“Kësi pra, kemi dy lloj njerzish – njani përparimtar qi turret drej rrënimit edhe tjetri i  prapavrejtun qi adhuron rrënimin.”
G.K. Chesterton

Kur bashkshorti i Nermin Vlorës, diplomati italian Renzo Falaschi, u rikthye në Tiranë pas pesëdhjetë vjetësh, shpjegoi në nji intervistë për TVSh se, po t’mos kish qenë për Xhaminë e Et’hem Beut në qendër të qytetit s’do të kish qenë në gjendje me dallue se po qendronte në të njajtin vend ku kish qendrue po vetë gati gjysmë shekulli ma parë. Pohimi i Falaschit mund t’tingëllojë si lëvdatë për veshët e disave por ai tingëllon gjithashtu si brigim në veshët e shumë të tjerëve. Shum prej tyne qi i rikthehen atij vendit pas intervaleve të gjata kohe ndajnë me zotninë habinë e tyne të madhe me ndryshimet disaherë çorientuese.

Asht e vërtetë se ndryshimi, qoftë ky i kadaltë apo dramatik, shndërron marrëdhanien tonë me materialen e imaterialen por njimendësia e përgjithshme na tregon se, ky raport gjithnji e në lëvizje asht i shërbyem ma mirë prej plotësimit, shumimit e përmisimit i asaj qi ka qenë aty ma herët. Me nji fjalë asht ma mirë me pasë dy gjasende qi plotësojnë njana-tjetrën sesa me pasë nji gja të re, përjashtuese të pararendëses. Ky fill mendimi ndëmjetson për nji vijëmsi ma të natyrshme të krijmtarisë njerzore.

Kah ana tjetër, kambëngulja në zavendësimin me themel të gjithçkaje qi ka ekzistue ma parë, tue pasë parasysh gjithashtu se shpesh herë ajo çka zavendëson ate qi ish aty në fillim asht jo rrallë herë ma i inferiore se pararendërsja, e ban jetëshkrimin tonë ma të vobekët e ma pak të larmët nga sa mund t’ishte mirëfilli.

Kineastët e dikurshëm të Kinostudios kishin shum për zemër nji cep të vogël të Tiranës. Aq i përposshëm ish ky ngulmim  për kët qoshe të qytetit sa nji mori filmash tue fillue qi kah Lulëkuqet mbi Mure, ai me Vasil Lacin, Radiostacioni, e kushedi sa të tjerë u realizuen brenda nji rrethi me diametër jo ma të madh se pesëqind metra. Asht vetëshpjeguese se edhe filmat agjitprop të socrealismit duhet të rreflektoheshin historikisht në mjedise e kostume, e se gjithashtu kjo hapsinë e vogël kish përqindjen e saj t’pazakont të ngjarjeve historike, (Radio Tirana ish me të vërtet aty ku tregohet në film, Viktor Emanueli kaloi përgjatë Rrugës së Durrësit), por ka edhe nji arsye tjetër edhe ma të spikatun qi e ban përzgjedhje e pabarabartë të këtij qoshi të qytetit edhe ma domethanëse.

Vetë qenia e këtyne shtëpive të pangjashme e të nguluna në nji kohë tjetër i ban ato përfaqsuese të nji kohe të identifikueme si pararendëse e asaj periudhe qi n’krahasim me të tana kohnat e tjera do t’shënonte ndamjen e madhe. Virtyti i vjetërsisë relative qi mbartin në vetvete i ban ato përnjiherë të pameritueshme për ndonji vlerë përpos shoqnimit me arkaiken në sfonde filmash bardh e zi. Qi t’përdorim nji shprehje të asaj kohe kjo qoshe ish e identifikueme me prapambetjen.

Mendësia e kësoshme e sheh të vjetrën si synim të ligjshëm shkatrrimi, pra e paracaktueme nga fati me u rrenue herët a vonë, (në kët mes shprehja e percaktueme nga fati asht dyfish ironike sepse determinacioni historik i progresit asht supozue me pasë baza të forta shkencore). Kjo mendësi e situn në vetëdijen popullore ka zanë rranjë edhe në realitetin e tashëm ku e vjetra asht përherë e lehtësisht e zavendësueshme. S’ka dyshim se ekonomia e lirë njisoj si planifikimi qendror i shtetit i jep përparsi rrënimit t’asaj qi asht ma e  përposshme e individuale.

