Guljem Deda, “Orlando i çmendun”, historia e një përkthimi që nisi në burgun e Kuçit, dhe për gati gjysmëshekulli mbeti në dorëshkrim…Rrugëtimi i Ariostos, poetit të njohur italian nga Pashko Gjeci, te Guljem Deda

Gratë dhe kalorësit, armët, dashuritë 
sjelljet këndoj, dhe veprat guximtare
që ngjanë kur detin afrikan nji ditë
Mauret kaluen e Francën damtuen fare 
mllefin rinor tue ndjekë edhe furitë
e mbretit Agramant, që u mburr n’e parë 
për vdekje të Trojanit me marrë hak
mbi mbretin Karl e perandor romak… 

Një dritë duket sikur hyri nga dritarja e vogël, në dhomën e burgut në Kuç të Vlorës, teksa Lemi (Guljem Deda) përfundoi së lexuesi vargjet e para të poemës së poetit të njohur italian, Ludovico Ariosto. Teksa mbante letrat e shkruara me dorë në duar, ish-profesori i letërsisë në gjimnazin e Shkodrës, i cili kishte studiuar në Universitetin e Perugia-s, e ndjeu se vargjet e kthyera në shqip tingëllonin po aq bukur sa origjinali, dhe kjo i dha zemër të vazhdonte.

Që para burgosjes në vitin 1944 atij i ishte ndaluar krijimtaria. Hyrja e Ariostos në atë dhomë aq të errët duket sikur ndryshoi shumë gjëra brenda tij. E konsideruar si një nga kryeveprat e letërsisë italiane, po aq e rëndësishme sa “Komedia Hyjnore”, “Orlando i çmendun” tashmë mund të lexohet në gjuhën shqipe falë punës titanike të Guljem Dedës.  Poema e cila është botuar në dy vëllime, mban 40.000 vargje dhe mjeshtri Deda i ka radhitur me dorë 1600 faqe me 5000 oktava.

Rrugëtimi i Ariostos në gjuhën shqipe nuk ka qenë një rrugëtim i lehtë, ashtu si gjuha e tij. Lek Pervizi, një intelektual që ndau burgun me profesor Guljem Dedën e kujton ende kohën kur dorëshkrimi mbërriti në burgun e Kuçit, pasi kishte kaluar më parë në duart e mjeshtrit Pashko Gjeçi.

“Dhe ja, një ditë prej ditësh Lemit i sjell një libër i vëllai Paçi.  Ishte  poema epike “Orlando Furioso” i Lodoviko Ariostos, 40 mijë vargje në dymijë oktava me rimë, një kryevepër e letërsisë italiane dhe botërore. Duhej përkthyer, sepse askush nuk e kishte marrë përsipër atë barrë të rëndë. Pashko Gjeçi, Henrik Lacaj e Mark Dema, ia kishin rekomandue Lemit. Le te fillonte me e përkthye. Aty, në atë qoshe gjysmë të errtë, mbi një fletore kalamajsh, filluen të radhiten shqip vargjet e poezisë klasike të Ariostos, “oktavat e arta” siç quheshin, për bukurinë e përsosmëninë e tyne. Lemi ynë po i radhiste po aq bukur dhe po aq përsosmënisht në gjuhën e Gjergj Fishtës. Që në fillim u pa se vepra që ai kishte nisë, pa asnjë perspektivë fitimi, ishte vetëm si një përkushtim dhe një mundësi të vënies në lëvizje të trunit dhe të aftësive që diktatura donte të shuente. Sa të luente domino, apo spathi e deri “brige”, shah, cicmic e tjera, ma mirë me lexue apo radhite njato vargje njëmbëdhjetërrokëshe me rimë. Një farë kushti i mirë ishte, sepse nuk na kishin qitë në punë të detyrueshme, e rrinim gjithë ditën duke u marrë me lexime, diskutime, por edhe lojna për të kalue kohën, si shah, letra. Unë kisha vizatue një palë letra me kapakë kutia cigaresh. Dënimi ynë ishte ai i gjendjes së izolimit në atë fshat të largët midis maleve të Kurveleshit”, kujton Pervizi.

