Lidhjet mes Luftës së Parë Botërore dhe letërsisë janë bërë tanimë pjesë e kulturës dhe e kujtesës sonë. Në dobi të saj muze janë hapur anekënd botës, janë realizuar dokumentarë dhe filma, janë shkruar kronika, studime dhe ekziston një bibliotekë e tërë me libra kushtuar luftës. Por gjithsesi, kësaj kujtese ia shtojnë vlerën shkrimtarët dhe poetët që morën pjesë në Luftë, mbi të gjitha shkrimtarët e Luftës së Parë Botërore apo Luftës së Madhe. Krijimtaria e tyre sot është pjesë e programeve të edukimit shkollor, ndërkohë që përshkrimet e gjalla mbi tmerret e llogoreve, kanë hyrë në mënyrë të pashlyeshme në vetëdijen e gjithkujt prej nesh. Për brezat që nuk e njohën dhe që për fat nuk i provuan luftërat, këta shkrimtarë dhe poetë janë vetë Lufta.

Nuk ishte hera e parë që shkrimtarët morën pjesë në luftë dhe që e përshkruan atë. Madje që nga antikiteti na vijnë të dhënat se shkrimtarët ishin edhe luftëtarë, pjesë e luftës. Por Lufta e Parë botërore dhe pjesëmarrja e shkrimtarëve në të ishte diçka që ndodhte për herë të parë. Po si ishte ajo Luftë dhe, veç të tjerash, ky themel i ngritur nga këta shkrimtarë, a është rruga që na çon për tek fjalët dhe përjetimet e tyre?
Shpjegimet janë të ndryshme. Së pari, dhe ndoshta mbi të gjitha, duhet shënuar se mjaft domethënës, madje e pangjarë deri asokohe, ishte fakti i mbërritjes së një lloji të ri të ushtarit, i një qenieje që nuk ishte parë kurrë më parë në fushëbetejë. Ai ishte kronikani i betejave të luftës.

Historiani John Terraine, në kontekstin e pjesëmarrjes së Britanisë në Luftë, e përshkruan rrjedhshëm portretin e këtij kronikani: “Ata ishin gjerësisht pjesë e shtresës së mesme dhe ishin njerëz të mbimotivuar. Ky element ishte qartësisht i arsyeshëm, tepër i arsyeshëm, për t'i shpjeguar këta shkrimtarë. Ndjenjat e tyre të kultivuara ishin të njohura për të gjithë.Ishte përgjithësisht, një brez i letrar i artikulimit më sipëror të fjalës. Dhe në goditjen e papritur, në shock-un e përvojës, që duhej përballuar, ne gjejmë ndoshta për mendimin tim, stolinë e vërtetë të “traumës britanike”.

Dihet se edhe përpara vitit 1914, ka pasur njerëz që e kanë përshkruar luftën, që e kanë pikturuar apo kanë shkruar poezi për të. Por shumë pak prej tyre kishin parë betejë me sy dhe edhe më pak ishin bërë pjesë e luftimeve. Tashmë, saje të kthesave të forta, brezi i klasës së mesme letrare kishte zbuluar domethënien e shterimit dhe tmerrin.

Sigurisht, poetët më të shquar të luftës Sassoon, Owen dhe Graves ishin që të gjithë oficerë të shtresës së mesme, por me siguri që aty, në fushëbetejë kishte gjithashtu edhe zëra të tjerë, nga të gjithë profesionet dhe zanatet, përfshi edhe gjellëbërës të regjistruar ca si me tepri e me sukses si vullnetarë.

Aty nga fundi i vitit 1914 më tepër se një milion burra nënshkruan për të luftuar Kaizerin. Dy vjet me vonë, për të parën herë në histori, Britania paraqiti thirrjen nën armë. Një brez i gjithë shkoi në luftë, me zotësinë për të bërë diçka, që veç disa burra mbi tokë kishin qenë të aftë ta bënin më parë në terren, mu aty, në frontin e luftës: të shkruanin, të përshkruanin tmerrin, tragjedinë.

