Në katin e katërt, në dhomën numër një, të një prej spitaleve private në Tiranë, prej dy ditësh qëndronte i shtruar regjisori dhe dramaturgu Mihal Luarasi. Ne shkuam për ta vizituar dhe nuk e gjetëm vetëm. Pranë, ulur në një karrige i qëndronte edhe bashkëshortja e tij, artistja Edi Luarasi. Ajo ishte aty vetëm për pak, pasi kushtet e saj shëndetësore, nuk e lejojnë që të qëndrojë gjatë në ambiente të tilla. I takojmë dhe na falënderojnë që shkuam për t’i parë, qoftë edhe për pak. Ulemi pranë tyre dhe e pyesim zotin Mihal, se çfarë shqetësimesh shëndetësore ka pasur? A ishte më mirë? “Kur të zë belaja, të zë, nuk ke se çfarë bën. Tani jam më mirë, por ishte një bllokim me veshkat, të cilat për shkak se nuk funksionojnë mirë, bëjnë që këmbët t’i kem shumë të ngarkuara me ujë. Kura që jam duke bërë këtu e ka shkarkuar ujin, ndërsa më pas kam vendosur që ta vazhdoj kurën edhe në shtëpi”, tregon ai, duke fërkuar herë pas here ballin me dorë. Vazhdimi i kurës në shtëpi, nuk është zgjidhje, por vetëm një mënyrë për t’i shpëtuar atij realiteti, që heshtur, mes njëri-tjetrit, e dinin fort mirë se për ta është i papërballueshëm. Nata në spital kushton 16 mijë lekë dhe kjo është një faturë e kripur për dy pensionistë, sado të lartë që të kanë ata pensionin.

“Nuk do të ketë asnjë infermiere që do të më ndihmojë në shtëpi, ne do ta bëjmë kurën dhe më pas do të vijmë që të shikojmë ndryshimin”, vazhdon të thotë regjisori. Duke llogaritur me zë të ulët, se të hënën, ose të martën e javës tjetër duhet që të paraqitet përsëri në spital, për të parë ndryshimet. Çifti Luarasi kanë dy fëmijë. Ata prej vitesh jetojnë jashtë vendit, duke punuar çdo ditë, për të përballuar koston e lartë të jetesës. Nuk kishin as një, apo dy orë që kishin komunikuar me ta nëpërmjet telefonit. Djali kishte ardhur edhe para pak kohësh për t’i parë nga afër, por kishte ndenjur vetëm pak ditë dhe ishte larguar përsëri, sepse duhej që t’i rikthehej punës. Në një moment në dhomë troket dhe hyn doktoresha, e cila duhej që të bënte vizitën e radhës dhe t’i jepte emrat e ilaçeve, që kishte për të blerë në vazhdim. Në duar mbante një recetë. “Kjo është letra jote”, tregon ajo. Duke numëruar më tej 3 apo 4 emra ilaçesh, që duhet blerë, dhe duhet emrat e atyre që duhet t’u shtonte sasinë e përdorimit. “Pas përdorimit të këtyre do të shikojmë se si do të na shkojnë gjërat dhe të hënën do të vish përsëri”, përfundon ajo, duke i përshëndetur. Zonja Luarasi kishte ardhur enkas për të paguar faturën. Teksa priste që t’ia sillnin, herë pas here ngrihej nga karrigia për të dalë në dritare, jo për të parë horizontin, por për të marrë frymë lirisht. 

