Prej katër vjetësh, 21 janari vazhdon të mbetet një moment ndalese në memorien e shumicës prej nesh. Njerëz të popullit u vranë përballë syve të përfaqësuesve partiakë në këtë datë të vitit 2011. Megjithatë ende sot, askush nuk po paguan për këtë tragjedi. 

Fatkeqësisht ky është vetëm çereku i së vërtetës. Treçereku që mbetet është se ndërkohë që nga njëra anë askush nuk po paguan për gjakun e derdhur në bulevard, nga ana tjetër dikush po përfiton rëndshëm prej tij.

Po të lexosh sot kanakarët partiakë për të cilët boshti i vërtetë i botës është pikërisht partia së cilës i shërbejnë, 21 janari është një hesap i lënë hapur mes dy partive. 21 janari ishte një përplasje partiake, thonë ata. Vetëm duke e stilizuar atë si të tillë, ata mund të vazhdojnë të motivojnë si ekzistencën ashtu dhe sundimin e partisë e tyre punëdhënëse. Në këtë skenar cinik, aktorët kryesorë janë shefat e partive, ndërsa figurantët, statistikat dhe aksesorët - populli i të dy anëve të barrikadës. 

Sipas kësaj pikëpamjeje, asgjë nuk ndodh jashtë partive, asnjë mendim nuk formohet përtej tyre, e asnjë revoltë nuk artikulohet pa to. Më 21 janar u godit një parti prej një partie tjetër - është ideja. Kjo ide duhet të lërë të kuptohet sikur antagonizmi social sot shprehet vetëm brenda partive; sikur këto palë antagoniste luftuan më 21 janar; dhe që ashtu si në çdo luftë edhe këtu, në fund pati një plaçkë. Kjo plaçkë ishte pushteti, ndarja e të cilit duhet të mbetet pikërisht mes partive, ndërsa ata që vërtet lanë lëkurën në këtë luftë, ashtu të zhveshur tërësisht nga vullneti, të shndërrohen në objekte shkëmbimi pushteti.

Ky këndvështrim në rastin më të mirë synon që pësuesin e vërtetë të dhunës së 21 janarit, popullin, ta identifikojë si një shtojcë pasive të vullnetit të liderit partiak. Por ndërsa katër vjet kanë kaluar, a nuk është mirë ta shohim edhe një herë atë që ndodhi më 21 janar në një optikë tjetër që ndoshta mund të na ofrojë një vështrim të ri në ndihmë të arritjes së të vërtetës?

21 janari si histori

Protesta e dhunshme e 21 janarit, apo “demonstrata” siç u pëlqente ta thërrisnin atyre që më shumë vrasin mendjen për tingëllimën e fjalëve sesa për kontentin e tyre, kishte për zanafillë diçka të thjeshtë. Ajo ishte një protestë për bukën. Vendi po vinte pas një dështimi të turpshëm në strategjinë e opozitës që shtirej për e majtë. Gjithë vitet e saj në opozitë por sidomos vjeshtën e 2010-ës PS ishte munduar të impononte për opinionin publik një kauzë jo-politike.

Bëhej fjalë për një axhendë frikacake dhe hileqare e cila duke mos ngacmuar thelbin e vërtetë të problemeve të njerëzve, synonte ta kanalizonte pakënaqësinëe tyre tek ndonjë anomali burokratike e sistemit. Kështu edhe PS, e shihte qartë se vuajtja e Shqipërisë mbante vulën e nënshtrimit të qeverisë së atëhershme nën vullnetin gllabërues të biznesit i cili po e shkretonte ekonominë e vendit. Por PS nuk kishte dëshirë të merrej me këtë.

Ndoshta, kjo ka qenë një fazë naiviteti në këtë parti, e cila duke qenë e vetëdijshme për ciklin e pashmangshëm të ndërrimit të roleve në pushtet, nuk donte të identifikohej me kauza të cilat e dinte se do t'i tradhtonte pasi s'i ndjente të sajat. Për këtë arsye, deri në janar të 2011-ës PS vazhdonte të merrej me mandatet e anëtarëve të këshillit të qarkut të Fierit, apo me broçkulla të tjera pa vlerë.

Pas videoskandalit të Ilir Metës të publikuar nga Fiks Fare, megjithatë, vetë PS u detyrua të pranojë anomalinë e sistemit. Ajo vërtet e thirri demonstratën e 21 janarit, por motivacioni i saj nuk ishte më partiak, problematika nuk ishte më ndarje pushteti në atë apo këtë nivel të pushtetit. PS adoptoi një axhendë politike. Axhendën e bukës së njerëzve të shtypur të këtij vendi.

