Në vitin 2010, në një banderolë të varur në Bulevardin Dëshmorët e Kombit shkruhej: O Sali, na ke zhyt në varfëri! Dukej si një slogan i zakonshëm propagandistik në këto lloj rastesh. Poshtë tij, Partia Socialiste kishte ngritur çadra dhe kishte hyrë në një grevë urie. Por në darkën e asaj dite, poshtë banderolave, deputetët socialistë dhe mbështetësit e tyre parkuan makinat e luksit duke krijuar një situatë kontradiktore. Poshtë tabelës që ankohej për varfëri duke përdorur rimën, gjendeshin ndoshta 1 milionë euro makina që i përkisnin njerëzve, përgjithësisht obezë, në grevë urie.

Më 22 nëntor 2014, Partia Demokratike doli në protestë. Sloganet e protestës qenë po aq bajate. Njëri prej tyre shkruante: “O Ramë, na le në qiell të hapur”. Një tjetër thoshte: “Stop pabarazisë ligjore”. Një tjetër, “Stop rritjes së çmimeve”. Një tjetër: “0 subvencione për fermerët”, ose “Stop bllokimit të punës në industrinë e ndërtimit”.

Në të dyja protestat, atë të 2010 dhe atë të 2014, organizatorët u kujdesën të tregonin se përfaqësonin vuajtjet e të gjithë shqiptarëve, duke u shtirur sikur parullat qenë shkruar nga qytete të ndryshme.

Hipokrizia është therëse në të dyja rastet. Opozita qe pa kauzë më 2010, dhe është pa kauzë sot. Rrjedhimisht opozita e sotme, njësoj si opozita e djeshme, përpiqet të gjejë slogane apo të sajojë çështje. Në disa raste, opozita përpiqet të vjedhë kauzat e të tjerëve ndërsa në shumicën e rasteve, çështjet e ngritura prej saj as nuk përbëjnë kauzë. Dhe në mungesë të kauzave reale, opozita e sotme, ashtu si edhe opozita e djeshme, po përpiqet të grabisë kauzat e të tjerëve. Studentëve u ofrohet “aleancë” nga Partia Demokratike dhe e njëjta gjë i ofrohet edhe 70 familjeve të Selitës në Tiranë, të cilat rrezikojnë të mbeten pa strehë si pasojë e nxitimit të qeverisë për të ndërtuar një segment të unazës së re para zgjedhjeve të ardhshme për pushtet vendor. Sikur tenderi për ndërtimin e Unazës së Re të qe bërë në rregull, (dhe tenderi u bë nga qeveria e djeshme dhe opozita e sotme), ka gjasa që buxheti i shtetit do të kishte kursyer para të mjaftueshme për të ndërtuar qindra shtëpi sociale.

Opozita, përmes kontrollit mbi Bashkinë e Tiranës është njëkohësisht përgjegjëse për këtë situatë absurde. Aktualisht ka plot 385 apartamente të reja të ndërtuara si apartamente sociale, në zonën e Ali Demit, të cilat janë tërësisht bosh. Një dreq e merr vesh se pse këto apartamente, të ndërtuara me paratë e taksapaguesve, vijojnë të mbeten bosh dhe pa strehuar asnjë të pastrehë, tashmë prej pesë vjetësh.

Megjithatë, e vetmja politikë që opozitat dijnë të bëjnë, është ajo e konfliktit.

Politika e konfliktit e ndjekur nga opozitat është pjesë e problemeve të tyre të brendshme. Koncepti demokraci brenda partive kryesore në vend është krejtësisht i huaj. Garat e brendshme janë të manipuluara rëndshëm. Udhëheqësit e partive parapëlqejnë të mbledhin rreth vetes njerëz shumë më të paaftë se vetja për të mos patur kurrfarë konkurrence. Kur vjen puna për të dalë në zgjedhje, konkurrenca është mes krerëve të partive dhe jo vetë partive. Mungesa e demokracisë së brendshme nëpër partitë politike shqiptare ka vendosur standarde të ulëta për atë që konvencionalisht duhet të njihet si lidership.

Politika e vazhdueshme e konfliktit politik ndiqet në këto raste vetëm me synimin për të mbajtur nën kontroll partitë e veta, pavarësisht se sa të dobët dhe jobindës janë krerët e partive.

