Përkthyesja e njohur kineze He Daming (që mban dhe emrin shqip Drita Daming) vjen në këtë intervistë për "Milosao"-n teksa është në pension. Ajo shpjegon punën e madhe që është bërë për përcjelljen e kulturës shqiptare në Kinë, nga të vetmit argëtime në kohën e Revolucionit Kulturor; kolegët, punën e saj (gjithmonë me një modesti skajore) dhe punën e pareshtur prej vitit 1969, kohë kur filluan transmetimet në gjuhën shqipe të radios kineze

E nderuara znj. Drita, juve jeni një nga përçueset më të mëdha të gjuhës shqipe në vendin tuaj. Sa njihet, në ditët tona, letërsia shqiptare dhe kultura jonë në vendin tuaj?

"Unë, He Daming (Drita-Daming) si një nga shqipfolësit kinezë, që jam marrë për 50 vjet me gjuhën shqipe që nga fillimi i studimeve të saj qysh nga viti 1964 në Fakultetin e Histori Filologjisë të Universitetit të Tiranës, nuk e kam përvetësuar ende si duhet këtë gjuhë antike dhe të bukur shqipe, të cilën e dua dhe e kam përdorur deri më sot dhe do të vazhdoj ta përdor edhe më tej derisa të rroj.

Përsa i përket letërsisë dhe kulturës shqiptare në vendin tonë, mund të them se pas shpalljes së Republikës Popullore të Kinës, ka pasur shumë përkthyes kinezë, që kishin përkthyer shumë vepra të autorëve të njohur shqiptarë nga gjuhët angleze or franceze në gjuhën kineze, si dhe më vonë me kalimin e kohës me shtimin e përkthyesve të shqipes, drejtpërsë drejti nga gjuha shqipe në gjuhën kineze".

Çfarë mendoni se mund të bënte Shqipëria më shumë për t'u afruar në aspektin kulturor me Kinën?

"Në këtë drejtim, me sa që di unë, ishin përkthyer shumë tregime shqiptare, poezi e poema shqiptare, madje edhe romane e drama bashkëkohore të Shqipërisë, si kryesoret janë: "Nënë Shqipëri", "Devoll, Devoll", " Toka ime, kënga ime", "Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo" të Dritëro Agollit (të përkthyer nga shqipja nga Zheng Enbo), "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" (përkthimi shqip nga Zheng Enbo), "Pallati i ëndrrave" (përkthimi anglez nga Gao Xing), "Kronika në gurë" (përkthimi francez nga Li Yumin), "Kush e solli Doruntinën" (përkthimi francez nga Zou Dan) të Ismail Kadaresë, "Zemra shqiptare" (përkthimi shqip nga Zheng Enbo) etj., të Fatmir Gjatës, "Familja e peshkatarit" e Sulejman Pitarkas (e përkthyer nga shqipja nga He Daming - unë Drita-Daming), "Përsëri në këmbë" e Dhimitër Xhuvanit (përkthimi shqip nga Zheng Enbo), "Medalja heroike" e Zihni Sakos (pëkthimi anglez nga Tu Zhen e Mei Shaovu), "Në folenë e shqiponjave" e Ali Abdihoxhës (përkthimi shqip nga He Daming), "Forca e pabesueshme" e Naum Priftit (përkthimi shqip nga Guo Min), etj. etj.

Këtu nuk mund të përmend një nga një, por mund të them se veprat e autorëve të shquar shqiptarë patën ndikime në qarqet e letërsisë e arteve të Kinës, sidomos në gjirin e albanologëve kinezë. Këtu po theksoj se ndër përkthyesit dallohet bashkëpunëtori i vjetër shkencor kinez zoti Zheng Enbo, të cilin e kam pasur shok klase në Shqipëri. Ai ka përdorur pseudonimin "Shqiponja e kuqe", që ishte shumë i njohur ato vite në Shqipëri. Ai ka punuar vite me radhë me shumë zell për krijimet e përkthimet letrare dhe ka arritur suksese e fryte të njëpasnjëshme.