Për herë të parë, një masë e madhe njerëzish të papërfaqësuar, të varfërit, të vjedhurit,të uriturit, dëgjuan t'u flitej në gjuhën që ata kuptonin. Ata u ftuan të protestojnë kundër mjerimit që gjeneron një klasë politike e vënë në dispozicion të klientëve të saj privatë. Njerëzve ju tregua djalli dhe ata ndjenë nevojën ta godasin atë me gurë.

Protesta e 21 janarit ishte ndoshta e vetmja në historinë e pluralizmit shqiptar ku nuk u mbajt asnjë fjalim. Njerëzit thjesht u mblodhën nga pika të ndryshme të kryeqytetit dhe vërshuan të zemëruar direkt e mbi simbolin e shtypjes së tyre – qeverinë e vënë në shërbim të të pasurve.

Kronikën e ngjarjes pastaj të gjithë e dinë. Ajo që meriton t'i mëshohet këtu është pikërisht rishikimi i motivimit të asaj që ngjau më 21 janar. Gjithçka që duhet të jetë e qartë për ne, pavarësisht përpjekjeve tinzare të propagandistëve partiakë, është se 21 janari nuk ishte një protestë e politikës së cilës iu bashkua populli. 21 janari ishte një protestë e popullit, së cilës iu bashkua politika.

Nga ajo ditë dhe falë asaj dite, politika ka marrë pushtetin. Populli ka mbetur përsëri aty ku ishte.

21 janari si pronë

Pati njerëz pas sulmit terrorist të 7 janarit në gazetën Charlie Hebdo në Paris që u munduan të bëjnë sofizma mbi ngjarjen duke teorizuar se ata që përfitonin më pak prej saj ishin pikërisht emigrantët e varfër të periferive dhe basifondeve të Evropës. Për këtë arsye, aludonin ata, ideatorët e vërtetë të masakrës duheshin kërkuar tek ata që do të përfitonin prej kësaj ngjarjeje. 

Përfitim? Në këtë mënyrë, këta teoricienë historish komploti, në të vërtetë nuk po mundoheshin të zhvishnin nga mallkimi masat e gjera të ngujuara në getot e reja të kohëve moderne, të cilët edhe pa këtë mallkim shtesë janë tashmë të fundosur nën nivelin e paragjykimit. Ata gjithashtu nuk po synonin t'u jepnin sado pak mister, qoftë edhe të zi, liderëve barkderra botërorë që u rreshtuan në marshim, a thua se nuk janë vetë pushkatues gazetarësh në forma të tjera.

Jo. çfarë del si rezultat i një logjike të tillë tregtare është shndërrimi i akteve politike në një veprim kontabiliteti. Kapitalizimi i tyre. Konceptimi i tyre sinjë ndarje dividenti. Moslënia e tyre pa indeksim në këtë bursë PERFITIMI dhe vëmendjeje – pavarësisht se kush del me fitim nga transaksioni.

Një krahëmarrje e tillë llogaritare, qarkullon prej kohësh edhe në lidhje me aktin terrorist të 21 janarit në Tiranë. Kemi të bëjmë këtu me të njëjtin truk dinak. Zhveshjen e 21 janarit nga komponenti idealist dhe inkuadrimin e tij të detyruar brenda një logjike pazari, llogarie dhe pronësimi. 

Ky lloj pronësimi i një akti sublim që ka shërbyer si justifikim për marrjen e pushtetit nuk bëhet kot. Vetëm kështu ai mund kthehet në një rrethanë lehtësuese për dikë që përgatitet ta përdorë pushtetin për pronësime të tjera në dobi të vetes. Çshenjtërimi i 21 janarit fatkeqësisht, ka mundësuar sot atë që Alen Badju-ja e quan “valle e së keqes mbi rrënojat e së keqes”.

21 janari si mësim

Më 1784, imanuel Kant-i elaboroi konceptin e përdorimit Publik të Arsyes. 21 janari ishte një moment i tillë përdorimi publik të arsyes këtu tek ne. Kjo arsye u shpreh përmes manifestimit më direkt, më të hapur dhe më të qartë të distancimit të popullit prej axhendave partiake. 

