Tre oficerë policie, mes tyre edhe vëllai i një dëshmori të rënë në krye të detyrës, janë përjashtuar nga Policia e Shtetit për një çështje, ku një nga protagonistët e saj është Bashkim Tahiri, babai i ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Çështja për të cilën janë përjashtuar tre oficerët ka të bëjë me një aksident rrugor, ku sipas urdhrit të lëshuar nga kreu i Policisë, Artan Didi, tre oficerët nuk kanë dhënë masë shumë të lehtë për drejtuesin e mjetit që ka goditur mjetin e babait të Tahirit, pa shkaktuar pasoja në njerëz.

Letër Ramës

Aksidenti në fjalë nuk është publikuar më parë nga policia dhe është mbajtur sekret për një kohë të gjatë, por tre oficerët e përjashtuar, pikërisht Ahmet Meshi, Servet Topi dhe Bardhyl Shahini, të cilët ishin me detyrë në Drejtorinë e Policisë së Durrësit, kanë vendosur të mos heshtin më. Ata i janë drejtuar me një letër Kryeministrit Rama, të cilit i kanë kërkuar të ndërhyjë për rikthimin e tyre në polici. Të përjashtuarit pretendojnë se masa ndaj tyre është dhënë në fshehtësi të plotë, pasi fillimisht i kishin lajmëruar për një masë të lehtë, por tre muaj më vonë janë njoftuar zyrtarisht, pa u lënë asnjë mundësi apelimi në gjykatë, se me urdhër të Didit ishin përjashtuar nga policia.

Në letrën drejtuar Kryeministrit Rama, e cila disponohet nga gazeta “Shqip”, tre oficerët kërkojnë nga Kryeministri që brenda kompetencave të tij kushtetuese, të ndikojë pranë Ministrisë së Brendshme për revokimin e urdhrit të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit për përjashtimin e kryekomisarit Ahmet Meshi, nënkomisarëve Servet Topi dhe Bardhyl Shahini. Sipas të dhënave, të tre oficerët e rolit të parë drejtues kanë qenë anëtarët e komisionit të vlerësimit pranë policisë rrugore në Durrës dhe janë përjashtuar me motivacionin “shkelje ose mosushtrim i kompetencave të policisë”.

Kjo masë është cilësuar prej tyre ekstreme dhe e pabazuar në ligj, por që merr shkas nga një incident rrugor, përplasje mes dy mjeteve, të ndodhur më 12 korrik të këtij viti. Nga informacionet policore mësohet se në këtë datë, në autostradën Tiranë-Durrës, si pasojë është dëmtuar lehtë mjeti “Audi”, me targë AA227CL, i drejtuar nga Bashkim Tahiri, babai i ministrit të Brendshëm. Ky mjet është goditur në pjesën anësore nga mjeti me targë AA333JO, me drejtues Agim Lazen.

Aksidenti

Tre oficerët kanë shkruar për Kryeministrin se ky aksident është trajtuar në bazë të Kodit Rrugor dhe ligjit për kompanitë siguruese, duke përcjellë praktikat përkatëse, në bazë të të cilave ka përfituar babai i Tahirit, i cili thuhet se është dëmshpërblyer me rreth 90 mijë lekë të reja. Kurse shkaktari i aksidentit, Agim Laze, mësohet se është shoqëruar në polici dhe i është nënshtruar kontrollit për pije alkoolike dhe verifikimit të dokumentacionit. Nga ky kontroll, ai ka rezultuar i rregullt, kështu që është penalizuar me masë administrative “gjobë”.

Pa pasur asnjë ankesë zyrtare, si nga ana e të dënuarit, ashtu edhe nga ana e të dëmtuarit (babai i Tahirit), mësohet se Komisioni i Apelit ka vendosur të kryejë një hetim për këtë çështje. Sipas pretendimit të tre oficerëve, Komisioni i Apelit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, i përbërë nga katër drejtorë policie me gradën “Drejtues i Parë” dhe kryetari i komisionit, zëvendësdrejtori i përgjithshëm për sigurinë publike, të mbledhur më datë 18 gusht, pra rreth një muaj pas aksidentit, ka shqyrtuar de facto ankesën e tyre dhe kanë vendosur një masë më të lehtë se përjashtimi. Sipas të dhënave, Komisioni i Apelit ka vendosur “ulje në gradë për një vit” dhe “shtyrje të afatit të gradimit”, vendim i cili duhej të shpallej brenda pesë ditëve. Por, diçka e tillë nuk ka ndodhur dhe një vendimi është shpallur tre muaj me vonesë, në kundërshtim me rregulloren e policisë. Pikërisht me vendimin nr. 550, datë 14 tetor 2014, ku shihet qartë se janë ndryshuar dy anëtarë të komisionit që ka marrë në shqyrtim dosjen e tre oficerëve dhe janë ndryshuar procesverbalet, është vendosur “përjashtim nga Policia e Shtetit” për tre oficerët e lartpërmendur. Veç faktit se ata janë dënuar në kundërshtim me rregulloren, një pretendim tjetër lidhet edhe me dënimin kolektiv të tyre, pra janë fajësuar të tre njëlloj, pavarësisht se secili prej tyre ka pasur votën e vet në vendimin për aksidentuesin e makinës së babait të Tahirit. “Kjo masë dhe të tjera të ngjashme si këto, kanë krijuar pasiguri dhe frikë në organizatën e policisë për përmbushjen e misionit të saj”, deklarohet në ankesën drejtuar Kryeministrit Rama dhe të firmosur nga tre oficerët e përjashtuar.