Këtu po theksoj se filmat shqiptare në ato vite, pra '60-ta e '70-ta të shekullit të kaluar, kur mungonin në Kinë dëfrimet, i kishin ushqyer në kohë shikuesit kinezë, të cilët i shijonin me etje dhe me preferime, pra deri më sot, njerëzit në moshën tonë dhe pak më të re, i mbajnë mend qartë ato filma dhe dinë të këndojnë edhe këngët e tyre  filmike, si "Ngadhnjimi mbi vdekje" etj".

A mendoni se ka gjëra sot që Shqipëria mund t'i përcjellë në vendin tuaj?

"Prej këtyre unë mendoj se në të ardhmen Shqipëria mund të forcojë shkëmbimet me Kinën në këtë fushë kinematografike. Përveç këtyre, mund të shtohen edhe vizitat reciproke, që të shtohen njohja e njëra-tjetrës, si nga ana humanitare ashtu edhe turistike, si dhe miqësia midis dy popujve tanë. Shqipëria është bërë vend-destinacioni i turizmit kinez, sipas mendimit tim, të rinjtë e të rejat kineze do të kenë më shumë interes për turizëm dhe kështu do të zhvillohet në vazhdimësi turizmi shqiptar dhe do të shtohen patjetër turistët kinezë në Shqipëri!

Lidhur me vizitat reciproke këtu shtoj disa fjalë për kujtimet e mia të bukura me shoqërimin e delegacionit të Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptarë në vitin 1967, pasi me të gjithë studentët kinezë të botës u ktheva në Pekin nga Shqipëria pas studimeve në Universitetin e Tiranës, para kohe për shkak të Revolucionit Kulturor në Kinë. Isha për herë të parë dhe po kryeja punë të përkthimit gojor me shqiptarët, të cilët ishin pikërisht shkrimtarët e mëdhenj shqiptarë: Ismail Kadare, Resul Beto (Bedo) dhe Montaz Dhërami (Muntaz Dhrami-skulpturor). Isha e re dhe naive pa përvojë të përkthimit tamam si një "viç i vogël i porsa lindur që nuk trembet para tigrit", siç thotë një proverb kinez. Nuk dija se ata ishin me famë të madhe bile botërorë, si z. Ismail Kadareja. Unë gjithë rrugës gjatë turneut u përktheja atyre me gjithë shpirtin dhe me sa fuqi që kisha. Hasja shumë gjëra që nuk dija të përktheja saktë, por këta shkrimtarë - pedagogët e mi shqiptarë -- më kishin ndihmuar dhe unë me një bllok në dorë duke punuar e shënuar dhe më në fund e realizova me sukses këtë detyrë, prej së cilës fillova zyrtarisht punën time si përkthyese e shqipes. Këtu duke shfrytëzuar këtë rast ju lutem Beni- t'ua transmetoni atyre përshëndetjet e falenderimet e mia të vonshme, por të sinqerta!"

Jeni një nga më të vjetrat dhe më të nderuara punëtore të shqipes në botë. Çfarë do të thotë kjo për ju?

"Sa për veten time, po shkruaj ca fjalë. Kam punuar mbi 40 vjet si përkthyese, redaktore, spikere e gazetare në Radion e Jashtme të Kinës (CRI CIBN). Me punë ditë e natë shumë të lodhshme, të ngarkuar e të tensionuar, por të kënaqshme e të gëzueshme, unë që nga një punonjëse e thjeshtë kam punuar duke grumbulluar eksperiencë e njohuri, u bëra me titull shkencor profesore, si dhe shefe e Redaksisë së Gjuhës Shqipe të CRI-së për 18 vjet e deri te dalja në pension në moshën 60 vjeçe dhe më pas vazhdova edhe 7 vjet në postin e punës. Për punën time kaq shumëvjeçare merresha kryesisht me përkthimet nga gjuha kineze në gjuhën shqipe, për çdo ditë punoja me një sasi të madhe përkthimesh e regjistrimeve në kabinë me përmbajtje shumë të pasura në rubrika të ndryshme duke prekur fusha e aspekte të lloj-llojshme. Si një koleg, ju i dini këto gjëra, Ben. Ne punojmë për një qëllim për dëgjuesit shqiptarë që të njihen më mirë me Kinën dhe me popullin kinez dhe për të forcuar miqësinë midis dy popujve tanë.

