S’do të qaj në sy të askujt tjetër, si në sy tënd,

Për asgjë, veç të vdekurve

Dhe s’do të të harroj kurrë.

 

T’i fal të gjitha trishtimet e mija,

Merri me vete kur të më ikësh prej zemre.

Por ti s’mund të më ikësh prej zemre, vetëm prej sysh

Dhe meqë është kështu

M’i lër mua trishtimet, ndoshta bëj diçka me to.

 

E gjeta letrën tënde, e lexova dhe e lashë prapë aty

Se jam aq bosh, dhe i mërzitur që jam bosh,

Sa nuk reagoj dot ndaj saj

Si nuk reagoj dot ndaj gjithçkaje tjetër që ti bën

Prndaj, nëse do të ikësh, ik.

Ma hiq prej supesh barrën e ndarjes

Dhe i marr unë përsipër të gjitha fajet.

Se të dua shumë!

Se të lëndoj shumë!

Se as ti s’bën më pak.

Se të dy i dime këto.

Se prapë s’bëjmë dot ndryshe.

Se të dua shumë!

Se të dua shumë!

Se të dua larg!

 

 

12 Komente

...ose partneri/ja dhe efekti droge

Në lidhje me poezinë ishte kjo? Se nuk e kuptova ç'do të thotë.

ne lidhje me cfare trajton poezia.

dashuria eshte kur edhe pse ikur, bashke, larg, afer, ne kete bote, ne ate bote, pra ne cdo lloj koncept te shpikur nga truri nuk te dhemb e nuk te ben te vuash. nese te ben te vuash nuk eshte me dashuri por budallalleku qe truri ka formezuar prej shpirtit ne emer te dashurise.

Dashuria eshte droge, eshte lumturi dhe trishtim, roberi dhe arratisje.dashuri eshte dialektika e brendshme e shpirtit, vuajtje dhe ngazellim, eshte perjetim i parajses por ka dhe ferrin si kontrapunt. Sepse dashuri eshte sfide perballe vdekjes, sfide perballe perkohesise se saj.Eshte takim i dy shpirtrave por dhe ndarje e tyre. A ke dashuri ndonjehere ti o shok?!!!!

A ke dashuri ndonjehere ti o shok?!!!!

ncuk. une jam dashuri. smiley

tjerat jan budalliku i trurit. por nese te pelqejne mund t'i vazhdosh. kur te merzitesh, kujtome se ndoshta te ndihmon.

smiley

tek komenti ne lidhje me ç'fare trajton poezia smiley

Beautiful!! 

Shume e gjate per tu vleresuar dicka qe eshte bere monotone dhe ndryshuar ne rrenje . psh si e ka dashurine Gjembi apo dhe Moza qe ben pejetje  smiley Nuk lame me pa bere af -of neper melodarma te cdo lloj ndarje e dashtunie  qe nga Sulltaneshat e deri ballshenuarat e Bollivudit smiley

Po ama nuk ke se si te mos vleresoh vargje te tilla qe jane shume jetesore por edhe nje gjetje e rralle poetike . Keto te bejne te meditosh thelle .. Flm

Dhe unë, si uji i shiut,
I ushqej bashkë me gjithë gjërat e bukura që më jep.

hë, se të kalon.

Se u dashurova me ty kur isha keq,

Kur isha i zbrazët dhe i palumtur me jetën time.

Dhe të bëra të dashurohesh në mua

Siç dashurohen fluturat pas dritës së qirinjve.

Të gënjeva me ndriçim të stisur

Dhe me ngrohtësinë për të cilën ti kishe aq shumë nevojë.

Të premtova lirine tënde të çmuar

Por në fakt vetëm sa të dogja krahët.

vleresoj sinqeritetin !smiley

I love it! 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).