- Në qoftë se kamarierët janë aristokracia e klasës punëtore, cila do të mund të quhej aristokracia e fshatarësisë? - pyeti Nini duke ecur përbri meje në rrugën automobilistike që të shpinte në Institut. 

Po shkonim për në punë dhe rruga kalonte mes arash të gjelbra, ku prashisnin gratë e fshatit. Ato nuk mund të ishin aristokracia e fshatarësisë. S’e kisha menduar - aristokracia e fshatarësisë na qenkësh qartësisht gjinore. Kështu gratë u përjashtuan shpejt e shpejt duke e lehtësuar punën. Sakaq ndër burrat nisi një konkurrencë plot gjallëri profesionesh kandidate: karrocier, magazinier, shartues vreshtash, shofer, brigadier, mekanik… Të gjitha këto kishin protë dhe kundrat e tyre, që ne po i diskutonim hollësisht, një mënyrë e jona kjo për të shtyrë atë copë rruge dy kilometërshe nga stacioni i autobuzit që na sillte nga Tirana, tek godina e vetmuar e Institutit, që një Zot e dinte pse e kishin bërë aq larg, në mes të arave me foragjere gjithfarëshe. 

Ishim ende duke diskutuar, kur para nesh u shfaq Gjoni. U pamë në sy me Ninin, debati u zgjidh automatikisht, Gjoni ishte padyshim një aristokrat i vërtetë i fshatarësisë punonjëse. Çudi si s’e patëm kujtuar më parë kryepunëtorin e brigadave të fushës me pamje esnafi prej burri njëcopet. Zotni burrë! Buzëqeshja e tij e gjerë na dha mirëmëngjesin e zakonshëm: “Si ia kalut, çuna? A ju lodh’ rruga?” 

Shpesh, mëngjeseve, Gjoni qëllonte me karrocën e transportit të qumështit kur ne zbrisnim nga autobuzi shkalafitës, dhe na merrte me bujari duke bërë shenjë me dorën e madhe “hipni”, dhe karrocieri krah tij i ngadalësonte kuajt që ne ta kapnim karrocën ende në lëvizje. Ne hipnim të lumtur – nuk e kam provuar herë tjetër atë lloj lumturie, me asnjë mjet tjetër udhëtimi. Në atë karrocë kishte diçka nga pajtonët e vjetër, të lexuar në libra apo të parë në filma, ndjesi të cilën ne donim ta ruanim të paprekur, edhe kur nga kuajt vinte një shkulmë ere e keqe. Në gjithë botën kuajt qelbin erë, thoshte gjithë siguri Nini. Karroca ishte finalja e një rrugëtimi të lodhshëm për tek Instituti, në mes të asgjëkundit ku punonim, rrugëtim që fillonte me autobuzët urbanë dhe stacionet tragjike të tyre, autobuzë që thirreshin me orët që duhej të vinin, “i pesës”, “i pesë e gjysmës”, “s’ka ardh’ ala gjashta”, “ora ka shkuar gjashtë e çerek, dhe gjashta s’ka ardhur, rrezik nuk e kapim sot shtatën e Fushë-Krujës”… Ndoshta ai hundëkim shpjegonte lumturinë tonë për karrocën e Institutit, megjithëse nuk do të doja të hiqja dorë nga teza e luksit të pajtonëve, prej nga ku dilnin gra me vel e kapele të mesjetës në filmat që jepte TV shtetëror. 
- Gjon, ndize një. I ke Durrës të Durrësit.

Po, pa dyshim Gjoni ishte aristokrati i fshatarësisë, si kamarierët për klasën punëtore, ata të cilët rrezikonin të aristokratizoheshin prej fenomenit të bakshishit dhe që kësisojit do ta arrinin të fundit komunizmin. Edhe Gjoni mbase do të mbërrinte i fundit atje, por kjo s’na pengonte ta afronim si “rob Zoti”, si njeri me të cilin mund të merreshe vesh e të kërkoje ndihmë. Sepse nuk kishte gjë që të mos e dinte Gjoni, kush shiste “privat” ndonjë kile mishi, kush kishte në dorë për ndonjë mall magazine, kush kishte ndonjë autorizim të veçantë, apo ndonjë vend për Kampin e punëtorëve në Sarandë. Në të vërtetë ai ishte “esnaf”, dhe kjo ishte krejt e kundërta e aristokracisë, por ne aq na bënte, kishte kohë që fjalëve as ua kërkonim më kuptimin e mirëfilltë. Ç’kemi, Gjon! Ai ishte lidhja jonë si djem kryeqytetas me provincën, me masën e punëtorëve të Institutit, ndërlidhja e besueshme në ndonjë problem apo keqkuptim komunikimi, sidomos me punëtoret, të cilat këmbëngulnin se ne ishim hundëpërpjetë dhe se duhej të vërtetonim të kundërtën në një mbrëmje tematiko-dëfrimi të posaçme, ku edhe do të afroheshim më tepër… Gjon, thuaju të lutem se nuk mundemi, jo këtë muaj, më vonë, më vonë...