Gjatë kësaj pune të shenjtë, të filluar me udhëzimin e ish-kryeministrit tonë të dashur Çu En Lai, ia kushtova gjithë energjinë dhe dashurinë për atdheun tim të dashur dhe për popullin e dashur shqiptar! Në se i grumbulloja të gjitha përkthimet e bëra brenda kaq shumë vjetëve dhe i lidhnja në shtyp ose libra, ato nuk mund të maten me shifra, por vetëm me frymë, sepse të gjitha i mori era, i transmetuam në ajër në valë për në Shqipëri, në mendjen e popullit!"

A keni pasur në këto vite kontakte dhe falënderime nga ana e qytetarëve dhe autoriteteve shqiptare për punën tuaj?

"Me kaq shumë vjet pune mbi tryezë me kokë ulur me makinë daktilografike e më vonë me kompjuter, jam dobësuar shumë nga ana fizike dhe mu prishën sytë. Kësaj here mezi e shkrova këtë intervistë me sy. Megjithatë, ia dhashë premtimin Benit dhe patjetër do ta kryesha këtë punë. Tani për tani nuk kisha ndërmend të punoj me përkthime me sy (me shkrime), por me gojë më lehtë, se do të pushoj për të rregulluar sistemin tim fizik. Shtoj edhe një fjalë se për kaq shumë vjet punoja në një kolektiv shumë të mirë e të dashur me harmoni në CRI si me kolegët kinezë ashtu edhe me specialistët shqiptarë, pata fat të madh që punoja duke fituar ndihmën e mësimet e mëdha nga specialistët shqiptarë, në veçanti në vitet e para nga z.Kristaq Teneqexhiu dhe e shoqja Vasilika Teneqexhiu, i pari punoi gjithsej mbi 15 vjet bashkë me ne, këtu i shpreh falenderimet e mia nga zemra dhe i uroj atij dhe familjes së tij shëndet dhe lumturi! Për këtë çift specialistësh shqiptarë shkrova në korrik të vitit 2013 një artikull të gjatë, të përfshirë në librin koleksioni të CRI-së. Njëkohësisht u shpreh edhe të gjithë miqve e dëgjuesve shqiptarë që kisha patur kontakte e ishim lidhur me miqësi dhe që më kanë dhënë ndihmë dhe më kanë treguar përkujdesje, ju shpreh edhe juve falenderimet e mia të sinqerta dhe ju uroj të gjithë të mirat dhe Gëzuar Vitin e Ri 2015!"

 

Të ruash shqipen me fanatizmin kinez

Gati 45 vjet më parë, më 6 qershor të  më 6 qershor të vitit 1969, filloi transmetimi i emisionit shqip të Radios së Jashtme të Kinës. Ishte kryeministri kinez i kohës që e mendoi si të arsyeshme këtë hap. Konjukturat diheshin. Shqipëria ishte një aleat i vogël, por disi potencial për llogaritë evropiane të Kinës gjigande. Kryeministri ynë i respektuar Çu Ën Lai dha urdhrin e nisjes zyrtarisht të transmetimeve të emisioneve shqipe. Melodia e hapjes së emisioneve shqipe ishte: "Lindja është e kuqe", kujton spikerja dhe përkthyesja kineze Drita Damin, që ky hap do t'i ndërronte jetën. Në atë kohë, vajza e re, që e kishin kthyer nga Shqipëria pas dy viteve studim, bashkë me të gjithë studentët e tjerë, që mësonin jashtë Kinës, punonte në Zyrën e Jashtme të Uzinës së Instrumenteve të Shangait pranë Ministrisë së Makinerive Nr.1 të Kinës. Ishte koha e Revolucionit Kulturor dhe Kina ishte në një fazë ndryshimi gati paradoksale. Atje, së bashku me kolegët Zhai, Zhang, Liu etj., punonim për përgatitjen profesionale të inxhinierëve e teknikëve shqiptarë të Uzinës së Instrumenteve të Korçës, shprehet. 

