Nuk ndodh përditë që një ambasador amerikan të frymëzojë një personazh në një seri komike. Por pikërisht kjo i ndodhi Christopher Dellit, një ish ambasador në Kosovë, në vitin 2011 – dhe personazhi i tij nuk ishte aspak për t’u patur zili. Dell u satirizua si “Krye kodoshi” tek “Pimpsons”, një seri komike e realizuar nga artisti vendas Fisnik Ismaili, që përshkruante elitën politike vendase e cila komandonte demokracinë e Kosovës dhe ia shiste vendin ofertuesit më të lartë. Publikuar në Facebook, seria komike e paraqiste Dellin si monark, dhe në një prej karikaturave të saj, ai shfaqej duke treguar parate e Bechtelit, një korporatë amerikane ndërtimi dhe projektimi, që do i jepte në këmbim të ndihmës për biznesin, me qëllim që kompania të fitonte një kontratë 1 miliardë dollarëshe për ndërtimin e një rruge që nga shumëkush u pa atëherë si një ujdi e keqe për taksapaguesit kosovarë.

Ajo kontratë është reale: Autostrada 48 milje e Kosovës, me 4 korsi, u përfundua në nëntor 2013 për një shumë afro 1.3 miliardë dollarë – ose 25 milion dollarë për milje – sipas shifrave zyrtare të qeverisë, që iu dhanë një organizate ndërkombëtare në Prishtinë, kryeqyteti i Kosovës. Ishte projekti i punëve publike më i kushtueshëm në historinë moderne të Kosovës, si dhe një prej rrugëve me cilësi më të lartë në Ballkan.
Por sot, autostrada është praktikisht bosh, e përdorur në më pak se një të tretën e kapacitetit, sipas informacionit për trafikun të ofruar nga ekspertë ekonomikë ndërkombëtarë.

Rruga shtrihet në një prej xhepave më të varfër të Europës juglindore. Afro një e treta e kosovarëve jetojnë në varfëri (me më pak se 2.18 usd në ditë) dhe infrastruktura bazë është e dobët ose krejt e munguar; në vitin 2012, për shembull, 58 përqind e familjarëve raportonin ndërprerje të furnizimit me ujë. Deri në 2013, vetëm një në shtatë kosovarë kishte një makinë, gjë që i jepte këtij vendi një prej shifrave më të ulëta të pronësisë së automobilëve në Europë. Rripi i zi i asfaltit të autostradës tashmë bën kontrast me panoramën e fshatrave ballkanikë, sikur të vërë në lojë varfërinë që e rrethon, me një shaka mizore Dickensiane.

Kush supozohej se do ta përdorte autostradën e Kosovës? Përgjigja ende nuk është tërësisht e qartë. Megjithatë, e qartë është që autostrada është vetëm projekti më i fundit i ndërtuar nga Bechtel në Ballkan, që është shoqëruar me shqetësime në lidhje me praktikat e biznesit të korporatës ikonë, duke përfshirë çmimet e lartë, transparencën e ulët, dhe akuzat për korrupsion. (Bechteli mohon që këta shqetësime të jenë të vërtetë; zëdhënësja MIchelle Michael shkruante në një email: “Ne kryejmë në mënyrë etike çdo aspekt të biznesit tonë dhe të thuash të kundërtën është tërësisht e gabuar”).

Bechteli, kontraktori i tretë më i madh në SHBA për nga të ardhurat dhe i treti më i madh në nivel ndërkombëtar, sipas një liste të përvitshme që hartohet nga “Engineering News-Record” ka ndërtuar vitet e fundit autostrada të kushtueshme në Kosovë, Kroaci, Rumani dhe Shqipëri. Një investigim gjashtë mujor i kryer nga Programi i Gazetarisë Investigative i Universitetit të Kalifornisë – Shkolla e Gazetarisë së Berkeley ka zbuluar se këto autostrada kanë qenë jo shumë të dobishme për vendet ku u ndërtuan dhe se pjesëtarë të qeverive dhe institucioneve ndërkombëtarë kishin parë probleme që përpara se Bechteli (bashkë me partnerët e vet turq) të fillonte punën në terren.

Ambasadori Dell është emblematik për një tjetër shqetësim që përmendet prej kritikëve të Bechtelit: se projektet e saj të rrugëve në Ballkan e kanë bërë të paqartë vijën ndarëse mes politikës së jashtme të SHBA dhe interesave të korporatës. Delli foli publikisht në mbështetje të projektit të autostradës, kontrata për të cilën u firmos në prill 2010 – edhe pse institucionet ndërkombëtarë vunë në dyshim vlerën e kësaj rruge për Kosovën. Një raport i Bankës Botërore i majit 2010, për shembull, thoshte se vetëm 2 nga nëntë pjesët e rrugës (ato më pranë Prishtinës) do të ishin “të vlefshme ekonomikisht”, që do të thotë se pritej të sillnin një dobi ekonomike më të madhe se sa kostoja e ndërtimit dhe mirëmbajtjes. (Zbulimet bazoheshin në projeksionet për rritjen ekonomike të Kosovës deri në vitin 2032).

Delli u largua nga Prishtina në vitin 2012 dhe mori një tjetër pozicion diplomatik gjetkë, përpara se të dilte në pension në tetor 2013. Një muaj më vonë, Bechteli e punësoi si përfaqësuesin e vet në Mozambik. Sipas një deklarate që Delli firmosi me Departamentin e Shtetit ndërkohë që punonte ende aty, Bechteli kishte diskutuar fillimisht me të një ofertë pune në korrik 2012, një muaj përpara se ai të largohej nga Kosova në mesin e ndërtimit të autostradës.

