SHPUTAT E HUEJA

 

Ndër tana shoqet vet' ma e vogla ishte —

kur ruente delet, dikur;

faqet e njoma e syt si rrush' i kishte;

i ndritte f'tyra si nur'.

 

E gjeta njiherë, vetëm, ulë nen lis

ku prore mrizonte gjanë:

— Zade, moj. shputat ti herët i paske nisë?!

E skuqun tha: — T'huejat janë . . .

 

MOHIMI

 

Habitshëm vithet e plota me sy ia mati

baba vajzës nji ditë:

— Grue, moj Zadja asht rritë e miku gati

nuk thot e mira me pritë! . . .

 

— S'e due! — tha vajza, e n'f'tyrë i hypi gjaku.

turpshëm t'jatin tue kqyrë;

me gaca n'sy — por, egër u shqirr plaku:

— Hesht! Se s'luejmë na me f'tyrë!

 

TUBA E TRETUN

 

Asht vonë, dhe burrë e grue dalin me f'ner'

e thërrasin qetë m'qetë;

posht' e nalt e lypin bareshën e mjerë

e thonë: — Q'e ligë e gjet'?!

 

— O, ktheni t'dashtun, ktheni t'qetë dhe fli'ni

e kot mos bridhni ju malit

se Zadja tash asht larg dhe kërkend s'ndien

pos t'puthunave t'ngrohta t'djalit! 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).