“Dëshmori i Atdheut”

Ahmet Meshi, vëllai i Azem Meshit, i vrarë në vitin 1999

Një nga të përjashtuarit për shkeljen e konstatuar në rastin e këtij aksidenti është Ahmet Meshi, i cili kishte funksionin e kryetarit të komisionit, ku mendohet se është abuzuar me detyrën dhe mban gradën “Kryekomisar”. Ai rezulton se është vëllai i një punonjësi policie të vrarë në krye të detyrës dhe i shpallur “Dëshmor i Atdheut”, Azem Meshi. Ky i fundit është vrarë në vitin 1999 përballë bandave të armatosura në Tiranë. Azem Meshi, një nga nëntë fëmijët e Ali Ukshin Meshit, e kreu shkollën fillore në fshatin e tij të lindjes, Kosturr të Hasit, ndërsa tetëvjeçaren në qytezën e Kamit të Tropojës, ndërsa të mesmen në qytetin e Kukësit. Në tri rrethe i përmbylli tri ciklet e arsimimit të tij. Pas shpalljes “Dëshmor i Atdheut”, drejtuesit e Policisë së Tiranës kanë vendosur një pllakatë me emrin e dëshmorit Azem Meshi, në rrugën që ka marrë emrin e tij në Unazën e Re në Tiranë. Ky nuk është rasti i parë që një familjar i policëve të rënë në krye të detyrës lihen jashtë radhëve të uniformave blu, madje, duke shkaktuar dyshime për mënyrën e përjashtimit të tyre.

 

Policia

Raporti për përplasjen e mjetit të Bashkim Tahirit

Në dokumentet e policisë rezulton se aksidenti, ku është përfshirë edhe babai i ministrit të Brendshëm, ka ndodhur rreth orës 14:30 të datës 12 korrik 2014 në autostradën Tiranë-Durrës, në afërsi të një karburanti. Sipas të dhënave, si rrjedhojë e një parakalimi të gabuar në krah të kundërt dhe pa ndezur sinjalin, një mjet i paidentifikuar ka goditur në gomën e parë të krahut të djathtë mjetin veturë ngjyrë gri, “Audi”, me targë AA 227 CL, që drejtohej nga Bashkim Tahiri. Mjeti, i cili e ka goditur është larguar nga vendi i ngjarjes dhe drejtuesi i mjetit të dëmtuar ka njoftuar policinë. Drejt vendit të ngjarjes ka shkuar me urdhër të sallës operative një patrullë e përgjithshme. Po kështu ka shkuar edhe shefi i seksionit të policisë rrugore të Komisariatit të Policisë në Durrës. Në kohën që patrulla e policisë po kërkonte për kapjen e mjetit, një mjet i është afruar policisë duke i dhënë sinjal me drita. Që aty ka zbritur një qytetar dhe ka deklaruar se ai ishte autori i aksidentit. Personi i identifikuar si Agim Laze ka deklaruar se ishte larguar momentalisht, pasi donte të shmangte ndonjë përplasje fizike me drejtuesin e mjetit tjetër, por pavarësisht kësaj, ai është shoqëruar në polici, ku i është nënshtruar testit alkoolik dhe ka dalë se nuk kishte konsumuar alkool. Pas kësaj, atij i janë bllokuar dokumentet e makinës dhe i është vendosur një gjobë. Në komision, duke qenë se nuk kishte pasoja në njerëz, është vlerësuar që atij mos t’i bllokohet leja e drejtimit të mjetit, por kjo i ka kushtuar shumë tre oficerëve të komisionit, pasi për këtë janë përjashtuar nga policia.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).