Pasi i telefonuam në Mozambik, Delli refuzoi të bëjë komente për këtë lajm. Gjatë një interviste përmes telefonit, Charlene Wheeless, zëvendës presidente e Bechtel për çështjet globale, e përshkroi si “shpifje” çdo sugjerim për një konflikt interesi mes punës së Dellit si ambasador në Kosovë dhe çdo biznesi që ai “dha një dorë” për të gjeneruar për punëdhënësin e ardhshëm. Ajo tha se Delli ishte punësuar për shkak të ekspertizës së tij dhe punës në Afrikë. Michael shkruajti gjithashtu se kompania dhe Delli ndoqën të gjithë politikat dhe procedurat e Departamentit të Shtetit në marrjen në punë të ish ambasadorit.

Por në Kosovë, edhe Bechteli, edhe Delli vazhdojnë të përballen me kritika të forta. “Askush nuk ishte kundër rrugës, por ne ishim kundër mënyrës si u kontraktua dhe u ndërtua”, tha Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv i Institutit Riinvest për Kërkim dhe Zhvillim në Prishtinë. “Ne mund të kishim ndërtuar një rrugë shumë të mirë dhe sërish të kishim shumë para të mbetura për kujdesin shëndetësor dhe arsimin”.
Të njëjtat gjëra thuhen edhe për projekte të tjerë të Bechetlit në vendet fqinjë.

E krijuar në vitin 1989, Bechtel është një kompani private, tashmë në duart e brezit të pestë të familjes, emrin e të cilës ka marrë. Ajo ka shfaqur një talent për fitimin e kontratave të mëdha dhe zgjerimin e projekteve të vet në një sërë fushash, duke përfshirë transportin, naftën dhe gazin, si dhe minierat. Ajo njihet ndoshta më mirë për ndërtimin e Digës Hoover dhe Chunnel. Projekte të tjerë përfshijnë Sistemin e Naftësjellësit Trans-Alaskian si dhe Silver Line në sistemin e metrove të Uashingtonit. Të ardhurat e Bechtel për 2012-ën ishin 38 miliardë dollarë, dhe kompania ka afro 53 mijë të punësuar në pothuajse 40 shtete.

Kompania ka përdorur prej kohësh zyrtarë me pozitë në Departamentin e Shtetit dhe agjenci të tjera qeveritare për të siguruar kontrata ndërkombëtare; njohuritë diplomatike, eksperienca dhe kontaktet kanë luajtur role jetikë në vendosjen e kompanisë si një aktor madhor në sektorin e ndërtimit në nivel ndërkombëtar. Ka gjithashtu edhe një derë që rrotullohet mes Bechtelit dhe qeverisë së SHBA, teksa disa ish diplomatë i bashkohen kompanisë ndërkohë që disa ish drejtues të Bechtel dhe punonjës të niveleve të lartë marrin pozicione publikë në shërbimin e jashtëm dhe gjetkë. Burimet thonë se në këmbim, mikpritja e Bechtelit është shndërruar në një sinjal të gatishmërisë së vendit të huaj për të bashkëpunuar me SHBA, madje edhe për të mbështetur interesat e Amerikës jashtë vendit. “Ka një ndjesi sikur, nëse punon me Bechtelin, njerëzit në Uashington do të buzëqeshin dhe do të mendojnë më pozitivisht për vendin tënd si partner”, thotë Mathew Bryza, një ish ambasador i SHBA në Azerbajxhan, i cili tashmë ka dalë në pension. “Të punosh me Bechtelin të bën automatikisht të vlefshëm si një vend të lidhur me botën ku veprojnë aktorët e mëdhenj”.

Nuk ka dyshim që nixtja e interesave të biznesit të kompanive amerikane jashtë vendit është në portofolin e çdo diplomati të SHBA. Zyrtarë të qeverisë argumentojnë se përpjekje të tilla janë në dobi të SHBA ekonomikisht, sepse krijojnë eksporte dhe vende pune. Por rendja drejt fitimeve privatë, thonë kritikët, mund të bjerë ndesh me interesat e politikës së jashtme, sidomos kur projektet mund të shkaktojnë dëme në vendet ku realizohen.

Rasti i David Welch, i cili u mbulua gjerësisht nga media disa vite më parë, është mbajtur si një shembull i këtyre shqetësimeve. Asistent sekretar i Shtetit për cështjet e Lindjes së Afërme në kohën e George W. Bush, Welch udhëhoqi negociatat në vitin 2008 për normalizimin e marrëdhënieve mes Libisë dhe SHBA. Më pas, ai zuri një pozicion të lartë tek Bechtel. Në gusht 2011, teksa sulmet ajrorë të NATO-s përpiqeshin të largonin Ghedafin nga pushteti, Welchi këshilloi zyrtarët e regjimit se si të qëndronin në pushtet duke ofruar informacione të dëmshëm për rebelët libianë tek agjentët miqësorë të shërbimeve të fshehtë, sipas dokumentave që u gjetën më vonë në Tripoli. Në atë kohë, Bechteli kishte një kontratë për ndërtim hidrocentralesh në Libi. Kompania nxorri një deklaratë ku thoshte se çdo veprimtari apo koment që i ishte atribuar Welchit ishte “e një natyre personale dhe nuk lidhej me veprimtarinë e bzinesit të Bechtel”.

