…është koha të flasim me ta.

Unë e para, e shumë të tjerë që njoh më pas flasin për të rinjtë. Flasin në një artikull, si unë tani, flasin në një status fb, si unë dikur, flasin në kafene, pas një mbledhjeje me mësuesit, flasin kudo. E përbashkëta e këtyre të ‘folurave’ është negativiteti dhe mungesa e shpresës se të rinjtë po ecin në rrugën e drejtë. Të gjithë mendojmë që të rinjtë e sotëm nuk janë gjëkundi, nuk janë për kurrgjë, janë qënie parazitare që vijnë rrotull sa kafeneve e bankave të shkollës-te kjo e fundit për tu dukur si numër e kurrsesi për të nxënë. Ky është një përgjithësim me siguri i padrejtë e që u bie në qafë atyre të rinjve që janë komplet e kundërta e të mësipërmve. Sado që jam dakord dhe duhet të pranoj që më shumë na zënë sytë e na dëgjojnë veshët histori të rinjsh të grupit të parë, duhet të them se etiketimi është i padrejtë edhe ndaj tyre. Ky etiketim nuk më duket i moralshëm për sa kohë bëhet ndaj të rinjve nga njerëz që flasin për të ta por nuk flasin me ta sepse mendojnë (shpesh duke paragjykuar) se ata janë shpellarë e s’do marrin vesh kurrgjë.
Këta të rinj nuk i detyrohen shoqërisë dhe atyre që i përflasin (përfshirë mua) më tepër nga ç’i detyrohen të rriturit që kishin për detyrë të merreshin realisht me ta e ti jepnin shoqërisë të rinj më të mirë. Parazitët, të përkëdhelurit e mamit, babit apo edhe mësueseve, nuk mund të quhen realisht as dështim. Dështim është kur përpiqesh për diçka, në këtë rast dikë, por për një arsye apo tjetër (mes shumë ndoshta paragjykimeve të mia këtu nuk dua të shtoj edhe ato për arsyet) nuk ja ke dalë, por ama ke patur dëshirën e mirë dhe je përpjekur e të paktën ke ndërgjegjien e pastër, nëse kjo të ngushëllon.
Ku qëndron dëshira e mirë dhe përpjekja te një prind që mbush dorën e fëmijës me lekë që ‘ti ketë për ditën (natën)’, që ‘blen’ mësues e pedagogë që goca babit e djali mamit të marrë një diplomë, që i blen telefonin më të shtrenjtë por nuk e përdor që ti thotë me autoritetin e prindit të kthehet në orar në shtëpi, pi duhan bashkë me të, shan, mallkon, betohet për vetëgjyqësi në sy të tij, bën korrupsionin në sy të tij. E pastaj ne quajmë dështim që kemi në shoqëri, në rastin më të mirë, një parazit më shumë, e në më të keqin një kriminel e rrezik publik më shumë. Nuk është dështim. Eshtë neglizhencë e pajustifikuar e atyre që nuk përpiqen ti japin fëmijës së tyre sikur 1/10 e edukimit që kanë marrë vetë.
Nuk kemi të bëjmë me rini të dështuar por me rini të pamësuar, të paedukuar, të lënë pas dore. Një rini për të cilën flasim shumë duke harruar që ndoshta nuk i ka folur askush dhe edhe pse mund të duket absurditet, e ka të vështirë të ndajë të bardhën nga e zeza, të mirën nga e keqja, qoftë edhe në rrafshin personal, për të mos e rënduar me atë shoqëror.
Të flasësh me një të ri për ta ndërtuar nuk nënkupton ti thuash ‘o idiot mos pi duhan, o gomar po dhe ai ta hodhi, o qullash s’di t’ja kthesh asaj copë zysheje, o zagar po kam punuar për ty, rropatem për ty e ti s’kalon dot klasën’. Kjo e folur nuk ndërton por as shkatërron. Sepse nuk mund të shkatërrosh diçka të pandërtuar. Këto fjalë hyjnë në zbrazëtinë e këtij të riut dhe ose humbasin pa marrë kurrfarë përgjigje, ose kthehen në vrer ndaj atij që po bën sikur të edukon dhe revoltë ( e kotë, e pajustifikuar, idiote) ndaj mjedisit, komunitetit ku jeton. I riu e ndjen që dikush ja ka për borxh ( në nënvetëdijen e tij sigurisht) por nuk mund ta kuptojë si i paorientuar që është kush ja ka këtë borxh dhe shfryhet me të gjithë.
Nuk besoj se kam lindur më e mirë se ata të rinj që etikohen sot si llumi i shoqërisë dhe e ardhmja e zymtë e saj. Ose, nuk besoj se këta të rinj kanë lindur më të këqinj se unë.
Por kam patur shembuj, shembuj që më kanë mësuar, me durim e përkushtim që si fillim nuk jam qendra e botës, madje as e mëhalles e as e familjes; që dashuria ndahet njëlloj e nuk ka pse fitohet por kultivohet, që dashurinë që merr duhet edhe ta japësh madje shumëfish; të kontribuosh në familje e të ndihmosh si të tjerët në familje kontribuojnë e ndihmojnë dhe këtë më vonë do e bësh edhe më gjerë; të ulësh kokën të studiosh (edhe lëndë që s’të pëlqejnë) që më vonë kur të ngresh kokën të peshojë sadopak; që asgjë e arritur padrejtësisht e sidomos në kurriz të të tjerëve nuk është e justifikueshme dhe në afat të gjatë s’do të të sjellë asgjë të mirë; që lekun e madh edhe po e pata ti se sheh me sy përveçse për gjëra që të duhen; që telefonin e ke sidomos për tu përgjigjur ku je e kur kthehesh, që po nuk u ktheve kur duhet si zor të ketë mundësi të tjera për të dale; që nuk je loloja e askujt por duhet të respektosh gjithkënd….e me rradhë. Te mospërdorimi drogërave, armëve, vidave e kaçavidave nuk arritëm ndonjëherë. Jo se unë e shumë si unë ishin të mirë, por mësimet që na dhanë, me vepra konkrete por edhe me fjalë, duke u ulur e folur me ne, dhanë fryte. Nuk u lane kohë ‘shembujve’ televizivë të na (ç)edukonin e të na (ç)mësonin, por u ulën me ne, folën me ne, që të mos flisnin ata e të tjerë, keq për ne.

