Histori (e)skatologjike nga Arben Dedja

Vëllimit me tregime “Histori (e)skatologjike” i Arben Dedjes, të cilin autori pati mirësinë të na e niste thjesht me e-mail e pa na njohur thuajse asfare - këtu na duhet të bëjmë menjëherë një parantezë - pra, edhe një herë, nuk e njohim personalisht Dedjen e as ai ne: kemi shkëmbyer veç tri a katër e-maile, pa u zgjatur deri aty, sa t’i ndieheshim tjetrit borxhlinj: ruajna Perëndi mendjen, ruajna Zot nga qokat letrare; e theksojmë këtë qysh në fillim, për t’iu qasur disi drojës, paragjykimeve, për të mos thënë “rezervave”, që kemi prej vitesh, kur u qasemi çmimeve shpesh të denoncuara kulturore dhe vlerësimeve a na qasen ato në formë lajmesh rrëshqanore absurde, rubrikash të shërbetshme, imazhe botuesish e redaktoresh që flasin njëlloj si për, ta zemë Borhesin, ashtu edhe Koelion, apo kritikash “intime”, pothuaj erotike në të përditshmet e të përjavshmet e çartura të Mëmëdheut që prej kohësh nuk i beson më kush e që, në vend që të çojnë drejt lexueshmërisë, kanë patur efekte të bollshme anoreksike tek konsumatorët.

Natyrisht për këtë nuk na e ka fajin autori, subjekt i të cilit mund të qenë fare mirë këto të fundit - çmimet, vlerësimet, silazhi kulturor pra -, pasi Dedja, siç do ta shohim më poshtë, parapëlqen humorin grotesk, atë të ziun, ironinë, karikaturën dhe sarkazmën. Për këtë fajin nuk e kemi as vetë, por le ta lëmë për një çast jetim atë (fajin pra) e të merremi me librin në fjalë, i cili fitoi këtë vit çmimin e Panairit të Librit.

Kemi vënë re në letrat shqipe, por shpresojmë të gabohemi rëndë këtu, një korrelacion proporcional të zhdrejtë midis modestisë e cilësisë së shkruesit dhe jehonës së tij në media; një arsye edhe më shumë për të shkruar këto radhë, pasi Dedja, sëbashku me sikolegë të tjerë po aq të përkorë - siç, ta zemë, Bashkim Shehu, me të cilin Dedja ndan fatin e emigrimit dhe përkushtimin për fjalën e lëmuar - sikolegë pra që nuk po e gjejnë ende vendin e duhur në to, krahasuar, të paktën, me grykësinë mediale të të gjithkudondodhurve Z., F., N., G. L., etj. Do të ishte në dobinë e mediave vetë të fisnikëronin publikun e të fisnikëroheshin edhe vetë po të mëtonin ca më thellë mbi vlerat e vërteta e të vërtetën e vlerave, por edhe kjo është temë tjetër e jo motiv i këtij shkrimi.

Ky vëllim me proza të shkurtra, po të heqim dy të tilla: “Pikimi i kulloshtrës” dhe “9 tetor ose: amputime të zgjatura”, mëton t’i qaset të kaluarës jo thjesht me ekzibicionizmin e viktimizimit apo vuajerizmin polit-byroist të “dossier” -ëve aq të rëndomta fletushkave të bulevardit dhe “rrëfimet” epidemike të veteranëve, ramizëve, mehmetrave, sulove e beharëve t’asaj-kësajbote, por me humor, me humor të zi, karikatural, shpesh kafkaesk e në më të shumtën elitar; aristokratik në çastet më të mira, të cilat, për fat të mirë, janë ku e ku më të shpeshta se ato të rrallat, ku dekoracioni, rokoko-ja e narcismi i fjalës, kthehet në qëllim në vetvete.

Qasja ndaj “banalitetit të së keqes” (Hannah Arendt) kësisoj, pra me humor, është në vetvete një akt balance, ku mungesa e drejtpeshimit rrezikon ta përmbysë peshoren, ekuilibrin, drejt sketch-it, drejt estradës, komedisë e më së fundmi fund gallatës, por Dedja ia del mbanë mjeshtërisht të mos bjerë në grackën e “banalizimit” të së keqes, falë saktësisë së fjalës, gjuhës së latuar, distancës nga objekti dhe llojit të humorit që përdor, i cili nuk synon veç “argëtim”-in e lexuesit, por i hap atij këndvështrime të reja për të mëtuar mbi diktaturën, absurdin e saj e - jo së fundmi - për të mëtuar mbi veten, shoqërinë dhe botën sot e gjithmonë: pa pakohësi nuk mund të ketë vepër të mirë letrare e, në këtë kuptim, ky libër është mëse i mirë.