Historia e mbushur me polemika e Bechtelit në Ballkan shkon pak më tej. Teksa luftërat në ish Jugosllavi shkonin drejt shuarjes në fundin e viteve 1990, dhe zhvillimi ekonomik postkomunist ecte përpara, Bechtel pa një shans të madh: Rajoni kishte shumë nevojë për infrastrukturë moderne. Në vitin 1998, komapnia firmosi një kontratë për ndërtim rruge në Kroaci, e negociuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me qeverinë dhe pa tender. Kur ministri i jashtëm kroat loboi për një kontratë të dytë rruge të negociuar në të njëjtën mënyrë, u zbulua se ai kishte punuar më parë për kompaninë ligjore amerikane Patton-Boggs, e cila kishte një kontratë lobimi me Bechtelin. E gjendur nën trysninë e Bashkimit Europian, Kroacia e braktisi kontratën dhe zhvilloi një tender publik.  Më vonë, në Rumani, Bechteli negocioi në mënyrë të drejtpërdrejtë një tjetër kontratë në vitin 2003, për të modernizuar rrjetin pothuajse joekzistent të autostradave në vend, për 2.7 miliardë dollarë. Projekti u shndërrua në një makth 10-vjeçar për të dy palët, i mbushur me vonesa, mosmarrëveshje, dhe akuza të ndërsjellta për korrupsion dhe keqmenaxhim. Sipas Economist Intellgence Unit, Bechteli në fund ofroi 12.5 përqind të rrugës me afro 64% të cmimit të kontratës. Kontrata u anulua në maj 2013, dhe Kryeministri rumun Victor Ponta tha se do të përdoreshin fonde shtetërorë për të paguar 113 milioinë dollarë shtesë në borxhe dhe dëme.

Në prill të vitit 2008, qeveria e Kosovës publikoi një tender për “shprehje interesi” nga kompanitë, për ndërtimin e një autostrade të re nga Prishtina deri në kufirin me Shqipërinë, ku do të lidhej me një tjetër autostradë të ndërtuar po pnga Bechtel. (Autostrada tjetër ishte tashmë nën ndërtim dhe do të përfundohej në vitin 2010). Sipas Ministrisë së Infrastrukturës të Kosovës, Bechteli ishte njëra prej dy kompanive ofertat e të cilave u konsideruan tërësisht për projektin e autostradës. Ambasada e SHBA ndihmoi kompaninë që të lobonte në qeveri për të përzgjedhur propozimin e saj – një praktikë e zakonshme për kompanitë amerikane që kërkojnë kontrata në vende të huaj.

Por, në Kosovë gjërat funksionojnë pak ndryshe në krahasim me vende të tjerë: Atje, ambasadori i SHBA ka fuqi të jashtëzakonshme. Kjo për shkak të rolit të padiskutueshëm udhëheqës që SHBA luajti në fushatën 78-ditore të bombardimeve kundër Millosheviçit në vitin 1999, që e futi Kosovën në rrugën e ndarjes nga Serbia. Për më shumë se 15 vjet, zyrtarët amerikanë kanë qenë pjesë integrale e ndërtimit të institucioneve të Kosovës. “Ambasada në Prishtinë ka një ndikim të gjerë dhe të pazakontë mbi politikat dhe veprimet e qeverisë së Kosovës”, thuhet në një audit të brendshëm të inspektorit të përgjithshëm të Departamentit të Shtetit në vitin 2010. “Kjo shkon përtej avokimit tradicional dhe zyrtarët e Kosovës konsultohen me përfaqësuesit e SHBA në mënyrë të përditshme për veprimet e tyre, të mëdhenj e të vegjël”.

Kjo marrëdhënie shtrihet edhe tek biznesi. “Rregulli është që vendi që bombardon është edhe vendi që merr kontratat”, tha një konsulent perëndimor me shumë vite përvojë në Ballkan. “Bombat kushtojnë”.

Dellit, që u bë ambasador në vitin 2009, me sa duket i ka lezetuar roli i pushtetshëm. Ai fitoi reputacion për ashpërsinë e tij si dhe për faktin se nuk druhej të ndërhynte në politikën e brendshme të Kosovës. Shumë diplomatë në Prishtinë thonë se ai njihej për personalitetin agresiv. Disa grupe të të drejtave të njeriut gjithashtu shprehën shqetësime. Reporterët pa Kufij, për shembull, e kritikuan publikisht Dellin në vitin 2011, pasi ai akuzoi organizatat e mediave lokale për shkelje të kodit penal pasi kishin botuar mesazhe të shkëmbyer mes tij dhe një ndihmësi të politikanit Behgjet Pacolli, ku Delli ofronte këshilla përpara një votimi parlamentar që i dha Pacollit presidencën e vendit. “Komentet e ambasadorit përbëjnë një sulm të papranueshëm ndaj medias kosovare”, deklaroi organizata. “Kontaktet mes presidentit të ardhshëm të Kosovës dhe ambasadorit të një vendi me shumë ndikim gjatë një zgjedhjeje shumë të rëndësishme dhe në një kohë me shumë tension politik, sigurisht që përbënin një çështje me interes publik”. Agron Bajrami, botues i Koha Ditore, tha në një intervistë se “ai vazhdimisht na vinte në shënjestër pas kësaj. Delli ishte në luftë me ne”.

Pak vetë kishin dyshime se Delli e kishte fuqinë të ndikonte, në mos diktonte, vendimet e qeverisë. Në fakt, shumë kosovarë ndienin se ai kishte shkuar shumë larg gjatë mandatit të tij si ambasador, duke u vendosur si “kingmaker”. Në një shembull të profilit të lartë, kur zgjedhja e Pacollit u konsiderua jokushtetuese – pas një ankese që lidhej me kuorumin në parlament – partitë politike ngecën në përpjekjen për të zgjedhur një president të ri. Delli ndërmjetësoi një marëveshje dhe u shfaq me udhëheqësit e partive në televizion për të shpallur emrin e një udhëheqëseje të re, relativisht të panjohur.

