Ngjarjet e 2014-ës kanë treguar se pavarësisht se ç’ndodh në pjesët e tjera të botës, Shtetet e Bashkuara nuk mund t’i shpëtojnë krizave të ndërthurura në Lindjen e Mesme – as 2015-ta nuk ka për të qenë ndryshe.

Rënia e të ardhurave nga nafta do të thotë më pak para për të shpëtuar ekonomitë në vështirësi.

Pa nënvlerësuar gjithë problemet politike të vendit, ekonomia mund të përbëjë një nga sfidat më të mëdha për Egjiptin në vitin që vijon.

Një gjë është e qartë: pas Irakut dhe Afganistanit, SHBA-ja nuk ka më oreks për ndërhyrje të mëdha ushtarake.

Po forcohet po aq përshtypja se popujt e këtij rajoni duhet t’i zgjidhin vetë problemet e tyre.

Megjithatë, udhëheqja e SHBA-së mbetet e rëndësishme për sa i përket formimit të koalicioneve, furnizimit me specialistë ushtarakë, e më radhë.

Kam përzgjedhur pesë probleme kyç të Lindjes së Mesme që duhet të kenë përparësi në agjendën e presidentit Barack Obama.

Madje këto probleme mund të përcaktojnë më tërësisht trashëgiminë e politikës së jashtme që do të lërë ky president, dhe asnjëri prej tyre nuk zgjidhet dot lehtë.

Lufta kundër IS-it

Pas një fillimi të pasigurt ndërkohë që ekipi i Z. Obama përpiqej të ndërtonte një strategji, kjo fushatë do të zgjasë. Ajo mundet fare mirë të vazhdojë edhe pas mandatit të presidentit.

Megjithëkëtë, Z. Obama ka pranuar që në fillim elementin më të rëndësishëm: fuqia ushtarake e SHBA-së është vetëm një pjesë e vogël e zgjidhjes.

Mund të ketë sigurisht nevojë për më shumë ndërhyrje ajrore amerikane dhe që këshilltarët në terren të marrin kur të vijë dita role këshilluese në vijën e parë.

Po aq sa është e nevojshme që aktorët rajonalë të përballojnë shumicën e barrës së luftës, nevojitet që rajoni të luftojë edhe kundër mesazhit të IS-it.

Perëndimi mund të ndihmojë edhe në këtë pikë, por ndihma nënkupton ngritjen e një “qasjeje mbarëqeveritare” – bashkërendimin e politikave të mbrojtjes, të marrëdhënieve me jashtë dhe të disa elementeve nga politika e brendshme në një mënyrë të gjithanshme për të goditur fondet, ideologjinë dhe rekrutimin e IS-it.

A është ekipi në tretje i Obamës në gjendje të ngrejë një sipërmarrje të tillë të përbashkët?

Rebusi sirian

Strategjia e presidentit Obama kundër IS-it mund të quhet “Së pari Iraku” jo pak për faktin se SHBA-ja i ka organizuar atje aleatet dhe Iraku ka të paktën një qeveri gjysmëfunksionale me të cilën mund të punohet.

Siria është rast krejt tjetër. Aty nuk ka një qeveri jo të regjimit, përveç IS-it dhe grupeve të tjera islamiste, që të kontrollojë pjesë të konsiderueshme të territorit.

Pavarësisht shpresës në agim, regjimi i Asadit duket i ngulitur mirë. Sulmet amerikane kundër IS-it ka të ngjarë t’ia përforcojnë pozitat.

Përpjekjet për të stërvitur dhe armatosur luftëtarë sirianë të pranueshëm për perëndimin janë në faza shumë të hershme dhe sipas disa ekspertëve amerikanë vetëm programi i stërvitjes fillestare mund të zgjasë deri në 2016-ën. Po më pas?

Realiteti i zymtë në Siri është që regjimi i Asadit kontrollon ende rreth gjysmën e vendit, IS-i kontrollon një të tretën dhe grupe të tjera militantësh, shumë prej të cilave janë të lidhura me al-Kaedën, diçka më pak se 20%.