Në fakt, dashuria për shqipen dhe të folurën, i lindi kur një pedagoge shqiptare i lëvdoi seriozitetin e saj dhe përkushtimin ndaj leximit të një pjese për fëmijë. "Bravo He Damin, të lumtë goja! Ti do të bëhesh patjetër një artiste a një spikere e shkëlqyer e gjuhës shqipe në të ardhmen!" Kjo frazë e bëri të ëndërronte të ishte spikere e gjuhës shqipe dhe fati e solli jo vetëm ta realizonte por edhe të ishte për 18 vite me rradhë shefe e redaksisë shqipe në Radio Pekin. "Qielli më dha rastin optimal", iu rrëfye pak kohë më parë pensionistja, një koleges së vet: ishte shumë për të punuar si spikere në Radio Pekini! Pra pikërisht partia dhe atdheu më thirrën të merrja pjesë në radhën e punonjësve të Radios së Jashtme të Kinës!

Kjo sintaksë është harruar vërtetë në Shqipëri, por një nga studentët që e studioi shqipen në Tiranë na e sjell sërish, por edhe në një formë adhurimi për vendin e saj, përmes gjuhës tonë. Të gjithë ne mbajmë mend qartë mbishkrimet e kryetarit Mao Ce Dun në vitin 1965 për çështjen radiofonike: "Të bëjmë me përpjekje punën radiofonike për t'i shërbyer gjithë popullit kinez dhe popujve të mbarë botës!" Këto fjalë ishin lapidare për punonjësit kinezë dhe gruaja,që flet për ne, për 40 vite me rradhë do ikte vetëm dy herë në shtëpi me leje, kurse të gjithë kohën do t'ia dhuronte punës. Dhe, madje akoma më shumë përkushtimin do e kishte kur ishte afër pensionit pas viteve '90, kohë kur dëgjuesit shqiptarë të Radio-Pekinit ranë në numër aq sa mund të numëroheshin me gishta. Ajo, me kolegët e saj, jo vetëm e kaloi krizën por e rikthyen besimin në një radio që sipas tyre ka dëgjueshmëri të lartë.

Në këto pak rreshta i bëjmë një homazh të madh asaj dhe të gjithë njerëzve që kanë kontribuar për shqipen. Atyre të pagojëve, që e kanë treguar vërtetë shqipen një zonjë të rëndë. Dhe gruaja kineze, që i shtoi emrave të saj dhe atë shqip- Drita meriton të gjithë nderimin tonë.

 

Milosao

7 Komente

zonja Drita flet per kulturen, sepse eshte puna e saj, por ne fakt u kemi mesuar edhe futbollin kinezve..Loro Borici, me pas Din Zhega kane krijuar e kane stervitur ekipet e para te fubollit ne Kine.  

madje edhe basketbollin u kemi mesuar kinezeve..smiley
 

Sa do fikja kompjutrin, kete artikull e lexova dje tek nje gazete, dhe pershtypja e pare qe mu krijua, ishte qe, zonja ne fjale e meriton nje vakanci 1 mujore ne Shqiperi nga shteti shqiptar. Me pelqeu per çiltersine dhe vullnetin e saj. 

kete artikull  e ka pas gjithe shtypi perendimor dje ,Pjero...  dhe mire te vajti mendja, zonja Drita meriton nje vakanci ne Albanie..  po sikur ti liroje ca kohe ti ate studion buze detit ne Durres..? 