 

Ajo ditë filloi normalisht, muhabete zyre, ardhja e Rukijes për pastrimin, barcaletat e fundit që bënin të ushtonte mesorja e katit nga të qeshurat tona (edhe këto të ndryshme nga të vendasve, të cilët qeshnin shumë pak dhe në mënyrë tepër të përmbajtur), buka me vete e thekur në plitka ose rezistenca, ora më e vdekur midis njëshit dhe dyshit pasdite… kur nga dera erdhi dikush dhe tha si me alarm: Ejani, mbledhja me shokun Xhelil fillon për pesë minuta. Pothuaj kishim harruar që kishte mbledhje “me shokun Xhelil”. Dolëm nga zyra pa qejf, duke tërhequr këmbët zvarrë, me një shpresë të kotë se mos salla e mbledhjeve në kat të parë ish mbushur plot (e përplot me spektatorë), dhe s’kish më vend për ne, me gjithë dëshirën e madhe tonën për të marrë pjesë, kuptohet. Kjo s’kish ndodhur asnjëherë, po të mos llogarisje vizitën e Kryeministrit në Institut para disa muajsh, ku vërtet nuk kish vende në sallë e ku askush nuk na e kish ngenë. Ne ndenjëm tek zyra e bibliotekares, ku bëheshin gjithë përgatitjet për mbarëvajtjen e vizitës së shokut Adil, dhe bënim biseda çuditërisht të rënda e serioze, me stil pak etatist, ndikuar nga rrethina me Kryeministër, madje patëm edhe një çast dramatik, kur shoqëruesi i Kryeministrit, pas mbarimit të mbledhjes në sallën e madhe, ndaloi sininë me mollë që po shkonte tek funksionarët e lartë, mori njërën prej tyre dhe e kafshoi. Priti disa minuta, dhe pasi nuk ndodhi gjë, bëri me kokë që mollët mund të shkonin. Nuk mund të them që nuk e pamë me respekt, - ai ishte një çast i pastër vetëmohimi dhe përkushtimi me jetë, edhe pse nuk mund të mendonim kurrë se dikush do të donte të vriste shokun Adil, i cili vinte i paktë nga trupi dhe seç përçonte ndjenjën e një njeriu të urtë, të cilit shumë-shumë mund t’i zgjidhej lidhësja e këpucës, t’i mbetej ora, ose t’i mbaronin cigaret (të cilat s’duhet t’i pinte, si Anëtar Byroje që ish, po llafi që bie), ama kurrë nuk mund t’i bëhej atentat. Helmim. Aq më pak me mollë.

Ndërsa mbledhja me shokun Xhelil ishte ndryshe (vende kishte, edhe pse nga fundi i sallës), dhe gjendja dukej menjëherë që ishte e zymtë, e pa-mollë. Shpejt u kuptua se ishte një mbledhje për "kërkesë llogarie". Drejtori i Institutit, shoku Fadil, rrinte si i ngrirë e i murrëtyer mbi jakën e bardhë të këmishës, nofullat acaruar nga problemi madhor që po shkarkonte nga podiumi shoku Xhelil: “A e dini që fshatari ynë sot, me përllogaritje të sakta, ka vetëm një filxhan qumësht në ditë!” Kjo pyetje qarkulloi në sallë duke rrahur flatrat e errëta, në rrathë të mëdhenj, mbi kokat tona. U mor vesh: edhe nëse fytyrat nuk do t'i ngrysnim si ajo e drejtorit, buzëqeshëse s'mund t'i kishim assesi! Kaq gjë e kishim mësuar. Vumë automatikisht fytyrat tona serioze dhe u bëmë gati të prisnim me durim mbarimin e mbledhjes me një mërzi angarie të fshehur mirë.

