Më dëgjon!?

Shpirtin e lodhur e kam lënë

Mëngjeseve që t’çelin ndër sy

E shikon!?

Një ëndërr më vrau mbrëmë

Dhe të vdekur më solli tek ty…

 

…....

 

U këput  gjeth’i vjeshtës, n’erë!

Sa u deshëm në të vërtetë, s’e di!

Putheshim ashtu kot, ndonjëherë

Krejt kot nodhte, të mbanim mëri!

 

Ah! Po. Ndonjëherë e doja, në zjarr.

Në mes flakësh më donte dhe Ajo!

Ndodhte shpesh që të vishej, në Ar,

Unë zhvishesha, në shpirt, domosdo!

 

Ndonjëherë, flakëronte në muzg!

Herë të tjera e humbisja, pa shkak!

Shpesh, kur ecnim bashkë, në rrugë

Kish dëshirë t’më përzihej në gjak!

 

Më ndodhte, dhe mua, rrallë,

Ashtu kot, të përlyhesha, me dritë

At’herë më puthte veç në sy, e në ballë;

Kështu, thoshte, dinë të puthin Perënditë!

 

…….

 

Këputi po deshe dhe lulet

Lulet në kopështin e Edenit!

Mua më pëlqejnë gënjeshtrat

Ato që thonë të vërteta të mëdha

Ato që mbijnë mbi varre, mbi eshtrat

Ku një e vërtetë e gënjeshtërt u tha!

 

-Sa kohë është bërë, sa kohë!?

Kam frikë se një jetë s’më mjafton!

Këput’ma dhe zemrën po deshe

K’të kafshë që mbaj lidhur në litarë

Mbi çarçafë të zhubrosur ka fjetur

Në shtrate të ngrohur më parë…

 

-Ku je zgjuar sot, dje, ku je zgjuar!?

S’mbaj mend! Çdo ditë një rrugë tjetër!

Stomaku i natës treti gjurmët e mia…

Nga cicërima ëndrrash shpirti më zien

Mjegulla diku larg mërgoi nga uria

Ndërtesat përkulen e pijnë ujë në liqen

 

Më ndje, kam një plagë në kraharor,

Një prej atyre gjërave që la mbas qyteti!

Ja, ai atje është zëri im…

Ja njoh mirë sytë kureshtar prej fëmije!

Thonë, se lulet e shkurtit kur mbijnë

Lëshojnë lotë me aromë pavdekësie…

 

Ndaj, vazhdo më tej, s’kam ç’të shes

Janë pavlerë përgjigjet e mia lakuriqe…

Në rrugën tjetër tregëtojnë gjithçka

Në rrugën tjetër dhe shpirti kushton pak

Në gjet’sh dhe tëndin aty, s’ësht’ hata!

Shpirtin tim dje e bleu një plakë!

 

-Pse gënjen, më thuaj, pse gënjen!?

Më pëlqejnë gënjeshtrat që thonë të vërteta!

Në derë, dimri me dorë të hekurt troket.

S’ka xhama të thyer,  asnjë damar i prerë…

Përtej liqenit që ha yje, bejroza po pret

Zogun e blertë që krahët i’u thyhen në erë…

 

Asgjë e çuditëshme, më beso, asgjë.

Një gur u frikësua kur e thirra në emër!

Një mik i vjetër po numëronte hapat e hënës

Ndërsa këndonte nën zë një këngë nga vegjëlia

Një nga ato ninullat e ngrohta, t’ëmbla, të nënës

Një nga ato pak rreshta ku ripërtërihet gjithësia…

 

Qyteti në kockë më ka ngulur hijen…

Oh! Hija! Asgjë nuk dhemb më shumë se ajo!

Sytë e mi përtypin dhembë kujtimesh

Sa herë dielli shkon të flerë në bark të liqenit

Për t’më këputur në mëngjes lule ëndërrimesh

Porsi Eva gjethet në kopështin e Edenit.

 

…….

 

 

Ti s’je më muza ime

Ndaj penën e mbyta në det

Ç’rëndësi ka në çelin agime

Në s’çelin, ç’rëndësi ka vërtetë!?

 

Ti s’je më muza ime

Fletët i’a lashë vjeshtës t’i zverdh

Le të vij pastaj dimri gjakftohtë

Në varrin e akullt t’i hedh

 

Ti s’je më muza ime

Kënga m’u copëtua si qelq

Më ka mbetur në gjoks qyteti

Dhe kolla e thatë që më heq

 

Ti s’je më muza ime

Rrugët prej këmbëve më ikën

Lumenjtë mbetën pa brigje

Yjet dhanë shpirt e u fikën…

 

Ti s’je më muza ime

Ndaj shpirti paqe s’më gjenë

Gjithçka fle jashtë lëkurës sime

Brënda sajë gjith trupi më zienë

 

Ti s’je më muza ime

Vdekja s’po mundet t’më mbyt

Ndaj ngriu nga varri o e vdekur

Mbi gjoksin tënd të mbyll sytë…

 

.......

 

Seç pat’ kjo mbrëmje, kjo lanete

I fshehu yjet dhe hënën sonte

T’i vodhi sytë me ëndrra jete

I zhveshi rrugët nga fryma jote!

 

Se ç’pat’ kjo mbrëmje, zu’ të qajë

Mbi trupin tënd me ligjërime

Në dorë një thikë s’di pse e mbaj,

Pse tërrheq zvarrë hijen time!?

 

Se ç’pat kjo mbrëmje, ra e vdekur

Mbi gjoksin tënd, mbi buzët e tua

Në cilën ëndërr të pata hedhur

Që dhe e vdekur më thua; Të dua!

10 Komente

Keto dy poezite e fundit me pelqyen, ndersa ajo me 6 reshtja (poezia e dyte) ishte poezi e rende, duhej te rrotulloje trurin qe te kapje diçka smiley

Duhej te rrotulloje trurin qe te kapje dicka 

smiley

Suksese Leonard. Kenaqesi qe te lexojme. 

Falemneres qe na e rrotullove trurin!

Ca na e rrotullojne majtas (sens antiorar) e ca na e rrotulllojne djathtas (sens orar), derisa te na e shkulin fare.

Falenderime nga trushkulurit!

 

6 vargjet e para te koncentruara,si ajo pelte transparente roze qe del nga zierja e ftoitsmiley

P.S hero,kjo e fundit qeka e forte faresmiley

thjeshte dhe bukur!

At’herë më puthte veç në sy, e në ballë;

Kështu, thoshte, dinë të puthin Perënditë

Leonardi eshte vertet nje poet shume i mire i talentuar,  qe di te thur dy vargje dhe te t`japi ty nje ndjesi aq  te bukur brenda, sa perputhet shume ndjenjesia e poetit me ate te lexuesit, dmth ne menyre figurative e perciell shume mire cdo ndjesi nepermjet vargut direkt nga shpirti i autorit tek shpirti i lexuesit,  si te thuash ngjit shume mire dhe shume shpejt , kjo lloje poezie , bravo Leonard!

Na duhet " nje jete e tere " , qe te mund te kuptojme poetet lirike ! 

Urime Leonard! Ide shume interesante, me nje rime fine ! 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).