Promovimi i kolanës muzikore me 7 CD për “Klasikët muzikorë shqiptarë”, e përgatitur nga dr. Eno Koço, që është njëkohësisht edhe dirigjenti i pjesëve muzikore të përfshira në kolanë, u bë dje në Akademinë e Shkencave. Këto CD prezantojnë vlerat e krijimtarisë dhe atë interpretimeve muzikore të realizuara ndër vite nga Orkestra Simfonike e RTSH-së. Sipas muzikologut, Vasil Tole përmes kësaj kolane prekim dy realitete: Realiteti i parë lidhet me rëndësinë e muzikës shqiptare, si krijimtari dhe interpretim. “Përmes kësaj për të parën herë kemi mundësinë të prekim muzikën shqiptare si një e tërë, si një realitet artistik, duke filluar prej rrënjëve të saj në fund të shekullit XIX, dhe duke përfshirë shkollën tonë kombëtare të muzikës, në Shqipëri dhe Kosovë”, tha Tole. Realiteti i dytë, sipas Toles, lidhet me rolin e muzikës si vektor në “edukimin përmes artit, ku ideja e nismave të tilla që botojnë dhe dokumentojnë për publikun e gjerë dëshmi artistike të së shkuarës, krijojnë një unitet të natyrshëm mes muzikës dhe arteve të tjera. Tole u shpreh se, fjala muzikë rrjedh nga ‘arti i muzave’, të cilat në mendimin tonë popullor konsiderohen mike të Shqipërisë. Arti i vërtetë nuk mund ta ndryshojë botën, por ai mund të ndryshojë njerëzit, të cilët janë në gjendje të bëjnë ndryshimet e duhura. Dirigjenti Eno Koço në një intervistë për “Shekulli”-n, tregon punën e palodhur që ka bërë për regjistrimin e këtyre materialeve, nga të cilat pesë prej tyre i ka bërë pa asnjë ndihëm  financiare nga institucionet kulturore.

Profesor Koço, sa muzikantë shqiptarë vijnë nëpërmjet këtyre regjistrimeve?

Me siguri janë 15 apo 20 kompozitorë, por janë edhe instrumentistët me vokalistët, prandaj nuk mund të them një numër konkret rreth tyre, sepse ata janë shumë.

Regjistrimet e para, çfarë periudhe kohore i përkasin?

Regjistrimet e para i përkasin periudhës së para luftës. Për shembull unë sot mund t’u them rusëve se me këtë CD, ne kemi muzikë klasike shqiptare. Prandaj kolana “Klasikët muzikorë shqiptarë”, prezanton klasikët shqiptarë që nuk njiheshin, ose që nuk rekomandoheshin shumë në atë kohë. Për shembull, Martin Gjoka ka qenë prift, ai bëri simfoninë me dy kohë, “Dy lule në dy vorr të Skënderbeut”, kështu quhet vepra e tij. Për këtë më është dashur që të shkoj tek Arkivi i Shtetit për të parë. Gjithashtu edhe për Muratin që nuk njihej shumë në Amerikë, ndërsa Fan Noli njihej dhe ishte edhe më i sigurt, po kështu për Thoma Nasin etj.

Kompozitori Thoma Nasi në çfarë vitesh ka ardhur në Shqipëri?

Ai ka qenë një kompozitor shumë interesant dhe ka ardhur në vitet ’20. Ai erdhi nga Amerika me grupin e madh, me bandën e tij, dhe shkuan në luftën e Vlorës, në front. Pasi përfundoi lufta e Vlorës ata u vendosën në Korçë, në vitin 1924-25 në Pallatin e Zogut dhe më pas u larguan. Kjo periudhë përcakton edhe fillimet e muzikës klasike shqiptare, prandaj i kam përmbledhur në CD-n e parë.

Nga regjistrimet e nënës suaj, Tefta Tashkos, çfarë keni mbledhur?

Nga nëna ime, kisha disa materiale në kaseta të vogla, por mendova që t’i sjell të plota, me cilësi shumë të mirë nga pikëpamja e dëgjimit. Më pas mendova që të bëjë një regjistrim edhe me muzikën orkestrale, mora muzikën e Çesk Zadesë, Tish Daijës, Tonin Arapit, Gjon Simonit etj., dhe i risolla. Më pas mendova që të sillja edhe instrumentistët me vokalistët. Nuk mungojnë as regjistrimet e para që janë bërë në vitet 1977-78. Para dy vjetësh bëra një regjistrim shumë të mirë të muzikës së filmit “Skënderbeut”, që është realizuar para 70 vjetësh në Rusi. Së fundmi, është edhe CD-ja e tenorit Gaqo Çako, me rastin e 80-vjetorit.

