Mero Baze irritohet me Edi Ramen: Përfundimisht je karagjoz, të kesh mik ty të prish punë, të kesh armik të ha munë

Historia më e bujshme e një skandali qeveritar me reklamat po shkon drejt mbylljes. Arben Imami, i cili ka dhënë 1.2 milion euro në prag të fushatës elektorale në vitin 2013 për kompaninë e Frangajt, duke shkelur dhe ligjin elektoral, nuk do të merret përfundimisht si i pandehur. Sipas një vëzhgimi të BIRN, edhe Ministria e Mbrojtjes pas kësaj është tërhequr nga beteja.

Në të vërtetë, skandali i Imamit dhe vartësve të tij, nuk ishte i vetmi. Gazeta TemA ka publikuar email-et e Frangajt me këshilltaren e ish- ministrit të Punës, Ksera, të cilët përveçse talleshin me ministrin si “katundar” me një fjalor ordiner, flisnin për nja 220 mijë euro, të cilat i mori Frangaj. Të tjera histori të ngjashme janë ato të koncerteve anti-opozitare të Majit apo Dhjetorit 2010, ku rreth 1,3 milion dollarë paguheshin nga ministri në adresë të një kompanie eventesh të PD-së. Nuk bëhet fjalë për akuza në ajër, por për fakte që janë në zyrat e shtetit shqiptar.

Përfituesi arrogant në emër të pushtetit, ishte Frangaj dhe media e tij, së bashku me kompaninë satelit rreth vetes.
Edhe pse në vitin e parë të qeverisjes së socialistëve pati përpjekje formale për t’i paditur këto shkelje, dosjet thuajse u mbyllën. Prokuroria nuk veproi në asnjë rast dhe historia e këtij abuzimi të madh me paratë e taksapaguesëve, është tashmë një inkurajim i madh për zyrtarët e rinj të administratës, lidhur me ndëshkueshmërinë. Fakti që askush nuk u ndëshkua për abuzimin me pushtetin, inkurajon çdo zyrtar të qeverisë së re të bëjë gjëra të ngjashme.
Por, më inkurajues se kaq është shembulli i keq, që kryeministri jep në raportet publike me “TV Klan”. Në fjalimin e tij me humor për Vitin e Ri, ai pati një batutë dhe për mua, duke më konsideruar të mërzitur pse “kishte vënë Frangajn në krye të vendit”. Fjalimi ishte i paqortueshëm për t’u tallur me gazetarët, por kryeministri nuk e ka problemin me ne, por me popullin që e ka votuar. Në sytë e atyre që e kanë votuar, “TV Klan” apo Sandri, janë simbol i abuzimit me pushtetin. Dhe kur shikojnë se kryeministri, jo vetëm që tashmë i ka në krye të vendit, por dhe bën humor me këtë gjë, ai nuk është tallur me ne, por me ata që e kanë votuar. Minimumi, ata mendojnë se Rama dikur ka gënjyer nga halli, por mund të jetë dhe më keq. Shumë prej tyre mendojnë se kryeministri tani ka të njëjtin hall me njerëzit e tij të reklamave dhe eventeve si Sandri dikur, dhe nuk ia vlen të merret me histori që përsëriten. Pra, në mendjen e mbështetësve të tij, dosjet e mbyllura, përkthehen edhe në gojë të mbyllura nga sjellje të ngjashme. Dhe në këtë rast, akuzat për korrupsion të hajdutëve të djeshëm, mund të ringjitin, qoftë dhe nën devizën e pështirë, “të gjithë njëlloj janë”.
Unë nuk do të isha i lumtur në asnjë rast, që kryeministri të sillej ndaj Klanit, siç Berisha është sjellë ndaj nesh. Nuk do të doja që Sandrit t’i digjej makina, të nxirrej nga Kinostudioja e të rrethohej me policë, të mos i jepej asnjë reklamë dhe të persekutohej me fis e farë çfarë kishte, siç bëri Berisha. Por, kjo pështirosja publike, që “TV Klani është në krye të vendit”, është sinjali më i qartë për drejtësinë dhe sidomos për prokurorët tanë qokaxhinj, që të mos shfletojnë asnjë fletë të dosjeve të korrupsionit të tyre.
E vërteta e hidhur është se Rama nuk po ndihmon “TV Klanin” “duke e respektuar”. Duke e respektuar, për të bërë gallatë me ne të tjerët, Sandri dhe Klani nuk jetojnë dot. Ata duan sërish reklama, prona të zhvatura si në kohën e Berishës, sekserllëqe tenderash dhe rrugësh, fshatrat turistike dhe leje për të ndërtuar mes pishave etj. Rama nuk ka shenja se po ua jep këto dhe kjo do të thotë se ai mund t’i kapë mizat me mjaltë. Por, e keqja është se modeli i Klanit ishte një kauzë publike, ndërsa tani u bë një shtëpi publike e pështirë, e cila i humbet kuptimin rolit të medias. “Gallata” e kryeministrit dhe sidomos argëtimi i tij me servilizmin e ri të Klanit, po bëjnë më shumë dëm, se sa nëse Klani do të ishte një media e ashpër e kritike, qoftë edhe e pamend kundër tij.
Dosjet që po mbyllen në Prokurori, janë pikërisht rezultat i këtij karagjozllëku dhe i konsiderimit të Shqipërisë si “Kafja e Rognerit”, ku të gjithë e njohin njëri-tjetrin edhe kur nuk flasin me gojë, edhe kur përqafohen. Shqipëria nuk e ka këtë shans. Ajo u beson betejave dhe fjalës publike, ashtu sikundër zhgënjehet nga tallja me to. Është shumë e vështirë ta shpjegosh si karagjozllëk përqasjen miqësore publike, me një fenomen që është arsyeja përse je votuar. Për më tepër, kjo me “TV Klanin”, ku meqë jemi tek populli, i shkon shumë ajo fjala e urtë, “Ta kesh mik të prish punë, ta kesh armik të ha m…”

Mero Baze: Dosjet e mbyllura dhe gojët e mbyllura

Lajmi

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).