Kaloi një orë, problemi po shtillej e po sqarohej, nuk kishte qumësht për popullin, sepse blegtoria nuk kishte ushqim, masë të gjelbër, të cilën duhej ta mbështeste me shkencë Instituti ynë, pra ne. Një ndjenjë faji kishte kohë që varej e rëndë e nikotinike mbi kokat tona, duhej bërë diçka që bari të rritej më mirë, m’u shpërfaqën disa ckërka me bar të rrallë, që s’pranonte meazallah të rritej, por mbeste ashtu xhufka-xhufka, i paktë e i rrjepur, si lopët që e ëndërronin në stalla të ftohta, duheshin marrë masa, po çfarë? çfarë? ç’t’i bëje atij bari fushash që të rritej më mirë (“T’i frysh”, do thoshte Nini, po të ishim vetëm)… Se lopa, shokë, milet nga goja, po thoshte dikush që po diskutonte shumë i shqetësuar, dhe, edhe pse e dija që ajo shprehje nuk mund të merrej germë-për-germë, nuk munda t’i shpëtoja dot përfytyrimit të mjelëses që e shtrydhte lopën nga turiri i saj i njomë e hunda e sfungjertë, që lopës i dhimbte dhe që nga ky shkak muallinte e vuajtur e dëgjohej gjer në Itali. Një tjetër, po bënte llogaritë e barit të mezhdave dhe anëve të kanaleve që lihej të shkonte kot. Dukej menjëherë që hesapet i kish bërë më parë e me kujdes, pasi nuk mendohej fare kur llogariste sa kanale kish Shqipëria, gjerësinë e tyre e cila kthehej në sipërfaqe plot me bar, pastaj merrej rendimenti i atij bari që kthehej në tonë masë të njomë, gjysmë të thatë, të thatë, me emrat kumbonjës silazh, senazh dhe sanë, më pas llogaritej se sa konsumonte një lopë, sa lopë mund të mbaheshin me anët e kanaleve, sa qumësht mund të prodhonin, dhe gjendja në fund dilte shumë festive, pasi ai filxhani i qumshtit që përmendi aq haptazi dhe me alarm shoku Xhelil, shndërrohej në litra qumështi gazmor.

Ky mund të klasifikohej si diskutim disi me rrezik, pasi nuk dihej si mund të merrte reagimi i shokut Xhelil. Ideja mund të konsiderohej si novatore e shpëtimtare (Mezhdat dhe anët e kanaleve ujitëse, si nuk e kishim menduar? Ja zgjidhjet me forcat e veta, pa ndihma dhe shpenzime të tepërta; po të mendojmë si duhet burimet i kemi këtu, mes nesh, të lumtë, shoku Xhemil, të tillë si ti i duam specialistët!), por mund të merrej edhe si një zbukurim i situatës, mendjelehtësi, cektësi në trajtimin e problemit. Por sido që të ish, edhe në rastin më të keq, këtë të cektësisë e të mosthellimit sa duhej, Xhemili nuk mund të thuhej se nuk ishte përpjekur, se nuk e kishte vrarë mendjen për një zgjidhje pa përdorur plehra dhe mekanizim e shpenzime të tepërta, nuk mund të akuzohej se nuk jetonte me shqetësimin e përgjithshëm, pra në esencë diskutimi i tij nuk mund të quhej një kuturisje dhe aq e rrezikshme. 

Fytyra e shokut Xhelil, edhe pse miratuese gjatë diskutimit të Xhemilit, që e kish zyrën një kat më poshtë se ne dhe që vërtet nuk e dinim ç’bënte e me se merrej, përsëri nuk u shtendos, shqetësimi vazhdonte të ftohte shikimin e tij. Dukej sikur në sallë binin vazhdimisht gjethe të rënda bronzi. Likene të murrme popullonin çdo syprinë. Karriket bëheshin çdo minutë e më të ngushta. Dëgjova një zë që po mundohej të arsyetonte diçka. Qirjako, kryeagronomi. Ardhur nga Ministria, domethënë “rënë nga fiku”. Kjo sepse, gjatë një përmbytjeje në Lezhë, kishte qenë në plazh me familjen, dhe jo në krye të detyrës, si Drejtor i Drejtorisë së Ujërave në Ministri. “Unë mendoj që…”, filloi Qirjako, mirëpo u ndërpre menjëherë nga shoku Xhelil: “Çfarë mendon ti, more! Mendoj unë, thotë. Kush po të pyet ty për mendim. Ty po të themi nuk ecin punët, kupton apo jo…”. Heshtja në sallë u thellua menjëherë. Nuk di pse e si ndodhte ky thellim i heshtjes në të tilla raste, por ndodhte. “I deleguari” zakonisht kërkonte që diskutanti ose i kritikuari të thellohej, por ajo që thellohej ishte vetëm heshtja pas kërkesës së tij. Po ashtu, pas frazës parazite “kupton, apo jo”, e cila nuk ishte kurrë pyetëse, vështrimi i të deleguarit tërhiqej nga ai mbi të cilin binin rrufetë për tek një pikë pavetore, pa persona, pa koordinata, në qendra të padukshme autoriteti, të cilat ishin në gjendje t’i shihnin vetëm të deleguarit. Nuk arrita të ndaja fjalët që shqiptoi pas bubullimës xhelilase Qirjakoja, por kjo s’kish rëndësi, rëndësi kishte toni i tij, dhe me sa dukej ky ishte toni (dhe volumi) i duhur.