Pasi Bechteli paraqiti ofertën e vet për autostradën, sipas intervistave me zyrtarë të institucioneve ndërkombëtarë, Delli i bëri presion qeverisë së Kosovës jo vetëm që të zgjidhte Bechtelin, por edhe të firmoste një kontratë me kushte që ishin të favorshme për kompaninë. Ndërkohë, sipas këtyre burimeve, një koalicion i gjerë që përfshinte Bankën Botërore, FMN, ambasadat europiane, OJF-të dhe think tanke kundërshtuan ofertën e Bechtelit – ndonjëherë publikisht, ndonjëherë privatisht. Ata kishin shqetësime se procesi i tenderit dhe negociatat nuk kishin patur transparencë, dhe se projekti i propozuar ishte kaq i tepruar, saqë mund të dëmtonte stabilitetin ekonomik të Kosovës. Shqetësim të veçantë paraqiste çmimi për njësi i kontratës, që nënkuptonte se fatura përfundimtare e autostradës do të mësohej vetëm kur të kishin përfunduar të gjithë punimet. Kjo linte të hapur mundësinë që kostot të shkonin në stratosferë.

Kritikët shqetësoheshin gjithashtu se qeveria e Kosovës po lejonte ambasadën e SHBA të shtynte për një vendim të gabuar. Në një shkëmbim letrash private të fillimit të vitit 2010, që u vunë në dispozicion për këtë artikull nga një burim konfidencial, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi protestoi tek Jane Armitage, koordinatore rajonale e Bankës Botërore për Europën juglindore, se përfaqësuesi i bankës në Kosovë kishte keqinformuar për “mënyrën se si qeveria ime menaxhon tenderat e rëndësishëm”, duke deklaruar se kishte zgjedhur Bechtelin nën trysni nga ambasada e SHBA. Përkundrazi, shkruante Thaçi, “Ky vendim bazohej në interesin më të mirë të Kosovës”. Armitage iu përgjigj Thaçit një javë më vonë duke thënë se plani i autostradës “nuk dukej se ishte ekonomikisht i shendetshem” dhe se përdorimi i mirë i burimeve të pamjaftueshëm publikë kërkonte “tenderë të hapur dhe transparentë, shpërndarje efiçiente të risqeve dhe detyrime financiarë të mbuluar”. Ajo paralajmëronte gjithashtu se detyrimet financiarë të pambuluar “mund të dëmtojnë performancën makroekonomike, deri në pikën e destabilizimit të një ekonomie të vogël”.

Këshilltari ligjor i qeverisë së Kosovës në tender, kompania britanike Eversheds gjithashtu këshilloi klienten e saj të mos e firmoste kontratën me Bechtelin. Evershed bëri të ditur se oferta e Bechtelit nuk ishte në përputhje me ftesën për tender, sepse nuk përfshinte një çmim fiks dhe një projekt specifik. Procesi i tenderit gjithashtu nuk u konsiderua “konkurues” sepse vetëm një ofertë tjetër ishte marrë në shqyrtim (një kompani austriake). Kushtet e kontratës “nuk pasqyrojnë një ujdi të mirë për qeverinë e Kosovës”, shkruante troç kompania ligjore në një memo të datës 5 shkurt 2010 dhe që për këtë raportim, na e ofroi burimi konfidencial. Cmimi 551 225 824 që u ofrua nga Bechtel ishte, nga pikëpamja kontraktuale, “asgjë më shumë se sa një vlerësim jodetyrues”.

Pavarësisht paralajmërimeve, qeveria e Kosovës e firmosi kontratën me Bechtelin në prill 2010. Delli ishte i pranishëm. Nuk kishte patur praktikisht aspak debat publik dhe shumë pak informacion ishte vënë në dispozicion në lidhje me planin e kompanisë për autostradën. Ministria e Infrastrukturës nuk iu përgjigj kërkesave të vazhdueshme për intervistë për këtë artikull dhe ajo refuzoi të ofrojë kontratën për autostradën, duke përmendur Ligjin e Prokurimeve të Kosovës, që e pengonte ta bënte këtë gjë sepse “dokumenti mund të përdoret nga konkurenca”.
I vetmi zyrtar tjetër ndërkombëtar në gjendje të kundërshtonte dhënien e kontratës për Bechtelin dhe të konkuronte me ndikimin e Dellit tha se ambasadori i SHBA e largoi nga procesi. Pieter Feith, një diplomat holandez karriere, ishte përfaqësuesi civil ndërkombëtar i zgjedhur të mbikëqyrte tranzicionin e Kosovës drejt pavarësisë. Nga viti 2008 deri në 2012, Feithi kishte një portofol të gjerë, që mbulonte çështjet ekonomike, politike dhe sociale.

Por kur Feithi kërkoi ofertën e Bechtelit dhe informacion në lidhje me implikimet e saj buxhetore, ai tha se zyrtarët e qeverisë së Kosovës refuzuan – dhe se Delli ishte në anën e tyre. “Thënë formalisht, mua më lanë jashtë”, kujtonte Feithi në janar të vitit që kaloi.
“Mendova se ishte shumë e çuditshme që ambasadori i një vendi perëndimor do të merrte një pozicion kaq kundërshtues ndaj këshillës së FMN”, shtoi ai. “Ne normalisht i mbështesim analizat e FMN dhe Bankës Botërore”.

Feithi e përshkroi misionin e vendeve perëndimorë që punojnë në Kosovë si ndërtim të një qeverie demokratike dhe të qëndrueshme, luftim të korrupsionit, mbrojtje të minoriteteve etnikë dhe forcim të sundimit të ligjit. “Ishte e paimagjinueshme”, tha ai, “që për shkak të interesave të biznesit, këto gjëra mund të shmangeshin”.