Prej 22 janarit, kjo arsye publike është privatizuar pikërisht prej atyre kundër të cilëve ajo adresohej në mënyrë kaotike, anarkike dhe shkatërrimtare –privatizuesve të publikes dhe ndarësve të përqindjeve të fitimit të saj. 

Ky është krimi i dytë që ndonëse nuk u ka marrë jetën pjesëmarrësve në protestë, ashtu si 4 vëllezërve të tyre që sot shpërdorohen dhe përgojohen si mos më keq nga partitë, u ka marrë atyre nderin.

Nëse ka sot një mision qytetar dhe emancipues që mund të kthejë së paku drejtësinë morale për ata që u vranë pabesisht me plumba më datë 21 dhe u grabitën dinakërisht me fjalë pas datës 22, ky mision është identifikimi i së vërtetës së frymëzimit të kësaj ngjarjeje.

Jo vetëm një “revolucion i dështuar” që konfirmohet nga fashizmi i sotëm, siç do të thoshte Benjamini: lëvizja e madhe e 21 janarit ishte një shkëndijë ndriçimi në vetëdijen e një populli të mbajtur në errësirë, sundim, manipulim dhe varfëri të detyrueshme. Si çdo shkëndijë jetëgjatësia e saj ishte e shkurtër. Megjithatë, mes ndriçimit të saj ne pamë atë që ishte e mundur. 

Përkundër dëshirës së privatizuesve-varfërues të djeshëm dhe varfëruesve-privatizues të sotshëm – ka diçka që del jashtë pushtetit të tyre. Ka diçka që ata nuk mund ta pronësojnë dot përgjithmonë, e cila qoftë edhe për një moment u del atyre për duarsh dhe shkrep si shkëndijë. Kjo është arsyeja publike. Dhe shkëndija e saj mjafton për t'u vënë zjarrin atyre që pretendojnë pronësi private mbi të.

5 Komente

Sikur te na kishe thene diqka si e ka thene imanuel Kant-i, me 1784, vrasjen me gjak te ftohte te 4 veteve nuk do ishte keq.

Se mire ata qe i genjyen kane faj dhe faj te madh bile, po ata qe i vrane kane ndonje faj xhanem?

Vitalist !

është se 21 janari nuk ishte një protestë e politikës së cilës iu bashkua populli. 21 janari ishte një protestë e popullit, së cilës iu bashkua politika.

Duket se nuk bie dakort me ju. Deri perpara 21 Janarit ishin bere edhe disa protesta te tjera dhe te gjitha te organizuara nga politika dhe me konkretisht nga PS-ja. Vjedhjet dhe manipulimet skandaloze te zgjedhjeve parlamentare te Qershorit 2009, greva e urise e deputeteve socialiste dhe se fundmi videoja e "sajuar" e banditit Meta i beri akoma me te ndergjegjshem njerzine se pushteti i kriminelit sali duhej shqyer. Pra protesten e organizoje PS-ja dhe kesaj radhe njerzit ishin shume te shumte, te pakten 80 mije veta. 

Por, per fatin e keq te opozites se atehershme, qeveria kishte "nje burre shteti" dhe kete e tha pa pike medyshje plehra e amerikaneve, ambasadori i sapoardhur Arviziu! Zoti i falte mekatet!

Po kjo ? Per te lexuar qe dhe Shameti di e ka lexuar emra filosofesh smiley Po ftojeni te vije atje tek tjetra me 21 Janar dhe le te thote si mejton me mejtim te mendjes .Se keshtu i teket  edhe LefTKopese dhe hedh ndonje Pampers si Red me mejtime ..

Po Rama pse protestoi me ta kur kjo qeka Publike dhe jo pjese e programit Politik te nje Partie ? Ketu del qe "I vrau i vrau i vrau Edvin Rama " smiley .. qe eshte njemije here mejtim "tjeter " i vecorishem ,  pavaresisht se nga te semure Psikik  po te pakten jo nga Derstila ..Tirr e tirr !

Cfare kini keto psh nerin smiley

 

U perpoq autori te montoje tre subjekte, tre gjykime, tre ngjarje, rreth çeshtjes kryesore, per te sensibilizuar opinionin dhe politiken shqiptare, mirpo harron i shkreti se drejtesia shqiptare e kapur prej politikes se prapaskenes, i monton ngjarjet me mire se edhe regjizoret e Hollivudit. 

po. edhe "21 janari si dopjo jek ne lojen e qylit ne tavell".

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).