Prej Kangëve e Jetës së Korbit të Ted Hughes

Pjesa e fundit e vëllimit Korbi, ruhet kronologjia e origjinalit.

Përkthimi, shpjegimet e ilustrimi  v-b.

 

Tragjedia e Mollës[1]

Në të shtatën ditë

Gjarpni u shplodh.

Zoti atij iu avit.

‘Kam shpikë nji loje te re,’ i tha. 

 

Gjarpni e këqyri me çudë

Kët belaxhi. 

Por Zoti i tha: ‘E shef  kët mollë? 

E shtrydhi dhe këqyre – Sidër.’[2]

 

Gjarpni piu mirë

Dhe u spërdhredhë si nji pikëpytje. 

Adami piu e tha: ‘Bahu Zoti t’em.’

Eva piu dhe kambët i çeli 

 

E i bëzani gjarpnit karroqe[3]

Dhe e kënaqi pamasë.

Zoti vrapoi e diftoi Adamit

I cili i dehun e n’ indhnim e sipër veten deshi me e vjerrë n’kopësht. 

 

Gajrpni u mundue me shfajsue veten tu’ iu lutë ‘Ndal’

Por pija rrokjen po ia përgjyste  

Dhe Eva ia nisi me vikatë: ‘Dhunim Dhunim!’

E mbi gjarpën me inat shkleu.[4]

 

E tash çdohera kur gjarpni del sheshit ajo ia nisë me britë 

‘Ja tek po vjen prap! Ndihmë! Ndihmë!’

E Adami ia then kryeve nji karrige,

Dhe Zoti thotë: ‘ Kështu po ma ka anda’ 

 

E tanë botën e merr dreqi.[5]

 

Korbi Pikturon Vetveten në nji Mural Kinez[6]

Në muzg bari prehet bucës së tijë

Me patërshanat[7] e pankartat e veta.

 

Nji hije-shpirti vjen

Me brinjët e mirëmendueme të nji grade

Zhubrosun në nji karton të qullun

E tanë tuba[8] tue u kërveshë

Si prej nji foto martese

Me cepat-nximë, në hina të rimun shkrumbue –

 

Shollët e holla t’këpucëve t’ mija dridhen,

E shpërthimi sulforik kalon soditjen e frigun.

E njerzit hallakaten tej tue u kollë e tue u pengue.

(Pamja e mjegullt edhe për dridhjet e synit)

Pemët kollen e dridhen,

E zvarraniket e mëdhaj shkojnë trokthi, kryet nalt,

Dhe kuejt lëshohen lirie.

Truelli çahet plisa plisa

Poshtë kambëve të mi, si nji gojë qi don me folë,

Zemra e zgurdhët e morgut të botës  

Tu’ u mundue me folë kundër forcës së randesës,

Truni i ndalun, ende i grohtë i nji zoti të sapo-vdekun

Tu’ u mundue me folë

Kundër majisjes së mortjes,

Të copëtuem, gjak- përlyem, kryet pa trup të nji planeti

Tu’ u mundue me folë,

Rrucullue[9] para lindje

Rrukullisë tej në hapsinë, me gojë të shkallmueme

E gjuhën qi lëvritë ende

Me gjetun t’amën, përmes hyllash e jargë-gjaku,

Tu’ u mundue me qa –

E nji mëllenje ulun n’ nji kumbull

Dredhë e spërdhredhë zanin

 

Po dhe un jam nji hije-shpiti. Jam hija

E nji gjenerali t’madh, e heshtun në krahanor t’em.

Nji mijë vjet kanë shkue përsipri

Ndërsa e zej me gisht nji copë.

 

E muzgu pret.

 

Patërshanat, pankartat, presin.

 

Qëndresa e Fundit e Korbit

Përcëllim

              përcëllim

                             përcëllim

                                           sëfundi pat diçka qi

Dielli s’munte me djegë, e qi kish thjeshtue gjithçka

Në – nji pengesë të fundit

Kundruell së cilës u përflakë e përdjegë

 

E përflaket e përdigjet

 

E qetë përmes thengjijve të shndritshëm të furrnajës

Gjuhësh të kaltra rrahëse, të kuqe e të verdha 

T’ lëpimet gjelbërushe të brambullimës

 

E qetë dhe e zezë  -

 

Bebja e synit të korbit, në kullën e kalasë së tij të shkumbun.

 

 

Korbi dhe Deti

Ai u përpjekë me shpërfillë detin

Por ai ish ma i madh se vetë vdekja, po aq i madh sa vetë jeta.