Znj. Drita eshte nje dashamirese e vertete e shqipes dhe e shqiptareve dhe vertet punetore e madhe. Po sa per njohjen e shqipes, po them vetem dicka qe ia thashe edhe vete asaj dhe iu be qejfi. Tani znj. Drita edhe edhe zv.kryetare  e  Shoqates se Studenteve te Kthyer nga Jashte Vendit dhe eshte shume aktive, organizon gjithmone veprimtari. Ne njeren prej tyre, para nje viti, kur po mbante nje si pune fjalimi, isha ulur me nje student shqiptar ne Kine, kishte vetem nja tre muaj qe kishte ardhur, studionte per sporte me duket. E nejse, pas nja dhjete minutash qe znj. Drita po fliste dhe gati po mbaronte, dicka e beri kete studentin qe te kuptonte qe znj. Drita ishte kineze. "Jo mo," tha, "pse kineze qenka kjo, une gjithnje se ishte ndonje shqiptare, se i ka edhe floket me kacurrela".

Tani sa per sugjerimin e Pjerit, znj. Drita e ben keshtu: gjashte muajt e ftohte i kalon ne kete ishullin tropikal te Kines (ku une shkova ne vere dhe desh shkova per lesh nga zagushia), dhe gjashte muajt e ngrohte ne Kanada. Nuk e di ne mund te gjeje ndonje dritare per mendimin dashamires te Pjerit.

Kur mendon prapesirat qe i kemi bere vetes si komb (per te folur me gjuhe pambuku, se ne te vertete ato jane horrlliqe e maskaralliqe) dhe kur sheh admirimin e madh te saj per ne, perkushtimin e paimagjinueshem qe tregon (deri ne rraskapitje fizike), te kycet goja, nuk di c'te thuash, mbetesh pa fjale. Pyet c'te mire valle duhet t'i kemi bere kesaj bote, qe historia na mban kaq me hater (si komb). Dhe me duket se e di pergjigjen, se edhe Znj. Drita per te foli me siper, vitet tona te perbashketa. Bazuar mbi kete, nuk besoj se Shqiperia do jete ndonjehere relevante per brezat e rinj ne Kine (edhe pse ju never know), por per brezat e vjeter te tyre ka qene dhe do mbetet e tille.
Edhe, nuk e kuptoj perse vazhdohet me tituj te tille shtrembanike, me tendence persekutimi... le qe jane te dale mode tashme dhe te mbiperdorur, por edhe e cvlereson intervisten e bukur.

Kina ..kjo hapsirë e popullatë e madhe shprehet denjësisht për atë që i kemi përcjellur si Popull.

Kulturën Humane .

Për kinezët , kryesisht pjesën e inteligjencës "popullore" Shqipëria ishte një Dritare e njohjes së Kulturës në Viset e Ballkanit . E pastër , pa mbingarkesa , e thjeshtë që paraqiste Popullin në të kaluarën e tij , shpirtin e tij , dëshirat e sakrificat për Liri e Dituri , ashtu siç e kishin kaluar dhe ata në shekuj Periudhën e shtypjes dhe çfrytëzimit të egër nga "mandarinët " alias Anadollakët e babacarët e kombit tonë !

Gjithsesi ato vite kanë Vulën e Kohës dhe patjetër që përcjellin Lidhjet e Miqësinë e Kohës .Urojmë që tani me largimin e Kryendyrësirave të politikave " Li pen Turi -Qen " të kakërdhive  të Vathës së Dhive të sali Qenef berishës , këto Lidhje e Miqësi të rilindin në në Mënyrë të respektit e dashurisë reciproke që kishim midis Njëri Tjetrit .

Respekt ....c do fjale tjter do ishte e tepert ....emri i se nderuares ti vendoset ndonje rruge kryesore ne  Tirane......na i kane shemtuar rruget me emra , xhevdet,sinan,osman,myslim, synet,arrapash,trahana .....e plot pislleqe arabie.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).