Pas pritjes së ankthshme lajmërohet se fatura ishte rreth 95 mijë lekë. Spitali për çdo pacient bënte vetëm 15 për qind ulje nga totali. Kjo ishte fatura e dytë, e kripur e spitalit, që duhet të shlyenin, pasi njërën e kishin paguar qysh në fillim. Dëshira e saj ishte, që pas dy ditëve të vështira që kishte ndenjur vetëm në shtëpi, sikurse na tregoi, pas kësaj pagese të kthehej së bashku me regjisorin. “Të rrish vetëm nuk është mirë, por keq, shumë keq”, tregon ajo. Teksa Mihali shton, se sëmundja e tij ka ndikuar edhe tek Edi. Kjo duket nga çfarë po e shikoj. Kur e pyesim se sa i shkojnë ilaçet zakonisht, regjisori shprehet se: “Çmimet e ilaçeve që do të blejë për t’i përdorur në shtëpi nuk dihet ende se sa do të shkojnë, sepse një pjesë të tyre unë i kam blerë para se të shtrohesha këtu. Jo se janë ndonjë çudi e madhe, por të shtrenjta janë”, vazhdon ai, teksa vështrim e drejton nga tavani i dhomës. Guxojmë ta pyesim edhe nëse kanë patur ndonjë ndihmë apo mbështetje nga institucionet e kulturës. Nëse është kujtuar dikush për të konkretisht. “Ndoshta nuk janë sinjalizuar. Ne nuk qahemi për shtetin, sepse pensionet i kemi të mira. Për këtë gjë nuk kemi asnjë ankesë, por mirë jemi”, vazhdon ai. Duke shtuar se: “Deri tani nuk ka pasur dhe unë, as nuk shpresoj në këtë gjë. Nuk duhet që të zgjidhej ky spital, sepse është shumë i shtrenjtë. Por edhe pse ka një sektor në shtet që mund të funksionojë mirë, unë nuk e di se ku është”. Pas pagesës së sotme ata do të largoheshin nga spitali. Ndoshta sepse nuk e përballojnë dot më tej, ndoshta sepse duhet që t’i qëndronin pranë njëri-tjetrit. Për t’i çuar në shtëpi, do të vinte për t’i marrë një taksist që e kishin mik, me të cilin punonin vazhdimisht. “Kemi lajmëruar dhe do të vijë që të na marrë ai”, tregojnë ata, pasi u kërkojmë që t’i shoqëronim për në shtëpi.   

Jeta e çiftit Luarasi, të ngjason me dramën e fundit të vënë në skenë prej vetë regjisorit, “Përjetësisht dashuria”. Një ndërrim skenash i interpretuar nga Drita Pelingu dhe Vangjel Toçe, që kishte brenda metaforën. Edhe në jetën e çiftit Luarasi, si në jetën e artistëve në skenë dallgët e historisë i lënë shkretë jetët njerëzore. Vetëm se kësaj here nuk bëhet fjalë për një dramë në skenë, por për një dramë në jetën aktuale të dy artistëve. Bëhet fjalë mbi temën e vetmisë së brezit të tretë, me të cilën, ata, për shkak të rrethanave të reja, për shkak të zhvillimit ekonomik dhe social, për shkak të traditës së familjes shqiptare, duhet që të kalojnë vetëm një situatë, ku shteti, apo Ministria e Kulturës mund që të t’i ndihmonte, qoftë sadopak. Problemi ekonomik, sipas zotit Luarasi, nuk ishte një nga shkaktarët më të fortë të vuajtjes së tyre. Pavarësisht se nuk qahen ata do të vazhdojnë të qëndrojnë në batanije, sepse kostoja e energjisë elektrike është mjaft e kripur për ta paguar. 