 

Ai u përpjekë me i folë detit

Por trutë iu mëshelën e sytë iu rrudhën sikur

   prej flakës s’ zjarrmit.

 

Ai u përpjekë me e marrë detin me t’mirë

Po deti s’ e begenisi sikurse s’ t’ begenisë

   i vdekmi.

 

Ai u përpjekë me e urrye detin 

Po u ndje shpejt si nji kakardhi e thatë lepri

  n’ bregore ku e rreh era.

 

Ai u përpjekë me jetu nën t' njajtin qiell me detin

Po mushkënitë e tij s’ mundën t’ mbushen aq thellë me frymë

 

E gjaku kërmiz pupcoi pej tyne

Sikur nji pikë uji pupcon prej stoves t’ nxehun.

 

E ma në fund

 

Ai i ktheu shpinën detit e morr hovin me e lanë ate kah pas përgjithnji

 

Po aqsa nji rob kryqëzuem mund t’ lëvizë nji fije.
 
 

E Vërteta Mbyt Çdo Njeri

Kësi Korbi gjet Protheun[10] – tue u shollue n’diell.

Kundërmue prej leshteriksh fund-deti

Njisoj si t’ish tapa e llumit t’ tokës.

Aty shtrihesh – tu’ gropsit i dridhun.

 

Korbi u turr e çaponjt nguli –

 

E ai u ba i famshmi Akil truplotë - por korbi s’e lëshoi

Rrylfyti i nji peshkaqeni t’piksuem – por s’e lëshoi

Nji kunorë mambas fshikullue – por s’e lëshoi

 

Qe nji kabëll rryme 2000 volt i zhveshun -

Duel përbri, tu’ pa trupin e tij të kthyem blu

Ndërsa s’e lëshoi e s’e lëshoi

 

Ish nji grue britmatare e ai e kish zanë për fyti -  

Ai s’e lëshoi

 

Nji rrotë timoni e humbun qi kërcen drejt rrëpinës s’nji kodre -

Ai s’e lëshoi

 

Nji cule me inxhi qi treten n’ thellsi të territ – s’e lëshoi

 

Nyja e kambës së nji zgjimi, angjëll zjarrmtar – s’e lëshoi  

 

Zemra përvëluese e Krishtit - s’e lëshoi

 

Rruzulli u tkurr sa nji bombë dore

 

E ai s’e lëshoi s’e lëshoi qi s’e lëshoi

 

PËLLTAU!

 

U hodh n’erë e s’iu gjet kurr shenja.

 
Korbi dhe Guri

Korbi qe i hatashëm po druhej

Për sytë e e vet, dy pika vese.

Guri, mbrojtësi i rruzullit, u avit drejt tij.

 

S’ka kuptim me iu diftue ma tej betejën 

Ku guri i vet-bamë petë humbi gjithë shenjat e fytyrës

Ndërsa korbi u ba prej zorit edhe ma i hatashëm

 

Lamia e nënposhtme e hapsinës u trazu’

Në amshime të shumta kanë brohorit këta gladiatorë.

Ploja e tyne tash ende ndihet

 

Por tashma guri asht pluhun - e era e fryn palidhje

E korbi u kthe n’nji përbindsh – veç nji rrahje qerpiku

mban peng tanë rruzullimin

 

E akoma ai qi kurr s’ asht mbytë

Kraullon i pambrojtë

E njitash sapo ka lindë.

 

Fragment i nji Rrase t’ Vjetër

Nalt      -  buzë t’mirënjohuna, fundosë me butsi

Poshtë  -  mjekër n’mes shalëve. 

 

Nalt       -  vetulla e saj, kutia e shqueme me gurë të mirë

Poshtë  -  barku tij me nyjet e fejzave.

 

Nâlt       -  shumë këso vranime t’ dhimbshme

Poshtë  -  bomba me sahat e së nesërmes.

 

Nâlt       -  dhambët e saj t’ përkrymë e në skaj shdritja e çatallit

Poshtë  -  gurë mullinjsh dy rruzullime.

 

Nâlt       -  nji fjalë e nji fshamë

Poshtë  -  çerme gjaku e foshnje.

 

Nâlt       - fytyra e latume si nji zemër e përsosun

Poshtë  - fyryra e sakatueme e zemrës.

 

Dy Rreshta për nji Dramë t’Vogël
S’pari - dielli tu u qasë, zmadhu’ me minuta.

Mandaj - petkat të coptueme.

