Sociologjia e Iben Haldunit

“Ibën Halduni më tepër se pesë shekuj, si në vendin e vet ashtu edhe jashtë, ka mbetur një profet (i shkencës) të cilit s’i është dhënë nderi i merituar”. Charles ISSAWI 

http://scbks.blogspot.com/2014/09/sociologjia-e-iben-haldunit.html

Ibën Halduni është një mendimtar i madh islam që ka lënë gjurmë të thella në historinë e shkencës. Sipas fjalëve të T. J. de Boerit, ai është një dijetar që s’ka pasur as pararendës e as pasardhës. Edhe pse në botën islame dhe në Perëndim për pesë shekuj s’e ka gëzuar autoritetin që e meriton, prapseprapë deri në kohën tonë ka mbijetuar si një profet i shkencës pa bashkësinë e vet të ithtarëve. Elementi kryesor që atë e ka mbajtur gjallë deri në kohën tonë dhe që e ka bërë me peshë bile edhe në kohën moderne është Hyrja (Prologomena) që ia ka shkruar veprës së vet Kitabu’l-iber. Në këtë vepër enciklopedike, origjinali i së cilës është Mukaddime, ai i ka shpalosur idetë e veta në lidhje me njeriun, shoqërinë dhe veprimtaritë shoqërore. 

Hulumtimet dhe studimet e shumta të bëra rreth Ibën Haldunit pas shekullit XIX, paralelisht me zhvillimet në shkencat shoqërore, e kanë nxjerrë në shesh të vërtetën se Prologomena në vete i ngërthen disiplinat shkencore si historia, filozofia e historisë, sociologjia, politika dhe ekonomia.

 

 

Sido që sociologjia, si një shkencë që e ka për objekt studimi shoqërinë, është fryt i shekullit XIX, mund të thuhet lirisht se njerëzit, përgjatë tërë historisë, i kanë observuar shoqëritë në të cilat kanë jetuar dhe kanë gjeneruar mendime të ndryshme lidhur me to. Në të gjitha periudhat e historisë, epiqendër e feve, e mendimeve filozofike dhe politike ka qenë njeriu, gjegjësisht shoqëria. Edhe pse mund të thuhet se tema e debateve apo e dis-kutimeve të ndryshme mbetet e njëjtë, sociologjia i ka veçoritë e veta që na mundësojnë ta veçojmë nga pikëpamjet pararendëse lidhur me shoqërinë. Sikur të mos ekzistonte një dallim i tillë, s’do të kishte kurrfarë kuptimi të thuhet se sociologjia ka një histori njëshekullore. Edhe pse pretendohet se ky dallim qëndron në akcesin shkencor të sociologjisë, prapëseprapë kjo çështje mbetet e hapur për diskutim. Pra, hulumtimi i kushteve - në të cilat ka lindur sociologjia - dhe i veçorive specifike të saj, është i dobishëm si nga këndi i të kuptuarit të bazës shkencore të sociologjisë ashtu dhe nga ai i ndarjes së sociologjisë nga pikëpamjet e tjera që merren me subjektin e njëjtë. 

Kushtet të cilat e kanë mundësuar lindjen e sociologjisë mund të studiohen nga aspekti epistemologjik, ekonomik, politik dhe nga ai kulturor. Këto rrethana janë emërtues i përbashkët i ndryshimeve radikale që në shoqëritë evropiane kulmin e vet e kanë arritur në shekullin XIX. Ndryshimet në fjalë e kanë edhe kuptimin e parametrave me të cilët sociologjia është ngushtë e lidhur. 

Parametri epistemologjik i sociologjisë, siç mund të parashikohet, është shkenca bashkëkohore dhe cilësia bazë e saj, metoda induktive. Veçoria kryesore që dijen e tillë e dallon nga llojet e tjera të dijes është bota e përvojës, burimi i së cilës i nënshtrohet mekanizmit si dhe pranimi i botës së përvojës, i botës së pesë shqisave si kriter i së saktës dhe i së pasaktës. Marrja si kriter i përvojës në shpjegimin e gjërave dhe ndodhive e ka kuptimin e shtyrjes së mënyrave të shpjegimit metafizik jashtë fushës së dijes ekzakte. Kështu, njohuritë të cilave nuk arrihet t’u verifikohet saktësia ose pasaktësia në saje të përvojës njerëzore, bile edhe nëse nuk refuzohen, domosdo e humbin funksionalitetin e vet. Kriteri empirik i dijes i drejtuar nga shpjegimi i gjërave dhe ngjarjeve, kërkon që edhe metoda e shfrytëzuar në këto shpjegime të jetë empirike. Kjo pra është metoda induktive, e cila nuk nënkupton vetëm shpjegimin e gjërave dhe ndodhive duke u nisur nga realiteti. Ajo në të njëjtën kohë nënkupton edhe mosmarrjen në konsideratë të gjërave që e kapërcejnë përvojën. S’ka dyshim se shkenca bashkëkohore nuk është identitet vetëm i shpjegimit. Atë, përveç shpjegimit, e bën të vlefshme edhe mundësia e kontrollit të gjësë së shpjeguar. Është pra mundësia e kontrollit ajo që e bën të dobishmen në praktikë. 

Me kalimin e shkencës dhe të metodës bashkëkohore në pozitën e drejtuesit kryesor të shpjegimit të gjërave dhe ndodhive, me shndërrimin e tyre në busull të vetme të jetës dhe pas mbështetjes së këtij trajtimi, qoftë edhe në mënyrë të tërthortë nga lëvizja e reformacionit, lindi një mënyrë e re e organizimit që bazohet në ekonomi: kapitalizmi. Me shndërrimin e ekonomisë bujqësore, që s’bazohet në dije, në ekonomi tregtare dhe industriale, si pasojë e zbulimeve të reja të mendësisë shkencore moderne dhe si pasojë e etikës së reformacionit, për një kohë të shkurtër ndryshoi edhe jeta politike dhe shoqërore. 

Ky proces që shkaktoi lindjen e kapitalizmit, përgatiti bazën e strukturimeve politike që në saje të teorive të së drejtës natyrore do ta shprehin “njohjen e barabartë” ose barazinë. Motivi për njohjen dhe sqarimin e gjërave dhe të ndodhive, duke e marrë për kriter përvojën njerëzore dhe arsyen (ratio), shkaktoi ndryshime radikale. Klasa e re, produkt kjo i ekonomisë së re, duke e mbështetur me fuqi ekonomike konceptin e të drejtës natyrore dhe duke u përpjekur që ta bëjë atë praktikisht të zbatueshëm, me të arritur t’i kanalizojë turmat nën flamurin e barazisë dhe lirisë, arriti ta realizonte shndërrimin apo transformimin politik....

 

Librin mund tA gjeni tek: http://scbks.blogspot.com/2014/09/sociol...

2 Komente

Mjeshter ka qene. Bash si Samuel Huntigton-i

smiley Ky eshte legjend mor burr, i dal nga nje qyteterim model si Andalusia (pa dashur tja ulim vlerat dhe samuelit)

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).