Këtij brezi i takon të ndërtojë një teatër të ri

Teksa bisedojmë me regjisorin për shëndetin e tij, ai në një moment ndryshon tonin e zërit duke na thënë: “Si nuk më pyetët për Teatrin Kombëtar?” Në fillim u stepëm, por kur pamë se zëri i tij, mori tjetër ngjyresë, ishte më i pastër, ne i kërkuam që të na tregonte më tej. “Në një mbledhje të vitit 1966 në Shqipëri, unë i shkova Naim Frashërit, aktorit tonë të madh në oborrin e Teatrit Kombëtar dhe i kërkova që të bëjmë një mbledhje me Manush Myftiun, i cili asokohe ishte anëtar i byrosë Politike. Ai ishte një nga figurat më të rëndësishme të regjimit. Naimi mundte që ta takonte, sepse ishte edhe më i fortë pasi ishte anëtar partie. Ndërsa unë nuk isha anëtar partie”, tregon ai. Më tej tregon bisedën që kishte pasur aktori me anëtarin e Byrosë. “Shoku Manush, Partia duhet që të mendojë për një teatër të ri, sepse ky teatër është ndërtuar nga italianët. Ne disa herë kemi marrë lajme paralajmëruese nga zjarrfikësit. Kështu që, ky teatër është në rrezik zjarri. Partia a mendon për një teatër të ri?”, i tha Naimi, anëtarit të Byrosë. Kur e pyesim më tej, se si u është përgjigjur asokohe Manush Myftiu, na tregon aktorit Naim Frashëri i pati thënë se: “Shoku Naim! Partia nuk mendon dot për një teatër, për atë duhet që të mendojnë nipat tanë”. Para pak kohësh kur dëgjova diskutimin që është bërë për gjendjen e tij, unë e llogarita dhe një ditë i thashë edhe Hervinit, drejtorit të Teatrit Kombëtar se: “Ju jeni nipat e asaj kohe dhe keni të drejtë që të kërkoni ndërtimin e Teatrit Kombëtar”. Veç të tjerave, shumë vite më parë, Luarasi tregon se, ka bërë një diskutim në Galerinë Kombëtare të Arteve për godinën e Teatrit Kombëtar. “Sipër u ekspozua një projekt i qendrës së Tiranës, i bërë nga francezët. Unë shkova disa herë atje. Një herë rastisën të ishin aty edhe dy francezët, që e kishin bërë. Më falni u thashë, por ku është projekti i teatrit të ri kombëtar të Shqipërisë? Pse nuk është?Unë kam qenë në Paris dhe e di, se cili është Teatri Kombëtar i Francës. Po këtu ku e keni?” Sipas Luarasit, TK nuk figuronte fare. Ndërsa në zonën ku është TK,  ishte projektuar një grup pallatesh.

“Vite përpara kur Rexhep Mejdani ishte President i Republikës, dhe Fatos Nano, kryeministër. Prof. Rexhepi bëri një thirrje për të grumbulluar fonde që të ndërtohet TK. U bëri thirrje privatëve dhe të gjithë u mblodhën në TK. Unë nuk kisha para, por kisha shkuar për të dëgjuar”, rrëfen ai. Teksa shton më tej se: “Qeveria greke kishte dhënë një fond prej një milion e gjysmë dollarësh, që janë në bankë edhe sot, për të ndërtuar TK-në e Shqipërisë. U bë thirrja. Financimet u grumbulluan dhe duke dalë nga kjo mbledhje, Fatos Nano iu drejtua njërës nga palëve që kishin lekët duke i thënë: Po ty more, yt atë t’i ka lënë ato para, që more angazhim për t’i dhënë në teatër?” Kështu u ndërpre kjo fushatë, dhe paratë nuk u mblodhën.  “Ka qeveritarë si Rexhep Mejdani që mori këtë nismë, por përgjithësisht shtetet nuk e duan të vërtetën që prezantohet në Teatër. Teatri ngacmon, drama gjithmonë ngacmon dhe kështu mbeti kjo histori”. Ato që thuhen janë vetëm fjalë, por TK duhet ndërtuar vazhdon të thotë Luarasi. 

Përparim Kabo: Nuk e harroj ditën kur Kumbaro iu ul në gjunjë Luarasit

Lajmin për shtrimin në spital të regjisorit Luarasi, e mësuam mëngjesin e djeshëm nëpërmjet një shkrimi që kishte shkruar Përparim Kabo, në rrjetet sociale. Ai tregon se: “Një ngjarje me më shumë rëndësi se intervista e Kryetarit të munguar të Bashkisë, se njoftimi për projektet e kulturës për vitin 2015 njoftuar nga vetë ministresha në televizione, me shqetësimin e saj se s’ka njoftim tjetër ndaj ejani, dhe se promovimi i librit për të disajtën herë të Blendi Fevziut për mbretin Zog, është kjo tjetra që dua ta ndaj me Ju miqtë e mi. Para 3 ditësh telefonova mikun tim të jetës Mihal Luarasin, njeriun që në vitin 1956 vuri në skenën e Teatrit Popullor dramën e Shilerit “Intrigë dhe Dashuri” ai që vuri në skenë Traviatën moderne, “Njollat e Murme”, ai që realizoi Festivalin e 11-të të këngës në Radio Televizion. Si je e pyeta? Keq më tha. Shkurt, Edi Luarasi e shoqja është rëndë me depresion. Të dy fëmijët në emigracion se kur Mihali u fut në burg ata mbetën pa shkollë dhe në vitin 1990 ikën të gjenin fatin. Nuk ka kush më shpie të vizitohem më tha Mihali. Menjëherë të nesërmen e shpumë në një spital privat dhe një ditë më pas u shtrua me urgjencë. Është në spital, dhe mbaj kontakt”, shkruan profesor Kabo. Duke shtuar më tej se, dr. Leonard Solis u njoftua nga unë dhe po kujdeset për të. “Para se të shtrohej i thashë, mos ke nevoja monetare më thuaj? Ai u mek në zë dhe më tha, jo kam. Por pas një pauze shtoi. Faleminderit, e di që kam një mik në botë, je ti! Po jam Mihal dhe jam krenar për Ty dhe për Edin dhe për miqësinë tonë bashkë me Lilijanën time dhe tuajën, të shtrenjtën.