Ndamja kah e kaluemja asht a mbështetun në nji pahndehje të gabueme ku realiteti i sotëm shifet i shkëputun kah ato pararendëse. Mendohet se evolumi i pandalshëm ndryshon tharmin e natyrës sonë njerzore, ku çdo gjeneratë asht gjithnji ma superiore se e mbramja. Fallsiteti i këtij të ashtuquajtunit progres mbështetet në përhapjen e nji miti, sipas të cilit njerzit bahen gjithnji e ma t’llogjikshëm e racionalë. Në fakt ne nuk jemi të ndryshëm kah paraardhsit; përballemi me të njajtat paarsye, pasiguri e gabime qi shoqnojnë jetën njerzore e megjithëse materialisht ma begatshëm jemi në thelb po ata qi kemi qenë me mija vjet. Parregullsia në këte strumbullar nuk asht dëshira me kthye kryet mpapsht por dashja me pre fijet t’panumërta qi na lidhin me të kaluemen.

Ndërsa shkëputja nga e kaluemja arriti të shndrrojë thellësisht pamjen e qyteteve e katundeve tona, (shfaqje ma e lehtë kjo me dallue ndamjen kohore), mospërputhja me të vjetrën vijon e me zvenue gjithçka me nji farë mëvetësie e jetëgjatësie. Kësi ritmi e kumbi i gjuhës sonë tingëllon gjithnji e ma i huej, zakonet e naltueme në qiell s’janë ma as hijet e dikurshme, veshjet e kostumet të cilësueme si ma të hijshmet në botë s’ kanë ma asnji gjurmë, muzika jonë për t’arrdhun keq, gatimi nji kopje e keqe e guzhinave fqinje, orenditë tona shtëpiake pa kurrfarë historie e lista vijon e pafundme. E kjo pa përmendun shkulmën e dijes së humbun e zejeve të harrueme e kurrë ma të prapakthyeshme. Në kët mendjeprapshti humbja e traditës asht kthye në traditën tonë ma të qëndrueshme!

Utilitarët s’vonojnë me shfajsue rrënimin e asaj qi ka vlejtë ma parë me mëtimin se kinse çka zavendësoi të maparshmen ka barazue e tejkalue në vlerë me ate qi ka ekzistue para shkatrrimi. I njajti argument po përdoret edhe tash rreth shembjes së mundshme të Teatrit Kombëtar. Vetë ata qi kanë nji interes të drejtëpërdrejtë në vijëmsinë e këtij istutucioni, (shih intervistën e Lazër Filipit), parashtrojnë kusht të vetëm mos-shembjen e teatrit të vjetër pa u përfundue i riu. Argumenti i tyne vijon se, përsakohë qi vlera e maparshme shumzohet disafish, (teatri i ri mendohet të jetë ma i ma i madh e ma modern), atëhere s’ka kundërshtim në parim për rrënimin e të vjetrin; vlera e të hershmit e stivueme me histori e përjetesa vetjake asht, sipas këtij arsyetimi, flijim i domosdoshëm përparimi.

Edhe po t’shkonim udhës utilitare, maksimizmi i vlerës qi pretendohet se asht arritë, asht ende në pikëpyetje; njimend asht gjithnji subjektive me i ngjitun vlerë kah pas gjanave të ndryshme, sidomos kur disa fitojnë vlerë me kohë e disa zhverësohen, megjithate të paktë mund të jenë ata qi në gjendjen ku gjindemi nuk i kapë nji ndjesi e thellë dëshpërimi. Edhe ma e mprehtë bahet kjo ndjesi humbje kur papritmas del në pah ndonji gjasend marramendës qi s’e kishim idenë qi ekzistonte. Shfaqja e këtyne të panjoftunash, siç ndodhi sëmbrami me pajën e Shanisha Libohovës, e ban edhe ma të zorshme peshimin e cilësisë e të masës së asaj qi mund t’jetë zhdukun dhe e kalamendë perceptimin tonë qi çka na lanë paraardhsit nuk asht njimend ndonji gja e madhe. Teshat e motrës së Ali Pashës të ezpozueme për herë të parë kët nandor shkundën perceptimin tonë jo veç me shfaqjen e tyne por në prapavërejtje edhe me padituninë tonë për ezistencës e tyne.  

S’asht e zorshme me gjykue se raste të tilla janë pasqyrë mundi e përkushtimi t’ pashoq të nji familje. Ky mund e përkushtim me ruejtë çka punoi aq bukur dora e njeriut përveç nji përmase individuale ka dhe randësi shoqnore e kombtare. Njësi individuale të kësoshme ku ruhet ç’asht trashëgue janë ujdhesa shresëdhanëse në mes të nji deti gjithnji të trazuem, përndryshe do kishim ngelë pa kurrfarë gjaje me tregue për veten përveç të resë e të pahishmes.

