Opinione per pjesen "Radio Iliria" te autoreve Iris dhe Erand Sojli, vene ne skenen e Teatrit Kombetar gjate fundjaves se kaluar.

Pjesa “Radio Iliria” e autorëve Iris dhe Erand Sojli pati premierën të premten e 18 shtatorit në skenën e teatrit kombëtar. Kjo renditja e emrit të parë e të dytë dhe tematikave që përfshin si feminizmi, kontributi, etj, janë një thashetem, por gjithsesi prej aty mund ta kalojmë në faktin që vepra ka dy autorë, një vajzë dhe një burrë, që janë motër e vëlla dhe ndajnë një togë idesh nëpër fjalë konkrete. Dhe mendoj se te vepra mund ti dalloje duart. Ndoshta një paragjykim. Po ja mendohet që shpesh femra si autore në teatër ka sjellë ca elementë të shqueshëm. Gjithsesi, kjo është pjellë e një thashethemi që shërben vetëm për argëtimin e nevojshëm në hyrje. 

Kapërcimet mes jetës së vetmuar e izolimit dhe traumës së pësuar që tashmë dominon e mbush jetën e protagonistit që i mbijetoi ferrit të përndjekjes komuniste janë subjekti i pjesës.

Vetja e vjetër (Mërkur Bozdo) e vetja e re(Arben Bajraktaraj) marrin skenën në zotërim me radhë për të sjellë një  pamje sa më të plotë të vuajtjes e shkatërrimit që është e le pas kjo përballje me dënimin dhe torturën dhe thyerjen që ja shkaktonte diktatura policore e Shqipërisë komuniste, ku ai kishte ardhur të kërkonte shpëtim prej diktaturës policoro-raciste të shtetit jugosllav. Kjo plotësi mendoj se nuk ka ndonjë kontribut të madh në mbarvajtjen e veprës. Kërkimi I maksimizimit të numrit të mesazheve

Shkak kishte qenë radio iliria që ai e paska blerë ditën kur për herë të parë pa detin. Se si ngeci radio te zëri i amerikës, dhe kosovari përfundoi në vite hetuesie sadiste dhe pastaj jeta e dashuria shkoi dhe i plakur ka si makth të pranishëm veten e vet nëpër një ngjarje që dominoi cdo kujtim tjetër.  Kjo gjë e shtyn në dëshpërim dhe mendime vetvrasëse që dikur i përmbush.

Jam dakort që është një gjetje e mirë. Ngjarja është e vërtetë. Sic janë edhe gjithë ndodhirat e treguara. Edhe ky qarku i lëvizjes përmbyllet shumë mirë. Vetja e vjetër fillimisht vret lugatin që është jeta e vet, ajo që kaloi si i ri që humbi nëpër poshtrim e dhunim, që e përndjek në pleqërinë e një jete plot keqardhje. Pastaj veten e vërtetë, plakun Pal.

Fillimisht, plaku rrëmon sjertarët e gjysmës së majtë të skenës, që është një dollap i madh, pastaj ulet dhe na tregon ngjarjen e jetës së vet, ndërkohë që komenton të tashmen si një njeri i përjashtuar prej zhvillimeve, që cuditet prej shpërndarjes së të mirave prej konsumerizmit pas-kinez në izolimin e vet brenda një apartamenti. 

 Gjysma e djathtë e skenës është një qeli nga brenda. Aty kosovari i ri jeton kalvarin e vet. Aty ai rrëfen rrezikun se do ta pushkatojnë, aty ai jeton kalimin nëpër hetuesi, vetja e vjetër vjen shok qelie dhe tregon për një eksperiencë më kolektive. Ai di se si është e zakonshme të të mbajnë nën ankthin e dënimit me varje e pastaj të të bëjnë të jesh mirënjohës për nja 25 a 30 vjet jete të tmerrshme, të një jete mes njerëzish që u duhet të spiunojnë e të jenë të tërbuar me veten e vet. Pastaj cmendet dhe një recetë e asaj që konsumohet cdo vakt lexohet si verdikt. Pastaj dashuria. Muzikë nga Elina Duni me bollik.  

Pastaj kosovari rikthehet në dhomën e vetes plak dhe e nxit në një vetvrasje. Ai hyn në skenë duke instruktuar plakushin vete se si mund të ishin anatomikisht skenarët e përshkimit nga plumbi e si do të mund të ishte më efikas në gjetjen e organeve jetike për ti shkatërruar. Plaku e heq qafe. Pastaj ndahet nga një dashuri që kishte gjetur mbrojtje e privatësi në bunkerët e komunizmit, në varfërinë e vet. Pastaj në errësirën që pllakos skenën plumbi vetvrasës ushton dhe duartrokitja e tejkaloi vetbesimin.