Nuk kam qënë as aq e mirë sa të mos revoltohesha ndaj shumë mësimeve, por askush nuk ju dorëzua revoltës sime por qëndroi në përpjekjet e veta për ti dhënë familjes, mëhallës, shoqërisë, minimumi një qënie të denjë për tu quajtur njei. Të tjerat pastaj besoj ishin e janë përgjegjësia ime.

Mos flisni shumë për të rinjtë, flisni me ta. Dështoni, por pasi të përpiqeni.

PS: I kërkoj ndjesë gjithkujt që mund të jetë ndjerë i paragjykuar apo i shënjestruar nëpër rreshta. U përpoqa me timen, ndoshta dhe dështova.
PSS: me të rinj nuk nënkuptoj kurrsesi ata 25 vjeç e lart…(edhe deri te 25 jemi me hatër)

anisakushta.wordpress.com

1 Komente

mendoj se ke te drejte.

Nuk kemi të bëjmë me rini të dështuar por me rini të pamësuar, të paedukuar, të lënë pas dore. Një rini për të cilën flasim shumë duke harruar që ndoshta nuk i ka folur askush dhe edhe pse mund të duket absurditet, e ka të vështirë të ndajë të bardhën nga e zeza, të mirën nga e keqja, qoftë edhe në rrafshin personal, për të mos e rënduar me atë shoqëror

Brezi i mesem, dmth prinderit e tyre, kane qene te zene me vetveten, dhe me njeri-tjetrin, ne tranzicion te dy epokave, dhe nuk pati ndonjehere kohe per te tjeret qe vijne me pas, apo edhe me pare. Shtoji ketu politiken hiperkonfliktuale (per t'i rene shkurt) qe uzurpoi cdo problem tjeter shoqeror dhe ekonomik, dhe ja. Ne, per problemet shoqerore mendoj se jemi menaxhuar ne rremuje e siper me c'kemi pasur mundesi te castit, prioritet te castit.  Keto qe permend ti me lart me te drejte, jane justifikim yni kundrejt neglizhences.  Koston e se ciles po ia shohim qe tani, e do t'ia ndiejme gjithnje e me shume ne te ardhmen, nderkohe qe brezi i ri maturohet ne jete dhe iu shtohen vitet. Nuk besoj se do behet me mire se shpejti, edhe pse duam te kunderten me sa te jete e mundur.  Cdo brez ka fizionomine e vet ne krahasim me pararendesit e pasrendesit. Te rinjve te tanishem Shq. do t'iu mbetet imprinti i kesaj mungese.  

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).