Tomorri është berberi i lagjes sonë. Është trupvogël dhe qibar. Fodull i madh. Njësoj para dhe pas nëntëdhjetës. Në xhepin e përparëses dëborë të bardhë mban 2 krehëra, njërin për vete dhe njërin për klientët. Kur klientët davariten ai pastron me kujdes leshrat e tyre në dysheme, ulet në kolltuk si ndonjë general i madh dhe krihet. Flokët i kreh aq shumë, saqë ato duken si të gdhendura mbi kokë.

Mendoj se pasioni për t’u krehur dhe për të patur një pasqyrë para vetes, e ka shtyrë të bëhet berber. Kur e shoh me atë furçën që fshikullon zverkun e klientëve, më duket sikur kërkon të fshikullojë të gjithë mëhallën, e pisllëqet që ajo mbart.

Sekretet e gjithë thashethemnaja që dëgjon prej klientëve, sikur i vërtetojnë se rruga që ka zgjedhur është e drejtë, në atë rutinën e tij të hekurt, në jetën e tij të planifikuar në atë rrojtore laboratorike.    

Rrojtorja e tij gjendet mu në kryqëzimin e rrugës së madhe që të çon në Elbasan dhe një rrugine tjetër që çan mes shtëpive përdhese e del tek pallatet pesëkatshe. Rrojtorja është rrethuar tashmë me kafehane, byrektore dhe lojra fati. Të lodhur nga jeta e fati njerëzit hyjnë për një brisk në rrojtoren e Tomit.  

Nga brenda vjen po ajo erë socialiste livandoje që shfryhet nga një pompë që ngjan si ato matëset e tensionit. Një pastërti e skajshme mbizotëron në këtë hapësirë. Sytë e Tomorrit nga pasqyra ndjekin çdo lëvizje të dyshimtë. Dhe pritja bëhet e gjatë. Dhe ai bëhet autoritar, por i pashmangshëm. Si para dhe pas nëntëdhjetës.        

Ende e kujtoj Tomin sesi, prerë dhe magjishëm e nxirrte copën e dërrasës kur shihte fëmijët të afroheshin për t’u qethur. E vendoste si urë në dy krahët e kolltukut antik dhe ne uleshim me frikën se do të binim prej andej.  Makthi zgjaste sa qethja, në pasqyrë reflektohej së prapthi fjala “rrojtore”, rrethepërqark shëtiste gërshëra e mprehtë e Tomit …dhe ja ku përfundonte me një shpullë zverkut dhe fjalët: “Me shnet!!!”.  Kishte dorë të rëndë Tomorri.  

Ka një grua trupmadhe, me flokë të zinj e të mbledhur topuz nga pas, të bukur e të qetë, me një çap të avashtë dhe një drojë prej gjimnazisteje. Nuk bëhet fjalë që ajo të futet ndonjëherë në rrojtore. Edhe kur kalon andejpari për të bërë ndonjë pazar vetëm sa hedh vështrimin e flatron ndonjë buzëqeshje apo bën pak me dorë në drejtim Tomit. Asgjë më shumë.

Ai e sheh nga pasqyra me një vështrim zanatçiu, derisa ajo kthehet e humb nga pas pallatit. Lidhja e tyre është enigmë urbane dhe kështu ka qenë, si para dhe pas nëntëdhjetës.

Kur zbresin të dy nga rrugica për të bërë ndonjë vizitë nuk ke sesi të mos bëhesh kureshtar për krekosjen prej napoleoni të Tomorrit, bukurisë së gruas dhe diferencën e shtatit mes tyre.

“Si e ka shtënë në dorë kopili – thotë ndonjë nga çunat” -  dhe teoritë konspirative marrin dhenë, sikur vetëm kësisoj mund të hakmerreshim ndaj shpullave që kemi ngrënë zverkut gjatë gjithë fëmijërisë sonë. Ndërkohë gruaja me çapin e avashtë ecën e tretet përfund rrugicës e nënshtruar dhe kushedi e lumtur me napoleonin e saj berber.       

Tomorri ka një djalë gjithashtu. Edhe ai i krehur e i gdhendur. Duket se pas nëntëdhjetës po ia merr zanatin te jatit. Në rrojtore është shtuar edhe një kolltuk tjetër. Djali ka lindur me njërin nga kapakët e syve më të mbyllur, por që nuk i prish punë imazhit të tij simpatik.  Ka një qetësi të admirueshme që sigurisht e ka marrë nga e ëma.

