Në vitet ’70, Edoardo Malagigi u vesh i gjithi me letra dhe hyri klandestin, për të ecur bri pavijoneve të Bienales së Venecias. I riu nga Firence, zgjodhi këtë mënyrë për të provokuar zgjimin e vëmendjes ndaj artistëve të rinj vendas, një formë kjo që e vendosi në faqet kryesore të kulturës së mediave ndërkombëtare. 20 vjet më vonë, një student i tij në Akademinë e Arteve në Firence, i cili i kishte dëgjuar aq herë historitë e profesorit, do të bënte të njëjtën gjë. I veshur sportiv me flamurin e vendit të tij, që ende se kishte marrë pavarësinë, Sislej Xhafa, i dha më tepër kuptim hyrjes si klandestin në një event të madh të artit. “Janë idetë ato që ndryshojnë fatet”, thotë profesor Malagini kaq vite më pas i ulur në një bar të Tiranës. Ai beson, ashtu siç ka besuar gjithnjë, se forca e çdo pune qëndron pikërisht në ndjeshmërinë që përcjell. Humbja e kësaj ndjeshmërie ka bërë që arti jo vetëm në Itali nga ai vjen, por dhe në Europë, të humbë atë aftësinë që kishte dikur për t’u kthyer në udhërrëfyes për shoqërinë. “Arti është anuluar si motor i refleksionit të një shoqërie industriale të avancuar dhe kjo ka ndikuar negativisht në ashpërsinë e gjuhës së kritikës, duke përfshirë edhe kritiken e artit. Kështu, kritikët dhe kuratorët ndërmjet mediave janë bërë ato që promovojnë çdo gjë pa asnjë diferencë”, thotë ai. Prof. Malagigi përpiqet të ruajë pikërisht këtë forcë që vjen natyrshëm dhe shndërrohet në një vepër, si formën më të përkryer përmes së cilës ai mund t’i flasë kohës së tij.

 

Le ta nisim bisedën nga Tirana. Jeni për herë të parë këtu? Çfarë ka zgjuar ky vend për artistët italianë?

Jo, nuk është hera e parë. Kam qenë dhe një herë tjetër kur isha në Kosovë për një workshop me studentë nga i gjithë Ballkani, të cilët ishin mbledhur në Prishtinë, para 10 vjetësh. Kaluam disa ditë në Shqipëri dhe më bëri shumë, shumë përshtypje numri i madh i bunkerëve të vegjël. Ndodheshin kudo, dhe në distancë shihje këto pika të vogla gjysmësfere, që tani më duket sikur janë zhdukur. Pallatet në qendrën e Tiranës ishin ngjyrosur nga pak dhe ishte shumë interesante të shihje se si një ide estetike të shndërrohet në një motor politik, një motor gati-gati energjetik. Është kaq e qartë që Edi Rama, nga kryetar bashkie i Tiranës, të bëhet Kryeministër, nga një ide absolutisht artistike. Mendoj se për artistët italianë, Shqipëria sot është një territor i panjohur, sigurisht tërheqës nga ana kulturore. Një vend që mbart një histori interesante e ndjellëse. Në mendje sjell sfidat e pamundura, me të cilat është përballur apo faktin se si mundet një vend mysliman të mbledhë miliona persona rreth një pape katolik. Kështu është konceptuar nga bota episodi i disa kohëve më parë në Tiranë.

Në ekspozitën tuaj të fundit, vendosni përballë njëri-tjetrit tre pinokë, nëse mund t’i quaj kështu. Vendndodhja e tyre është Beograd, Firence dhe Tokio. Ka ndonjë domethënie ky trekëndësh?

