E mbani mend atë fragmentin e kalasë në Elbasan, në tregun e qytetit, për të cilin u ngritën lloj-lloj hipotezash? Sot, ai është i mbuluar dhe mbi vete mban një rrugë dhe lulishte të shëmtuar. Po bazilika në qendër, që u pretendua të ishte model ballkanik? Gërmimet në të po ecin me hapat e breshkës, prej mungesës së fondeve, ndërsa ky ngadalësim e ka bërë të dëmtohet dhe jo të duket si model, por si anti-model të punëve arkeologjike. Dhe, s’mbaron këtu...

Burri rri i palëvizur te një parmak disa centimetra, jashtë kangjellave. Rrethimi i disa dhjetëra metrave të një sipërfaqe bari, ka mbuluar kalanë e gjetur një vit më parë. Ajo kontraston tejet me katrahurën e rrugëve të pashtruara pak më tej dhe njerëzit që rrinë kot-së-koti. Mu aty, kërkojmë të gjejmë ndonjë gjurmë të kalasë së vjetër, por e gjitha është e mbuluar me beton dhe asfalt. Asgjë. “Njime do punoni prapë”, -na thotë me ironi burri, kur na sheh që fotografojmë. Sa e ke dollarin, ia presim?-, sepse ka qëndrimin e një kambisti të thjeshtë. “Njime s’mirrem me dollar”. Po çfarë bën? “Kot rri. Qëndroj! A ty hyn gja në trajse”. Sesi mund të qëndrojë një 50-vjeçar e të sodisë, këtë mund ta kuptosh vetëm në Shqipëri...Ta pyesim për kalanë? Epo, ç’mund të thonë t’gjithë këto krijesa, që rrinë e na shikojnë. Të gjithë shesin. Të gjithë blejnë. Të gjithë pinë kafe. Mbeturinat drejt e në lulishte nën të cilën janë gjurmët e kalasë. Edhe një nga apelet tona për monumentet regjistrohet në ajër, si gjithë të tjerat, i themi vetes. E megjithatë, mbulimi i fragmentit të kalasë së Elbasanit, ndoshta nuk mund të thotë ndonjë gjë, për atë që s’është i interesuar për monumentet e kulturës. Varfëria, kriza që nuk mbaron dhe mungesa e shpresës, e bën të duket edhe gjënë më të rëndësishme asgjë. Anipse për njerëzit e kulturës, ai është një tregues sesa e varfër dhe sa dogmatike është e gjithë struktura e ruajtjes së monumenteve në vend... 

Kalaja e Elbasanit

Me pak fjalë, të dy kullat dhe fragmenti i murit, të kalasë osmane, është nën dhè dhe pa asnjë gjurmë më. Që do të thotë, se një nga objektet që u trumbetua më të madhe, si aset i trashëgimisë së qytetit, është i fshirë. Për hir të së vërtetës, Bashkia e Elbasanit, ka qenë para një dileme të madhe, pasi fragmenti i gjendur në udhën “Thoma Kalefi”, ndërhynte në rrugë dhe krijonte probleme me trafikun. U dhanë ide, u bë edhe një projekt, nëse nuk gabojmë, që do të devijonte udhën. Siç ndodh rëndom tek ne, rruga e shkurtër e gjykimit, i dha drejtimin “e duhur”. U vazhdua me ndërtimin e rrugës, kur gjërat u harruan. Gjatë kohës që mendohej për të, elbasanasit thjesht e përdornin si vend plehrash. Kurse në vitet ’80, kohë kur punohej, punëtorët referonin se kishin rënë në themel, por vazhdonin gjithsesi punë. Derisa në kohën tonë, me vetëm një urdhër dhe pa menduar për të ardhmen e monumenteve të qytetit, është mbyllur krejt.