Tashmë si vjedhurazi të gjithë shokët jemi zhvendosur tek kolltuku i tij. Mund të qethemi si të duam më në fund. Jo si të dojë Tomorri. Vitet kanë bërë të tyren, ai është plakur por ka mbetur një fodull i pashoq. Një narcist që po plaket në atë lagje të rrëmujshme.  

 

*

Nuk ka sesi mos të më kujtohet ajo pasdite e mbrëmje.  Ishte behar, por ishte freskët. Me miq ishim ulur në kafehanen buzë rruginës që të çon në lagje. Bisedonim dhe shkëmbenim ndonjë cigare. Dy miq kishin plane të emigronin dhe biseda rrotullohej po aty, tek ikja nga ky vend. Lagjia kishte ndryshuar tërësisht e nuk njihej më. Nga larg rrojtorja e Tomit qëndronte si shenjë e së shkuarës, si për të na pickuar herë pas here e për të na sjellë do kujtime. Dhe kështu kaloi një cope herë. Po vinte mbrëmja…

Tomorri dhe gruaja e tij e bukur dhe e madhe u shfaqën nga rruga e madhe dhe filluan të ecin kah drejtimi ku ne ishim ulur. Siç duket ktheheshin nga ndonjë vizitë dhe shkonin në shtëpi. Kishte pakëz dritë në rrugë, aq sa trupat e tyre të dukeshin si silueta dhe aq sa për të shumëfishuar efektin e asaj që pamë e që do na trazonte në ditët në vijim.

Ata ecnin drejt nesh, ai si napoleon i krekosur me hap të shpejtë e ajo që përpiqej të arrinte të shoqin, gjithë duke sakrifikuar nga vetja. E nuk e di si ndodhi, por gruaja u pengua dhe ra. U rrëzua ajo femër e bukur dhe e madhe.

Instikti na bëri të luanim nga vendi dhe dilema na la po ashtu, kuriozë, të sikletosur me vështrimin nga Tomorri, ose nga silueta e tij e cila kishte ndalur tre metra më tej dhe po dridhej.

Shikonte të shoqen dhe na shikonte ne, si ajo kafsha që është mes dy rreziqesh dhe ende nuk e di se cili është rreziku më i vogël. Koha në rruginë sikur kishte ngrirë dhe mua me kaploi një siklet i madh saqë do të desha të zhdukesha prej andej si me magji. Me siguri edhe miqtë e mi. Nuk duhet të ishim ndodhur aty.

“Çohu moj se na turpërove!” – dëgjuam të urdhëronte silueta e Tomorrit.

Ajo pakëz dritë që vinte nga llamba e rruginës nuk di pse ndriçoi në atë moment të gjithë lotët në fytyrën e bukur të gruas.       

11 Komente

Bukur smiley 

rrethepërqark shëtiste gërshëra e mprehtë e Tomit …dhe ja ku përfundonte me një shpullë zverkut dhe fjalët: “Me shnet!!!”.  Kishte dorë të rëndë Tomorri. 

.smiley  e vertet kjo!  

asnjeher se kam kuptuar, as kete pungjishten miqesoresmiley  pas qafes  dhe as pse te uronin  ''me shendet'', pas qethjes..?!   a thua sikur dilje nga salla e operacionit..

Tomorri dhe gruaja e tij e bukur dhe e madhe ...........

ne c'kuptim e e bukur dhe e madhe  ?? 

*trupmadhe

mbase e thote ne kuptmin: e gjate,e  plote, per te bere te dukshem dallimin me Tomorrin qe ishte trupvogel, dmth i shkurter.

 

Kur zbresin të dy nga rrugica për të bërë ndonjë vizitë nuk ke sesi të mos bëhesh kureshtar për krekosjen prej napoleoni të Tomorrit, bukurisë së gruas dhe diferencën e shtatit mes tyre.

Big is beautiful... smiley

U rrëzua ajo femër e bukur dhe e madhe.

 

prap e bukur dhe e madhe smiley

Persa i perket idealit te bukurise dhe trupmadhesise, gjerat po ndryshojne... Shyqyr, thuaj... smiley 

Tomorri qenka nje burre idiot dhe i pagdhendur. Ka merituar nje shpulle te forte dhe nje lenie me ceremoni

Tomorri dhe shume te tjere mund te merritojne nje lenie me ceremoni.  Po sa gra jane te zonjat ta bejne?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).