Fytyrë e sy qi avullojnë

Pa nji lamtumirë.

Tru avullojnë.

Duer, krahë e kambë, krye a qafë

Krahanor e bark treten

Me gjithë bërllokun e tokës.

 

E flaka mbushë tanë hapsinën.

Shkatrrimi ash i plotë

Perveç dy gjasendesh kureshtare qi qëndrojnë në flakë -

Dy mbijetus tue lëvritë verbnisht në flakë.

 

Mutacione – të patrazuem në shndritjen bërthamore.

 

Tmerre – leshtakë e përjargun, t’shndritshëm e të gjallë.

 

Ata nuhasin ndaj sho-shoqit në shprazti.

 

Ngjizen sëbashku. Duken sikur po hajnë sho-shoqin.

 

Por nuk hajnë sho-shoqin.

 

Ata s’dinë çka me ba tjetër.

 

Ata ia kanë nisë nji valle t’habitshme.

 

Dhe kjo asht martesa e ktyne krijesave t’thjeshta -

Kremtue këtu, në terrin e diellit,

 

Pa mysafirë a Zot.

 

Himni i Gjarpnit

Gjarpri në kopsht

Nëse s’ qe Zoti dora vetë

Qe rrokullia  

Dhe shymja e gjakut t’Adamit.

 

Gjaku në kurm t’Adamit

Qi u rrokulli n’ Eve

Ish ajo gjaja e amshueshme

Adami u përbetue se ish dashtunia.

 

Gjaku n’trup t’Eves

Qi dikoi prej vezores së saj -

Nyjtue në kryq

S’kish emën.

 

Asgja ma tepër s’pat ndodhë.

Dashtunia qi s’mund të vdesë

Shkund milion ftyra

Dhe lëkurë agonie

 

Me vjerrë, nji lëvore bosh.

Prap s’kish vuejtje

Qi terr kopshtin

Apo kangën e gjarpnit.

 

Kangë Dashtunie

Ai desh ate dhe ajo ate

Puthjet e tij rrufitën te tanë të kaluemen të tashmen e saj, o s’paku u munduen

Ai s’kish rreshk[11] tjetër

Ajo e kafshoi e moliti[12] e thithi

Ajo e desh të tanin brenda saj

Shëndosh e mirë për sot e mot

Britmat e tyne të vogla u valvitën kurtinave

 

Sytë e saj nuk deshën me humbë kurrgja

Hijeshitë e saj i nallmunë atij duert, kyçet brrylat

Ai e shtrëngoi me aq forcë sa dhe jeta

Nuk u munndte me e shkulë prej atij momenti

Ai desh të tanë të ardhmen me u ndalë

Ai desh me u rrëxue me krahët e tij rreth saj

Prej cakut të atij çasti ma tej në kurrgja

Ose në përjetësi apo çkado tjetër qi t’ish

Përqafimi i saj qe nji mbërthim i pafund

Me e printue ate në eshtnat e tij

Buzëqeshjet e tij qenë qelzane[13] të nji pallati andrrash

Në të cilin jeta e përditshme s’ mundte me hy kurr

Buzëqeshjet e e saj qenë zgrapje marimangash

Kësi ai rrinte ratë paluejtë derisa ajo t’u nginte

Fjalët e tij qenë ushtri zaptuese

Të qeshunat e saj qenë orvatje vrasatari  

Vrojtjet e tij qenë plagosje plumbash hakmarrje

Shikimet e saj fantazmat e qoshit me sekrete të tmerrshme

Pëshpërimat e tij qenë kamzhik dhe çizme ushtarake

Puthjet e saj qenë shkrime të ngeshëm avokatësh

Ledhat e tij qenë gremçat e mbramë të nji lundërthyemi[14]

Rrengat e saj të dashtunisë qenë gërvimat e bravave

E gashmimet e tyne të thella shkunë përdhe rrëshqanthi

Si nji shtazë qi tërheqë zharg nji çark të madh

 

Premtimet e tij qenë nji gagë kirurgu

Premtimet e saj ia prenë majën e kresë

Ajo mund të bante me te nji karficë fustani

Betimet e tij i tërhoqën asaj të tana fejzat

Ai ia shpjegoi asaj si me ba me to nji nyje dashtunie

Betimet e saj ia shtinë sytë e tij në farmalinë

Në fund të raftit të saj të fshehtë

Britjet e tyne u ngjitën për muri

 

Kryet e tyne ranë ndamë në gjumë si dy gjysma nji vedeni të premë,

Por dashtunia asht e zorshme me u ndalë

 

Në gjumin e tyne, të spërdredhun ata shkëmbyen duer e kambë

Në andrrat të tyne truni i tyne muerr peng shoshoqin

 

Në nadje ata ngjeshën fytyrën e njani tjetrit

 

Me Bisht Syni[15]

‘O gjethe,’ Korbi kandoi, tu’ fergëllue, ‘O gjethe -’

Prekja e tehut t’nji gjethje në fyt

Ia preu kryet komentit të tij të matejshëm.