Nji tjetër shembull edhe ma kuptimplotë mundi e përkushtimi asht padyshim edhe ai i E. Koliqit, ndër të paktë ata të gatshëm me kthye krye mbrapsht e me vetdije  me vendosë traditën në qendërvemendje. Ja shpjegimi i tij për përpjekjen me e ngulun Shejzat në plan të traditës:

  “Na e përfillim në të gjitha përmasat e veta përparimin në çdo degë të ditunisë e të jetës. Tradicjonalizmin e kemi zgjedhë me vetedije ma të plotë. Jem të bindun se po deshtëm me rrnue në botë si shqiptarë, - jo vetëm si shqiptarë me emën por me veti njerzore, - duhet të vem në themel të bashkëjetesës sonë kombtare traditën. Merret vesht traditën e kuptueshme dinamikisht, të rrahun në frymë të kohës, të pastrueme kah paraghykimet qi s’kanë të bajnë me palcin e bruemit t’nonë fisnuer. Duem qi breznitë e ardhëshme t’a endin jetën e tyne me elementat ma bujarë s’ Etënvet të lashtë. Kush lakmon përtimje tue u shkëputë kah tradita, ai verbnisht përgatitet me marrë traditën e të huejit, tue kujtue se shkeli lum e lum si njeri i ri në prak t’ ardhëmënisë. Njeri i ri po, por jo Shqiptar".

Koliqi me larpamësi sheh lidhjen përmes instinktit të ruajtjes qi e ka çdokushi dhe nevojës për traditë qi ka përbrenda në eshtna njeriu. Si qenie njerzore e kemi të dodmosdoshme përkatsinë, ate lidhje ndërmjet diçkaje brenda vetes me të jashtmen, me grupin e me të përtejshmen. Por edhe nji largpamës si ai s’do t’ ketë parashikue se e përkohshmja Shejzat do t’ish tejkalue dobinë e parashikueme. Sot revista shfletohet jo veç me këshëri por asht referencë parësore në universite. Koliqi arriti me lidhë me fill tradite kulturën shqiptare me krijimtarinë ma t’mirë e idividuale për nji kohë të gjatë e begatshme.

Mbase asht tregues fakti se duhet me iu referue materialit ma të herët me i pasë nji ide ma të qartë të asaj qi Koliqi quen ‘elementat ma bujarë s’ Etënvet të lashtë’. Shejzat i pararendë nji punë e hollsishme, përpilimi i së cilës i kushtoi autorit atë Donat Kurtit ma shum se gjysmë shekulli pune vetmohuese. ‘Doke e Zakone Shqiptare’ e botueme më 2010, mundohet me na drejtue vrojtjen kah nji botë të mbushun me emërtime si Mikpritja, Trimnia, Urtia, Drejtesia, Besa, Nderi, Burrnia, Forca e Fesë, Mirërritja e Fëmijve. Ati parashtron vetë qëllimin e veprës së tij ku thotë se: ‘Shpresoj, se mundi nuk ká me kênë i bjerrun. Këtû gjithseicilli ká me njoftë jeten e popullit shqyptár n’at thjeshtsín e dikurshme në pajtim me natyrë e me virtytet mâ fisnike, qi kanë kênë pështetje e qindrueshme per shekuj e shekuj, si të jetës familjare, si të jetës shoqnore’.

Shpresa e fratit franceskanit  përmban nji nenshënim lakonik të dyfishtë.
Kah nji anë, mundi i atë Kurtit s’ka shkue dam, vepra e tij asht pikë e randësishme në antollogjimin e dijes, pikëvemendje studimi për mote qi do t’vinë, por kah nji anë tjetër mundi i tij asht njikohsisht i bjerrun. Nëse tradita asht vijëmsia e asaj të maparshme, jeta e sotme, edhe në Dukagjinin e tij të dashun, nuk ka kurrfarë përngjasie me ate të përshkrueme në libër. Thjesht, në gjuhën e tashme amorfimiteti i sotëm i ban konceptet e parashtrueme prej tij  të papërkufizueme. Si dhe me Koliqin, mbase kur përpjekja për traditën bahet e vetëdijshme, ajo shënon fillimin e kohës kur mbërrthimi i vetë traditës ka zanë me u lehtësue.