Grupet e ashtuquajtura properëndimore apo “të moderuara” kanë në kontroll rreth 5% të territorit, themele jo aq të forta mbi të cilat të ndërtosh.

Disa vëzhgues amerikanë të Sirisë e shohin me shqetësim këtë rrëshqitje të politikës amerikane, por kanë frikë se hedhja e hapave më të medhenj për të minuar regjimin e Asadit mund ta lënë vendin në kaos dhe nën drejtimin e një sërë elementësh po aq të papëlqyeshëm.

Rebusi sirian është: si të lidhet strategjia kundër IS-it në Siri dhe Irak duke ia mbajtur derën hapur një zgjidhjeje dalë nga negociatat dhe që e largon presidentin Asad – nëse një gjë e tillë mund të arrihet – duke evituar njëkohësisht gjymtimin kaotik të vendit.

SHBA-ja, ndoshta së bashku me Rusinë, mund të marrë rolin kryesues (nëse një iniciativë diplomatike SHBA-Rusi është e mundur në kohën që flasim) por shanset që diplomacia të ketë sukses do të varen po aq nga aktorët rajonalë si Turqia, sauditët dhe Irani.

Dosja bërthamore e Iranit

Rikrijimi i marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Iranit është një trofe i  stërmadh diplomatik.

Ai mund të ndryshojë një dinamikë kyç në rajon, por askush të mos ketë iluzionin se për shkak të antipatisë së përbashkët ndaj IS-it ka një harmoni pikëpamjesh mes Uashingtonit dhe Teheranit mbi Lindjen e Mesme.

Tani për tani shqetësimet kryesore të Iranit janë ekonomike, veçanërisht nëse çmimi i naftës vazhdon të jetë i ulët.

Ekziston një mundësi në këtë pikë por qeveria e Obamës duhet të shmangë kritikat e Izraelit, Arabisë Saudite dhe ato që vijnë nga vetë Kongresi amerikan.

Deri më tash marrëveshja ka qenë e paarritshme, duke dështuar për sa i përket afateve dhe kushteve që nevojiten për t’u siguruar nga rendja iraniane drejt bombes si edhe bashkërendimit kohor me heqjen e të gjitha sanksioneve ekonomike.

Edhe nëse një marrëveshje do të mund të arrihej, marrja e miratimit nga Senati mund të ishte e vështirë.

A mendon Z. Obama se ia vlen barra qiranë?

Apo ai beson se një mbartje e përsëritur e marrëveshjes së ndërmjetme – duke i mbajtur sanksionet ekonomike dhe kufizimet e programit bërthamor të Iranit – është një qasje më e mirë?

A është në fakt e mundur një qasje e tillë, apo përkundrazi ky regjim sanksionesh do të shpërbëhet në mungesë të marrëveshjes?

Sidoqoftë, një hapje e re diplomatike ndaj Iranit është një trofe me vlerë.

Duhet mbajtur parasysh se ishte pikërisht SHBA-ja, nëpërmjet eliminimit të Irakut si aktor i rëndësishëm ushtarak, që më së shumti e shndërroi Iranin në forcën që ky është sot.

Mund të argumentohet bindshëm se nëpërmjet aleatëve dhe mëkëmbësve të vet Iranit i dëgjohet fort fjala në katër kryeqytete arabe: Bejrut, Bagdad, Damask dhe Sana.

Gjithashtu, falë përkrahjes që i jep disa grupeve të rëndësishme militantësh shiitë që po luftojnë kundër IS-it në Irak, Irani rrezikon të thellojë tensionet me sunitët, mbështetja e të cilëve është njësoj e rëndësishme për të frenuar IS-in.

Procesi i paqes Izrael-Palestinë

Problemi shumëvjeçar dhe i qëndrueshëm diplomatik i Lindjes së Mesme duket se po bëhet akoma më i pakontrollueshëm me kalimin e kohës.

