Është një shkrim i rregullt, me shkronja hollake, i hedhur në fletë të tilla, që sot mund të konsiderohen si A4. Aty, parakalojnë nxitimthi e përmes ngjarjeve kryesore të shënuara, vitet nga 1900-a deri më 1930-ën.
Radhë pas radhe, vijnë ngjarjet kryesore të Shqipërisë, në fillim si tokë nën ndikimin e Portës së Lartë, e mandej, si tokë e ‘lirë dhe e pamvarme’, deri kur Zogu qe shpallur mbret dhe kishte filluar të binte nën ndikimin italian. Dy vite pas mbretërimit të Ahmet bej Zogollit, diku në vitet 1930, Hajredin bej Cakrani, firmëtar i Pavarësisë, vendosi të hidhte në letër Kujtimet e tij, pjesë të të cilave boton sot “GSH”. Është me rëndësi të thuhet se ato kanë qenë më shumë shënime për pasardhësit e tij, për t’i njohur ata me kontributin e familjes Cakrani, sesa shënime për botim.
Megjithatë, sot, 84 vite nga koha kur u shkruan, ato pritet të botohen. Mbasi u ruajtën nga familja në komunizëm të groposura në një kuti metalike, të redaktuara nga studiuesi vlonjat Kastriot Bimo dhe nën kujdesin e Auron Tares, ato janë bërë gati për të qenë pjesë e një libri që do hedhë dritë mbi Hajredin bej Cakranin, një personazh deri më sot jo shumë i njohur për shqiptarët. Ndonëse firma e tij është një prej atyre që gjenden në Deklaratën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, kontributi i tij në jetën publike është gati i panjohur.
Auron Tare (studiues e aktualisht drejtor i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit) shpjegon edhe arsyet se përse është angazhuar personalisht për daljen në dritë të këtyre shënimeve historike.

Z.Tare, si ju ranë në dorë Kujtimet e firmëtarit të Pavarësisë, Hajredin bej Cakrani, dhe si janë ruajtur deri më tani?

Dorëshkrimet e Hajredin bej Cakranit kanë qenë në pronësi të familjes Cakrani për shumë vite me radhë. Duke qenë se kjo familje ka pasur probleme të shumta në kohën e komunizmit, dokumentet në fjalë kanë qenë të groposura në një kuti metalike. Vetëm diku nga mesi i viteve ‘90 kjo kuti metalike u hap dhe ndër dokumente të tjera dolën edhe kujtimet e Hajredin bej Cakranit.

Pse nuk janë botuar ende?

Për arsye të panjohura prej meje, nuk e di se përse këto shënime nuk u bënë publike më herët, por di që familja i kërkoi Ministrisë së Kulturës t’i botonte ato me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Këto kujtime me shumë vlerë për historinë tonë nuk u botuan nga Ministria jonë e Kulturës dhe, me siguri, fondi modest që duhej për këtë botim ka përfunduar te buxheti i tortës së famshme. Nuk di se si ta shpreh habinë time për një indiferencë të tillë, por në një shtet normal, kujtimet e një firmëtari të Pavarësisë do të ishin nga gjërat më të rëndësishme të një shteti. Ky veprim, si shumë të tjera në këtë fushë, është një nga dëshmitë e forta se përse kombi ynë ka një memorie shumë të shkurtër kur bëhet fjalë për historinë e tij.

Çfarë të rejash sjellin këto kujtime për historinë shqiptare?

Hajredin bej Cakrani ka qenë një personazh me mjaft ndikim në kohën e tij. Pinjoll i një familjeje të aristokracisë së vjetër shqiptare ku pronat dhe influenca shtrihej në të gjithë zonën e Myzeqesë, ai ishte një dëshmitar i rëndësishëm i disa prej momenteve historike të Shqipërisë dhe personazheve shqiptare. Falë shënimeve të tij kemi një ide më të qartë të itinerarit që Ismail bej Vlora dhe grupi i tij përshkuan për të ardhur nga Durrësi në Vlorë, për shembull. Falë përshkrimeve të tij me një gjuhë plot kolor dhe tipike të zonës ku Labëria dhe Mallakastra takohen, mësojmë jo vetëm për ditët kur gatuhej Pavarësia e Shqipërisë, por edhe për ngjarje të tjera, si Lufta e Vlorës apo ngjitja e Zogut në fronin mbretëror.

