Sa protesta duhet të bëhen, që kjo qeveri të heqë dorë nga rruga e gabuar e të ashtuquajturave reforma?

Gjatë muajit nëntor janë zhvilluar shumë protesta, megjithëse nuk kanë pasur vëmendjen, që duhet të kishin, nga media. Studentët kanë qënë të parët, që kanë kundërshtuar me forcë vendimet abuzive të marra nga klasa në pushtet, ndaj universiteteve publike. Tjetërsimi i godinave universitare, rritja e tarifave studentore, një ligj për arsimin e lartë klientelist, një fond i mjerueshëm, që parashikohet për arsimin, janë disa nga goditjet, që kjo klasë në fuqi, po i jep universiteteve publike.

Nga ana tjetër ekonomia është në ngërç. Politika po mundohet ta orientojë debatin drejt gjetjes së shkakut, që e ka çuar ekonominë në këtë gjendje, duke anashkaluar debatin mbi masat, që duhen marrë për të kaluar këtë situatë. Por ajo që është më e rëndësishme, po merren disa masa, që perveçse nuk japin mundësi për rritje ekonomike, po shërbejnë për rëndimin e metejshëm të gjendjes. Këtu vlen të theksohet rritja e madhe e taksave si dhe niveli shumë i ulët i investimeve publike. Me sa duket, synimi i qeverisë është rritja e të ardhurave në buxhet si dhe ulja e investimeve publike, për të paguar borxhet e marra së bashku me interesat si dhe për të forcuar institucionet qeveritare, por duke lënë në mëshirë të fatit ekonominë e vendit. Rezultati do të jetë katastrofik: Një qeveri e fortë dhe qytetarë të dobët.

Ajo që të bie në sy në vendimet e fundit të qeverisë, është mbështetja që i jepet industrisë së fasonëve, ndërkohë që niveli i taksave për qytetarët dhe për bizneset po rritet. Me pak fjalë, qeveria po mundohet të orientojë ekonominë drejt kësaj industrie, në të cilën punëtorët kanë paga tejet të ulta dhe kushte të këqija pune.

Kërkesa për ndryshimin e kësaj gjendjeje po forcohet gjithmonë e më shumë në popull. Ndryshim kërkojnë studentët që po goditen edhe në të drejtën themelore për të protestuar, ndryshim kërkojnë bizneset jashtë politikës, që janë në buzë të falimentit, ndryshim kërkojnë qytetarët e papunë, ndryshim kërkojnë shtresat e varfëra, që po ju rritet çmimi i energjisë, ndryshim kërkojnë të punësuarit, në shtet apo në privat, që nuk po shohin asnjë rritje page, ndryshim kërkojnë qytetarët e thjeshtë, që dhunohen padrejtësisht nga policia, ndërkohë që kriminelët lëvizin të armatosur rrugëve të Tiranës, në makinat e tyre me xhama të zinj, pa i hyrë gjëmbi në këmbë.

Kërkesa për ndryshim, sot, është më e fortë se kurrë. Qeveria duhet të reflektojë dhe të ndryshojë kurs. Në fund të fundit, asnjë qeveri nuk mund t’i vihet kundër popullit që e ka zgjedhur.

http://albaniaunderground.blogspot.com

4 Komente

protestat e studenteve nuk i ka marre vesh asnjeri qe kane ndodhur.

Qeveria po rrit take at qe te paguaje borxhet e akumuluara thote po kjo po rrenon ekonomine. Po ca te beje, te ule taksat dhe ti fusi nje default borxhit te jashtem o rrk? O klluf baldushku, o qe jan bo te gjith ekonomista sot, ike e futi i tas llall se sqeke per kte pune. 

Ndryshim kerkojne qytetaret e Tiranes per (mos)qeverisjen e nje kryetari bashkie qe nuk ka bere pothuajse asgje gjate 4 viteve pushtet.

Qeveria po punon shume mire dhe eshte shume e qarte ne ato qe po ben dhe kerkon te beje. Ajo duhet vetem perkrahur nese do te duam qe femijet tane te jetojne ne nje vend me te mire. Duket se maskarada 23 vjecare e sali berishes eshte ndaluar, dhe kthesa drejt zhvillimit dhe mireqenies ka filluar. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).