Deri tani diplomacia amerikane për procesin e paqes ka qenë në duart e Xhon Kerit, sekretarit këmbëngulës të Shtetit, i cili i ka rënë me kokë murit proverbial pa ndonjë rezultat.

Atëherë, a ofron 2015-a mundësi të reja apo vetëm rreziqe të tjera?

Nga këto të fundit ka pa frikë plot, por ndoshta ka edhe një fije mundësie.

Mos vallë sistemi politik dinamik, edhe pse plot fraksione, i Izraelit do të nxjerrë ndonjë alternativë ndaj kryeministrit Netanjahu, për të cilin amerikanët janë të bindur se nuk sjell dot asfarë fleksibiliteti?

Pa vënë dorën në zjarr, duket se marrëveshja e fundit mes Partisë së Punës të Izraelit dhe formacionit të vogël të qëndrës së djathtë të Cipi Livnit është me perspektivë.

Kjo gjë mund të mos thyejë krejt kallëpin politik, por një alternative realiste më e qendrës mund të marrë mbështetje; një nga të mirat e saj të para do të ishte një marrëdhënie më pak e veshtirë me SHBA-në.

Por fushata e zgjedhjeve ka rreziqe të fshehta për Z. Obama. Z. Netanjahu nuk e ka fshehur kurrë parapëlqimin e tij për kundërshtarët republikanë të presidentit.

Z. Obama mund të tundohet të ndërhyjë në prapaskenat e fushatës për t’ua bërë të qartë votuesve izraelitë se çfarë është në lojë.

Por kështu ai rrezikon të kristalizojë mbështetjen për bllokun e krahut të djathtë duke minuar pikërisht ata që me shumë mundësi i vijnë më për shtat.

Sidoqoftë, paqja duket si gjithmonë larg.

Një provë e parë e asaj që ka në mend presidenti mund të jetë përgjigjja e tij ndaj vendosmërisë palestineze për të çuar përpara çështjen e shtetësisë duke kërkuar antarësimin në një sërë organizatash ndërkombëtare.

Kjo i shkon kundër qendrimit bazë izraelit dhe amerikan se rruga e vetme drejt paqes është nëpërmjet bisedave të drejtpërdrejta mes palëve.

Duke qenë se gjasat janë të pakta që bisedimet e mirëfillta të rinisin, Obamës i duhet të vendosë nëse dëshiron vërtet të investojë kapitalin e paktë politik në kërkim të një marrëveshjeje. Shumëçka do të vendoset nga rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme në Izrael.

Ripërcaktimi i interesave thelbësore

Marrëdhëniet e Amerikës me të gjithë miqtë e saj të vjetër në rajon janë vështirësuar që kur cunami i ndryshimeve dhe kaosit nisi të përfshijë Lindjen e Mesme.

Vështirë të gjesh një kryeqytet që nuk ka kontradikta serioze me Washingtonin, edhe pse shumë vazhdojnë ta shohin SHBA-në si një element jetësor të sigurisë së tyre.

Fuqizimi i IS-it ka vënë theksin tek fakti se aleatët arabë sunitë të Washingtonit (dhe të mos harrojmë Turqinë) i kanë futur duart gjithandej në Siri dhe Irak për interesa që pajtohen vetëm në mënyrë të përgjithshme me ato të Washingtonit.

Financimet e grupeve islamiste dhe xhihadiste kanë shkaktuar tensione të cilat nganjëherë kanë dalë edhe në sipërfaqe.

Edhe Izraeli po ndjek interesat e veta. Për shembull, a ka Izraeli të njëjtin qëndrim me Washingtonin ndaj programit bërthamor të Iranit?

Sigurisht që jo, por në ç’pikë do të binte ndesh me qeverinë e Izraelit dhe me mbështetësit e saj të fuqishëm në Kongres një marrëveshje që do të ishte e  kënaqshme për qeverinë Obama?