Me kalimin e kohës, çmimi i procesit do të dyfishohej, duke i kushtuar 20 përqind më shumë GDP-së së Kosovës. Një raport i FMN i 2012 kish gjetur se autostrada “rëndonte shumë” mbi buxhetin e Kosovës dhe do të mund të paguhej vetëm “duke rritur defiçitet” si dhe “shkurtuar shpenzime të tjera kapitale”. Me fjalë të tjera, projekti mori burime që mund të ishin përdorur për ndërtim shkollash dhe spitalesh; u neglizhuan edhe rrugët lokale, 95% të të cilave janë në kushte shumë të këqia, sipas Bankës Botërore – më të këqiat në Ballkan.

“Ishte një humbje kolosale e parave publike”, tha Andrea Capussela, drejtor ekonomik i Zyrës Civile Ndërkombëtare, institucioni që më herët drejtohej nga Feith. “Kjo rrugë ishte projektuar për Kosovën e pas një brezi”.

Duke përmendur një marrëveshje konfidencialiteti me Bechtelin, qeveria e Kosovës refuzoi kërkesat për detaje financiarë të marrëveshjes së autostradës, nga ligjvënës dhe gazetarë. Megjithatë gjithmonë e më shumë informacione dolën dhe zemërimi i publikut erdhi duke u rritur. “Pimpsons” ishte padyshim një shembull kriticizmi. Pyetjet nga deputetët e parlamentit të Kosovës u bënë gjithnjë e më të shënjestruara.

Teksa kritikat erdhën duke u shtuar, Kryeministri Thaçi dhe Delli e mbrojtën publikisht projektin. Delli tha se rruga ishte një investim i suksesshëm në infrastrukturë dhe do të shërbente si motorr për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Dhe kur u vu në dyshim transparenca e procesit të prokurimit të Bechtelit, Delli ishte kategorik në mbështetjen e tij. “Unë nuk kam problem me mënyrën se si u krye transaksioni”, tha ai në një intervistë televizive në vitin 2010. “Mendoj se ishte transparent dhe i drejtë. Eshtë procesi më transparent që kemi parë në Kosovë deri sot”.

Nuk dihet publikisht se çfarë fitimi nxorri Bechteli nga projekti. Wheeless tha se kompania nuk u përgjigjet pyetjeve për fitimet duke thënë se “ne nuk angazhohemi dhe bëjmë gjykime për klientët tanë potencialë për mënyrën si duhet t’i shpenzojnë dollarët e tyre. Ne i qëndrojmë ekspertizës sonë, që është si të ndërtojmë rrugë dhe si të ndërtojmë rrugët më të mira në mënyrën më të mirë të mundshme”. Por një ekonomist i Bankës Botërore, duke folur në kushtet e anonimatit, vlerëson se fitimi i Bechtelit në projekte si i autostradës së Kosovës është zakonisht afro 30% – dhe provat nga projekti në Shqipëri tregojnë se mund të jetë vërtetë kështu.

Sipas një veterani të Bechtelit, qeveritë e Ballkanit kanë zgjedhur kompaninë për për projektet sepse ajo ka vërtetuar që ofron produkte cilësore edhe në kohë të shkurtëra. “Historia e infrastrukturës në Ballkan është e mbushur me performanca të këqia”, tha Charles Redman, një zëvendës president te Bechtel nga 1996 deri në 2008 dhe diplomat karrierë në pension.

Redman ka punuar direkt me qeverinë e Shqipërisë – por atje, kontrata e Bechtelit çoi në probleme seriozë, që rezultuan në procese gjyqësorë.
Në vitin 2006, Redman gjeti një kryetar qeverie shumë të vendosur për të realizuar një projekt madhor: Kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, i cili kishte vendosur të ndërtonte “Rrugën e Kombit” që do të lidhte portin e Durrësit në Adriatik me kufirin me Kosovën, një prioritet i administratës së tij që u vu në qendër të fushatës për rizgjedhje në vitin 2009. Banka Botërore kishte ofruar të ndihmonte Shqipërinë për të financuar dhe përgatitur një procedurë tenderi për kontraktorë vendas, për ndërtimin e rrugës me dy korsi. Ekonomistët e BB thonë se rruga më e vogël do të kishte kushtuar sa një e treta – duke i kursyer afro 700 milionë dollarë fondeve publikë, ose afro 5% të GDP të Shqipërisë – dhe do të kërkonte më shumë kohë për procedurën e tenderit dhe ndërtimit, nga sa ndodhi. Por Berisha këmbënguli për një autostradë me katër korsi dhe ai e donte shpejt. Bechtel ishte e lumtur të ndihmonte.

Një kabllogramë e vitit 2006 e Departamentit të Shtetit që u nxorr nga Wikileaks citonte Ministrin shqiptar të Transporteve, Lulzim Basha, që i thoshte ambasadorit të SHBA në vend se Tom Ridge, ish sekretari i brendshëm i SHBA dhe atëherë këshilltar i Berishës, do të shihte propozimin e Bechtelit për qeverinë Berisha dhe do të ofronte rekomandime si të kapërcenin objeksionet e Bankës Botërore. Sipas kabllogramit, “Basha mendon se Ridge mund t’i kërkojë të vijë në Uashington për të promovuar projektin”.

Në fund projekti vijoi përmes një procedure të veçantë të përshpejtuar, dhe pa kaluar shumë kohë, detajet e biznesit dolën në dritë. Arben Meçe, një inxhinier ndërtimi në Ministrinë e Punëve Publike në atë kohë tha se ishte i tronditur nga çmimet e materialeve që kishte vënë Bechtel, duke i përshkruar si disa herë më të lartë se ata të tregut. I shqetësuar, Meçe kontaktoi prokurorët dhe ofroi detaje për atë që e përshkroi si “korrupsion”.

