Ishte viti 1978. 18-vjeçari Nesti Tushe, student i vitit të parë të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës, teksa stërvitej në fushën e basketbollit të ekipit "Studenti", u njoh me vajzën italiane Karla Sferlazzo. Karla ishte vajza e vetë ambasadorit italian, Xhuzepe Sferlazzo. Miqësia e tyre arriti te dashuria e fortë, lidhje e cila tërhoqi vëmendjen e gjithë opinionit të kryeqytetit të asaj kohe. Kjo dashuri mori edhe miratimin e familjarëve të të dyja palëve. Familjarët e Karlës, si dhanë pëlqimin e tyre, e paralajmëruan djaloshin se kishin frikë mos atij i ngjiste gjë me Sigurimin e Shtetit, të cilin ata e njihnin mirë, ndërkohë që vetë studenti Tushe, i siguroi se atë dhe familjen e tij s'kish si ta prekte kush, për faktin se ishin familje intelektualësh dhe se ishin familje e respektuar nga sistemi. Në të vërtetë do të ndodhte e kundërta, duke e pësuar pikërisht si e kishte parashikuar ambasadori Xhuzepe Sferlazzo. Familja e djaloshit, para se të jepte përgjigje, e bëri prezent faktin në Drejtorinë e Degës së Punëve të Brendshme, për të cilin, ndryshe nga sa priste, iu përgjigjën pozitivisht. Por më mbrapa, do të ndodhte edhe një çudi tjetër, që Nesti nuk e kishte parashikuar. Kjo kishte të bënte pikërisht me ardhjen e vajzës italiane për vizitë në shtëpinë e tij, ku ngeli e shokuar kur pa se aty gatuhej në banjë dhe se mungonte që nga lavatriçja dhe deri te frigoriferi, - se nga ata nuk konceptohej dot mungesa e tyre. Kaq do të mjaftonte që në shtëpi të zbarkonin orenditë elektronike të ambasadës italiane. Por dalja e Nest Tushes në bulevardin, duke pasur përkrahu vajzën e vetë ambasadorit dhe veshje të lakmuara nga rinia kryeqytetase, do të përbënte një shqetësim të madh për sistemin dhe administratën e lartë politike të shtetit, të cilët vendosën të vepronin me urgjencë. Kështu, në nëntorin e vitit 1980-ës, 20-vjeçari Nest Tushe e pa veten në hekurat e Burgut 313 të kryeqytetit. 
Por, si do të vijonin akuzat e tmerrshme mbi djaloshin e njomë, të cilat kishin vetëm një qëllim: Ekzekutimin e padiskutueshëm të tij në tunelet e Dajtit. Ishin plot 11 muaj hetuesì e tmerrshme, me arrogancën, terrorin dhe prapaskenat e paimagjinuara, ato që do të ndërtonin mbi të, akuzat e "tradhtisë së lartë ndaj atdheut dhe popullit", dhe "agjent i shërbimeve të huaja sekrete". Ishte një ndërhyrje e fuqishme e Haki Toskës, ajo që do ta shpëtonte në të vërtetë nga plumbat e sigurtë djaloshin, i cili do ta ngryste jetën në minierat e Spaçit, duke punuar me këmbët e lidhura me zinxhir, për mëkatin e shenjtë të dashurisë që kishte guxuar. Këto dhe të tjera nga kjo histori e dhimbshme mund  ti ndiqni me poshte   në denoncimin publik te vetë Nesti Tushes, ne "Rno per me tregue" 

https://www.youtube.com/watch?x-yt-cl=84...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).