Trekëndëshi ka qenë i gjithi një rastësi. Mund të ishte edhe një kuadrat, që në vend të tre pinokëve, të mund të kisha bërë katër pinokë të realizuar në katër vende me kultura komplet të ndryshme. Përkundrazi, ky ishte dhe parakushti. Asnjë transport i asnjë instilacioni, çdo gjë lind në atë vend dhe flet për vendin ku lind. Diferencat që kanë tre pinokët më bëjnë të kuptoj që mua nuk më pëlqen të përsëritem. Madje mërzitem ta bëj. Dhe kështu kam bërë punë të tjera, në vende të tjera, që nuk janë pinokë, por kam shpresuar gjithmonë të ishin punë të rrënjosura me atë sensibilitet dhe me atë pritje.

E keni quajtur “Metamorfosi controllate”, cili është koncepti i kësaj ekspozite?

“Metamorfosi controllate” është titulli që Claudio Cosma, pronari i galerisë “Sensus” ku unë ekspozova, donte t’i jepte ekspozitës dhe mendoj se ka dashur që të tregojë se format e tre pinokëve në ekspozitë ishin komplet të rastësishme, mbase ka menduar edhe se unë e lë veten që të tërhiqem nga një mendim tepër racional. Pinoku i parë është realizuar në Itali, në një ndërmarrje që prodhon pinokë të të gjitha madhësive. Kjo ndërmarrje ndodhet diku në një Lago D’Orta në Veri të Italisë, e aty mora të gjitha mbetjet e pjesëve me defekte. Me këto pjesë të vogla mbulova një “pinok kukull”, gjigant, që ka të njëjtën formë të atyre të prodhuara në masa të ndryshme, një situatë kjo e gjitha italiane. Doja të ngrija pyetje mbi ardhjet (burimet), mbi faktin që mbeturinat nuk ekzistojnë më, sepse edhe ato janë një e ardhme e cila kushton edhe më shumë. Pinoku i dytë është realizuar në Beograd, ku ka shumë ndërmarrje që prodhojnë ushqime mjaft të mira. Kështu realizova një pinok “ushqimor”, me të cilin mund të transferoja tonelata të tëra me lloje të ndryshme ushqimesh në dy jetimore në Jug të Serbisë. Dhe ndërmjet atij pinoku, 14 ndërmarrjeve iu bë reklamë dhe kështu dhuruan shumë produkte. Sigurisht që pinoku është ngrënë dhe nuk ekziston më, duke lënë vetëm anën dokumentare. Qëllimi im ishte të tërhiqja vëmendjen mbi problemet ekonomike dhe bamirësinë. Pinoku i tretë është realizuar në Tokio, është i mbushur me ajër dhe fryhet nga fëmijët dhe rreth tij mijëra fëmijë marrin pjesë në aktivitete autonome të çdo tipi, si gatimi, radio, fotografi, piktura, laboratorë të ndryshëm. Këtu pinoku ka formën e disa formave me prejardhje të Metodës Montesori për të kujtuar që japonezët dëshirojnë t’i integrojnë në shkollim dhe edukim, të cilat janë metoda më strikte se të tjerat, në mënyrë konstruktive, ndërmjet provave të gabimeve, duke dhënë një kontribut të madh mbi krijimin e krijimtarisë së fëmijës. Me këtë pinok hapet nata e parë e një festivali, që realizohet çdo vit për një javë në lagjen “Di Lala Port”, në veri të Tokios, me titullin “Projekti Pinoku”.

Ju jeni profesor në Akademinë e Arteve në Firence, një akademi e njohur për standardin e saj … A janë ende sot akademitë, vendet nga ku duhet patjetër të kalojnë artistët?

Në globalizim mendoj që popullariteti është nga marka, Akademia e Firences gëzon me faktin që identifikohet edhe me qytetin që e mikpret, por akademitë në Itali janë shumë të ndryshme njëra nga tjetra. Ndodh që në një akademi, gjatë një periudhe, mund të grumbullohen profesorë me kapacitete të mira. Ata mund të jenë dhe artistë, por dhe të aftë për të dhënë didaktikë, t’u transmetojnë studentëve kapacitete në mënyra novatore, e kaq duhet që kjo akademi, përmes këtij imazhi, të renditet te më e mira.