Për Elbasanin

A do të ndryshonte gjë për Elbasanin ekzistenca e saj? Mbase do të hidhte mundësi të tjera për hartën e turizmit! Pak më tej është edhe një katakomb, por elemente të trashëgimisë kulturore gjenden kudo në Elbasan. Veç Kalasë së Madhe fushore, pranë gjendet Bazilika e Bezistanit; më tej Bazilikën e Tepes, Kishën e Shën Marisë, Xhaminë e Nazareshës, Xhaminë Mbret, hamamet e qytetit dhe ansamblin me shtëpitë karakteristike të shek. XVII brenda kalasë etj. S’mbarojnë këtu. Një monument që flitet si katedralja e qytetit, mendohet të jetë brenda kalasë, ku dy përfaqësues të papës në fillim të Krishtërimit u pritën nga qytetarët. Objekti sot e kësaj dite është i paidentifikuar...

Dhe Bazilika

E gjithë shpresa e zbulimit dhe mirëmbajtjes ka mbetur vetëm te rastësia dhe tek puna e idealistëve të pakët, që merren me monumentet shqiptare. Këtë e ndjej, teksa arkeologu Elio Hobdari i futur në një varr te Bazilika e Bezistanit, mundohet ta hapë dhe ta dokumentojë grafikisht në letër. Banorët, nga sipër, e këqyrin indiferent. “A thua ka ndonji pare?!”-i thotë një djal, ardhur afër, veshur me atlete imitacioni ADIDAS dhe një bluzë me shenjën e modifikuar shëmtuar të NIKE. “S’ka mbetur gjë, por po shikojmë si është ndërtuar”, i përgjigjet pa e kthyer kohën arkeologu, zhytur në baltë. I gjithë ky vend është trualli i Bazilikës paleokristiane, zbuluar në vitin 2007 nga arkeologët dhe shpallur “Monument kulture”. “Ka ende disa sipërfaqe me pikturë murale që janë në rrezik dhe për të cilat do të duhet të merret ndonjë masë mbrojtëse, gjë që shpresoj të ndodhë”, na thotë Elio Hobdari. E trumbetuar me të madhe, ajo është një pasqyrë e kaosit të shërbimeve tona të Trashëgimisë dhe mungesës së sensit të vazhdimësisë. Një punë e ecur ngadalsisht dhe e ndërprerë gjatë vitit 2013, është rivitalizuar prej arkeologut të pasionuar me ndërhyrje shumë të kufizuara, ku më shumë po bëhen vlerësim të situatës. “Jemi ende në mes të punës”, thotë dhe rendit një sërë problemesh që duhen zgjidhur, që nga heqja e volumeve të dheut, probleme arkeologjike, zvogëlimin e dëmeve të ujërave të shiut, moslejimin e fëmijëve dhe kureshtarëve që nuk pushojnë duke ardhur dhe rrinë kot. “O robo, kur do e hapësh?”, ia pret njëri. “Është e hapur, më duhet ta dokumentoj?” “ A ke gjet gjo?”. “Çfarë përshembull?” “...pare, ku e di unë...”. “Nuk ka gjë. Vetëm baltë. E kanë hapur më parë”, përsërit ai durueshëm. Ky është edhe problemi më i madh këtu, ndërhyrja për ta bërë të vizitueshëm dhe harxhimi i një shume, që do të ishte më mirë të shkonte për gërmimet dhe konturimin e monumentit. “Ky është problemi më i madh që pengon gjetjen e një zgjidhjeje definitive. Më duket se ende sot nuk po kuptohet se stadi në të cilin ndodhet ajo sipërfaqe është “kantier gërmimi arkeologjik në proces” dhe, për nga aspekti estetik, jo i vizitueshëm si të tjerë site arkeologjikë në proces pune”, thotë Elio. 