Basha dhe Andi Toma u akuzuan në 2008 me dy akuza për abuzim me detyrën dhe shkelje të procedurave në mënyrën se si zgjodhën konsulentin për procedurën e tenderit që  i dha kontratën Bechtelit dhe në mënyrën si negociuan kontratën. Prokurorët argumentuan se dyshja i shkaktoi dëm shtetit duke pranuar çmime për njësi shumë më të lartë se ata të ofruar nga kompanitë e tjera dhe duke lejuar punën të fillonte pa një plan dhe pa kosto fikse të përcaktuara (ashtu si në Kosovë, edhe në Shqipëri projekti bazohej në një kontratë me çmim për njësi). “Ne nuk gjetëm askund prova që qeveria shqiptare të ketë thënë se çmimi i propozuar nga Bechteli ishte shumë i lartë”, deklaroi ish Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama. Në kohën e ngritjes së padisë, ajo llogariti se dëmi ndaj shtetit ishte 337 milionë dollarë.

Ishte hera e parë që bëhej padi për korrupsion ndaj një ministri në detyrë në historinë postkomuniste të Shqipërisë. Cështja u mbyll në prill 2009 mbi baza proceduriale. Rruga përfundoi në 2010, pikërisht kur nisi puna në Kosovë. Berisha, i cili nuk është më në detyrë, tha në një intervistë se prokuroria ishte “tërësisht e motivuar politikisht”.

Në mars të 2014, FMN miratoi një kërkesë për hua prej 457 milionë dollarësh nga Shqipëria, pjeserisht për të paguar borxhet e shkaktuar nga projekti i Bechtelit. Raporti i borxhit publik ndaj GDP është rritur nga 56% në vitin 2006, kur u ndërtua rruga, në 71% në 2013. Sipas deklaratës financiare të lëshuar nga Bechtel tek autoritetet tatimore shqiptare, fitimi i kompanisë ishte afro 32% – ose 400 milionë dollarë – pothuajse aq sa huaja e FMN-së. Një kabllogramë e ambasadës së SHBA e nxjerrë nga Wikileaks e përshkruante projektin si “shumë fitimprurës për Bechtelin”.

Për t’u kthyer në Kosovë, qeveria Thaçi vitin që kaloi e vlerësoi autostradën e Bechtelit si një projekt që do të rriste tregtinë, turizmin dhe lidhjet më të ngushta në rajon. Për shembull, zyrtarët thanë se ishte shumë e volitshme për kosovarët që shkojnë në verë të pushojnë në brigjet shqiptarë të Adriatikut: udhëtimi nga Prishtina në det është shkurtuar në 4 orë, nga 9.

Megjithatë në realitet, dobia ekonomike e premtuar e Autostradës së Kosovës nuk ka arritur të materializohet. Vetëm një pjesë e vogël e tregtisë së Kosovës ishte me Shqipërinë përpara se të ndërtohej rruga dhe po kështu është edhe sot. Pjesa e eksporteve të Kosovës që shkojnë në Shqipëri është rritur nga 10.4% në vitin 2010, në 14.9% në 2013, sipas Agjencisë kosovare të Statistikave. Përqindja e importeve të Kosovës që vijnë nga Shqipëria – shumë më të mëdhenj në vëllim – është rritur nga 3.2% në 4.5%.

Pavarësisht polemikave të vazhdueshme për projektin e autostradës, Bechtelit iu dha një kontratë e dytë në Kosovë vitin që kaloi, një autostradë 40 milje nga Prishtina në kufirin me Maqedoninë. Kontrata u shndërrua në një çështje fushate në zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, teksa të dy partitë e mëdha të opozitës premtuan ta anulojnë.

Sot, ambasadori Christopher Dell punon në Mozambik por kritikat për kohën që qëndroi në Prishtinë vazhdojnë ta ndjekin. Një incident që ndodhi dy javë pas firmosjes së kontratës së autostradës së Kosovës, sipas kritikëve, tregon ndikimin që kishte Dell dhe veprimet e dyshimtë që ai bëri ndonjëherë si ambasador.

Në prill 2010, policë të armatosur të EULEX, kryen aksione në zyrat dhe rezidencat familjare të ministrit të atëhershëm të transportit, Fatmir Limaj. Sipas deklaratës së Eulex, këto aksione ishin “pjesë e një investigimi për disa tendera që lidheshin me ndërtime rrugësh në Kosovë në periudhën 2007-2009”, që mund të kenë përfshirë edhe tenderin e fituar nga Bechtel.

Delli kishte tërhequr shumë kritika për faktin që kish punuar ngushtë me shumë zyrtarë të korruptuar të qeverisë së Kosovës, përfshirë Limajn; i zemëruar, një këshilltar i policisë në Kosovë që mori pjesë në aksione tha se “unë po përpiqem t’u vë prangat atyre, ndërsa ai u jep shampanjë”. Pas aksioneve të policisë, sipas Pieter Feith, Delli propozoi dhënien e një posti diplomatik për Limajn në SHBA, ndoshta si konsull i përgjithshëm i Kosovës në Nju Jork, me qëllim që ta largonte nga procedimi ligjor. Feith thotë se Delli e diskutoi këtë mundësi në një nga takimet e përjavshëm. “Mendova që ishte ide e keqe sepse do të çonte më tej drejt pandëshkueshmërisë”, tha Feith. “Do të sprapste përpjekjet tona për të çrrënjosur korrupsionin dhe krimin e organizuar”. Ai shtoi se, në fund, Uashingtoni nuk e konsideroi të realizueshme idenë.

Pothuaj katër vjet më vonë, Limaj dhe katër të tjerë u dënuan në 2014 nën akuzat për korrupsion për projektet e rrugëve – ndonëse jo për atë të ndërtuar nga Bechtel. Deri sot nuk ka patur asnjë padi në lidhje me autostradën. 
 

