Nëse ndonjëri prej nesh e shkëput veten për dy ditë të vetme nga rutina e ditës shqiptare dhe e imagjinon veten qytetar në Paris, Romë, Londër, Berlin, Vienë, Varshavë dhe deri edhe Lubjanë bilanci ditor i informacioneve që merr, jetës që bën, bisedave dhe angazhimeve, është në kontrast të thellë. Në Tiranë, në Prishtinë apo në Tetovë nuk ka vend për debate profesionale dhe as për shkëmbime idesh mes elitave, nuk ka vend për tema “të mëdha” që kanë të bëjnë me të sotmen dhe të ardhmen tonë, dhe as për mjedis ku fjala ka vlerë dhe rëndësi.

Në kryeqendrat shqiptare e folura profesionale dhe qytetare shihet si bezdi, provokim, mendjemadhësi dhe arrogancë ndaj bisedave për të cilat shumica ndjehet e prirur dhe e përfshirë. Ja p.sh, këto ditë janari në Tiranë flitet me gjuhë rrugësh midis liderëve politikë për banda, krime, drogë, kërcënime, ku secili denigron tjetrin dhe sa më e lartë është shkalla e denigrimit aq më i suksesshëm e madhështor duhet secili lider përpara ndjekësve militantë të tij. Në një vend ku të gjithë ankohemi se janë zënë hapësirat publike dhe mungesa e infrastrukturës, politika ofron zgjidhje të vetme bllokimin e rrugës ose si alternativë, gjobitjen kolektive të të gjithë atyre që mendojnë ndryshe.

Në Prishtinë, kryeqytetin që ka nevojë aq të madhe për stabilitet, zhvillim, njohje dhe theksim të identitetit demokratik liderit politikë ofrojnë zgjidhje “shqiptare”, një palë turma që sulmojnë e dëmtojmë zyrat e shtetit dhe mjediset publike si të ishin pjesë të të huajit, dhe pala tjetër etiketim kolektiv të kritikëve dhe denigrim të tyre. Në Tetovë gjithashtu, gjuha e ashpër dhe denigrimi lokal mbeten tipare politike.

Kjo praktikë shqiptare, e leximit të politikës, dhe më pas e jetësimit të saj vetëm përveç konfliktit verbal, gjuhës së ashpër, denigrimit të tjetrit dhe trajtimit të shtetit si diçka e huaj apo e kritikës si qëndrim armiqësor, - përveçse dëshmon krizën e thellë të demokracisë sonë, mban në këmbë dhe ushqen një lloj kulture rurale të politikës, tipar i disa shekujve më parë për shoqëritë e civilizuara.

Liderit tanë, ata që vishen me kostume luksoze dhe kalojnë ditën në rrjete sociale duke folur e përgojuar gjithçka që shohin e dëgjojnë, - më shumë se misionarë të ndryshimit dhe evropianizimit ngjasojnë me modelet rurale të bajraktarit arrogant, qëllimi i të cilit është dhe mbetet sundimi absolut dhe personal. E gjithë kjo energji që harxhohet në politika të tilla ditore, pa sens dhe përmbajtje, pa rezultat dhe pritshmëri, nëse do ishte përdorur për të kundërtën, - për reforma dhe qëllime publike, me siguri që do ti kishte siguruar Shqipërisë dhe shqiptarëve një pozitë shumë më komode sesa dënimi shekullor i vendit të fundit.

Imagjinoni nëse liderit politikë të Tiranës takohen rregullisht çdo muaj për të folur për sfidat e përbashkëta të reformave dhe integrimit, imagjino nëse liderit politikë të Prishtinës kalojnë një ditë në muaj duke dëgjuar mendimin e tjetrit përballë, imagjino nëse liderit politikë të Tetovës do të ndodhte të shiheshin diku në qytet duke biseduar në një kafe pune! Ajo që tek ne është imagjinatë në fakt është normë mendimi dhe sjelljeje në çdo demokraci funksionale dhe shoqëri të kulturuar. E kundërta, refuzimi i imagjinatës dhe bashkëjetesa me rutinën e konflikteve rurale është dhe mbetet një pengesë thelbësore për progresin shoqëror, politik dhe ekonomik.

Kontrasti i kësaj sjelljeje bëhet edhe më i madh kur liderit e çdo ane politike gjithçka që bëjnë e justifikojnë në emër të interesit publik, shpëtimit, integrimit dhe bashkimit të Shqipërisë me Evropën. Ata gabimisht mendojnë se Evropa shqiptare është e destinuar të jetë e njësuar në emrin, portretin dhe mandatin e tyre personal politik, se fatet e mëdha përcaktohen nga fati i tij politik, dhe kështu, projektin e vet politik e imponojnë si zgjidhja e vetme në interes të vendit e qytetarëve. Ata refuzojnë të pranojnë se vetë ky fakt, njësimi i tyre personal me fatin, vendin, interesin publik, Evropën dhe të ardhmen, është abuziv, irreal dhe tregues i një sistemi mendimi që nuk ka asnjë lidhje organike me vlerat e vërteta të demokracisë.