 

                                                  Gjithqysh

I pafjalë ai vijoi me vrojtë gjethet

Prej kryeve sapo të zavendësueme të hyut.

 

 

Mbret i Stërvinës[16]

Pallati i tij asht me rrashta.

 

Kunora e tij asht me ashklat e fundit

të anisë së jetës.

 

Froni i tij asht nji skelë me eshtna, kambaleci i gjasendeve të vjerrun e vigu final.[17]

 

Zhguni i tij asht terri i gjakut të fundit.

 

Mbretnia e tij asht gollë –

 

Rruzulli gollë prej së cilës britma e fundit

Fluturoi madhnisht, tej e pashpresë

Në verbimin, pagojsinë e shurdhimin e gjinit

 

Tue u kthye, e tkurrun, e heshtun

 

Me mbretnu’ mbi heshtinë.

 

 

Dy Kangë Eskimezësh

        I          ARRATISJE PREJ AMSHIMI

 

Burri erdh tue vrapue pa fytyrë mbi tokë

I pasy dhe i pagojë ftyrë-cullak[18] ai vrapoi

 

E dinte se po çaponte mbi gurin e vdekjes

Ai e dinte se ish nji hije, ajo ish gjithçka qi dinte.

 

     Tue ndie nji milion vjet nën gur

     Ai gjet nji kaçamill

                       por ia zuni rrufeja

    I tymoi nji aureolë të shkrumbueme në shputën e tij të mpieme.

 

    Tue ndie nji milion vjet nën gur

    Ai gjet nji troftë

                    por i ra nji i bardhë acar i nxehtë

    Prej marmitës së nji hylli peshku u thërmue në kristale.

 

    Tue ndie nji milion vjet nën gur

     Ai gjet nji mi

              por nji pshertimë e kohës

     E pat frymue në grima nyellsh.

  

Ai morr nji gur t’ mprehtë  e shpoi brima në fytyrë

Përmes dhimtës e gjakut ai këqyri tokën.

 

Ai shpoi prap ma thellë e përmes dhimtës e gjakut

Ai i briti dritës, acarit e kohës.

 

Mandej, i shtrimë mes eshtnash në dheun e vorrezës,

Ai pa nji grue tu’ kandue prej mesit të barkut.

 

Ai i dha asaj sy e gojë si shkëmbim për nji kangë.

Ajo vajtoi gjak, ajo qau dhimtë.

 

Dhimbta dhe gjaku qenë jetë. Por njeriu u qesh –

 

Kanga ia vlejti.

 

Grueja u ndje e mashtrueme.

 

       II          SI IA NISI UJI ME LËVRITË

 

Uji desh me jetue

Shkoi tek dielli u kthye tu’ lotue mbrapsht

Uji desh me jetue

Shkoi tek pemët ato u dogjën ai u kthye tu’ lotue mbrapsht

Ato u kalbën ai u kthye tu’ lotue mbrapsht

Uji desh me jetue

Shoi ke lulet ato u vyshën ai u kthye tu’ lotue mbrapsht

Desh me jetue

Shkoi në mitër e ndeshi gjakun

Ai kthye tu’ lotue mbrapsht

Shkoi në mitër e ndeshi thikën

Ai u kthye tu’ lotue mbrapsht

Shkoi në mitër e ndeshi kryma e kalbësina

Ai u kthye tu’ lotue mbrapsht desh me vdekë

 

Shkoi te koha shkoi përmes derës prej guri

Ai u kthye tu’ lotue mbrapsht

Shkoi tu’ lypë të tanë hapsinën për kurrgja

Ai u kthye tu’ lotue mbrapsht desh me vdekë

derisa s’kish ma lot

 

U shuk në fund të tana gjanave

 

Krejtsisht i lodhun       krejtsisht i tejpashëm

 

 

 

Gjakvogëlith[19]

Oh gjakvogëlith, qi fshehesh prej maleve ndër male

Shtiue[20] prej hyllash e qi pikon hije

Tu’ u ushqye me tokën ngjallëse.

