“Në mes të të verbërve dikush me një sy është mbret”- thotë një fjalë e urtë. Nëse e përkthejmë verbërinë jo me barazvlerën e saj më të afërme të shqisës së dëgjimit: shurdhërinë, por me formën më të sublimuar të saj: heshtjen, atëherë  edhe proverbi do të tingëllonte pak a shumë kështu: “Në mes të fjalëshumëve i heshturi është mbret”. Aksioma e fjalës që qorron, që shurdh, topit, flashk, mpak, squll është padyshim po aq e dyshimtë, pasi antonimet: të fal sy e veshë, të mpreh, rinon, shumon, forcon, i shtojnë pikënisjes edhe një të dytë, më optimiste e më të argjendtë, nëse heshtja, siç thuhet gjithashtu rëndom, qenkësh flori.

  Dyzimi qysh në aksiomë vlen edhe për heshtjen: ka heshtje të mira e heshtje të liga. Por është shumë e thjeshtë, në kuptimin e lig të thjeshtësisë, të luhatesh nga një aksiomë tek tjetra, të biesh pre i dualizmit zibardhë a bardhezi; e nuk po duam të marrim të dhënë burimin e të na marrë ashtu lumi e të na derdhë aty ku derdhen të gjithë ujërat, të pastrat e të zezat. Po duam të shkojmë si tren mbi të dyja shinat njëherësh e të mbërrijmë në një stacion jo fort të largët, prej nga mund të kthehemi në bazë qetë e pa mundime, të heshtim me masë e të flasim po ashtu me masë. Për heshtje fisnike për të cilat duhet folur e për të heshtur për fjalë fisnike, të cilave nuk ke ç’u shton e për antipodet e tyre: heshtjen si placebo për kë kërkon të dijë nga dëshmitarët e zhurmat që nuk të lenë të dëgjosh të vërtetën. Për heshtje poetësh e për çfarë thonë a nuk thonë ato. Se kush di të flasë e për pasojë, a më saktë si shkak, të heshtë më mirë e më bukur se poetët; kush di të flasë aq bukur mirë larg fjalës cullak se ata që e veshin atë me gjithfarë plaçkash a rreckash: mediatikët, analistët, politikanët e, për fat të keq, edhe shumë gazetarë të sodit e dordolecë shqiponjash? Shina tjetër do të jetë pra llafi bosh, fjala si rrenë, zhurma për hiçgjë, besa e ngrënë, propaganda, zhurmuesi.

  Është folur shumë për heshtjen e Lasgushit. Mendojmë se ka qenë ekzogjene, rrjedhojë e kompromisit të munguar me sistemin: heshtje pra e rëndë e ndoshta më fisnike se vepra e tij. E ngjashme me heshtjen e shtatë të tetave të ajsbergut zhytur në ujë të bashkëkohësit të tij Migjenit. Trysnia ka qenë e jashtme: tek Migjeni forca madhore të cilës do i nënshtrohemi të gjithë; tek Lasgushi pamundësia për të folur drejt, padashja për të folur si shumë të tjerë, për t‘u bërë borizan i partisë. Nuk dimë se ç‘do të kishte bërë i pari, në do të kishte jetuar mesatarisht: do të kishte përfunduar në Spaç për agjitacion e propagandë, a do të ishte bërë sekretar i degës së Lidhjes së Shkodrës? Nuk po duam të hamendësojmë për këtë, pasi mungesa e tij është më e thellë se sa do të kish qenë e lartë prania e tij në ato kohë të errëta. Por, nisur nga sivëllai i tij që nuk i ngjan në poezi, ndoshta do të ngjanin në jetë, pra, me gjasë, do të kish heshtur edhe ai.

  Njerëz të tillë na duhen, më shumë se kurrë ndoshta, por jo për të heshtur, por për të na folur siç duhet, pasi ligjërimi është „shprishur”. Nuk flitet saktë e qartë, pasi flitet shumë. Nuk dihet a nuk mundet t‘i jepet të drejtë kundërshtarit, kur ky thjesht ka të drejtë, të paktën pjesërisht. Foltoret publike, letrat, ekranet kanë rënë në duar jo të mira, në duar të ngathëta, në gojë që nuk dinë a nuk munden të flasin qartë, saktë e drejt. Edhe nëse e bën dikush, në mes të rrokopujës, zhurmës, tallavasë, mitingjeve, fjalimeve, sharjeve, teprimeve, patetikës, kompromentimit, korrupsionit, nuk ka gjasa të dëgjohet.

  Çështja shtrohet si dikur në Rusinë e pararevolucionit të tetorit, kur intelektualët pyesnin „Ç‘të bëjmë?”. Ndërsa tek ne, e përkthyer si zakonisht kokëposhtë, pyetja shtrohet „Ç‘të mos bëjmë?”

  Pasi më të shumtën bëhet ajo që nuk duhej bërë e jo e kundërta. Flitet kur duhej heshtur e heshtet për çka duhej thënë. Është e turpshme që heshtet lig për të kaluarën, kur duhej të qenë hapur me kohë dosjet, e në të njëjtën kohë dërdëllitet për të po aq turpshëm, në formë sensacionesh të paqena, me të cilat ndillet publiku për të blerë lëtyrat kinse gazeta. Relativizimi i krimit në kureshti, nihilizmi i kundërvënies të keqes së shkuar të keqen e sodit, rritin dita-ditës zhguallin e pandjeshëm, nën të cilin kotet në letargji breshka e drejtësisë. Ne jemi vendi i vetëm në ish-bllokun komunist që nuk jemi përballur ende me të kaluarën tonë: ligji për lustracionin nuk u miratua sërish. E si mëtojmë të vemë drejtësi në të tashmen e në të ardhmen, pa qenë të drejtë me të shkuarën tonë?