Shoku Xhelil po e shprehte pothuaj hapur bezdinë – në qoftë se Qirjakoja kishte gjetur tonin dhe volumin e duhur të diskutimit (“Vonë, shumë vonë, kur të vjen toni, s’ta ha as qoni”, thoshte Nini për të tilla raste, duke e sforcuar rimën), ai nuk ishte personi i duhur që duhej të fliste. Jo aq gjatë, sidoqoftë. Që koha është relative, kjo kuptohet menjëherë nga perceptimi i diskutimeve në mbledhjet me të deleguar. Kur flet ai që s’duhet, apo flitet ajo që s’duhet, koha bëhet nyje e nuk do të rrjedhë në asnjë mënyrë. Ishte e çuditshme se si sinkronizohej salla me humorin e shokut Xhelil. Acarimi që shkaktoi Qirjakoja u ndje në të gjithë rreshtat e karrigeve mbushur kryesisht me punëtorë. M’u duk se një rrëqebull më kaloi poshtë këmbëve, isha gati të betohesha se pashë diç një si gëzof të errët rrëshkitazi, dhe vetiu u rrëgjova edhe disa centimetra në ndenjëse, e qendërzova më mirë kokën me atë që rrinte në rreshtin përpara, në mënyrë që koka e shokut Xhelil, e atij përpara meje dhe e imja të vinin në një vijë të drejtë.

Dhe aty u dha Gjoni që kërkoi leje për të folur duke ngritur dorën. Nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë të diskutonte. Foli shkoqur, ngadalë, i preokupuar: 

- Shoku Xhelil! - tha. - Unë kam dëgjuar se shkencëtarët janë njerëz që përpihen pas studimeve, harrojnë botën rreth e qark tyre, humben në shkencë e formula. Mirëpo këta shkencëtarët tanë, - bëri me dorë nga ne, - për çudi, sapo vjen ora tre, i ke tek dyert e zyrave duke u nisur kush e kush më parë për të kapur autobuzin e katrës për në Tiranë. 

Shoku Xhelil miratoi me kokë dhe për herë të parë shprehu një farë kënaqësie për atë që po dëgjonte. Pa dyshim, Gjoni kish qëlluar në shenjë. Po, ne ishim argument ku e ku më i mirë se anët e kanaleve. Apo se ajo e lemerisshmja “unë mendoj që” e Qirjakos, që dukej sikur nuk kishte mësuar asgjë nga tërë ato vite pune në Ministri, përpara se ta ulnin në përgjegjësi. Gjoni kish goditur dhjetën në qitjen e vet, mu si ai diskutanti legjendar që kish përdorur fjalën “skorje” në një mbledhje në Elbasanin industrial të furrnaltës ku merrte pjesë vetë shoku Enver! Një zjarmi lumturie i ra mbi mollëza dhe e purpuroi Gjonin, ndërsa shoku Xhelil zbërthente që aty, pas fjalëve “duke marrë shkas nga diskutimi shumë i drejtë e me partishmëri i shokut Gjon”, drejtësinë e mendimit të Gjonit, rëndësinë e punës me njerëzit, përkushtimin, fjetjen në zyrë (u përmendën Pierre dhe Marie Kyri), fjetjen në ara, me bimët... Xhufkat e barit që nuk donin të rriteshin m’u shfaqën sërish kundër dëshirës, një erë e hidhur u frynte e i ftohte atje ku ishin, duke u kallur plevitin në skarpate pa fund kanalesh kulluese dhe unë që duhej të flija pranë tyre pa ndihmuar dot për gjë. Ndërsa Nini përbri dukej sikur mendonte për UFO-t, aq fytyrë të ngrirë kish vënë. Ose e rrihte edhe atë ajo era e hidhët e skarpateve.

