Në vendin Këtu ishte kohë e parazgjedhjeve dhe dega e partisë gumëzhinte nga njerëzit. Shumica vinin sa për t'i thënë mirëdita kryetarit dhe përmes pranisë së tyre t'i kujtonin që ishin gjallë dhe këtu. Ata më të vjetrit shtirjen e kishin bërë pjesë të karakterit dhe më nuk shtireshin, ndërsa më të rinjtë hutoheshin pak kur gjndeshin përball kryetarit, i cili edhe ashtu nuk e kishte mendjen tek ta. Tek asnjëri nga ta.

Kryetari e kishte një vëlla hoxhë, i cili pasi ishte lidhur me fuqi të njohura për të, e të panjohura për të tjerët, i kishte treguar se partia e tij do të fitonte. Megjithatë nuk i kishte treguar përqindjen, e përqindja ishte shumë me rëndësi.

Ne do të fitojmë, thoshte kryetari, duhet t'i ngjeshim radhët, ishin fjalët që i kishte dëgjuar nga kryetari i madh, tek i cili edhe ai shkonte sa për t'i thënë mirdita dhe hutohej në fillim.

Meqë ishte kohë zgjedhjesh dhe fitorja ishte e sigurt, kryetari përmes njerëzve të tij porositi antarët që për ndonjë sëmundje eventuale që mjeksia e paaftë nuk i gjente zgjidhje, të drejtoheshin tek vëllau i tij hoxhë. Këtë ua dha si këshillë ngaqë ua donte të mirën.

Dhe njerëzit që donin të ishin asambleistë, apo të kishin një vend pune pas fitores së sigurt filluan të shkonin tek hoxha dhe pasi dilnin më të shëruar ia kujtonin atij që t'i shënonte emrin dhe t'i tregonte kryetarit. Mos u bëni merak, u thoshte hoxha, kryetari do t'ju shoh shëndosh si molla e do ta dij. Ata linin paratë që fitonin një muaj, tek një vend pranë dritares dhe dilnin. Hoxha nuk i merrte paratë. S'i prek me dorë, thoshte, as s'i kërkoj kujt. Kush dëshiron t'i lërë aty, dhe sa të dojë vetë. Por të gjithë e dinin sa para janë, sa të duash vetë dhe linin saktësisht aq.

Edhe Zefi donte të futej në listën e asambleistëve. Ai ishte i fesë katolike, por sëmundja nuk pyet. Kishte ai një dhimbje të herëpasherëshme në kyqet e kembëve dhe kryetari ia rekomandoi të vëllanë. Miqësisht dhe për të mirën e tij.

Duke folur vetë me vete për belanë që e kishte zënë, Zefi që nuk besonte fenë e tij e lërë më këtë tjetrën që s'e njihte, u nis për tek hoxha. Me të mbërritur dikush e përcolli tek një dhomë dhe i tha të priste. U ulë dhe i hodhi një sy pikturave me shkrime arabe. Kush i merr vesh këto, tha. Njerëzit marrin fuqinë nga misteri. Edhe sundojnë pastaj.

Në këto mendime u duk hoxha në derë, i djerësitur e i lodhur. Hë hoxhë, ç'ka ndodhur, u shqetësua Zefi.

- Asgjë, asgjë, tha hoxha, u lodha se mbyta një dreq. U takova me qoftëlargun në koridorin e ngushtë të shtëpisë. Aty më kishte zënë pritën, por unë megjithëse e pashë u bëra kinse nuk po e shoh dhe kur u afrova më afër, në befasi e kapa për fyti, edhe shtërngo unë, rezisto ai, shtërngo unë rezisto ai derisa papritmas mu zhduk nga duart dhe iku për dritare si hije. Po ti ke kohë që je këtu?.

-Jo jo tani sa erdha.

- Epo mirë, ç'e mirë të ka sjellë atëherë?.

- Më dhëmbin herë pas here kyqet e këmbëve. Desha njëherë të shkojë tek mjeku por kryetari më rekomandoi të vija këtu.

- Mirë ke bërë që s'ke shkuar tek mjeku. Do t'ishe bërë më keq. Mjeksia kapitaliste e ka mendjen si të shpik sëmundje e jo si t'i shëroj ato. Të dhëmbin të dyja.

- Po, po të dyja

- Mirë, tani do të të shkruaj një hajmali që shëron këtë sëmundje, dhe ta mbash një javë në xhepin e xhaketës. Pas një jave je i shëruar.

E shkruajti hajmalinë dhe ia dha. 

- Mos harro, një javë në xhepin e xhaketës.

- Nuk do të harroj, tha Zefi dhe i nxori paratë

- A jo, jo, unë s'marrë para, ia bëri hoxha. Është kundër karakterit tim, por ti nëse do lëri aty tek dritarja, sa të duash.

Zefi i la paratë, u përshëndet dhe doli.

Shkoi në degën e partisë ku takoi kryetarin.

- Hë, ndihesh më mirë?, e pyeti kryetari

- E ndjejë që tani përmirësimin, iu përgjigj Zefi.

- Unë të pata thënë, tha kryetari dhe porositi dy kafe.

 

***

Zgjedhjet erdhën dhe për fatin e keq nuk fitoi as partia, as Zefi s'u bë asambleist.

- Nuk jeni angazhuar sa duhet u thoshte kryetari antarëve të partisë, se ne zgjedhjet do t'i fitonim me siguri, por jo me këtë angazhim. Duhet punë e madhe, vetëmohuese. Duhet harruar vetja për një muaj, por ju këtë s'e keni bërë dhe tani ja ku jemi.

Edhe Zefi iu drejtua një ditë zyrës së degës dhe takoi kryetarin Unë i dhashë gjithë ato para, i tha, dhe s'fitova gjë. Paratë i dhashë kot.

- A jo jo, atë mos e thuaj Zef, se ti paratë i dhe për shëndetin tënd, edhe pate përmirësim siq më the edhe vetë. Megjithatë…Sidoqoftë ne këtu do të jemi edhe pas katër vitesh dhe do të fitojmë me siguri, dhe do të rregullojmë shumë punë. Do të ketë të mira për të gjithë ne.

Zefi doli nga zyra dhe me duar në xhepa e xhepat pa asgjë, u nis për në shtëpi.

- E ç'na bëri sharlatanë të gjithëve ky shtet, tha me vete.

1 Komente

smiley Bukur, tipike shqiptare ose ballkanase smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).