Problemi me idenë e tradicionalizmit, tue iu kthye dhe nji here Chesterton-it, asht se ‘kjo ide mbështetet në idenë se po i le gjanat e paprekuna ato mbeten poasi. Por nuk asht nj’ashtu. Nëse i len gjanat e paprekuna i len në mëshirë t’nji rrëkeje ndryshimi’. Në fund të fundit pyetja ma me vend se çka duhet me ruejtë, duhet me u qenë ritmi i ndryshimit. Fraceskani i urtë përmend jo pa vend natyrën. Në natyrë duhet me iu gjetë çelsi e kurdisja e sahatit të ndyshimit. Nji tradicionalist i vërtetë flet gjithnji për nji ritëm të njitrajtshëm e jetsor ndryshimi. Siç satirizoi dhe Hoxhë Ibrahim Dalliu në Dokrrat e Hinit 1922, ndryshimet e shpejta shkaktojnë parregullsi aq absurde si për shembull kur biri e ka të pamundun me ndjekë të folunën e prindit. Andaj, qi ndryshimi t’jetë i bluejtun mirë ai duhet me qenë i kadaltë. S’duhet me filozofue shum e palidhje; ritmi i ndryshimit duhet të jetë i atillë qi t’mbërthejë brenda vetes së paku përvojën e përbashkët të breznive qi ndajnë kohë n’mes tyne, në ate masë qi prindi t’jetë në gjandje me nda me fëmijën e fëmijën e fëmisë rrjedhën ma t'madhe të dijës, traditës pa turbullime e ndërhymje.

Sa për ate qoshe të dikurshme të Tiranës sëpaku mund me u ngushullue me vargjet methafizike të Mihal Hanxharit:

Tirana

Mure muzgjesh
Mure netësh ku krahëhapur
U pështetën e qëndruan aty
Ëndje ëndrra të magjepsur gjer n’agim
Gjersa krahët e yjeve të Mjelmës
Zbrisnin e i merrnin me vete

Mure të bardha
Ndërtuar vetëm për dritën e hënës
Rrugëza të Tiranës
……………………
Ec ec vetëm
Trëndafilat sipër portave
Janë copa qielli të djegura në muzg
Dëgjo zëra çesmash që derdhen në kopshte
Zëra çesmash që derdhen në rrugica
Zëra që vijnë pas teje
Që nisin një kuvend me ty
Dhe shpirti dhe zëri i çesmave
Bëhet një
Dhe atëhere kuptojmë atë që s’dinim
Zot po a s’është ky sekreti i shpirtit
A s’është ky o ujë
Rrjedha e pandalur brenda nesh
Që ikim shkojmë rrjedhim
Drejt një pafundësie që shkëlqen që shkëlqen
Dhe që na ndjell nëpër natë
Me një mërmërimë misteri

Zot shpëtoje Tiranën
Lërja këto ura nate bërë me hënë
Lerja këto mure muzgjesh që kanë mbetur
Lere të vizatojnë degët mbi to
Shpirtërat e pemëve
Lërja kopshteve gjumin e vjetër
Zërin e çesmave lëre lëre
Ah dhe zërin e nallaneve nëpër oborre
Leri o Zot
Se dheu është mësuar me ato hapa
Dhe flen i qetë se i njeh
Leri aromat e lashta
Që derdhin pjergullat
Leri mos i tremb shpirtërat e bardhë
Të stërgjyshrave tanë
Që janë aty aty

Shko natë
Vër kurora me zëra ujrash
Te ura me harqe që s’don të varroset
Vër kurora aromash
Për qiparisat e tharë
Për rrapet e prerë

 

 
http://www.libohovaonline.com/veshjet-pe...

5 Komente

Nji nga ma t'fortat me shkrim qi kam has ne shqip nga Ibrahim Dalliu.

" Me bie nder mend Shkodrani kur kishte dash me pajtue nji sherbetuer (shegert) te pahajer, e kish pyte ate:

A pie raki? Po zotni ... edhe vene.

A luen letrash? Po, edhe me zar.

A don gra? Po edhe... djelmn.

Njashtu, kallxo te drejte, te lumte, se ti qenke per mue!!!

 

 

Nuk e dija qe edhe Chesterton paska qene ngambrapa-vrenjtur.

Megjithse e di qe ka dy Revolucione, siç ka dy fela (bota eshte duale***), Revolucion i Feles se Majte dhe Revolucion i Feles se Djathte, ne lidhje dialektike ndermjet tyre.

Sinteza ndermjet tyre eshte Njeriu i Ri Ngambrapa-modern i Baraztundurshkundur.

 

(***)

A pie raki? Po zotni ... edhe vene.

A luen letrash? Po, edhe me zar.

A don gra? Po edhe... djelmn.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).