(në vendin e Fjalës së Lirë)

Pas arrestimit dhe burgosjes së një anëtari të urdhërit “Xherahët e së Ardhmes”, i cili kishte shitur lëng gorice të përzjerë me një substancë sekrete që u zbulua se ish urinë dacësh të shkurtit, si melhem që shëronte kancerin e pankreasit dhe lemzat e zgjatura mbi tre muaj, kurrkush nuk do ta besonte që një tjetër anëtar i urdhërit, Xhemi, do të kish guximin të ofronte një melhem çudibërës. Nuk ish lëng shëronjës, përkundrazi, - sipas shitësit, ai të kallte një ethe të re, atë të poezisë. Të bënte poet. 

E gjitha kish ndodhur prej vetiu, pa asnjë lloj plani paraprak. Xhemi kish ngatërruar ilaçin kundër stërkungullit me një lëng pa emër, të cilin ai nuk e dinte se çfarë shëronte, gjithnjë nëse shëronte vërtet diçka. Kupën që mbante lëngun e ri e kish vendosur rastësisht pranë asaj për stërkungull, dhe ngatërresa kish qenë gati e pashmangshme – kupat ishin shumë të ngjashme. I sëmuri kishte pirë ilaçin e ri, dhe veç lehtësimit të pashpjegueshëm (për Xhemin) nga stërkungulli, kishte filluar papritur të thurte vjersha, gjë që s’e kish bërë kurrë më parë. Për çdo gjë që i zinte syri apo i shkonte mendja, e kish gati poezinë, fët e fët, si simite të ngrohtë nga furra e bukës. Për shembull, sapo pa disa fëmijë që këpusnin lule nga oborri i shkollës, u shfaq me titullin e radhës:

Mos i këpusni lulet,
Se lulet janë buzëqeshja 
E jetës
Dhe ju dënon historia
Dhe brezat…

Në përgjithësi vjershat i mbaronte me tri pika, për të cilat kishte një respekt të veçantë. 
Lektisja e beftë për vjershërim duhej të ish diçka fluturake, kishte menduar Xhemi me atë fillim, dhe nuk i kishte kushtuar shumë rëndësi, si çdo gjëje që nuk e kuptonte. Më tepër kish qenë i interesuar sesi lëngimi nga stërkungulli ishte zbutur prej lëngut të panjohur. Kishte pyetur dikë që studionte për mjekësi, natyrisht ashtu si në përgjithësi, sa për kuriozitet. I kish thënë se si shpjegohet që një ilaç i gabuar mund megjithatë të ketë një veprim shërues, dhe tjetri seç i kish ngatëruar diçka për një placebo a plaçebo, e ai prapë nuk kish kuptuar gjësendi. Ishte mjaftuar me një të gërrnjisur me vete: "Plaç me gjithë plaçebo!" 
Si përfundim, ndërsa stërkungulli i të sëmurit nuk ishte shëruar, dëshira e tij e re për vjershërim nuk ishte mehur, përkundrazi, kishte vijuar me një ethe të pandërprerë. I lektisuri po merrte pamje gjithnjë e më përsiatëse e të përhumbur dhe lëshonte vargje pothuajse për çdo ndodhi e situatë. Ta zëmë, po të shikonte dikë që prashiste kopshtin, s’kalonte shumë dhe vjersha përkatëse ia behte prej tij si një frut i ri në degë:

Shkulini barërat e këqia
Që të mos ia zënë frymën 
Shoqeve të tyre
Të dobishme
Dhe kësaj toke
Të lashtë…