Çfarë ndodhi me Orkestrën e RTSh-së nga viti 1990, deri më sot?

Pas vitit 1991, Orkestra mori një karakter më shumë koncertal, sepse vinin dirigjentë të huaj. Sot padyshim bëhen regjistrime, por incizimi i muzikës shqiptare mbetet mbrapa, për të nuk po bëhet diçka. Unë mendoj se duhet bërë një politikë kombëtare për këtë gjë. Kjo është historia që ne kemi dhe këto regjistrime mund t’ia tregojmë botës. Këtë gjë sot vazhdon ta bëjë ende kompozitori Aleksandër Peçi.

Profesor, ju i keni bërë të gjitha këto regjistrime me financat tuaja?

Dy regjistrime i kam bërë me ndihmën e kompanive private, pesë të tjerat i kam bërë me lekët e mia.

Pra ju nuk keni pasur mbështetje nga institucionet e kulturës?

Vetëm për realizimin e regjistrimit të materialeve të Gaqo Çakos kam pasur mbështetje. Ndërsa nga shtatë disqet, pesë i kam bërë vetë, me shpenzimet personale. Prandaj ka një farë vlere kjo gjë, sepse promovohen libra pafund, por është hera e parë që promovohet muzikë me Orkestrën e Radios, me muzikë shqiptare, të regjistruar, me kompozitorë dhe artistë shqiptarë.

Kolana e CD-ve “Klasikët muzikorë shqiptarë”

•    “Albanian Music Classics”. (Martin Gjoka, Thoma Nassi, Fan S. Noli, Murat Shehu).

•    “Në repertorin operistik perëndimor e shqiptar”. (Çako, Paparisto, Kovaçi, Koçia, Mihali, Paspali, Mula, Mamaqi, Mingomataj, Jorganxhi, Athanas).

•    “Me instrumentistë solistë shqiptarë dhe Orkestrën Simfonike të Radiotelevizionit Shqiptar”. (Shestani, Antoniu, Çashku, Gjezi, Koço, Qerimaj, Hoxha, Sopiqoti).

•    “Suita e valle simfonike”. (Zadeja, Daija, Harapi, Simoni).

•    “Me veprat simfonike të kompozitorëve shqiptarë të Kosovës”. (Antoni, Ballata, Gjini, Mulliqi, Beqiri, Dhomi, Lekaj).

•    “Tefta Tashko Koço-regjistrime historike me këngë lirike qytetare shqiptare dhe repertor klasik”.
•    “Në 50-vjetorin e krijimit të Orkestrës Simfonike të RTSH-së dhe në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë”. (Zadeja/Sviridov, Harapi, Tole, Gaci).

4 Komente

Bravo i qofte Eno Kocos! Eshte hall i madh te gjesh CD me muzike shqiptare. (flas per muzike me vlera jo per tallavara e muzike pabreksesh). Kam ble ca CD me muzike shqiptare ne France qe ne Shqiperi nuk ekzistojne. Jane prodhime te shtepive diskografike qe merren me "World Music" dhe shperndahen neper bote por jo ne Shqiperi cuditerisht.

Kurse muzika klasike eshte e pamundur te gjehet. Le te shpresojme qe do shperndahet mire dhe do i behet reklama e duhur. Eshte nje ide shume e mire per dhurate.

Bukur!smiley

smileysmileysmiley

Me ne fund! Pergezime Eno. Ku mund t'i blejme CD?

Pra ju nuk keni pasur mbështetje nga institucionet e kulturës?

Vetëm për realizimin e regjistrimit të materialeve të Gaqo Çakos kam pasur mbështetje. Ndërsa nga shtatë disqet, pesë i kam bërë vetë, me shpenzimet personale.

 

si ka mundesi te mos kete mbeshtetjen e institucioneve perkatese te shtetit, nderkoh qe ky ka bere pune enciklopedike dhe qe, absolutisht, eshte nje vlere e shtuar per kulturen shqiptare..?!

nejse, respekte Eno Kocos, gjithmone njeri dhe  artist i madh!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).