E ja sonte asnjëri, as ministrja e Kulturës, as Kryeministri, as Kryetari Bashkisë së kryeqytetit, as Fevziu që harron të thotë se, shefi Shtabit të Ushtrisë së Nolit kishte mbiemrin Fevziu dhe flirtonte me Mbretin dhe me Jugosllavët që ai të rikthehej në pushtet, as Çili ky Sanço që i lëpihej Ramës sonte, nuk vlejnë dhe nuk mund të bëjnë atë që bëri Mihal Luarasi”. Kabo vazhdon rrëfimin e tij, duke treguar se: Mihal Luarasi kur ishte 15 vjeç doli partizan. Komandanti i brigadës së tij partizane në diktaturë e dënoi në burg për agjitacion dhe propagandë në pasluftë. Enver Hoxha e quajti armik të popullit vetëm se ai donte theatrin dhe iu kushtua atij …artit”. Më tej shton se: “Nuk e harroj një ditë kur ministrja e Kulturës zonja Kumbaro sa ishte emëruar, tek e takoi Mihal Luarasin iu ul në gjunjë dhe i fliste. Unë shpresova se diçka po ndodhte …por jo, isha gabuar. Miku im Mihal fle vetëm në spital, dhe ministresha mbase ka mbyllur telefonatat pasmesnate me ata që do shkojnë atje te dikasteri i saj të aplikojnë për projektet e kulturës për vitin 2015… Eh jetë sa na dhe të shohim, sa na tregove të gjykojmë, sa prova na vure të vuajmë…, por Mikun mos na e lodh më, se boll është sfilitur në këtë jetë, në këtë vend që quhet atdheu ynë!”, përfundon Kabo.

Biografi

Mihal Luarasi u lind në Korçë më 1929, por në Tiranë edukohet në Liceun Artistik “Jordan Misja” në degën e aktrimit. Vijon studimet për regji teatri në Akademinë e Arteve të Teatrit në Budapest, Hungari. Puna e tij e parë si regjisor profesionist është tragjedia e Shilerit “Intrigë dhe dashuri” (1956). Me “Dhelpra dhe rrushtë” ai fiton disa çmime në Festivalin e II Kombëtar të Teatrit. Në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës më 1966 vë në skenë për herë të parë “Cuca e Maleve”. Me “Mosha e bardhë” e Dritëro Agollit, dhe “Njollat e Murrme” të Minush Jeros, Lurarasi është bërë pjesë e atyre përpjekjeve në art, që brenda realizmit socialist të mund të ngrinin shqetësimin e njeriut intelektual. E njëjta gjë me vënien në skenë me trupën e Durrësit të dramës “Çështja e inxhinier Saimirit” e Fadil Paçramit. Në Teatrin e Operës dhe Baletit ai është regjisor i “Karmen”, “Traviata”, “Pranvera”, “Opera për tri grosh” etj.. Dënimi me burg, me internim më pas, për “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor” ndodhi në valën e goditjeve për liberalizëm që iu bë kulturës dhe arteve në vitet 1972-1976. Për gati 20 vjet, Luarasi dhe bashkëshortja e tij Edi, nuk panë skenën e teatrit, por kantierin e fabrikave dhe të punëve për mbijetesë të së shoqes, si rrobaqepëse. Pas nëntëdhjetës çifti Luarasi vendoset në Hungari. Aty vë në skenë dramën e Rexhep Qosjes “Vdekja e një mbretëreshe”. Më 1995 rikthehet në Tiranë për të vënë në skenë dramën “Hekurat” e dramaturgut hungarez Goncz Arpad. Është autori i disa librave mbi teatrin, “Teatri Kombëtar në udhëkryq” (2003) dhe “Kujtesa që nuk fle” (2005). Më 2003 rikthehet përfundimisht nga Hungaria dhe shkruan dramën “Gomonet” e vënë në skenën e Teatrit Kombëtar nga regjisori Gëzim Kame. Në vitet e fundit ai ka punuar me dramën e Ruzhdi Pulahës “Streha e të harruarve” dhe për dy drama të vetat “Korbi i bardhë” dhe “Antigona kërkon të atin” dhe “Përjetësisht dashuri”. 