Studentët dinë të kuptojnë, nëse në mesazhin e folur ka energji dhe perspektiva të reja. Është fat që për një strukturë formimi të grumbullohen një numër profesorësh të azhurnuar, por jo gjithmonë kjo ndodh, por edhe ndodh.

Kualiteti i punës së didaktikës shpesh i lihet rastësisë, ndërsa në disa raste edhe një drejtimi të mirë. Për shembull, në këtë moment, në Akademinë e Firences, ka një entuziazëm dhe një energji, ka dhe një skuadër që ka filluar të punojë, ka një drejtor të ri që është edhe një artist, Eugenio Cecioni, dhe mbi të janë duke u zhvilluar pritje të mëdha për rinovime. Pritet një frymë e re bashkëpunimi me Firencen dhe Rajonin e Toskanës, me Muzeun e Toskanës të Artit Bashkëkohor Peçi në Prato, por edhe me vende të tjera të afërta si vendi juaj ose të tjerë si Mali i Zi, Kroacia etj. Sigurisht që edhe përgatitja e studentëve do ta ndiejë këtë atmosferë të re. Gjatë orëve të mia të mësimit i kam dhënë gjithmonë shumë kujdes dialogut dhe motivimeve, e kam konsideruar gjithmonë si një pasuri shumë të madhe mendimin individual dhe qëndrimet primare. Konsideroj artin e dizajnin dhe marrëdhënien ndërmjet tyre një instrument strategjik që na ndihmon të ndërtojmë modele të zhvillimit dhe të rritjes. Pa artin do të bëhej më e vogël mundësia për të njohur nevojat materiale e shpirtërore të një komuniteti dhe pa një projekt materialesh nuk do të lindnin më produkte të sigurta dhe të qëndrueshme me ambientin. Nuk shoh modele të tjera për të realizuar një shoqëri të drejtë.

Sislej Xhafa, një artist i njohur shqiptar ka qenë studenti juaj …

Ja ku jemi, Sislej ka qenë student në Akademinë e Firences në një moment me shumë fat. Ai ka mundur të përballet me një situatë të re. Muri i Berlinit nuk kishte shumë që ishte shembur, prej pak kohësh kishte lindur dhe projekti Erasmus, plot shpresa të mëdha për ndërtimin e Europës. Firence, pak vite më parë, kishte qenë kryeqyteti i parë i Europës në kulturë, edhe akademia përfitonte shumë avantazhe, një grup artistësh-profesorësh përballeshin shpesh me mediat, jo vetëm me gazetat, por edhe me radiot. Pjesëmarrja klandestine e Sislejit në Bienalen e Venecias u bë pjesë e kësaj klime. Në këtë periudhë, veç dhënies së mësimit në akademi, drejtoja edhe një program në radio, që quhej dhe quhet edhe sot “Controradio”. I kemi dhënë shumë herë vëmendje shëtitjes klandestine të Sislejit në pavijonet e jashtme të oborreve të Bienales, duke treguar historinë e tij. Mua sidomos më interesonte në mënyrë të veçantë, sepse vetë në vitet ’70, i veshur komplet me letra, kisha bërë të njëjtën gjë, duke ecur klandestin pavijoneve. Kështu Sislej, në fillim të viteve ’90, ndërkohë që studionte në akademi, me pak fat mori një bursë studimi dhe shkoi për disa muaj në Mineapolis, eksperiencë që mendoj se ishte fondamentale për formimin e tij. Tashmë ne ishim bërë miq dhe bashkëpunues të çdo eksperimenti, e kështu kemi qëndruar në kohë deri edhe sot. Arti të lejon gjëra të pabesueshme, mendoj se bashkërisht unë dhe Sislej konsiderohemi bashkëpunëtorë të njëri-tjetrit.