Duke aplikuar konflikte permanente rurale, duke imituar modelet negative brenda nesh, dhe duke kërkuar të formojnë turmat e tyre besnike, përveç të tjerash ata na mohojnë shansin të kemi qoftë edhe një model referimi pozitiv, një moral moral prej të cilit të mësojnë të tjerët dhe ku qytetarët të mbajnë gjallë shpresën e ndryshimit të nesërm. Mungesa e këtij modeli moral pozitiv e pamundëson ndikimin pozitiv të Tiranës politike në konfliktin rural në Prishtinë e Tetovë dhe anasjelltas, ndërhyrjen e Prishtinës apo Tetovës politike në konfliktet rurale të Tiranës.

Për pasojë, jo vetëm se në çdo rast zgjidhja pritet nga jashtë, faktori shqiptar dobësohet, privohemi nga modelet pozitive por edhe si qytetarë e shoqëri shfaqemi ashtu siç nuk duhet të jemi, - dukshëm larg standardeve, sistemit të vlerave dhe praktikave demokratike të modelit evropian në të cilin prej mëse dy dekadash gënjejmë votuesit se duam të integrohemi.

Zgjidhja e krizave të identitetit politik nuk vjen përmes skenarit të eliminimit politik të tjetrit, as nga praktikat e injorimit të mendimit ndryshe, as nga kauzat e mëdha që përfundojnë në shi gurësh mbi shtetin tënd, as nga kultura e gjakmarrjes së përjetshme në politikë. Zgjidhje nuk janë as importimet e formulave populiste apo aksidentale si në ndonjë vend fqinj, as pritshmëria se sëmundjet shërohen me kohën dhe as zbarkimi në Tiranë, Prishtinë e Tetovë çdo 3 muaj i ndonjë negociatori të huaj.

Zgjidhja mbetet e kundërta, - ikja prej këtyre praktikave dhe sjelljeve për t’i dhënë jetë fjalës, kritikës, mendimit, dialogut, transparencës, përgjegjësisë. Suksesi në politikë nuk matet asnjëherë me ditët, muajt, vitet apo dekadat që qëndron në pushtet, që sundon të tjerët, por me aktet, gjurmët, sjelljet dhe produktet konkrete ndaj qytetarëve, shtetit, shoqërive dhe sfidave të tyre.

Duke e harruar këtë, palët vendimmarrëse politike po lexojnë mësimin e gabuar, dhe në fund, duke e ngritur në sistem mësimin e gabuar ata po provojnë tezën se kush qeveris periferinë sundon, por asnjë rrugë e periferisë dhe kultura rurale nuk të ndihmon të arrish Evropën e vlerave, - projektin e munguar të shqiptarëve.
 

5 Komente

shume konstatim i drejte

Ne vazhdojme te mbetemi nje fshat fundor evropian...

Nuk ka gjuetar te vertete qe te mos kete edhe qifte edhe zagar. Une per zagarin kam respekt te veqante dhe nuk e di perse ka konotacion negativ.

Eshte nje kafshe qe i sherben te zotit kur ai del per gjah. I thone ne disa krahina dhe langua.

Po pse xhanem , kur eshte i njejti, merret negatvisht ne rastin e zagarit dhe jo negativisht kur i thone langua? 

Mbase nga ndryshimi qe langua perdoret vetem si qen gjuetie, ndersa zagari jo. Zagari i lef ( jo kafshon ) ndonje here dhe atij qe i jep buke per te treguar qe dhe ai di te lehe.

Ky ka keshilluar Berishen, Moisiun dhe Topin dhe nuk e marr vesh se pse ankohet nje njeri qe ka qene per 15 vjet keshillues i te parit te shtetit te dhjere shqiptar. Perse ankohet ? Se ky nuk eshte vitalist e qe te thuash eshte gjysmak.

Ky ka pas qen dhe lloi i Shepardit qe mund Ujqit or tie .Se i kalo kufijte dhe hudh sy edhe nga prishtina or tie

Zgjidhje nuk janë as importimet e formulave populiste apo aksidentale si në ndonjë vend fqinj..

Heu bre ? Afrimja kye ? E shkafja eshte shemtia me e madhe "populiste " jo vetem e Ballkanit por dhe Europes e me gjere pervecse Bajraktari Berisha , pjestim per funksionin si Makine MUTI per shtete MUTI !

Dhe ne se dikush thote "problemi zotrie " ky qeka eksiq ..qe ne titull dengela madh ! Zonat rurale thote ..smiley Po atje jane Votat o Fajlosof . Ku i di tie tek InteliDjenca qe ha bar ? Po , ka ngref problem  .

Flet per "Model" smiley   Ky s'ta mbush mendjen per Model , po ishalla i ecen . Paste fat !

Fat pati dhe LefTKopeja qe eshte rikthy ne Fronce me zbut Partine e Le penisit ! Dergue or tie bash me porosi te Funderrines Rurale sali Qenef berishes .  

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).