Burra të shtresave dhe të rangjeve të ndryshëm lëviznin në përpjekjen e tyre për të përshkruar këto lloj përvojash të rënda, të egra. Ivor Gurney, për shembull, i pavaruri poet i asaj kohe, i sëmurë nga bipolarizmi, çrregullim i cili iu përkeqësua thellësisht nga përvojat e tij në luftë, la dëshminë e tij. Vepra e tij qëndron përkrah “Copat e mezit të së ardhmes” të Frederic Manning, i cili e përshkroi fund e krye dhe me të gjitha detajet e imta jetën nën armë, në ushtri, përgjatë luftës.

Botuar aty nga fundi i vitit 1920, ndërsa njerëzit ishin neveritur së numëruari humbjet e jetës, mu në çastin kur u mësua se ajo që ishte shembur gjatë Luftës së Parë botërore i kishte kapërcyer përmasat e së zakonshmes, Frederic Manning portretizoi përvojat e ushtarëve të thjeshtë midis luftimeve, aty, përgjatë fushëbetejave në Somme. Ata uleshin rreth njëri-tjetrit dhe, edhe pinin edhe mallkonin edhe besonin. Jo heronj, por njerëz të zakonshëm në një situatë të jashtëzakonshme, që prisnin që ajo diçkaja e shkëlqyer të ndodhte edhe me ta. Ndërkohë, gjetiu, një grua si Vera Brittain ishte duke u dhënë zë përvojave të infermiereve në sheshbetejë me “jo më shtretër të lirë për të kapurit rob, barelat mbartin burra sy-egër në batanijet e fëlliqura ngjyrëbërsish, në një hapësirë të papërshtatshme të dyshemesë.”

Por nuk ishte vetëm Britania ajo që kishte një ushtri të çlirët, me penat si bajonetë. Në Francën e vitit 1916 Henri Barbusse publikoi librin e tij të njohur botërisht “Zjarri”, një nga rastet e rralla letrare ky për faktin se libri doli haptazi kundër luftës, ndërkohë që lufta vazhdonte, madje me tërbim. Henri Barbusse u bë pacifist për shkak të përvojave të tij, por edhe për shkak të botimit të këtij libri, i cili i shpërfaqi lexuesit jo heroizmin propagandistik të qeverive, por tmerrin e vërtetë të ushtarëve në llogoret e Luftës. Përmes radhëve të këtij libri, për të parën herë njerëzit e qyteteve dhe të kafeneve njohën transhetë, vrasjet masive, masakrën, gjymtimin, gjakun. Kjo sprovë ishte krejt në kundërshtim me atë çka bënin drejtuesit francezë, të cilët përpiqeshin të bindnin burrat e vendit të tyre të vazhdonin të luftonin deri në fund, deri në frymën e fundit, deri në pikën e fundit të gjakut. Më pak acarues për eprorët e tij ishte libri i një ushtari gjerman, i cili kishte fituar tashmë dekorata për “Merita të Larta” si toger i ri. “Stuhi çeliku” i Ernst Jünger do të vlerësohej me eufori prej atyre që s'kishin kohë për t'u marrë me “farën e keqe të poetëve të squllët”, siç quheshin ata, krahasuar me kafshimin e shrapnel-it (shpikja e kohës, arma automatike e luftës së parë). Jünger e dashuronte luftën dhe mendonte ai ishte duke jetuar një kohë e lavdishme. Dhe me të vërtetë, ai nuk arrinte ta besonte se fati i tij i shkëlqyer ishte pjesë përfshirëse e kësaj aventure të përgjakshme. Në përkthimin e botimit të tij në anglisht, të vitit 1929, ai shprehet: “Vetëm koha e përforcoi bindjen time se lufta është një jetë për së mbari dhe e zellshme, lufta, e cila për të gjithë është shkatërrimtare, në të vërtetë është një shkollim i pakrahasueshëm i zemrës.” Thënie burrërore këto. Të domosdoshme për propagandën e shtetit. Më pas, Hitleri dhe ndjekësit e tij e vlerësuan këtë libër si një kthesë të vërtetë të faqes së historisë. Sigurisht.