Nami i "stërkungullsit" si poet po rritej pa ndërprerë, dhe shumë e thërrisnin tashmë me këtë emër. Aty Xhemit i lindi ideja të përfitonte nga ç’kish ndodhur. Dihej botërisht se “poeti” ish bërë i tillë pikërisht pasi kish pirë lëngun e tij, thjesht nuk kish njeri që të bënte lidhjen “pas lëngut, pra për shkak të lëngut”. Dhe një ditë të bukur, në stendën e vet u shfaqën pa bujë ca flakone me lëng të verdhë, në të cilat qe shkruar pafajësisht “Lëng për poezi”. 
- Ç’është kjo? - pyeti dikur një blerës i rregullt lëngu për tartakut.
- Lëng për poezi, - tha Xhemi me një ton të atillë sikur po thoshte "lëng për kollë" apo "për të dalë jashtë".
- Për çfarë?!
- Për poezi.
- Nuk kuptoj.
- Çfarë nuk kupton? S’ka gjë për të kuptuar. Po pive këtë lëng, mund të bësh poezi. Kaq e thjeshtë është.
Blerësi e pa me mosbesim duke u munduar të shquante ndonjë tallje në sytë e shitësit, ndonëse Xhemi s’qe dalluar kurrë si shakaxhi. Xhemi vazhdonte ta shihte serioz dhe natyrshëm.
- Shiko se sot nuk është as 1 prill, - kishte bërë përpjekjen e fundit tartakutsi.
- Po ç’një prill, - ishte revoltuar Xhemi, - unë po të them që është lëng për poezi. Ti po s’besove, mos e bli, nuk të detyron njeri.
Tjetri ishte vënë në mëdyshje.
- Unë s’ia kam shkrapsur kurrë për poezi, - tha pas ca. – Veçse gjithnjë kam dashur të thur vargje. Si Kurti, për shembull, që fiton gjithnjë në festivale. 
Blerësi heshti një hop, pastaj u mëdysh prapë, diç donte të thoshte, por nuk po kishte guxim. Sytë kërkues dhe të gatshëm për mirëkuptim të Xhemit, si sytë e çdo shitësi, e ndihmuan sidoqoftë të shprehej. 
- Kurti rregullon edhe femra me poezitë e tij, - tha blerësi më në fund.
- Po edhe ti mund të rregullosh, - tha me siguri të dukshme Xhemi. – Pse ti jo? C’të mungon ty, ç’ka Kurti më tepër?
- Talentin, - tha tjetri, me zë të shuar, të mësuar prej kohësh me kapitullimin.
- Talentin, po, - erdhi xhevapi hazër i Xhemit, - por ama ti mund të kesh këtë, të cilën Kurti s’e ka! 
Dhe i tundi shishkën e vogël para syve: – Me këtë mund të kesh cilën të duash.
Aq u desh, pyetja tartakutse “sa kushton” erdhi plot ashk, thua se po i fliste vërtet femrës së dëshiruar. Xhemi e ngriti trefish çmimin krahasuar me atë që kish vendosur me vete në fillim, dhe tjetri e bleu menjëherë. 
- Sa herë duhet pirë? – pyeti plot interes.
- Kjo shishkë mjafton për dy javë, - tha Xhemi që u pendua në çast pse nuk tha për një. – Duhet marrë esëll, - tha si me merak. – Përndryshe nuk punon.
Tartakutsi doli nga dyqani i mbushur me shpresë dhe pritshmëri.

S’kaloi shumë dhe klienti filloi të nxirrte vjershat e para. E fundit i kushtohej vajzës së dëshiruar. Ishte një akrostik:

Era fryn mes pemëve,
Merr gjethet dhe frymën time,
A mos vallë erdhi pranvera?...

Shoqet e Emës u bënë xheloze, atyre nuk u kish kushtuar kurrkush poezi në jetë të tyre. Ema ishte bërë sakaq një heroinë dhe po shijonte statusin e papritur. Kishte gra të rralla me këngë për bukurinë e tyre po aq të rrallë, por edhe ajo nuk e hante thatë, ishte vajzë me poezi, ç’ka është në thelb e njëjta gjë si kënga. 
Poeti i sapobërë me lëng, i nënshkruante vjershat me një emër poetik, “Skifteri”. Filloi të shoqërohej me stërkungullsin, bënin biseda për poezi, i shikonin të tjerët nga lart poshtë, ishin të dalldisur në të tjera sfera, në të tjerë qiej. Deri edhe kur porosisnin kafe në klubin e mëhallës, prodhonin poezi. Herën e fundit, Skifteri pyetjes së banakierit se ç’dëshironte, i ish përgjigjur me:

