Tallava gjuhësore moderne. Kohët e fundit gjuha shqipe ka pësuar një frakturë dhe që duket pa kthim. Shkaku i kësaj krisjeje është zhvillimi i teknologjisë moderne si në mbarë botën. Domosdoshmëri apo dembelizmi emocional kumtues? Le të përpiqemi për një qasje. 

Pas ndryshimeve politiko-sociale, njerëzit u larguan në kërkim të opsioneve të ndryshme jetike, në drejtime të shumanshme. Puna, si bazë e jetës, u kërkoi kohë sasiore atyre, ndaj miqtë, të afërmit dhe shoqëria mund të mbeteshin mënjanë, në sajë të mungesës së kohës së mjaftueshme për të shkëmbyer një fjalë. Kështu që, ekskluzivitetin për t'i mbajtur në kontakt me njëri-tjetrin e ofroi teknologjia moderne, duke krijuar rrjetet sociale, ku njerëzit u përshtatën shumë shpejt dhe madje, filluan të ndiheshin vartës të saj. 

Tani komunikimi online ka lënë pas komunikimin tradicional duke ofruar bashkëbisedime të shpejta mes njerëzve, por ajo që vihet re si trend është forma e shkurtuar gjuhësore, sidomos te të rinjtë… Nëse dikur ishin disa forma të shkurtra gjuhësore që kuptoheshin nga të gjithë, si: etj, p.sh, dmth. etj… sot është krijuar një tallava gjuhësore, që zor se e kuptojnë pjesa masive. Duke hulumtuar rreth disa dialogjeve dhe komenteve në rrjetet sociale, vihet re një mbidozë e madhe e formave të shkurtra, ku bien rëndom zanoret dhe kumtohet vetëm nëpërmjet disa "togje" bashkëtingëlloresh. Nëpërmjet një këndvështrimi të përgjithshëm, vjen vetvetiu një fjalorth i shkurtër i "përkthyer" në gjuhën standarde, si p.sh: prb-problem, x-për, rrfsh-rrofsh, zmr-zemër, mhb-muhabet, bkr-bukur, sts-status, nk-nuk, gjthc-gjithçka,vërt8-vërtetë, srz-serizosht, lzt-lezetshëm, vtm-vetëm, txt-tekst, km-kam, dtl-ditëlindje, shm-shumë, pqf-përqafim, etj. Një tjetër formë e shkurtuar është edhe rrudhja e fjalive në 3-4 bashkëtingëllore, shkurtimi i togfjalëshave apo i nyjeve dhe parafjalëve në disa bashkëtingëllore, duke mbajtur peshën kuptimore, në kundërshtim me rregullat gjuhësore (bashkëtingëlloret nuk përcjellin kuptim). P.sh: tkxh-të kam xhan, tdsh-të dua shumë, klb-kalofsh bukur, tkz-të kam zemër, cpb-çfarë po bën, gz dtl-gëzuar ditëlindjen, pz-për zotin, tlt-të lutem, skgj-s'ka gjë, dd-dy dashuri, nshkoll, tikim, tvij, tlutem,etj,etj. Trendi i gjuhës së shkruar nga zotëruesit e rrjeteve sociale shmang respektimin e shenjave të pikësimit si: pikë, presje, pikëçuditje, pikëpyetje, thonjëza, pikëpresje, etj., madje shpeshherë përdoret trepikëshi dhe pse i pavend .P.sh: ckm xemla tvij te takoj nlagje nga ora 8…me shkr sms xxx. Kjo lloj gjuhe vihet re tek moshat e reja, ndërsa mbi 25-vjeç e lart, relativisht përpiqen të shkruajnë formën gjuhësore të standardizuar dhe pse me mjaft gabime gjuhësore. Pra, forma e të shkruarit të rrudhosur, me sa duket ekskluzivon të rinjtë. Ndoshta të rinjtë i miklon ky variant gjuhësor, ndoshta kjo gjuhë është argëtuese për teknologjinë dhe koha e imponon këtë stil-writing, por një gjë është e sigurtë, se gjuha standarde ndihet keq kur i afrohet ky lloj repertori, ndien goditje fonetike, leksikore, morfologjike dhe sintaksore. 

Shkolla, si vatra themelore e formimit gjuhësor të brezave të rinj, duhet të insistojë për zbatimin e normave të gjuhës dhe drejtshkrimit të saj, derisa koha të marrë përsipër të bëjë rregullatorin, nëse është e domosdoshme.

(GSH)

4 Komente

Kjo gjuha e te rinjve ne telefon apo internet, eshte pirdhi ne te. 

Pjer, pse te pelqen shprehja "pirdhi ne te" atqu*...shpresoj qe s'ka te beje me kubistet smiley

*atqu eshte zhargonishte per shprehjen shkodrane "alamet topolake qenkerkshin ulqinaket"

WDC.

stil-writing

wtf?

gjithsesi se ku donte te dilte, nuk e mora vesh.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).