  Heshtet keq për korrupsionin që ka pllakosur vendin, merret ky si i dhënë, si e keqja më e vogël, diçka që do e bënin të gjithë po t‘iu jepej mundësia; nga ana tjetër, flitet skajshëm për gjithshka. „Madhështor“, „ i shquar“, „mbarëbotëror“, „ikona“, etj. janë fast food-i i përditshëm i medias. „Bukën e përditshme falna sot!“. Dhe mana na vjen në formë analiste nga banorët e ekranit dhe të fletushkave. Fevziu, Gjebrea, Cani, Xhunga, Nano, Zogaj, Lubonja, Hoxha, Çili, Krasta etj. me shokë janë punëtorët me mëditje të vulgut që bën sehir, ushqyesit me shuka të gjelit të detit, që theret çdo katër vjet ; e kojnë atë me dokrra dhe mbetje perëndimore e ai është i uritur, a i ngopur deri në zakon; ha ç‘i japin e nuk i bën më përshtypje se çfarë. Flitet për gjithçka, por përflitet keq, larg asaj ç‘është vërtet – larg parave që paguhen nën dorë, nga?, pasurive të vëna si?, ndërtimeve pa leje, pse? tarafllëkut të kujt? krimeve të bëra nga kush? – pra dërdëllitet nga njëra anë çka nuk ka pse thuhet e heshtet nga ana tjetër ajo çka duhet thënë medoemos.

  Ku janë Gandhi-t, Havel-ët, Mandela-t, Nënë Tereza-t, Luther King-ët tanë? A nuk paskemi më njerëz  të virtytshëm, njerëz që do të mundeshin t‘i kundërvinin hedonizmit ideale më shpirtërore se sa pasuria materiale, seksi, pushteti, farefisnia, egozentrizmi? A nuk jemi në këtë botë për të bërë diç më shumë se të vënit thjesht para, se për të bashkëfjetur, për të komanduar, për të qenë familjarë, pasi „…robi nuk jeton vetëm me bukë…“? Ngjan se banorët e atij ish-burgu të hapur të mbiquajtur atdhe vijojnë të presin gardianët që u sjellin për të ngrënë edhe kur janë liruar, ngjan që ata e vuajnë ende sindromën e Stokholmit.

  „Ç‘të bëjmë?“ është pra „Ç‘të mos bëjmë?“, pasi, për të ditur se si bëhen gjërat, mjafton të marrim shembullin e kujt i ka bërë ato, siç mund të shihen pasojat tek të tjerë, që kanë bërë çfarë s‘duhet bërë. Sepse të zhbësh, ta zëmë, mbiurbanizimin e Tiranës, apo bregdetit të Durrësit, është përpjekje ku e ku më titanike se thjesht të mbyllurit një sy, apo të ligjërimit të korrupsionit ndërtimor në prag zgjedhjesh. Si mund të zhbësh dot pastaj deformimin shpirtëror e mendor të brezit të ri, rritur në geto periferie me trafik anarkist, pa hapësira të gjelbëra, pa vende lojrash, ushqyer me reklama cinike e fjalë të huaja që nuk ua di doemos kuptimin, shkolluar me para nën dorë e tarafllëk, mjekuar po ashtu? Aq më tepër që janë ata, që t‘i kërkon të drejtosh, që të zgjedhin? Ndaj dhe programet e qeverive në pushtet, duke qenë se ligji normalisht është mohues, duhej të kishin parësore „mosbërjen“, ndalimin, kontrollin, pasi gjërat që duhen bërë, bëhen sidoqoftë vetiu.

  E, në fund të fundit, kjo është përmasë njerëzore. Lasgushi e Migjeni i përtejshëm fare mirë mund të kishin shkruar ca poema për udhëheqësin, për mbretin, për partinë, siç bënë shumë të tjerë, që hëngrën bukë me to, duke helmuar të tjerët. Por zgjedhin të mos e bëjnë. Pasi, nga ta dish, ndofta robi nuk ka vërtet veç një jetë, ndofta ai që bëri këtë botë dhe banorët e saj mund të ketë bërë edhe të tjera, ku bëmat e mosbëmat e kësaj janë bumerangë në tjetrën; ndoshta jemi trofta që kthehen për të lindur ku kanë lindur, jemi si fajkojtë e gjahut që i kthehen të zotit në dorë. Për sa kohë nuk e dimë, në është kështu, do të qe mirë të mos besonim aksioma të tjera që e marrin të dhënë të mos qenit ashtu. Për sa kohë nuk i dimë pasojat e bëmave tona, do të ish më mirë të ushtroheshim në mos-e jo urdhërorë, për të kursyer të ngjashmit nga vetja, por ndoshta edhe atë vetë.

 

*Ilustrimi: "Dilemas" nga Enkelejd Zonja

1 Komente

Stafa qenke mbushur me shume vrer. Ushqehemi edhe ne si kaposhet e vitit te ri, me shuka. Na i fusin ne gryket me okllaine e perzitshme te Mapo, Panorama etj. Une them te refuzosh ushqimin, pervec ne mos dalte ndonje zorre-ushqyes human - sic quhet ndryshe rectal-feeding http://www.theguardian.com/us-news/2014/...

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).