Kur mbledhja mbaroi, shoku Xhelil doli i pari nga salla dhe menjëherë filloi ajo zhurma e njohur e karrigeve që lëvizen nga ngritja e njerëzve, mu sikur karrikeve u dhemb diçka kur zhurmojnë ashtu, një lloj reumatizmi i drunjtë, artrit ksilemash të thata. Punëtorët e mbledhur në oborr panë veturën e shokut Xhelil që u largua duke lënë pas një re pluhuri, një si qortim të fundit. Gjithkush nga specialistët shkoi në zyrën e vet. Nini duke më zgjatur cigaren, më tha nëpër dhëmbë: “A ia pe Marlboron”? Nuk ishte nevoja të pyesja se kujt. Pohova me kokë. Kaloi Qirjakoja i pikëlluar duke thënë ngadalë, që ta dëgjonim ne, “e hëngra unë, më duket”. Imagjinova ndonjë fshat të largët ku mund ta degdisnin si agronom të thjeshtë. Lezha që ish pak më në veri, ishte e mbushur me fshatra dhe me përmbytje.

 

Ora tre erdhi pas fare pak. U pamë në sy me Ninin, morëm çantat dhe dolëm. Të kapnim katrën. Tek hyrja e Institutit pamë Gjonin që po buzëqeshte nga karroca:
- E çuna, doni të vini deri në stacion?

 

 

* Ilustrimi: Foto nga Wynn Bullock

34 Komente

smiley

Shkrim fantastik!

P.s. Gjoni pas 90- tes mesiguri eksponent i larte i PD-hit

Emo, me mos me i bukuri, pa dyshim ne vend te dyte smiley nga te gjithe tregimet qe te kam lexuar. Thanks for sharing.

"Gjoni i Shkathti" smiley

vallai, pa referencat siqike te atyre viteve, ky shkrim nuk shijohet. Them qe merr graden 50+ smiley

shum i msho kti muabetit te moshes ti, e kom von re.

t'jesh i ri s'osht naj merit, mer. n'pergjithsi t'gjith jon t'ri, s'di a t'ka ron ne sy kjo, kurse pleq per s'mari jo t'gjith arrijn, no? smiley

si me ta shpjegu me mire: me qen i ri eshte si KIA, psh; me u plak per s'mari: jaguar (meqe je n'ingliterr).

ps. po ti, me ter mend e kam tani, noke gjo nga kjo, apo hic? smiley

Flm! smiley

Amon o Em,gjith fajin e kishte SAT-a ores katersmiley (e ke parasysh ate theksin e forte te A-ja qe i jepshin fshataret e tr)

lumturia e hypjes ne karroce osht teme ne vetesmiley

viberti smiley

Xheno ka qene SATA. E mbetur ne fjalorin lokal si akronim i Societa Anonima Transporti Albanesi or something like that.

Po PF,eshte si thua ti,se ma thoshte babi gjithmone,me vone mu kujtua A-ja e funditsmiley ose societa auto trasporti, rri tashi se me fute ne dyshimesmiley

Makina leshoi nje shtellunge, si qortim te fundit. Ka nje tingellim kadareian ky simbolizem i qelluar. Gjoni tipiku i dallaverxhiut oportunist, ketej del si burr i mire ne kurriz te shkencetareve ketej i shkel po syrin ketyre te fundit. Shkencetaret tabel qitjeje per cdo deshtim, sfungjeri ku perplasen sulmet e te gjitheve. 

Makina leshoi nje shtellunge, si qortim te fundit. 

dhe une u knaqa nga kjo fraze e funit.duhet me pas perjetu ankthin e pritjes e  humorit te te madhit ne nje situate te tille,me e kuptu gjene.

Pali Miska ne Rreshen, ndersa shikon pjaten e gjelles qe i ofrohet, zgurdullon syte dhe bertet - c'eshte kjo mize ne pjate? kuzhinieri qe rrinte gatitu ne kame, nderhyn shpejte e shpejt, - jo shoku Pali,kjo asht qepe e djegme - dhe me nje luge merr mizen nga pjata dhe kullufit. smiley

Me pelqeu. Ashtu sic tha dhe PF, ndoshta skica me e mire e jotja - per mendimin tim jo profesional.

... rruga kalonte mes arash të gjelbra, ku prashisnin gratë e fshatit. 

smiley Kjo me kujtoi ate historine me Shim Duravakun kur kthehej nga plazhi. Ka qene karagjoz i modh. 