Matthew Brunwasser është gazetar investigativ që punon në Ballkan. Raportimi për këtë artikull u mbështet nga Programi i Gazetarisë Investigative në Universitetin e Kalifornisë, në Shkollën e Gazetarisë së Berkeley

Foreign Policy.  Përktheu bota.al

33 Komente

Probleme ka dhe me autostraden politike Shqiperi-Kosove. Zyrtaret e Shqiperise ne KiE shkojne per te ngrene pizza kur Kosova debaton me Serbine ne KiE. 

Xhib, le nam. E thate nje here kete per nje mbledhje ku shqiperia as qe ishte pjese. Ju pergenjeshtruan te gjithe e ju telendisen.

Ankohuni per bunkiere e jo per infrastrukture.

Skllav

Mirditor*

Edhe sot e kesaj dite nuk dihet ende shuma reale e rruges Durres-Kukes, po me e keqja eshte se ajo ende nuk ka mbaruar. Ajo u be pa asnje studim real dhe eshte teresisht bosh ne dimer. Fare mire mund te ishte ber me 2 korsi. Po keta atdhetaret e pd-se na dilnin me parrullen eshte RRUGA E KOMBIT, duke harruar qe ishte VJEDHJA E KOMBIT.

Kane bere mire qe e kane bere me 4 korsi pavaresisht prej trafikut te ulet pasi zgjerimi i saj kur eshte ne funksionim do te ishte teper i komplikuar.infrastruktura eshte gje e mire tjeter se qeveritaret te dyja krahet nuk kane mend ta shfrytezojne per rritjen ekonomike.

Me falni, po ju jeni gje eksperte per planifikimin e rrugeve te reja? E di si thu ti, hajde te marr borxh nje mal me para dhe te ndertoje nje vile me tre kate e me nja 8 dhoma per kat, pavaresisht se jom vet i dyte, pasi mbas nja 10-15 vitesh do te behem me 3 apo 4 femije, dhe kur ata/ato te krijojne familjet e tyre te kene se ku te rine. Po mire, po keto borxhe qe merr a kane interesa qe duhen paguar ? Po borxhi vete a duhet kthyer? Po pse duhet ta marresh kur akoma nuk ke pjellur? Lind njehere te parin, e pastaj te dytin, e pastaj te tretin dhe perfundo katin e pare. Pastaj kur femijet te rriten secili vete hedh nga nje kat. Ah, nese shqiperia do te ishte Kuvajti, pra qe te kishte para me teprice jam dakort me ty-ku ka me bukur sesa te udhetosh ne nje autostrade te tille komode dhe pa qarkullim. Eshte njesoj sikur lahesh ne nje det pa milet, i gjithi per qejfin tend.

O momdhetar i nderuar , bej hesap koston e mobilizimit dmth te ngritjes se fabrikes se betonit , kantierit rrugeve ndihmese etj si edhe koston e cmobilizmit e cila eshte e njejte nese e ben rrugen me 2 korsi apo me 4 dhe ze nje peshe te mire ne koston e rruges , mos te llogarism edhe koston e ngadalesimit te trafikut kur ben punime shtese, apo faktin se pas 20-30 vjetesh mileti do gajasen me ty po tu ofrosh 500 euro ne muaj, dhe do shikoc se te bie me lire pavaresisht se harxhon me teper para kur e ben njehere e mire se sa ta zgjerosh pasi e ke ndertuar..

he, pa boje ti hesapin...se jam i sigurt qe ska per te dal

Alba eshte eksperte e gjuthckaje, qe nga linguistika der te unazat e saturnit. 

Ne fakt ajo rruge mund te ishte ber me 2 korsi dhe kurseje 700 milion euro qe i investoje ne shendetesi, arsim dhe bujqesi. Ajo rruge ate fluks me kater korsi do ta kete pas nja 20-30 vjetesh.

As atere e askurre sdo ta kete. Po flet per vende te lodhura jo per hollande e danimarke. 

“Rregulli është që vendi që bombardon është edhe vendi që merr kontratat”, tha një konsulent perëndimor me shumë vite përvojë në Ballkan. “Bombat kushtojnë”.

Thats right bitches: "Bombat kushtojne"

Ballkansit kan lujt ne bythe. Greket habiten qe gjermoni nuk u fal borxhin. Shqiptaret e Kosoves skandalizohen qe Amerikonet morin tendrat per autostradat. 

Gjithcka mun te ket bo vaki, por shifra me duket si e marre prej llogaritareve ...serbe ! 

Rono, po te ve ne djeni  se neser mbasdite kena takim ke Ujvara..,Ka zbrit ne Tirane " Kajani " Ja po deshe, tju pajtojme un e alidemsi .Nuk ke rast me te mire...

2 miliarde e ca ka kushtuar rruga e kombit...qarkullimi 0... Kaja ijen...

Bechtelin e kena pagu jo per bombat, po me hy ne NATje...smiley

Westley Clark fshihesh pas kontrates se Bechtel ne Kosove..Bechtel fitoi dhe ca kontrata $2.3miljardeshe ne Irak shumicen e te cilave as qe mori mundimin ti fillonte

Gjykojeni kur te kaloni mbi ate rruge. Vetem atehere do ta kuptoni madheshtine e asaj rruge. 

Ajo rruge meriton emrin rruga "Sali Beeerisha"

cila rruge more? ajo pa ura? apo ajo pa korsi? 

Ajo rruge do dhe 500miljone euro te mbaroje.

Dukesh qe ske dal asnjehere jashte, se ajo as si autostrade nuk klualifikohet dot. Ik deri ne Selanik dhe shih rrugen Kapshtice-Selanik ose rruget ne gjermani, france a spanje dhe hajde fol. Po ske faj po bere rrugen shpi-bilardo-pike bastesh edhe kaq jane shume per intelektin tend.