Pra, SHBA-ja duhet të përpiqet të përcaktojë sërish dhe më qartë interesat e saj thelbësore në rajon.

Deklaratat dashamirëse mbi përhapjen e demokracisë apo të të drejtave të grave janë aspirata të përsosura, por krejt perëndimi duhet të jetë më realist për sa i përket kohës që nevojitet për nxitjen e ndryshimeve shoqërore, të cilat sidoqoftë duhet të burojnë së brendshmi.

Një ilustrim i dështimit të qeverisë Obama në përballjen me kompleksitetet e rajonit është fakti që fjalimi i Obamës mbajtur në Kajro në vitin 2009 sot nuk ka më asnjë jehonë. Ai fjalim që në atë kohë u brohorit si një rinisje e marrëdhënieve mes SHBA-së, Lindjes së Mesme dhe më gjerësisht botës myslimane doli se qe një nisje e gabuar.

Sidoqoftë disa elemente bazë në rajon po ndryshojnë.

Mjedisi i ri energjitik është një sfond i rëndësishëm me fuqi transformuese për diplomacinë në rajon.

Me pak fjalë, revolucioni i nxjerrjes së naftës prej shistit do të thotë se SHBA-ja siguron më shumë naftë në tokë të vet – madje do të prodhojë përherë e më shumë energji për eksport – duke dobësuar njëfarësoj lidhjen e saj tradicionale me rajonin.

Kjo mund të shpjegojë pjesërisht gadishmërinë e sauditëve për të lejuar rënien e çmimit të naftës duke shpresuar, ndoshta, të nxjerrin jashtë loje prodhuesit amerikanë të cilëve iu rriten kostot përkundrejt fitimeve.

Ky s’është veçse manifestimi fillestar i ndryshimit të marrëdhënies mes SHBA-së dhe njërit prej aleatëve të saj më të rëndësishëm në Lindjen e Mesme.

Nafta  dhe gazi e kanë mbajtur rajonin në qendër të vëmendjes strategjike që prej Luftës së Dytë Botërore.

Kjo është edhe arsyeja përse sot flota amerikanë është në Bahrein dhe forcat ajrore të SHBA-së janë të vendosura mirë në Gjirin Persik.

Rëndësia që ka ky rajon për Uashingtonin nuk do të zhduket në një ditë.

Aleatët e Amerikës do të vazhdojnë të varen nga energjia e Gjirit Persik në të ardhmen, me sa mund të parashikohet.

Por interesi i vetë Uashingtonit mund të zbehet ndërkohë që gjetkë vendosen ekuilibra të rinj.

Ndoshta është kjo arsyeja pse Franca dhe së fundmi edhe Britania e Madhe kanë ngritur edhe ato baza ushtarake detare në Gjirin Persik.

Kështu që për vitin 2015 dy gjëra dalin qartë.

Riorientimi i SHBA-së për nga zona Azi-Paqësor është ende në zhvillim, pavarësisht vonesave.

Por Lindja e Mesme paraqet si përherë plot sfida për diplomacinë amerikane, si edhe kurthe, nëse rezulton se presidenti nuk është strateg i mirë.

Përktheu: wasabi. Origjinali gjendet këtu.

14 Komente

te zgjidhim njeher keto 2-3 sfidat ne France e Evrope,  pastaj hidhemi  andej nga Lindja e Mesme, qe e bete lemsh fare me  te famshmen: ''pranvera arabe''.

Autori, ben mire qe jep keshilla, po ka harruar nje gje, se Lindja e Mesme dhe e aferme, ka shekuj me probleme, probleme qe do vazhdojne me shekuj perseri po te hecet ne kete menyre apo sipas keshilleve te Xhonatanit.  A nuk do te ishte me mire qe ai rajon te izolohej, te hanin njehere e mire vetvehten e tyre, dhe pasi te ishin capeluar mes veti,  do pushonin vete e me pas te fillonin te punonin e te bashkpunonin mes veti. 

