Book challenge

Lexova Sartrin, po lexova dhe Kamynë,
Sa Kadarenë, po aq edhe Kongolin, 
Dhe prapë me libra dot s'e mbusha synë, 
Dhe prapë do e lexoj Kafkën dhe Gogolin.

Kështu pra me libra s'arrij të ngopem mirë,
Aty Platonin mbyll, këtu Hegelin hap,
Ndaj lajm dërgoni se më ka lindur dëshirë
Të pi me Dritëroin e të bëhem tapë.

 

Dhe hëna fanepsej zbehtë si kujisje

O të humbur nuk ishim, as ishim për vete;
Ndjeja të vjetrën të na kish rënë për hise;
Dhe bëja sikur dhe pa pretendime;
Dhe pija një gotë dhe ktheja një teke.

Aty fanepsej dhe këmbëngulte vdekja, 
'Dhe pse fati për qafe nuk na varej si gur;
Ku pija një gotë dhe ktheja një teke,
Dhe ku krejt pa pretendime bëja sikur.

Veçse kënga që merrja ishte kënga jote:
Ritmin që ndiqja e hiqnin premtimet;
Aty hëna fanepsej zbehtë si kujisje;
Kuturisja të arratiseshim prej bote.

Dhe nuk kisha shumë përveç këngës time.
Dhe nuk më trembte as dreq dhe as mbret.
Dhe nuk më ndreqte as gotë dhe as teke.
Shpirti për botën, o nuk më hiqte keq.

 

Skica e një krimi pasioni në zero akte

1.
Një mëngjes të ftohtë Nju Jorku,
në trenin për në punë, dy veta
shkëmbejnë jo më shumë se tre fjalë
për katër të vrarët në Tiranë.

2.
Një herë dhe pak, 
dy herë dhe pak më pak 
se një kafe me pak:
Tring tring!

3.
Hyn fantazma.
Del fantazma.
Hyn fantazma.

Del fantazma.
Hyn fantazma.
Del fantazma.

4.
Na kërkojnë të marrim nisma 
- kush pos vetes? - përgjegjësira.
Shpëtojmë - jo arratisemi, 
por shpëtojmë - duke nisur poezira.

Si për shembull:

5.
Shkove si keci në thikë,
Ofelí o nur;
Zjarrmin se ç'e kishte flakë,
Gjoksin porsi gur.

6.
U ulëm mbi bar; aty dhe telat e tensionit të lartë,
drejt horizontit, sikur na hapeshin prej koke.
Dhe më more dorën në dorë dhe 
rrëzë kofshëve ma shtrëngove.

7.
Të flasësh, por ç'të thuash;
Por dhe të heshtësh s'mund;
Të rrish apo të luash;
Përmbi apo përfund?

8.
Gjithçka po i bëhej transparente më në fund,
e tejdukshme dhe e mirëorganizuar si rafte muzeu;
Kish qenë e gjitha konspiraci, sigurisht. Ëndërr.
Hamleti u vra që aktin e parë. Ajo s'e kish dashur kurrë.

9.
O i mjeri unë:
Pusi se ç'më zunë
Krekosur kur më panë
Tek vija tek ti.

10.
Një dorë dhe një thikë 
- asnjë dilemë se ç'armë,
asnjë paramendim -
në harqe 90 gradë. Si palmë.

 

Në metro dëfronjësit

Kapelen që hedhin dhe presin me këmbë
e me kokë me magji e shndërrojnë
në një shportë qindarkash, të pafund
si shpirti i njerëzisë që s'lodhet
së rikrijuari që prej fillimit;
duart që shtriqin dhe lëshojnë
zhgënjyeshëm përfundojnë në xhepa 
xhupash të trashë e të pastër 
që vetëm në kujtime ekzistojnë;
dhe nuk ka bukuri që dimrit mos i mbijetojë;
se Zoti është i madh dhe bota pikë blu;
se bilbili do të hajë që të dëfrejë;
se Bukuria është edhe bukë edhe uri.

Erdhi më në fund dhe koha e frazave
vendosur si dikur mes rreshta trastash
 me gurë në rradhë të qumështit
- mendoj; shfaqur mes rreshta reklamash 
si karkasa mes dallgësh deti;
hedhur qortueshëm nga një i panjohur,
"Po hik er çun se kena qy m'dy ktu."
"Mos, të keqen nëna, mos shty ashtu."
Vetëm se s'është rradhë qumështi,
dhe njerëzve s'u vjen erë sqetullash.

E unë? Ç'të bëj me gjithë këtë realizëm?
Ç'të bëj me firzamonikën e trishtë 
të plakut ukrainas në një stacion metroje?
Po me qerpikët e gjatë të vajzës 
dhe me shtojzovallet që aty kërcenin, 
aty binin në gjumë, ç'të bëj?

4 Komente

Kështu pra me libra s'arrij të ngopem mirë,
Aty Platonin mbyll, këtu Hegelin hap,
Ndaj lajm dërgoni se më ka lindur dëshirë
Të pi me Dritëroin e të bëhem tapë.

Eshte e vertete, lexon e lexon pafund e kur mendon se botes po ja gjen fillin shpjegues, e gjen veten ne qender te moskuptimit te madh.I vetmi keshillues i mire mbetet Kahjami.

 

 

 

c'te besh me kete realizem dhe tek vallzojne nen tingujt e firzamonikes? merr ere!

E parafundit dhe e fundit meritojne te lexohen me ze te larte. Ballsy poezia. 

P.S. Pse nuk i sjell ne audio? Thjesht ide.

u plake o mik dhe tinë...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).