Çdo poet mund ta konvertojë veten vetëm në një gjuhë; në gjuhën amtare. Ky është ligj. Dhe Rainer Maria Rilke është përjashtimi që vërteton ligjin në fjalë. Kështu, krahas veprave të tij madhore, si «Jeta e Shënmërisë», «Elegji Duineze», «Sonetet për Orfeun», ky poet la, sikurse dihet, edhe pesë përmbledhje me poezi në frëngjisht, të cilat i shkroi në dy vitet e fundit të jetës, kohë që e jetoi në Francë dhe në Zvicër. Qe shprehur diku se u detyrua të shkruante frëngjisht për të fituar kombësinë zvicerane, por bota letrare frankofone – mes saj dhe Valéry – as që e mori parasysh këtë deklaratë të tij të përunjur: me shkasë një varg prej më të parës ndër këto poezi, varg që thotë «Une voix, presque mienne…” (“Një zë, imi pothuaj”), Philippe Jaccottet shprehet: “Zëri i poezive që shkroi në frëngjisht, është tejetej zëri i njohur i Rilkes”.

 

Nëse një Zoti i këndoni…

Nëse një zoti i këndoni vërtet,

jua kthen me heshtje ky zot.

Nuk bëjmë tjetër jetë e mot

veç i avitemi një zoti që s’flet.

 

As e kuptojmë këtë shkëmbim

që na bën të dridhemi gjithnjë,

një engjëlli i lihet trashëgim

dhe s’kemi pjesë në të.

 

Hyjneshë

Në drekën e përgjumur dhe boshe

sa herë q’ ajo kalon,

nuk ndihet fare në ballkon

as dyshimi i një kurmi, do thoshe.

 

Por ndodh që natyra ta pikasë

dhe veti’ e së padukshmes pastaj

vegullisë s’ ëmbël të saj

një përshkënditje i fal të pamasë.

 

E madhërishmja, një ndarje…

E madhërishmja, një ndarje dhe kjo.

Diçka e jona që drejt qiejve pa re

merr udhën e vet dikur, ngaqë s’do

të shtegtojë gjithë kohën me ne.

 

Takimi i epërm falë artit, a s’thamë

se është më i ëmbli tumirëmbeç?

Kurse muzika: ky vështrim i mbramë

që i hedh vetes secili veç e veç!

 

Gjumashja

Fytyrë gruaje që mbyllet edhe humb

thellë gjumit, a thua po ngjëron

një kumb që s’ngjan me tjetër kumb

dhe kryekrejt të gjithën e pushton.

 

Kurmit të saj kundërmonjës nëpër gjumë

ajo nektarin thëthin prej kënaqësisë

së të qenit një mërmërimë më shumë

poshtë syrit të madh të qetësisë.

 

[Trëndafilit]

Për ty nuk po flasim. Sepse je

vetiu diç që s’thuhet me gojë.

Plot lule e stolisin tryezën, porse

pamjen krejt ti e bën të ndryshojë.

 

Të vendosin diku në një saksi-,

dhe ndryshon papritmas çdo gjë:

është ndoshta po ajo fjali,|

por e kënduar prej engjëlli tashmë.

 

Të cilës shprese…

Të cilës shprese të kahmotshme,

të ç’brenge, vallë, viktima?

synimi ynë i vetëm, rima

unikes së përbotshme.

 

Në fajin tonë këndejpari

ngulmojmë pareshtur por,

|ndryshe nga çdo faj njerëzor,

ky yni është prej ari.

 

Përktheu: Romeo Çollaku

1 Komente

      Qe shprehur diku se u detyrua të shkruante frëngjisht për të fituar kombësinë zvicerane,

Po ai gjithsej per dy vjet jetoj ne Zvicer dhe gjithe kohen ne spitale alias senatorium..Gjithsesi poezite e mesiperme me pelqyen, por  te shkruaje gjermanisht ishte pune fort e veshtire ne ato vite per  Rainer  Rilke, duke ditur qe para tij e kishin levruar ca super te medhenj..!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).