Shembullore përsa shkruam më sipër është pjesa “Diptiku i ndihmave angleze”, ku me stil të qashtër e kinse historik të barazlarguar nga ngjarja qëmtohet me humor të hollë e të thukët përplasja absurde e botëkuptimeve të këtej e përtej murit, ky i fundit në këtë rast i përftuar si keqkuptim, si gabim interpretimi nga anglezë të… Kanunit të Lekë Dukagjinit, muri i përftuar si kithtësi rrafshesh interpretimi e synimesh të ndryshme që lëvizin drejt moralesh të përkundërta, muri që, si i këtillë, ngjan i paprishshëm, i cili, më shumë se realitet historik është stad mendor i paradhënë. Këtu konsiston humori, aty fataliteti. Ornamenti këtu, stërhollimi, fjala si e tillë tek përshkruan me hollësi labirintike shpërfytyrimin e vetvetes, citimet nga Kanuni dhe asosiacionet me kohën, janë në vendin e tyre, në funksion të së tërës dhe e përforcojnë edhe më kumtin në dukje humoresk të tregimit, që është në vetvete tragjik dhe i përzishëm.

Nuk mund të kërkohet nga libri i parë në prozë i një autori që punon ditën si mjek dhe e gjen kohën për të shkruar kur të tjerët shkojnë të flenë, të ruajë gjithnjë drejtpeshimin e lartpërmendur, madje është e tepërt dhe e pamerituar, pothuajse e pandershme, të mëtosh rreptësi në gjykimin e tij, kur ndërkohë kritikat për libra shumë më të dobët se ky në fjalë përskajohen drejt elozhizmit, pane“gjirizmit”, epiteteve të shfrenuara dhe qokave të ndërsjella që shkruesit i bëjnë njëri-tjetrit. Mund të shkruanim, për shembull, që “Triptiku(t) i(të) haleve” i mungon disi eleganca e humorit metafizik siç më sipër, që ekskrementi si i tillë, apo edhe akti që e përnxjerr atë, nuk na duket se përmbajnë dozën e humorit të zi që mëton autori të shkaktojë, pasi me të njëjtën mënyrë mund të parodizoheshin edhe të shenjtët vetë e çdo i gjallë, mirëpo e kemi hasur këtë qasje edhe në vepra të lëvduara prej kritikës botërore, siç për shembull në filmin e Sokurovit “Moloch”, e ndaj po ndalemi të ndrojtur këtu, aq më tepër që shkruesi i këtyre radhëve është thjesht lexues e aspak kritik profesionist.

Tek copa “Pikimi i kulloshtrës” hasëm fjalë, kuptimin e së cilave na u desh ta merrnim me mend, gjë që për çudi funksionon më së miri e që na kujtoi një tjetër mjeshtër të shqipes, Kutelin: një rrëfim i qashtër e poetik, i cili lëviz në një rrafsh ku e ku më tokësor se ai burokratik, historik, mjekësor, tradicional i tregimeve të tjera: rrafshin e butë, blegtoral e kodrinor të zonave të jugut, diku andej nga Maliqi, që bëhet edhe më i butë e më i durueshëm kur rrëfehet nga një… buall/icë.

Ndërsa për tregimin e fundit “9 tetor, ose: amputime të zgjatura” duhej shkruar një artikull më vete. Këtu autori lë mënjanë rafinesën, stërhollimin, oranamentin dhe frazat gjysmë-, njëfaqëshe, për të skicuar me fjali të shkurtra jetën banale të një njeriu prej atyre të shumtëve në diktaturë, që dashur, padashur, e ndihën atë të bëhej ajo që ishte/është. Jo më kot e përmendëm më sipër H. Arendt-in: heroi i këtij tregimi është mishërimi i së ligës, i së ligës aspak spektakolare, aspak të bujshme, të ligës që jetojmë përditë. Mund të qe fqinji ynë, mund të qe xhaxhai, halla, ndoshta ynë atë, por mund të qemë edhe vetë ne. Dorëheqja vullnetare nga “elitishtja” i ka bërë shumë mirë kësaj pjese, pasi kjo ndjehet edhe më fort si mungesë; edhe humori këtu vjen më i përkorë; me të ndodh e njëjta gjë siç me stilin, por nuk është kjo një thjeshtësi simpliste, është thjeshtësia mjeshtërore e ajsbergut (E. Hemingway) që i ka shtatë të tetat në ujë. Do ia vlente të lexohej ky vëllim veç për këtë tregim, që mund përmblidhej me krenari në çdo antologji të prozës bashkëkohore shqipe e që na mbush me shpresë për të ardhmen e saj.

Ka patur dy ogure të mira viti letrar që shkoi për dashamirësit e letërsisë në Mëmëdhe: dy çmimet më të rëndësishme (i Panairit të Librit dhe ai i Ministrisë së Kulturës) shkuan për dy të panjohur; të panjohur për juritë, pasi, sado për të nënqeshur të jetë kjo, nuk ka qenë e vetëkuptueshme këto 25 vite. Ndoshta po bëhet më mirë e këtë po e duam të gjithë; Dedja bën edhe më shumë se kaq me këtë kontribut.

Librin tjetër të radhës prej tij do e lexojmë më me dëshirë e më me pak paragjykime: merita për këtë emancipim i takon këtij vëllimi. 

Jua rekomandojmë!

 

*marrë nga Infokult

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).