Në një kuptim të përgjithshëm, të japësh arsye se pse e bën diçka, do të thotë, pikësëpari të justifikohesh. Të justifikohesh do të thotë të fshihesh. Të parët që e bënë këtë ishin Adami dhe Eva. Sapo kishin ngrënë nga pema e njohjes, filluan të fshiheshin. Fillimisht fshehën lakuriqësinë e tyre pas rrobave dhe më pas u fshehën verbalisht. Pas fjalëve. Zoti e akuzon Adamin, por ky ia heq përgjegjësinë vetes dhe fshihet pas Evës: Eva paskësh qenë ajo që ia paskësh zgjatur mollën, të cilën Adami e paskësh ngrënë. Edhe Eva, nga ana e saj, çlirohet nga faji, duke treguar me gisht nga gjarpri, i cili e paskësh mashtruar. Që nga ajo kohë, justifikimet, si formë verbale – “për arsye”, “ngaqë”, “sepse”, – për t’u çliruar nga pesha e përgjegjësive apo e fajit nuk kanë reshtur së tjerri historinë e njerëzimit deri në ditët tona. Kush fabrikon justifikimet më të sofistikuara, nuk dëshmon vetëm kreativitet, por edhe aftësi për t’i rrëshqitur përdredhjes shtrënguese të gjarprit. Në këtë kuptim, është e vërtetë që “E para ishte Fjala!” Por ama jo një fjalë dosido, por pikërisht fjala “sepse”. Fundja, pushteti i takon atij që di të përdorë më bukur lidhëzën “sepse”!

Një nga studiueset e para të sjelljes njerëzore që e kuptoi forcën bindëse të “sepse”-së ishte psikologia Ellen Langer, e cila është bërë e njohur me eksperimentin e saj të zhvilluar në një dhomë fotokopjimi. Skenari i eksperimentit është ky: para fotokopjatriçes ka radhë dhe një person përpiqet të hyjë pa radhë. Në orvatjen e parë, personi thjesht i drejtohet studentit të parë në radhë duke i thënë: “më falni, kam 5 faqe për të fotokopjuar, mund ta përdor fotokopjatriçen?” Më pak se 60% e studentëve në radhë e pranojnë kërkesën e personit. Në provën e dytë, personi përpiqet ta argumentojë futjen e tij pa radhë dhe u drejtohet studentëve me fjalët: “më falni, a mund ta përdor fotokopjatriçen, sepse e kam me nxitim?” 94% e studentëve në radhë e lejuan personin të futej pa radhë. Në përpjekjen e tij të tretë për t’u futur pa radhë, personi artikulon një fjali tautologjike të tipit: “a mund ta përdor pak fotokopjatriçen, sepse më duhet të bëj ca kopje?” Megjithëse personi nuk formulon asnjë arsye të mirëfilltë e të besueshme për nxitimin e tij, mjafton një “sepse” për të bërë që 93% e studentëve ta lejojnë atë të futet pa radhë.

Fabula e këtij eksperimenti është e thjeshtë: përdor gjithmonë një arsye kur kërkon diçka. Qoftë edhe arsye të llojit që sugjeron reklama e ‘Amstel’ “se kështu më pëlqen”! Aktorët publikë në Shqipëri e kanë kapur intuitivisht këtë fabul si premisën e suksesit, qoftë për të justifikuar veprimet e tyre e qoftë për të bindur audiencën për drejtësinë e pozicionit që mbrojnë. Vetëm se ka kohë që mund të konstatosh një përdorim masivisht të gabuar të lidhëzës shkakore “sepse” duke i paravendosur asaj një lidhëz tjetër shkakore “për arsye se”?! Kudo nëpër gazeta e ekrane televizive shfaqen figura të njohura publike, të cilat kërkojnë të justifikohen “për arsye sepse” dhe të na bindin se kjo gjë ka ndodhur “për arsye sepse”. Gjithandej fjali të tipit:

“Këto veprime paraqesin vështirësi për t’u kryer nga ana praktike, për arsye sepse shtrihen në territorin e disa shteteve dhe ILDKP nuk mund ta kryejë dot i vetëm këtë detyrë…”

“Mesa duket, planet e SHBA u përkrahën në këto vende islamike të besimit synii nga grupet e moderuara islamike, për arsye sepse ndryshimet e ndodhura, praktikisht vendosën në krye pikërisht këto grupe dhe parti islamike të moderuara…”

“…kjo për arsye sepse marrëdhënia e tyre mbrohet posaçërisht nga ligji penal…”

Mund të vazhdoja pafundësisht me shembuj të përdorimit të “për arsye sepse”-së në ligjërimin e përditshëm mediatik. Por nuk dua t’ju mërzis! Sepse është një epidemi, e cila i ka kapur të gjithë, të shkolluar, gjysmë të shkolluar e të pashkolluar, persona të rëndësishëm, gjysmë të rëndësishëm e të parëndësishëm publikë. Dhe epidemive vështirë t’ia gjesh rrënjët! Mund të jetë thjesht një sëmundje parazitare në ligjërimin publik që përhapet përmes kopjimit të pareflektuar! Mund të jetë thjesht një patericë për t’i ardhur në ndihmë një ligjërimi bosh që kërkon të kapet pas ndonjë arsyeje! Por mund të jetë edhe manifestimi komik i pavetëdijes së aktorëve publikë. Manifestim i asaj pavetëdijeje, brenda së cilës digjet flaka e dëshirës e tyre për t’i dhënë ligjërimit publik doza të larta racionaliteti dhe ekspertize. Manifestim i asaj pavetëdijeje, e cila, përmes përdorimit të dyfishtë të lidhëzave shkakore “për arsye sepse”, kërkon të fshijë shijen e hidhur të akuzave publike që bëhen kohë pas kohe në adresë të aktorëve tanë publikë për paaftësinë  e tyre profesionale. “Për arsye sepse” mund të jetë një lloj mekanizmi psikologjik vetërregullues, i cili, në një kohë kur retorika publike bëhet gjithnjë e më bosh, në një kohë kur ligjërimi publik dominohet gjithnjë e më shumë nga “bullshiti”, duket sikur u jep mundësi aktorëve publikë t’u japin kumteve të tyre publike shkëlqimin e racionales. Sidoqoftë, është e kotë shpresa se, taktika e përdorimit të dy lidhëzave shkakore njëra pas tjetrës, të bën dy herë më racional e dyfish më ekspert. “Kjo, për arsye se nuk ka kuptim”!

4 Komente

smiley

Hahahaha

Ju lutem qe heres tjeter te merreni me "jo pak" dhe "pse jo" smiley

Bukur!!! smiley

“"Për arsye sepse” mund të jetë një lloj mekanizmi psikologjik vetërregullues, i cili, në një kohë kur retorika publike bëhet gjithnjë e më bosh, në një kohë kur ligjërimi publik dominohet gjithnjë e më shumë nga “bullshiti”, duket sikur u jep mundësi aktorëve publikë t’u japin kumteve të tyre publike shkëlqimin e racionales."

!!!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).