Ngjarja 

Plaku kërkon para dollapit. Hap e mbyll si kot kanatet e sjertarët dhe lëviz placka. Tregon për një parehati, po kjo skenë ka lodhje meqenëse e zbulon qartë që ideja e vet është me tregu nervozizmin. Ndoshta një problem i premierës,  pa familjarizimin e nevojshëm prej aktorit, por mund të jetë edhe problem regjisorial. Pastaj ky diskutimi për mallrat dhe gjithë ato sa thamë më sipër për këtë skenë. Komunikimi me një personazh të panjohur në telefon. Besnikun. Ky siguron bateritë për radion. Kishte sjellë edhe një cadër që u prish shpejt dimrin e kaluar. Ky do ta gjejë më vonë edhe pistoletën edhe plumbat për të dy vetvrasjet.

Kur vinë bateritë prej Besnikut plaku del ta hapi derën. Ikur ky, vjen i riu. Edhe Bozgo edhe Bajraktaraj janë gjetje e shkëlqyer. Bozgo e zbut kosovarcen e rinisë së vet në një gegrishte, pleqnie, tironse shumë natyrshëm dhe Bajraktaraj kishte energji plot e nuk u kursy hic. Loja e tyre, vecanërisht e zotit Bajraktaraj plotësoi të kuptuarit e situatave dhe ngjarjes me shumë vërtetësi. Një risi force dhe përjetimi.

I riu, përpëlitet për tokë me kokën zhytur në një thes dhe i zhveshur.  Një peng i shokuar e stërmunduar. Fillimisht jetojnë për një cast në dy realitetet bashkë. Plaku i jep ujë e ky në etjen e torturës që e ka tharë mbytet e vjell në gulcime. Mirë. Natyrshëm edhe ankimi i plakut për ndotje që s’ka kush ja pastron.  

 Pastaj shkojnë te qelia ku i riu është protagonist e plaku luan rolin e gjithë të përndjekurve. Shok qelie. Ai muhabeti për dënimin me varje që bëhet 25 vjet, tortura qelia varfëria. Fajsia e pafajsia, sa bashkëpunim është i nevojshëm për të siguruar tolerancë, cigaret. Një miniakt i ngjeshur fort. Pastaj jeta e burgut. Ky shoku i qelisë. Mos fol me mu se unë tregoj. Një autokritikë ekstreme. Denoncojnë me hakërrim njeri tjetrin, mësimi i kinezces dhe mësimeve të shokut Mao Ce Dun. Armik armik. 

Një ëndërr kthimi pranë familjes ku baba e fton në sofrën e pushtuar prej milicësh, e ku nëna si për tu mbrojtur prej humbjes së tij tashmë nuk e njeh më, e ai përgjërohet për nënë por ajo ka humbur.

Pastaj cmenduri, haloperidol, elektroshok. Tentativë për ta vrarë mjekun. Një rrëfim cmendurishë të iluminuara.

Pastaj dashuria. Ajo arratiset për aty me litar.  Ata duhen, preken përqafohen. Premtojnë. Të dy e presin njëri tjetrin dhe vuajnë ndarjen. Të dy ikin në jetën e vet. 

Pastaj plaku rikthehet në apartamentin e vet. Ai tenton vetvrasjen po arma nuk kishte plumba. Telefonon Besnikun. Ky i sjell.,po jep kohë për një ndarje. Vajza e dashurisë takohet me plakun. Një bashkjetesë si ajo e fillimit, ku të dy personazhet bashkëbisedojnë secili prej kohës së vet. Një jerm që jep piedestalin për një kumt: Ku ishe ti?

Plaku gjykon të gjithë ata që braktisën partnerë e të dashur për ti shpëtuar mbytjes përkrah atyre që i përpiu vorbulla komuniste. Një akuzë e qartë që  kujdeset mos mbetet njeri jashtë. Një deklaratë morale që tenton ti zerë rrugën disa qindra dramave të tjera që mund të shkruheshin mbi ato jetë.

Pastaj vetvrasjet. 