4 Komente

Nje drame si shume te tjera ne kete vend...... Ku eshte ndryshimi nga pensionistet e tjere? Dy femije i kane, te rrritur i kane, pensionin e mire e kane, para si te persekutuar kane marre, e perse duhet te perdellehemi per ta? Eshte nje fatkeqesi, po ashtu si i ra komshies time, e cila kishte nje palo pension dhe nuk kishte as para menjane, e kalamajte i kishte edhe te papune ketu brenda, edhe keq ekonomikisht dhe iku e mbylli syte.. Ata i kane dhene kesaj shoqerie ashtu si i dha edhe plaka ime qe fshinte shkollen, si i dha edhe Titi i Sabries, komshiu im shofer, qe sapo u largua nga kjo bote, ne ato kushte dhe poste shoqerore secili dha te veten per shoqerine e njekohesisht mori edhe shperblimin per ato qe ddha...

Kanë të ardhura se shprehet dhe vetë Mihali .Kanë shitë shtëpinë dhe truallin në Palcë të Bllokut . Në kët pikpamje Ju keni të drejtë sepse Titulli është provokativ dhe pa Vlerë . Është artikull surrogato në vend që të ishte një promemorje e njëÇifti që i ka dhnë aq shumë Artiti të Dramës dhe Kinematografisë shqiptare .

Që i kanë dhënë aq shumë Luftës NaÇl si familja Luarasi por edhe dajot e Edit ..dhe që Pësuan për hir të "Pushtërve " karieristë që i shfrytëzuan e përdorën e përfituan nga " naiviteti " e besushmëria e tyre se Gjithshka është Vetëm ART . Mos harrojmë se Luarasi ështlë i rrallë në Diplomim . Laureat me rrolin e hamletit në ..Hungari ., siç thonë askush nuk Guxonte të mbronte Diplomën me këtë Rrol !!!!

Unë i njoh Personalisht dhe janë Çift që janë shumë HUMANË , pa asnjë dashakeqësi shpirtërore e Politike për kërkënd .

Dhe kur e krahason me Kohën sot të "antikomunsitëve"-  LLUM të ish partisë së Punës të paktën SOT  në Blog , që nuk Rreshtin për kundër Real Soc duke përkujtuar edhe Fashistë si Koliqi , të vjen ...

..të grisësh edhe faqet e kujtimeve të Xha Abazit ku sindozot shquhet Alba jonë zametleshe shumë  smiley

Struktura e artikullit mjaft e çorientuar . As mish as peshk por edhe mish edhe peshk sipas Parimit të të barztundurve smiley

une do ja vija titullin Drama e jetes, qe eshte Plakja ne kete rast.

se drama jetesore ka plot. 

Mua me duket sikur autorja me shume i ka perdorur keta dy pensionist duke u nis nga emri Luarasi, gjynof qe keta dy emra,  te perdoren per qellime politike,

Se c`a lidhje kishte emri i M.M. dhe aktoreve te tjere, me hallin e ketyre dy pensionisteve dhe nevojen e tyre per te perballu sherbimet shendetsore, vetem ajo e di !

" Se diktatura zotrie.." do te thoshte oidriso  .

.Po drama e ketyre eshte si drama e gjithe pensionisteve te tjere qe ka shqiperia ne mos me keq , se keta !

Nje plage e pa sherueshme e shoqerise shqiptare ! 

  

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).