Në atë dhomë të vogël ndanon ditët, muaj dhe vitet njerëz të kulturuar. “Lemi në qoshen lindoren, e me radhë, Valentini, Fatbardh Kupi, unë bri derës. Përballë nesh, nga qoshja perëndimore, Nikoll Paluca, Pjetër Bardheci, Zef Shiroka, Tomorr Dine, Ibrahim Sokoli e Thabit Rusi. Dhoma jone u ba qendra e gjithë kampit, dhe mbushej gjatë ditës deri në mbramje plot e përplot me njerëz, me tym duhani, me llafe e fjalime, me disertacione e referate, me lexime e recitime, me kangë e tinguj muzikore, me britma e vikama. Komanda na kishte lanë të lirë të bridhnim nëpër dhomat, por për çudi të gjithë grumbulloheshin vetëm në dhomën tonë, që mori namin e një auditori akademik. Kur fillonin debatet, ato zhvilloheshin me za të naltë e me pasion të zjarrtë, me na e pasë zili oratorët e mëdhej, Demostenet e Ciceronet e lashtësisë. Ku i kishte regjimi të tillë intelektualë, të gjithë me dy-tri laurea europiane e që zotnonin disa gjuhë të hueja?  Ku me e gjete një trup akademik të tillë prej 60 profesorësh e doktorë shkencash në fusha të ndryshme?”, thotë Pervezi.

Përkthimin Guljem Deda do ta vazhdonte dhe kur u transferua në Plug të Lushnjës. Pervezi kujton se si Mark Dema shkoi ta takonte dhe i dhuroi një botim më të mirë të Ariostos “Mark Dema e vlerësonte Lemin së tepërmi, e mbeti i entuziazmuar kur lexoi përkthimin e dy këngëve të para.  Kryevepër, të lumtë, vazhdo Lem! E Lemi vazhdoi”, kujton ai. Pas punës në ndërtim, kur kthehej në dhomë, ai futej në shtratin e tij dhe ashtu përmbyes kalonte mbrëmjen mbi librin e Ariostos. Angjelika, gruaja që e bëri Arioston të nisej nga Parisi për ta kërkuar, frymëzonte shokët e tjerë të dhomës, që ndiqnin me vëmendje përkthimin e Dedës.

Më vitin 1962 Guljem Deda martohet në internim me Marie Muzhanin, të bijën e profesor Luigj Muzhanit, e cila pati kurajën të martohet me të, duke sakrifikuar vetveten. Pas martesës çifti zhvendoset në Savër. Aty në një barake të thjeshtë, vetëm me një dritare ku i lanë me jetuar, Deda vijoi të punonte për ta çuar deri në fund përkthimin e nisur në burg. Ishte viti 1964, koha e ndryshimeve të mëdha politike, i prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik dhe lidhjen me Kinën. Pikërisht në atë vit Guljem Deda përfiton amnisti.

Por paqja duket se nuk kishte mbërritur në jetën e Dedës. Drita e ndezur pas mesnatës në shtëpinë e Muzhanëve, ku Guljemi vijonte të punonte me përkthime, do t’i binte në sy, “partisë” e cila do ta internonte sërish në një kooperativë të humbur të Myzeqesë, në fshatin Ndernenas, ku qëndroi 24 vjet, duke shkruar vargje e duke punuar në parcelat e misrit. Pikërisht në atë kasolle të asaj kooperative të humbur Guljem Deda do të përfundonte një nga përkthimet më të rëndësishme të bëra për letërsinë shqipe. Me shkrim dore, ai e kishte renditur me kujdes poemën në katër vëllime prej 400 faqesh. Përkthimi ishte e vetmja jetë ku Guljem Deda kishte jetuar i lumtur. Lek Pervezi kujton një takim me mikun e dikurshëm të burgut në verën e vitit 1989 në Tiranë. “Dallova pasojat e rënda të një jete të tërë vuajtjesh e torturash të çdo lloji, që ia kishin dëmtuar shëndetin, e që i dridheshin ato duer, të krijueme me shkrue poezi e vepra të tjera shkrimore, kurse tani ai nuk mund t’i zotëronte ma që t’i bindeshin fillit të mendimit e të frymëzimit”, kujton ai.

Pas viteve ’90, ai bashkë me të shoqen udhëtuan drejt Italisë, ku jetuan në Perugia. Ai u nda nga jeta në 12 prill 1994, pa mundur ta shihte të botuar veprën e jetës së tij. Pervizi është nga ata miq që gjatë gjithë këtyre viteve ka këmbëngulur në botimin e kësaj kryevepre jo vetëm të letërsisë italiane. Jo thjesht për një nderim ndaj punës së një miku, por si përkthim dinjitoz që e ngre nivelin e përkthimeve shqipe.

