Këto ditë në Tiranë po organizohen “Ditët e albanologjisë” nga Qendra e Studimeve Albanologjike, në kuadër të të cilave janë planifikuar të prezantohen një varg aktivitetesh shkencore, përfshirë edhe disa konferenca nga fushat e ndryshme të albanologjisë. Krahas këtyre aktiviteteve, është paraparë të mbahet edhe konferenca “Kërkime të reja në institutet e Qendrës së Studimeve Albanologjike”, ku do të prezantohet projekti i Institutit të Antropologjisë Kulturore “Të jetuarit në kufi”. Nga titulli ky projekt nënkuptohet se ka të bëjë me jetën në të dy anët e kufirit, por në programin e asaj konference nuk figuron asnjë pjesëmarrës nga Kosova dhe asnjë temë hulumtuese për çështjet në zonën matanë atij kufiri. Është fjala për hulumtimet që janë realizuar pas vitit 2010, jo për ato para vitit 1990, pra për kohën kur nuk ka pasur asnjë pengesë për komunikim dhe lëvizje në të dy anët e kufirit. Aq më tepër, kur në Kosovë ka studime, edhe të botuara, në lidhje me kufirin me Shqipërinë, madje që para se të fillojë projekti në fjalë, dhe për këtë janë në dijeni shumica e kolegëve pjesëmarrës në këtë konferencë.

Kufiri, si nocion, në të vërtetë përbëhet prej dy kuptimeve primare: kufirit fizik (në këtë rast gjeografik), por edhe kufirit konceptual, që e nënkupton kufizimin mendor, personal, social etj. Gjuha angleze e bën dallimin edhe me fjalë të ndryshme për këto dy kuptime të kufijve: borderpër kufirin gjeografik dhe boundary për kufijtë konceptualë. Meqenëse kufiri si koncept sot prodhon kuptime të ndryshme, në studimet e avancuara të shkencave humane është themeluar edhe disiplina me emrin border studies (studime për kufirin), e cila për objekt trajtimi ka kryesisht kufijtë gjeografikë, pra fizikë. Këta kufij janë të shumtë nëpër botë, prania e të cilëve ka prodhuar te shumë popuj ndarje, përgjysmime e veçime, duke shkaktuar tronditje të mëdha në aspektin social, ekonomik, historik, politik e mbi të gjitha shpirtëror – kur ka qëlluar të ndajë të njëjtin popull. Trajtimi i çështjeve të këtilla të zonës kufitare, duket se ka qenë objekt edhe i projektit të Institutit të Antropologjisë Kulturore. Mirëpo, me mungesën e bashkëpunëtorëve nga Kosova, me mungesën e albanologëve shqiptarë nga Kosova, ky projekt në vend se të realizojë një studim të plotë për kufirin, ai e dëshmon kufizimin e dijes, të njohjes. E dëshmon veçimin, ndarjen. Vë kufij në shkencën albanologjike.

Një kufi s’është i tillë nëse nuk i nënkupton të dy anët e tij. S’është kufi nëse nuk ka ndarë diçka përgjysmë. Rrjedhimisht nuk kuptohet çfarë është “të jetuarit në kufi” nëse nuk merresh me dy anët e tij, nëse nuk i trajton aspektet e zhvillimit të tij në të dy anët. Aq më tepër një projekt shkencor, i cili synon të hulumtojë, të studiojë e të nxjerrë rezultate për shkaqet dhe pasojat e të jetuarit në zonën kufitare. Kufiri veriperëndimor i Shqipërisë, e ka matanë Kosovën, i ka shqiptarët që i kanë vuajtur tepër shumë pasojat e vënies së atij kufiri. I ka gjithashtu edhe studiuesit shqiptarë, albanologët e specialistët e studimeve për shqiptarët, të cilët pikë referimi të studimeve të tyre i kanë po shqiptarët, në të dy anët e kufirit politik. Për gati pesë dekada, historia e brezave shqiptarë në Kosovë është brumosur, por edhe gjakosur, për atë kufi. E një kohë aq e gjatë ka prodhuar tepër shumë lëndë etnografike, shpirtërore e materiale, që sot do të duhej të shërbente si lëndë e parë për hulumtimet e kolegëve albanologë. Të albanologëve, nga të dy anët e kufirit. Një zonë e tillë hulumtimi kërkon projekte të përbashkëta të të dy instituteve në Tiranë e Prishtinë. Sot, në rrethanat e reja të komunikimit brenda shqiptar, vetëm një projekt i përbashkët që do të zhvillonte hulumtimet në të dy anët e kufirit, nga specialistët e të dy anëve shqiptare, do të paraqesë drejt dhe saktë çështjen shqiptare, e sidomos çështjen e zonës kufitare.