A ka pasur ai mëdyshje për çështjen e Pavarësisë, për shkak të pozitës që gëzonte nën Perandorinë Osmane?

Hajredin beu ishte një ushtarak i shkolluar në Stamboll i cili, pasi ishte kthyer në vendlindje, ishte gjendur përpara një dileme të madhe: t’i shërbente shtetit me të cilin familja e tij prej shekujsh kishte bashkëjetuar, shtetit i cili e kishte shkolluar, apo lëvizjes së Pavarësisë prej këtij shteti. Me detaje mjaft interesante Hajredin beu tregon mbi përpjekjet që jo vetëm ai, por edhe klasa aristokrate së cilës i përkiste, u përball me idenë e mëvetësisë nga Perandoria otomane.

Çfarë mund të thuhet për kontributin e tij në histori?

Kujtimet e Hajredin bej Cakranit janë një thesar i vyer për të parë nga thellësia e 100 vjetëve vështirësitë e mëdha që paria shqiptare kishte përballë, jo vetëm për Pavarësinë e vendit, por për administrimin e krahinave feudale, të cilat për shekuj me radhë kishin parë vetëm nga Stambolli. Hajredin beu dhe i vëllai, i famshmi Bektash bej Cakrani, ishin jo vetëm pjesëmarrës të rëndësishëm në Kongresin e Manastirit, por ishin nga bejlerët e parë që hapën shkollën shqipe në Cakran të Mallakastrës, duke marrë përsipër të gjitha: si shpenzimet, edhe rreziqet ndaj Qeverisë Xhonturke të Stambollit. Hajredin beu ishte një dëshmitar i rëndësishëm i kohës kur jetoi. Jeta e tij në një kohë mjaft të trazuar, bëri që ai dhe familja e tij të luanin rolin e tyre në disa nga ngjarjet e rëndësishme. Sigurisht, ngjarjet e mëdha historike i ka parë nga këndvështrimi i vet dhe i ka gjykuar po nga ai këndvështrim. Por si të tilla ato sjellin dëshmi të panjohura më parë, të jetuara prej tij dhe me gjuhën e pasur plot me koloritin e Jugut janë pjesë e rëndësishme e historisë sonë.

Kur dhe pse i ka shkruar ai këto kujtime?

Kujtimet e hedhura në letër diku nga vitet ‘30 kanë qenë më shumë shënime për pasardhësit e tij, për t’i njohur ata me kontributin e familjes Cakrani, dhe jo për botim. Kjo është ndoshta një arsye edhe më e fortë për t’i vlerësuar ato seriozisht, si dëshmi autentike të një burri që jetoi dhe luftoi me armë në dorë për vendin e tij, që hapi shkolla për vendin e tij, por që fatkeqësisht ky vend këto përpjekje ia ka harruar. Duke shpresuar se këto Kujtime do ta risjellin figurën e Hajredin Cakranit në vëmendjen e publikut shumë shpejt, me daljen në botim të librit të tij.

Kur pritet të dalë ky libër në botim?

Libri del shumë shpejt për lexuesit. Materiali është redaktuar me kujdes nga studiuesi vlonjat Kastriot Bimo.

4 Komente

Do ishte interesante qe botimi te mos redaktohej apo ndryshohej, por te dilte origjinal, ashtu siç e ka shkruar autori.  

Tani pse është kjo e shkruar .Të lexojmë Taren apo komente të Tares nga pjesë të Botuara . Se kështu pa " njohur e lexuar gjë " të lindin pëjetje të mejtimit të mëndjes njëlloj si shpjegimet e mëndjes së të nderuarit Tare .

Në çfarë Letre ka shkruar ky ? Në çfarë Gjuhe ? Me çfarë kalemi a lapsi.com ? etj etj detaje ( tm Gjëmbi ) që zakonisht i paraprijnë asaj që duhet besuar se janë "të shkruara" nga Hajredini që i kish mëshyer smiley në kuti e këllitur ndë dhe ngaqë kish keq me kamunistët smiley  

Pa po erdhi Demokracia dhe Firmëtarët e Demokracisë i zbuloi Berisha që kishin firmue or tie në Durrës  !

Pak dritë i nderuar Tare !

Vilson Ahmeti ish Kryeminister eshte nje nga pasardhesit e tij.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).