“Orlando i çmendun” në shqip është përkthyer në vargje, çka nuk e kanë bërë vende të tjera si Gjermania, Rusia, të cilët e kanë përkthyer në prozë. Gjithë talentin e tij si poet, apo krijues i talentuar, Lemi, e shfrytëzoi për të shqipëruar një vepër jo të lehtë, por që teksa e lexojmë sot në shqip na tingëllon aq bukur. Në gjetjen e rimës, që e bën Arioston një nga poetët më të vështirë për t’u përkthyer, sepse oktava e tij përbëhet nga gjashtë vargje me rime të alternuar dhe dy vargjet e fundit me rimë të puthitur, sipas skemës, AB,AB,AB,CC. Të mos harrojmë se vargu njëmbëdhjetë rroksh, varg klasik, është varg nga më të vështiret për t’u trajtuar.

Por Guljem Deda duket se ka pasur gjithë cilësitë, në njohjen e gjuhës e ndjeshmërisë së një poeti, për ta shndërruar këtë kryevepër në një botim ndjellës për lexuesin. Guljem Deda nuk është më, por “Orlando i çmendun” do të jetë gjithnjë diku në një kënd të bibliotekës, për cilindo që do të ndiejë magjinë e letërsisë. Ky libër është një homazh për të kujtuar jo vetëm letërsinë e mirë, por dhe të shkuarën tonë, fatin e trishtë që intelektualët dhe njerëzit e letrave kanë pasur në sistemet totalitare.

 

"Orlando i çmendur" përkthyer nga Guljem Deda është fitues i çmimit kombëtar letrar “Vepra më e mirë letrare e përkthyer për vitin 2013”.

 

Mbi veprën: “Orlando i çmendun” 

Ariosto nisi të shkruante “Orlando i çmendun” rreth vitit 1505. Ky rrëfim në vargje nuk do të ishte i lehtë për poetin i cili kërkonte përsosmërinë në çdo varg, duke iu rikthyer herë pas here poemës. Në vitin 1507 ai nis t’ia lexojë punën e tij të nisur Isabella d’Este, e cila jo vetëm që nuk i shkaktoi mërzitje, por bëri që ajo mos të dilte për dy ditë nga dhoma e gjumit duke dëgjuar vargjet e tij. Rreth 16 vjet ai u mor me shkrimin e kësaj vepre deri në botimin e edicionit të parë më vitin 1532 një vit para vdekjes..Për shumë kritikë “Orlando i çmendun” ishte një vetëvazhdim i “Mateo Maria Boiardo Innamorato”, të cilin autori e la të papërfunduar pas vdekjes së tij më 1494. Ariosto e filloi tregimin pak a shumë në pikat ku Boiardo e kishte lënë atë. Ndaj dhe kjo poemë e mrekullueshme shijohet më mirë nëse kemi lexuar fillimin e kësaj vepre. Në kohën e publikimit të kësaj vepre për herë të parë në Venecia suksesi i “Orlandos” do të ishte i madh. Ajo çfarë e bënte të veçantë poemën e Ariostos ishte fakti se ai “këndon” në këtë poemë si rapsodët që këndojnë gjatë udhëtimit. Ai i fton lexuesit të njihen me familjen d’Este, mbron kardinalin Ippolito d’Este, si pasardhës fisnik i Herkulit dhe Orlandon. Ai e quan atë të çmendur, pasi dashuria e tij për Angjelinën e bukur nuk është kthyer. Nga refuzimi i saj ai bashkohet me radhët e ushtrisë. “Orlando i çmendun” është një poemë e cila na tregon një galeri të tërë personazhesh dhe karakteresh, romanca të përziera dhe forcën e dashurisë. Aty gjejmë epikën dhe lirikën. Për shumë kritikë kjo poemë është një frymëzim për Servantesin i cili më vonë do të shfaqte në letra një tjetër personazh të pavdekshëm Don Kishotin. Kreu i maurëve Rodomonte është mizor dhe i pabesë, por në këtë poemë, ai shfaqet bashkë me kalorësit e krishterë në pyje në kërkime për aventura. Kjo poemë do të ketë një ndikim të thellë në poetët e mëvonshëm si Tasso, Spenser, si dhe Lope De Vega. Shumë pjesë të kësaj poeme ku personazhet shfaqen me dramat e tyre personale janë përjetësuar nëpër Mauzole apo mbi mure të vjetra të Rilindjes ku Orlando vjen për të treguar se sa i dashur ka qenë ato vite për njerëzimin. Ariosto shkroi gjithashtu dhe shtatë satira duke filluar që nga viti 1514 dhe pesë komedi. Si anëtar i një grupi teatror Ariosto ishte gjithashtu i dashuruar dhe me teatrin, kryesisht me komedinë.

1 Komente

Faleminderit z. Dede

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).