Nëqoftëse hëna do kthehet përmbys
Fatin do tregojë
Në trajtat e rrjedhura
Porcelanit të fildishtë…

Banakieri e kish parë i shastisur. Më në fund kishte pyetur: 
- Kafe, si gjithmonë?
Por nuk kishte marrë përgjigje. Fytyra e Skifterit ishte bërë enigmatike në mënyrë të pakthyeshme, me një buzëqeshje ku tretej e fshehta, e pakuptueshmja dhe një fije e lehtë altruizmi, veç pa a tepruar me këtë të fundit. Banakieri kish hapur krahët si i pamundur dhe ishte drejtuar nga stërkungullsi, i cili me pamjen e atij që nuk mund të mbetet pas, pra i dalldisur në mendime edhe ai, kishte thënë:

Në qoftë se cicërojnë zogjt',
Dëgjoji,
Në qoftë se lulëzojnë lulet,
Kundroji…

Edhe stërkungullsi po i nënshkruante poezitë e tij me një llagap letrar: “Shqarthi”.
- Atëherë dy kafe, - i kishte dhënë dum banakieri me një si kuturisje kokëshkretë. - Të zakonshmet, po?
Por më kot, dy poetët po shihnin tashmë retë e padukshme në tavan duke këmbyer ndonjë frazë të tymtë, si: shkund kindet këndore kandër e kudondodhur…, së cilës, pas një heshtjeje që impononte respekt pritës, i gjegjej imazhi poetik i shokut: gërsheti gërvisht gërnjat pa gërdhëllimë…
Gërdhëllimë ishte një fjalë e panjohur, por që rrinte aq mirë në atë kuvendim, saqë merrte një kuptim, cilido të ish ai. Kushdo që dëgjonte, tundte kokën me habi respekti: “Nc nc nc… Ja, kështu pasurohet gjuha. Nga poetët!” 
"Fjala na bëri ne, ne bëjmë Fjalën", kishte vazhduar Shqarthi gjithë me zërin e tij të përdëllyer. “Fjala eterin than, kur rreh në taban”, kish vulosur sinorin e tij Skifteri, flakë për flakë e solemn.

5 Komente

Ja e gjeta dhe sheqerin e mbaruar per kafen e ketij mengjesi. smiley 

oho smiley ç'u 10-va tu qesh smiley ke lindur shkrimtar Emigranto. Kot punon ne punera te tjera smiley

+1

Shif ..Them se , një titull psh Copëza Jete, mund të të jap Fizionominë e PLOTË për rrëfimet  . Pastaj vijnë vet kritikët për narrativat dhe mpleksjet e gërdhëllimave me Gërdhuqët smiley

Dhe ngjite pak o sa pak si KaNdareja . Kështu kaloi dhe ai sa u bë mjeshtër i mjegullës

Nga Leshte e tua ngjyrë ari , në Leshdredhje të madamave të mbrëmjeve Elitare smiley  në Pallatin e Brigadave .Po nuk " gërvishe " nuk del gjak .

 Kufijt i ke kaluar të të zakonshmes . Ngjitu pak . Llaf e kam . Kështu kaloi dhe Ai me gurë gurë ...Gurë ka edhe Skrapari smiley Koha është ..Elitat janë shfaqur si në Koncert në Vitin 36 ...

Me që ra fjala , akoma po qesh me variantet e Koqeve të Ademit e të kësaj . Po prapë , them se , mo ma shaj si shprehje , mundet të jem gabim , po shoh një " vettallje " nëpër reshta .Kjo është MAJA që e kanë si cilësi të Rrallë , vetëm emërndjerët , që shkrijnë personalen me "tjetrin" duke u përgatitur edhe për Sulme Cinikësh e Zjarr vënës  në rrugën e Gjatë të Krijuesit .

Flm për tregimin e shkurtër por me peshë !

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).