Edhe pse notat e pesimizmit nuk njihen te arkeologë si Elio, trishtimi  të vjen kur kujton fjalët e dikurshme të ish-këshilltarit të presidentit Neritan Ceka, që e cilësonte më 2011 se do të bëhej si model, që nuk njihet në Ballkan dhe në Shqipëri. Shumë kohë më vonë, me shumicën e parave është bërë një rrethim alla-shqiptar dhe një rruginë me të cilën mund të vizitohet një katrahurë dhe kaq. Për arsye se mozaiku i mrekullueshëm i gjetur me shumë elemente dekorative tashmë është i mbuluar me rërë për arsye sigurie, por edhe se zbulimi i objektit s’është bërë ende. Zbulimi i plotë do të tregonte një bazilikë, që specialistët i bën ta krahasojnë Elbasanin e kohës me Ravenën në Itali dhe që e kishte këtë shkëlqim, për të rrëfyer dominancën mes dy perandorive në kohën paleokristiane, mes Romës dhe Bizantit. Elemente të madhështisë së saj janë dekoracionet e mozaikut, të cilat përmbajnë 18 ngjyra të gurëve prej qelqit, krahasuar me 10 të tillë që ka ajo e Durrësit.  “Është një fond prej 1 milion Euro i BE-së që do të bëjë të mundur kthimin në identitet të vijës Egnatia nga perëndimi në lindje në kala dhe 200 mijë euro do të përdoren për zbulimin e bazilikës dhe mbulimin e mozaikut”, kujtojmë fjalët e kryetarit të baskisë, Qazim Sejdini, pak vite më parë, por që s’ka ndryshuar shumë. Për fat, nuk u realizua dhe ura e xhamit, që e bërë në një projekt me shpejtësi për të parë mozaikun, e kishte idenë për t’u mbështetur mbi vetë mozaikun!!!!

...

Mendohet se bazilika u shkatërrua nga fundi i shek.VI nga uji ose nga djegia për shkak të luftës, por shqetësimi më i madh është nëse ajo do të vihet si duhet në funksion. Nga përvoja e deritanishme me objektet nuk jemi larg edhe një shkatërrimi të ri. Këtë e tregojnë dëmtimet e shumta të afreskeve të gjetura në këtë bazilikë por edhe zvarritja e pafundme e punimeve. Kuptohet se bazilika s’do ketë kurrë fatin e kalasë së gjetur një vit më parë dhe që tashmë fle poshtë rrugës së asfaltuar, por ku ta dish, mund të ketë një fat më të keq. Djemtë kanë ikur prej varrit, ku punon arkeologu, të zhgënjyer me ecjen prej kërmilli të tij. Sikur të mos ekzistojë askush, Elio dokumenton e dokumenton. Më vjen keq që nuk e ndih. “Po sikur një arkeolog, të mos dijë të vizatojë? Nuk do të doja të isha në vendin e tij”, thotë duke qeshur dhe kujdeset të hedhë sa më mirë qemerin në letrën e vet. Iki drejt stacionit të Tiranës. Atypari has burrin, që sodiste “mbi” kala. Ka marrë një grusht farash dhe i hedh poshtë me pështymë. Një grua, të cilës ky i fundit mundohet t’i këqyrë hiret, i hedh përpara vetes te bari që i ka mbirë kalasë, një letër byreku. Vjeshta e dytë. Viti 2014.   

6 Komente

eh mer Ben Andoni! I qan keto lloj reportazhesh, por jetojme ne Shqiperi, ku me shume parà harxhojme per Çiljeten se sa per keto thesare qe  tregojne identitetin tone, por qe po i shkaterrojme me duart tona...

eee kshu kshu   nga fitorjaA!   Ne  fitorjeeE!

Ça lekësh janë harxhuar për Çiljetn Alidemso?

i qau Qiljeta nja 50 mije euro, e po aq edhe Greta Koqi, ne ato manifestimet butaforike te Berishes per fushate apo, nuk i ma men...Ndaj eshte merzit edhe Qili se ja mori Greta ne kthese dhe Sala nuk e kandidoi per deputete ne Tirone, ndaj e braktisi pdhin...

 “A thua ka ndonji pare?!”-i thotë një djal, ardhur afër, veshur me atlete imitacioni ADIDAS dhe një bluzë me shenjën e modifikuar shëmtuar të NIKE

 

ose Armando ne kerkim te 200 mije eurove

Reportazhi i Benit, do te ishte mire ti çohej ministrise se Kultures, per ti çuar nga gjumi letargjik qe i ka zene. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).