Sot kur shkencat humane realizojnë projekte ndërmjet dy-tri shtetesh, shkenca albanologjike kufizohet me hulumtime dhe studime vetëm në gjysmën e saj. E arsye për këtë është mungesa e vullnetit të studiuesve albanologë për bashkëpunime substanciale. Vazhdojnë të mos përcillen botimet dhe literatura dhe studentët e studiuesit të mbeten të painformuar për zhvillimet shkencore matanë kufirit, pavarësisht se shqip flitet në të dy anët. Bëhen disa platforma politike kinse në emër të bashkëpunimeve, por ato vazhdojnë të jenë vetëm spektakolare dhe televizive. Bashkëpunime institucionale nuk ka, projekte të përbashkëta nuk ka. Abetarja kombëtare vazhdon të mbetet një kukull e bukur për televizion. Ashtu siç vazhdon edhe Kosova të jetë një vend i bukur për ekskursione, si dhe Shqipëria për verime, por vetëm kaq. Në Shqipëri vazhdon të ekzistojë ndjenja e vetëpërmbushjes shtetërore e kombëtare se ‘ne nuk kemi nevojë për të tjerë shqiptarë rreth nesh’. Madje as atëherë kur e kërkon projekti, kur e kërkon terreni hulumtues, kur e kërkon shkenca e kulturës kombëtare, Albanologjia. As atëherë kur janë të domosdoshme bashkëpunimet cilësore me njerëzit e fushave, me specialistët në të dy anët e kufirit.

Në Kosovë dhe në Shqipëri vazhdojnë të mbizotërojë sindromi i formalitetit, vazhdojnë të bëhen projekte veç sa për të thënë, veç sa për t’i arsyetuar mjetet e fundvitit, pa e marrë as mundin më të vogël për të realizuar hulumtime me rezultate të mirëfillta shkencore. Po shihet qartë se edhe në Qendrën e Studimeve Albanologjike po mbizotëron ky sindrom. Uroj së paku të mos jetë nevoja që të mbahet një konferencë ku gjuhës shqipe do t’i shtohet një fjalë e re për ndarjen, veçimin kombëtar, për kufirin, jo vetëm gjeografik.

 

Arbnora Dushi, Instituti Albanologjik, Prishtinë

1 Komente

ka te drejte per verejtjet ,por bashkpunimit i trembet shteti lubonjist shqiptar i shqiperise.  kane frike mos i kapin nderkombetaret per veshi me akuzen e shqiperise se madhe.

nga ana tjeter meqe ekziston ky problem me politikanet e sotem,nuk duhet te marresh pozicione serbo-matoshiste ne lidhje me kombin shqiptar.

ne keto kohe kur shqiptareve synohet tu imponohet percarje krahinore dhe fetare ,si mjeti me efikas per pengimin e projektit te 28-11-1912-s,nuk duhet te sabotohet levizja kombetare per qejfmbetje te vogla.  ka ardhur koha qe shqiptaret  ti largohen meskinitetit,mercenarizmit dhe evgjiterise .  ka ardhur koha qe te behen evropian d.m.th shqiptare

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).