 

Oh gjakvogëlith, vogëlith i paeshtë vogëlith i palëkurë

Qi  plorit tokën me karkasë të nji gushkuqi

Tu’ korrë erë e shie gurë.

 

Oh gjakvogëlith, qi troklllin rrashtën e korbit   

Tu’ vallzue me kambën e nji mushkonje

Me hundën e nji fili[21] me bishtin e nji krokodili.

 

I rritun kaq mendjehollë, i rritun kaq i tmerrshëm

Tue thithë gjijtë e mykyn të mortjes.

 

Ulu n’gishtin t’em, kando n’vesh t’em , O gjakvogëlith.

 

 

___________________________________________________________________________________

[1] Edhepse në Gjenezë s’asht përmend kund molla, Hughes sikurse Miton, s’ka pikën e dyshimit se fruti i pemës së dijes qi mban mbi vete simbolin e mëkatit të parë asht pikërisht kokrra e mollës. Veçimi i këtij fruti mund të ketë qenë faremirë pasojë e nji aksidenti në përkthim, (në latinisht fjala mollë dhe fjala e keqe i ndan theksi i shqiptimit), mirëpo për poetin vetia ma e vyeme e frutit asht shdrrimi i tulit të tij acidik në alkoohol, tharmi i matejshëm me të cilin ai u lejon personazheve të tij me u sjellë keq e me shpalue nji natyrë tjetër të tyne.

[2] Sidër - në origjinalin në anglisht cider, pije freskuese alkoolike prej fermentimit të mollëve e dardhëve.

[3] Karroqe - i dehun, i bamë tapë, në origjinalin në anglisht cockeyed snake.  

[4] Në origjinal to stamp, qi do t’thotë me i mëshue dikujt me kambë prej nalt poshtë zakonisht me shputën e kambës, mos me u ngatërrue me shkelmin.

[5] Në original, “And everything goes to hell”.

[6] Murali kinez asht nji mënyrë artistike e traditës kineze me diftue zakonisht nji tregim epik përmes pikturës; shpesh në plan të parë të muralit paraqiten fije bari, në kand të krijimit, me i dhanë thellësi përmasave.

[7] Patërshan – heshtë.

[8] Tuba - grupi, ekipi, ekujpazhi, çeta.

[9] Rucullue- këputë, pre, përnda.

[10] Protheu në mithologjine greke qe nji plak detit me aftësi të pashoqe profetike mirëpo ngurryes poasi i pashoq i kallzimit të dijes së tij parashikuese. Me e shtrëngue me folë kët krijesë uji, duhet në fillim t’a befasoje përgjatë gjumit të tij të mesditës, e mandej, t’a mbërtheje mos t’a lëshoje edhe kur të ndryshonte trupin në gjithfarsoj formash me i shpëtue shtrëngimit. Kurrsgja pos kambënguljes mundte me e detyrue Protheun t’i dorzohesh fatit.  Mbërrthyem kët herë prej korbit, sikur prej nji materie jashtëtoksore, plakut nuk duket se i shkon ma rrengu, profetsia e tij e ka t’pamundun me parashikue fatin apokaliptik qi e pret, shkatrrimin e botës e rrjedhimisht rrënimin e vetvetes.  

[11] Rreshk – unti, dëshirë e flaktë.

[12] Molitë –  me breitë, me kaç, në origjinal, to gnawl.

[13] Qelzanë, - papafingo, dhomë në kulm, në origjinal, garrets.

[14] Lundërthyemi – i humbuni në det, në origjinal, castaway.

[15] Glimpse – shikim, vrojtje e shpejtë, kalimthi.

[16] Mret i Stërvinës – i ngothsinës, coftinës, mbreti qi sundon mbi gjithçka t’ pajetë e qi po kalbet, në origjinal, King of Carrion.

[17] Kambaleci i gjasendeve të vjerruna, dhe vigu i fundit, i referohen trekambshit apo nji instrumenti tjetër të varjes me litar.

[18] Këtu në kuptimin pa tipare fytyre.

[19] Gjakvogëlith në originalin anglisht Littleblood.

[20] Shitue – plagosun.

[21] Fili – elefanti në  arabisht, i përdorun edhe në shqip.

 

1 Komente

I paprekun je o Bej smiley. Si fallcifikator antikuarishtesh mi ujdis kto tekste. Hallall.

Nji emer  retro-valid shqippruesi na mungon si psh Zekë Zadrima ( Hyjnori ), e tbohna me qit naj lek smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).