Pjesa

Nga pikpamja regjisoriale pjesa duket se ka pasur vendime të vështira. Mungesa e simetrisë në ndarjen e detyrave për dy personazhet krijon pak turbulli. I vjetri në momentet kur shfaqja ndodh në të kaluarën bëhet njerëz të tjerë ndërsa i riu është gjithnjë vetvetja. Gjithsesi ai nënshtrim ndaj forcës dhe unifikim me të tjerët sillet mirë në atë asimetri. Plaku në krahasim me të riun padyshim ka një identitet më të pakët megjithë shpërndarjen e kohës në skenë. Por jam dakort do ishte vështirë mbajtja e personazheve të tjerë. Për më tepër kjo është edhe një hapsirë për të tjera mesazhe, por sërish nëpër nënshtresa psikologjike disi më të thella, tej personales. Fundja me plakje të gjithë fillojmë e ngjajmë më shumë.

Një fjali nga pjesa thoshte (pak a shumë): “historia nuk shkruhet përditë por për periudha të mëdha që si përfundim je ti”. Ky është një cengel jo vetëm për historinë. Edhe krijimi dramatik rrezikohet prej tundimit që të flasë për periudha. Madje ky nuk është një rrezik, por një objektiv dhe detyrë. Në të njëjtën linjë shënimi në biletë fliste për faktin se vepra ishte një dedikim për të gjithë të përdjekurit. 

Pse kosovar, pse radio, pse vetvrasje? Janë pyetje që lindin dhe nuk I shtojnë asgjë të kuptuarit të veprës. Mbetet kjo ideja e një abstragimi të lënë përgjysëm apo një ndjekje jo fort e durimtë e të vecantës.

Mënyra si e imagjinojmë marrësin e mesazhit të prodhimit tonë artistik apo vetë prodhimin, pavarësisht misterit me të cilin e mbështjell veten, përfundon te teknika që përpiqen të zbulojnë si mbërthehet vëmendja dhe kënaqet inteligjenca e perceptuar për veten. 

Në këtë vazhdë. Arti dramatik si varietet i tekstit të shkruar apo treguar manovron me fjalinë. Madje më tepër, me vetë fjalën. Por fjalia është një mjet me përmasa të vogla për artin dramatik, meqenëse e zunë poetët dhe lanë aty  rraqet e veta. Madje dhe te copa të mëdha nga fjala.

Fjalia pra, ngaqë ka edhe ndihmën e një tjetër ngjarje që po i ndodh vëmendjes, (një shtimi të jashtëzakonshëm konkurentësh ndër mediat e tjera, që i shumëzon interneti,) shfrytëzon një qasje ndaj vëmendjes shumë të përkohëshme megjithëse me ngarkesë të madhe emocionale e dijesore. Fjalia pra në shpërndarjen e peshës gjatë aktit dramatik është një mjet që nuk duhet ngarkuar shumë. Dakort ky është një këshillim që duhet shoqëruar me autoritet që nuk na ndodhet, por shpeshtësia me të cilën haset kjo zgjedhje për të mbingarkuar fjalinë me kuptime, emocion, muzikalitet e bën gjithë pjesën një gjah të lehtë për kritika aborigjenësh.  

Gjithsesi vepra ishte e mirë fort dhe në kohën kur dija për periudhën do jetë edhe më e paktë, panoramat që renditen do kërkohen më shumë dhe do shërbejnë për ti sjellë më shumë pasardhësve që tani po shërojnë plagët me harrim. 

1 Komente

Pjese shume shume shume e bukur. Arbeni eshte vertete aktor i papame dhe ky rol i shkon mrekullisht. Erandi dhe Irisi kane shkruar nje pjese shume te bukur.

Tani qe bera komplimentat te filloj me kritikat. Duke qene se pata fatin ta shoh edhe ne qeshor (kur u shfaq per here te pare dhe ishte jo plotesisht e perfunduar) edhe tani te perfunduar, do bej ca verejtje per versionin e dyte. Ne qeshor spektatori dilte nga salla sikur e kishte rraf Tyson. Kurse tani sikur thjesht kishe denoncu te kaluaren kriminale te ndonje deputeti mazhoritars. smiley

Pjesa e vuajtjes dhe absurdit te denimit, ne qeshor, ishin te shprehura fale plastikes se Arbenit dhe dialogjeve minimaliste, qe te nxisnin te fusje trurin ne pune dhe te imagjinoje. Kurse tani ishin shtuar disa detaje per ta bere pjesen shume me te kuptueshme, gje qe ia zbehte pak impaktin tek spektatori. Gjithashtu edhe fundi qe ndryshuar pak dhe jo per mire.

Sidoqofte ngelet nje pjese fantastike dhe ndoshta une gabohem qe pres impakt te njejte ne heren e dyte nga nje pjese e tille.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).