P.S. I derguari nga dikasteri quhej shoku Xhelil kurse aristokrati i katunarise Gjoni. Hummmm, you see where I'm getting here ... ?

P.P.S. Nice !

Bukur, urime emo!

Duket qarte qe ato vite te kane lene shume mbresa (kuptohet vitet e rinise se hershme), pasi niveli i detajeve eshte i jashtezakonshem.

 

Ndërsa Nini përbri dukej sikur mendonte për UFO-t, aq fytyrë të ngrirë kish vënë.

Ketu e prish doren ti Emo, nuk e di nga pakujdesia apo per ndonje trill, me keto regjistrat kohor qe i ben lemsh, ku aty flet per Cycket, aty fut nje reference pop. Cne UFO ne institut, dreqi ta haje, ne mos, UFOt e institutit e meritojne nje tregim tjeter.

hej, kush eshte ky thanas medi? ever heard of him?

s'e kisha degjuar.

sa rrojme do degjojme. smiley

sa per pytjen, filmi "Vizitore nga kozmosi" ne shqiperi eshte shfaq rrezik para se te kesh lind ti, Lul smiley

Uau ca me ke kujtu Emo. Mund ta kem pa nje 3-4 here ne kinema kete filmin.Duhet te kete qene fundi i viteve 70. Lulit do ti kujtoja gjithashtu se filmi "Fitore mbi daleket" i kishte shqyer kinemate e kohes, sebashku me librin e Alqit "Udhetim ne kozmos".

 

smiley

kato > toka

cilatipaket > kapitalistet

smileysmiley

ps. daleket jan kujtu me i muhabet para nja nji jave. smiley  te kujtohet ai zoni metalik "move", "move". 

Eh, ishte ne mode e folmja mrapsh atehere dhe Alqi ka qene cun trendi smiley

ah, si maronte filmi:

life is possible  life is possible  life is possible  ....

ps, periher dul i shkrim te drita qe e kritikonte filmin pse nuk ishte mbeshtet tek thenia e engelsit qe piramidat i bon sklleverit, por thoshte i kan bo alienet.

Kurse fillonte me shprehjen “we are programmed”, e sigurte qe disidentet nuk e vune re, megjithse i mbanin per loqe çensoret e Komitetit Qendror.

Ashtu si nuk dinin qe libri i pare fantashkencor sovjetik edhe rus (edhe i pari i perkthyer ne shqip) ka qene “Aelita”  e Aleksej Tolstoit (i nipi) me nje ushtar i kuq qe beri nje revolucion ne Mars (planeti i kuq).smiley

 

Me pelqeu shume, sidomos pjesa e kritikes se Gjonit dhe pastaj, mbas 10 minutash pritja prape ke dera per me i cu ke autobuzi. Shume e pafajshme mu duk. 

Kete mendova dhe une Gaia, ne vend qe te ziheshin pasi iku sekretari, u puqen perseri smiley tamam kulture amerikane smiley dhe kur; ne kohe te socializmit smiley

Pershkrim i mrekullueshem, gjuhe e bukur...Gjithsesi nje teme e tille per ne qe e kemi jetuar ate kohe sot per ca te tjere duket ireale..Duket nje shkrim 'automatik'!

Zeri i kllases jo shaka. Ta kishe ilustruar me ate pikturen e Sali Shijakut ku ja behin ne studio shoket e kontrollit  punetor dhe diskutojne per partishmerine ne art. I gjori piktor rrinte si i ngrate lol.

Cfare marrezie ishte ajo per ushqimin e tufezave me barin e anes kanaleve!Dmth bari anes kanaleve shikohej si hapsira e fundit rrebele e pa kolektivizuar ! Kish filluar tatepjeta qe kur preu ndihmat kinezi. Kush solli keto dite ate vidion e mbledhjes se Byrose Politike, fundi viteti 84, me Viton dhe dollarot e Enverit.Diskutonte udheheqsia e larte si nje keshill teknik i kombinatit tekstil ! Te currufjasur.

 

Tregim i mrekullushëm për OJF ..

Pak qepë nuk bën keq ..tha sh sali kur shokët nuk po qanin kur dha dorëheqjen..Për ngazëllimin masiv nuk kam lexuar akoma çfarë përdoret smiley

Roni *79 ..paralelizëm më se i domosdodshëm në se duhen vazhduar me efektivitet këto mesazhe në këtë Linjë !

urime per shkrimin! Fotoja e Wynn Bullock eshte nje perzgjedhje e vecante!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).