Sipas meje , sfida e Amerikes ( dhe jo e Obames) me Lindjen e Mesme ka dy pole kontraverse.Izraelin dhe Iranin.Ne se politika amerikane nuk i ve kufi Izraelit ne terheqjen nga tokat e pushtuara dhe karshillekun qe u ben arabeve si fuqi  berthamore , nuk do ta terheqi kurre Iranin nga procesi i prodhimit armatimit berthamor.Un them se ai sot e zoteron.Une kam pare faqe mali veshur me pyll ku brenda tij punonin mijera njerez ...Jam i sigurte qe Kur i pash  une,ca gjera  ti kete shpetuar ...Mosadit, kurre ! 

Sot Amerika, per te ardhmen e saj dhe te miren e paqes ne bote, duhet te perballet me klanin sionist dhe te afrohet me Iranin .Izraeli e ka tejkaluar te qenit aleat ne Mesdhe .Ai shtet per te miren e vet duhet te lere krekosjen dhe te shofi realitetin ne sy sepse pkam takuar plot izraelite te biznesit qe jane kryekeput kunder politikes sioniste  me arabet ...Nuk po durojm me thone...

Edhe kendej ne Europe, Grave, ka çifut qe nuk para e simpatizojne politiken agresive te shtetit te tyre, por jane pak. 

Pasurimi i uraniumit behet me centrifuga. Cifutet me nje virus kompjuteri ja shkateronin centrigugat. 3 vjet Iranianet mendonin mos i kishin centrifugat skarco. smiley

Nje grusht popull jane, biles pa atdhe deri para 50 vjetesh. Sot komandojne gjithe boten. Qaju hallin.

Fjala ...gjendet edhe pa centrifuge ....! 

S'ka rendesi metoda. Ishte shembull per te treguar gjenialitetin e tyre. Flaken botes do ti vene po u gjenden ne pozicion te veshtire.

Obama te boj gati ato valixhe, muncish ta terrasi taksine icik perpara. 

Gjeni 5 sfidat e Berishes, Rames, dhe Bujar Nishanit ju dhe mos u merni me Obamen, se late nom! 

Dy nga sfidat kryesore Ilir-Jano per politikanet e permendur jane; 

1) Lufta ndaj Varferise

2) Lufta ndaj Padrejtesise 

 

 

Siria

Përpjekjet për të stërvitur dhe armatosur luftëtarë sirianë të pranueshëm për perëndimin janë në faza shumë të hershme dhe sipas disa ekspertëve amerikanë vetëm programi i stërvitjes fillestare mund të zgjasë deri në 2016-ën. Po më pas?

'

Luani me zjarrin o "shkerdhata elokuente". Degjenerate gazetar!!!...Pa ne e shpjego ca kush jane keta te pranueshmit? se e hidhni bomben dhe hidheni menjane keshtu tinzarisht..te kape ke te kape...I trajoni, i shendrroni ne makina vrastare lufte dhe pastaj kur vijne ketej dhe na bejne kerdine beni bububu c'na gjeti

Ja kshu:

Bisedova me Ramizin për vizitën që Anuar el Sadati do të bëjë pas disa kohe në Izrael. Është rasti që t'u bëj- më një demaskim të fortë armiqve të popujve arabë e, në mënyrë të veçantë të popullit palestinez, imperialistëve amerikanë, socialimperialistëve sovjetikë dhe qarqeve re- aksionare arabe. Udhëtimi i Sadatit në Izrael është pjesë e komplotit të përbashkët imperialisto-sionist dhe i reak- sionit arab kundër interesave dhe të drejtave të popujve arabë. Për këtë çështje i dhashë Ramizit udhëzime të hollësishme dhe teza të zgjeruara për një artikull, në të cilin të demaskohen edhe vepra e politika kapitulluese e Sadatit, por pa e përmendur atë me emër.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).