Më pak i njohur ishte rasti i një tjetër rrëfimtari të Luftës. I përbuzur, i braktisur dhe djegur publikisht nga nazistët, romani “Asgjë të re nga fronti i Perëndimit” me autor Erih Maria Remarque, u bë për një çast libri më i shitur në botë. Mes titujve të përmendur këtu, kjo vepër mbetet e vetmja që zgjon interesin e vazhdueshëm dhe të pandërprerë të lexuesit nga e gjithë bota. Ky libër mbolli një lëvizje të re letrare, ndryshoi diçka te llojet e librave që denoncojnë luftën, duke u bërë menjëherë bestseller i njëfarë stili të admirueshëm në fundin e viteve 20-të, njësoj sikurse janë librat me vampirë bestseller sot. Ky libër epik dhe lirik, ka frymëzuar gjithashtu filmin e parë të Luftës, i cili ngre zërin për atë që vjen më pas dhe që do të përsëritej si gabim.

Nga këndvështrimi i sotëm, mjafton të përmendim emrat e shkrimtarëve të tillë si Robert Musil, Giuseppe Ungaretti, Guillaume Apollinaire, Georg Trakl, Albert Camus, Thomas Hardy, Blaise Cendrars, Francis Scott Fitzgerald, William Somerset Maugham, Ernest Heminguej, Raymond Thornton Chandler, për të kuptuar se ç'pena të arta shkruan për ato kohëra prej çeliku dhe plumbi.

Më vonë, konflikte të reja Lufta e Dytë botërore, Vietnami, Iraku do të frymëzonin ekranet fluide, madje më tepër se sa faqet e dikurshme të letrës. Lufta e Parë botërore ishte ngjarja kur lufta do të shihej, do të vlerësohej dhe do të përshkruhej për herë të parë ndryshe. Lufta do të kuptohej dhe do të interpretohej jo thjesht nga reporterë, por nga shkrimtarë të vërtetë, nga i gjithë brezi i tyre më i ndritur. Dhe ai brez nuk kishte fatin ta shihte luftën në video, duke e lozur, duke e rivënë kasetën apo duke e vështruar atë përmidis lenteve të ngjyrosura kalorësiake. Ata shkrimtarë e panë Luftën e Madhe përmes gjendjes dhe shfaqjes së saj reale, drejt e në fytyrë, në sy, në pllangat e gjakut dhe në kafshimin sharrues të shrapnel-it.

Lufta e Parë botërore mbetet e vetmja luftë, që duhet lexuar, që të kuptohet. Ndoshta nga ky fakt, autorë modernë si Sebastian Faulks dhe Pat Barker vazhdojnë të frymëzohen nga kjo temë edhe sot. Trashëgimia kulturore e atyre burrave të letrave është e qartë: pas gjithë asaj që vuajtën, vëzhguan dhe publikuan, askush nuk e beson më gënjeshtrën e vjetër mbi domosdoshmërinë e pashmangshme, mbi heroizmin dhe drejtësinë e luftrave.

 

Marrë nga "Poeteka",  No. 32 i revistës - botim i veçantë kushtuar 100 vjetorit të Luftës së Parë botërore.

Përgatiti dhe përktheu nga anglishtja Maksim Leka

5 Komente

Heminguej u marros pas asaj bjondes dhe e pa veten ne llogoret e luftes.

eh, ishte kohë lufte, atëherë biondet merreshin seriozisht lol 

smiley 

ishin origjinale gjonat atehere, jo si sot, te lyme.e merr bjonde e pas dy mujash te del brrunesmiley

Është zotësi mashtrimi, merre pozitivisht. smiley

Për brezat që nuk e njohën dhe që për fat nuk i provuan luftërat, këta shkrimtarë dhe poetë janë vetë Lufta.

E paska lexu " Epopeja e Ballit Kombëtar " As Alba me zamete nuk do ta përcaktonte kaq qartë smiley ..Se Mukja zotrie ...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).