Ore se na u bete te merzitcem juve me keto pallavra. Pse mo iu vjen kaq inat per rrugen? Perse ju vjen kaq inat per zhvillimin e kesaj zone malore qe kurre nuk eshte vene dore mbi te me perpara? Dhe tani qe dikush vuri dore mbi te ju villni vrer? Turp te keni. Na u bete te bezdisshem me keto deklarata riprodhime te disa njerezve te paskrupullt.
 

Po shoku demokrat, po mos do ishte me mire, se helbete jemi dhe ne kapitalizem, qe keto investime te kishin pak prioritet, te kishin nje studim fizibiliteti dhe jo "bijte e eterve jane kunder rruges zotrie"?

Se kapitalizmi zotrie, te thot qe investimin ta bosh aty ku do tregu, merr vesht, jo aty ku do partia dhe salia merr vesht.

shume mire kane bere qe e kane bere me 4 korsi.  puna eshte te vjedhja e fondeve dhe jo tek gjeresia e rruges.   ja ,shikoni rruget nga librazhdi,nga gjirokastra,nga lezha,qe jane vajtje-ardhje,per ibret te zotit!  te bllokuara nga qarkullimi,plot aksidente!  as 10 vjet mbasi u bene vijne rrotull per ti zgjeruar!  rruget duhet te behen me nje kendveshtrim 40-50 vjecar ,e jo te nderhyhet cdo 5 vjet!

2 korsi kane thene specialistet, jo me 4 ka thene toci kuklles kminister se do te fitoje zgjedhjet duke dale para popullit me patos per lahute e cifteli me emra bombastike 'rruga kombit'. Zulutë vene ashtu emrash, kombet normale vene emra rruga A1 apo thjesht durres-kukes. Vuuu leket pa hesap amerikanit se kush e ka mire me ameriken siguron pushtetin per vite me radhe. Nderkohe qe nje firme austriake mund ta bente kte rruge per gjysmen e atij cmimi. Mos i gezofshin kurre paret ata qe kan perfituar nga parja fakirit 

Eshte veper e veshtire ne mal dikur trafiku ka per te justifikuar 4 korsi por eshte me lire ta besh tani se sa te te presesh 20-30 vjet kur kostoja e gjithshkaje do jete me e larte.Sa per ilustrim po te kish degjuar gjermanin me 100 milione marka ne kohe te dulles mund te mbushej me autostrada gjithe shqiperia tani me aq pare nuk nderton dot as tirane-durres.

Alba Financierja smiley

Jo po ta benin portative, montoje ne vere e hiqe ne dimer. Kjo rruge bashkoi kombin dhe ka vlere gjeo-politike, para se te kete ekonomike. Sa per hajdutlliqet, s'ka ndertim pa te tilla, prandaj gjithe politikanet jane ne dashni me kete zeje. Po s'do men qe amerikoni do ta merrte, apo t'ia jepnin rusit.

Cqt qe na vjedhin mejllaf se kudo vjedhin. Taman mentalitet skllavi. Vk pra kot sa diskutojme. Dhe kto vlerat gjeopolitike jan pordh me rigon e vijne era nacionalizem bombastik.  E vetmja vlere qe ka je rruge eshte ajo utilitare, sa kushton e sa nxjerr. Kaq lale. Te tjerat jane variacione per muzike dhime me lahute e cifteli. Kte rruge jam i sigurt qe ta kishte qa nje komp austriake apo italiane per gjys cmimi. 

Brunwasser ??? mbiemer i dushimte ....

I gjithe artikulli perpiqet te hedhe balte mbi miqesine USA - Albania.

E di valle ky se sa miljarda dollare harxhoi Amerika me bombardimet ne serbi per te cliruar krahinen e kosoves? Le ti vime te gjitha ne kandar dhe pastaj flasim e bejme artikuj por jo duke pare vetem nje ane te medalies por te dyja smiley

 

 

Nga gjithe ky artikull me beri pershtypje se si nuk i kane rene ne sy gazetarit deklaratat e bankes boterore, fmn dhe perfaqesuesve te be ne Kosove qe mbeshtesnin ndertimin e rruges fuqishem, por u kujtuan te ankohen pasi nuk fitoi ajo kompania qe ofroi 1.3 miliard dollare?????

kam vene re mungesen e Pjerit. Mos eshte largu te ai forumi tjeter apo mos e kane ngatarru me ata islamiket ne Belgjike?

E paguam shtrenjt luften ne Shqiptaret si ne viktima edhe ne borxhe ... me mir ti haj Amerika se sa keta qe kemi verdall qe na moren jeten edhe tokat , qe nga Cameria e deri ne Pllave e Guci u gjakosen Shqiptaret neper shekuj ,po ne jemi popull qe mendojm, "ne qeverisim edhe bota na ndimon ", normale qe lufta e kosoves do te kishte nje cmim te kripur , por e beri shtet Kosoven, me berejen Kosoves shtet u ndryshua gjeopoltika per ballkanin ,shqiptaret edhe pse nuk ben bashkim, ne jemi vllezer me kosovaret apo aleat si te doja bota ,ne tani kemi nje shpatull te ngrohte ,shtetin e Kosoves qe na ka munduar per me teper se nje shekull, ky shtet vlla apo ky aleat sot qe ne nje te arthme do te jet pjes e shtetit Am, edhe njeher panvaresisht cmimit te kripur te luftes ne ja dolem te gjith se bashku  me Aleatet  e beme kosoven pjes te pavarur ... prandaj politka jone e qelbur duhet ti ver gishtin kokes se do dal ndonje Hundlesh edhe ka per ti ven te gjith pas hekurave keta bastarda qe po degjenerojne vendin nga te gjitha anet....

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).