Çfarë ka ndryshuar në këndvështrimin ndaj artit italian, vitet e fundit?

Duhet të themi se është fantazia njerëzore që prodhon ndryshime të mëdha, që qëndron në kapacitetin e njerëzve për të ëndërruar dhe imagjinuar të ardhmen. Ishte fantazia e disa ëndërrimtarëve, si për shembull Mark Zukenberg apo Steve Jobs, që ka prodhuar globalizimin e sotëm (por unë do të vendosja edhe krijuesin e Erasmusit) dhe me mendimin e një artisti të vetëm, italian apo jo. Artisti italian apo europian është i qëllimit për krijimin e metaforave me formë materiali, si gjithmonë, dhe kronika e përditshme ndërkombëtare e ndjek. Një artist është gjithmonë sensibël i temave intime njerëzore dhe shtëpiake e sociale. Çdo vend, në mënyrën e tij, kërkon të mbrojë markatën e artistëve të tij. Italia e bën këtë me pak ndërtesa të vërteta dhe serioze, vende të tjera në Europë e bëjnë më mirë këtë gjë, si për shembull ato në qendër në veri të Europës. Kështu, mendoj se artistët që merren më shumë me socialen janë më të penalizuar, zëri i tyre dhe pyetjet e tyre janë më pak të integruara në strukturat e administratës publike, si për shembull në politikë. Me më thjeshtësi në vende të tjera, politika e imagjinatës së artistëve është e mbështetur dhe e konsumuar më seriozisht. Kjo është edhe për të gjitha artet në përgjithësi, përfshirë edhe arkitekturën. Këto janë vuajtjet e të gjithë krijuesve italianë.

A mund të flasim sot për një kritikë arti? Sa e ashpër është gjuha e saj sot?

Italia e kulturës se këtyre 20 viteve ka qenë e nënshtruar nga një aspekt i pakontrolluar i medias komerciale, ndërtuar posaçërisht për një kontroll social të sjelljes, që nuk ka pasur ngjasime në asnjë shtet tjetër, një fillim i shëmtuar.

Arti është anuluar si motor i refleksionit të një shoqërie industriale të avancuar. Kjo ka ndikuar negativisht në ashpërsinë e gjuhës së kritikës, duke përfshirë edhe kritiken e artit. Kështu, kritikët dhe kuratorët, ndërmjet mediave, janë bërë ato që promovojnë çdo gjë pa asnjë diference. Seleksionimi serioz ose diferenca janë shndërruar në një “jo kuptim”. Serioziteti dhe funksioni social i artit e i artistëve e ka vuajtur shumë këtë.

Çfarë e shqetëson artin sot në Itali? 

Italia është e parë nga bota si shumë interesante, në mënyrë të veçantë për artin e së kaluarës, sidomos nga Kina. Kjo është një sfidë që arti italian i vetëm nuk mund ta përballojë, duhet ta bëjë këtë me Europën, bashkë me vende të tjera dhe jo vetëm. E vetme mund të ketë vetëm një të ardhme që ruan të mirat që ka, të gjenisë, edhe të një kohe jo shumë të largët, e do të ishte kështu e anuluar çdo formë projektimi mbi të ardhmen, çdo formë imagjinimi dhe realizimi i një ëndrre. Ndërsa të rinjtë kanë nevojë për sfida të reja dhe arti, ai i kohës sonë, do të ishte një instrument perfekt për shkëmbim drejt Kinës, për shembull, ne mund t’i ofrojmë një histori perëndimore, por edhe një seri të kulturës bashkëkohore. Duhet ndërmarrë kështu një projekt i madh, që është politik sigurisht, pra një mobilim i fortë i artistëve, në kuptimin e të gjitha arteve në Europë që i ofrojnë tregut projekte të reja në botë. Nuk e di se sa Italia dhe Europa mund të jenë gati për këtë sfidë të re, por mua do të më pëlqente që të ndodhte.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).