Politika e konfliktit kërkon të tregosh forcën edhe pse forca nuk shërben për asgjë. Greva e urisë dhe mitingjet e vitit 2010 vështirë se i dhanë ndonjë gjë Partisë Socialiste. Protesta e të shtunës së 22 nëntorit 2014, vështirë se do t’i japë ndonjë gjë konkrete Partisë Demokratike. Por që të dyja i shërbyen liderëve për t’i mbushur mendjen militantëve të vet se janë “të fortë”.

Kjo e gjitha sjell problemin që, procesi i politikëbërjes, pra i grumbullimit të informacionit, i kristalizimit të ideve dhe qëndrimeve, i argumentimit të këtyre qëndrimeve para anëtarëve, mbështetësve, simpatizantëve apo qytetarëve pa përkatësi politike kthehet në një banalitet. Banaliteti përpiqet të mënjanohet me idenë e liderit të fortë, gjasme të zemëruar, që ka arsye për të ulëritur për kauza që në fakt, nuk ekzistojnë.

Nuk është se mund të pritet gjë tjetër. Një klasë politike që është tërësisht e barabartë për nga uria për të vjedhur, për nga dëshira për të mashtruar dhe nga të qenit të pacipë në shfrytëzimin e njerëzve hallexhinj thjesht për përfitime politike, vështirë se mund të bëjë më shumë se kaq.

Pavarësisht se të dyja palët janë në thelb njësoj, ajo që Partia Demokratike dhe kryetari i saj Lulzim Basha duhet të bëjë, është të mos guxojë t’i afrohet kërkesave dhe shqetësimeve të vërteta politike të disa grupimeve jopartiake që kanë dalë në protesta së fundmi. Bën mirë që të qëndrojë larg studentëve të lëvizjes Për Universitetin dhe akoma më larg aktivistëve të grupimeve të tjera që po përpiqen të luftojnë për të drejtat minimale bazë, ato të strehimit apo të ndihmës ekonomike.

Shkurt, meqë Basha nuk është në gjendje të bëjë opozitë reale në këtë vend që ka nevojë akute për opozitë, bën mirë që mos bezdisë të tjerët duke dërguar mercenarët e vet në çdo protestë. Në fund, protestat janë për qytetarët. Mitingjet partiake janë për militantët.

Burimi: http://www.reporter.al/nje-proteste-pa-k...

9 Komente

Kerkesat e Lulit, thene me ze te forte gjer ne kufirin e siperm te ngjirjes, kishin mangut vetem njeren , per te besuar se perfaqeson nje parti komuniste te moderuar.Mungonte thirrja : " Poshte kapitalizmi ! " 

shembull tipik si nuk duhet shkruar ne shtyp - gjysme analize, analogji koti, perfundime ne ajer

a more lek te pakten

 

Artikull shume interesant dhe pa trajte ose ngjyre partiake sikur jemi mesuar ne albanian shitty press. Bravo autorit dhe shpresoj te lexoj me shume nga keto artikuj qe pershkruajne protestat si ato duhet te perceptohen realisht dhe jo sikur media i ilustron ato.

Qe te shpresosh te lexosh me shume artikuj si ky Mirditahousenbergen, siç thua dhe vete, duhet te vish me shpesh ketu. Artikuj e Erebares, ne kemi vite qe i lexojme me endje. 

Shkrimin e lexova qe dje dhe nuk do t'i hiqja asnje presje. Protesta ishte farse, askujt nuk i sherbeu. Ne fakt, asnje presion nuk iu ushtrua qeverise qe te rishikoje apo te bllokoje rritjen e çmimit te energjise elektrike, naftes e me radhe. 

 

smiley Mirmjes. 

Protesta ishte e drejte kunder shejtaneve me pushtet.

Nese thone qi qmimi i korrentit nuk rritet, perçfare nxjerrin skema kompesimi? pyet loçka.

Dhe robt dolen se lexun slloganet? Nejse besoj oppzita i morri marching orders tashti.

Protesta nuk ishte proteste, ishte test a eshte i zoti Lul Basha te nxjerri njerezit ne shesh. Protesta ja arriti qellimit

Njerzit i nxjerr partia daj. Detashmenti paskuqanit, bathores, mamurrasit, kamzes xhelal mziut, tironsave katnar te trekendshi pazar i ri - selvi- xhamllik, debitoret e energjise dhe administrata e djeshme. Kaq e thjesht eshte. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).