Kush më shumë e kush më pak, të gjithë ne të “shkollës së vjetër” (përgjithësisht të lindur para rënies të perdes së hekurt) jemi edukuar me vlerat e mirënjohjes ndaj njerzëve që kanë treguar kujdes; sakrificës për familje, fis e shoqëri; vetpërmbajtje në marëdhëniet me të mëdhenjt; dhe kur rrëshkisnim mësonim edhe turpin. E nëse këto ishin konstante unike apo vlera  të shenjta, na e “zilepsën” një variabël qe ne do duhet ta zëvendësonim me vlerën më të lartë të mundshme… dhe ajo ishte shkollimi.  

Kështu nisi rrugtimi i krijimtarisë e jokonformizmit kush nga gjimnazet e kush nga kolegjet private. Them në shkollat e mesme se aty dolëm nga kutia e librave të zakonshëm dhe konkuruam e fituam në  olimpiadat e lëndëve shkencore, maratonat artistike e sportive. Për të vazhduar më tej kërkimin e shkollimit kësaj here jashtë kutisë së Shqipërisë, larg, në universitetet elitare të Anglisë, Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Francës e Italis.    

Në pjesën më të madhe, produkti përfundimtar ishte profesionistë me integritet të pajisur me pasion për punën dhe dituri praktike. Të shpjegohem: të paturit pasion për punën nuk është e njëjta gjë me të bërit punën. Eshtë një marëdhënie përkatësie midis punës  së bërë mirë dhe aftësive të individit. Me fjalë të tjera, puna e mirë bëhet nga profesionistë që plotësojnë aftësitë që kërkon puna. Ndërsa, dituria praktike është virtyti që fituam të përzgjedhim me maturi rregullat dhe të fokusohemi në integritetin tonë për të bërë gjënë e mirë të përbashkët dhe jo thjesht të drejtohemi nga rregulla apo stimuj të përcaktuar nga të tjerë.  

Sot që po shkruaj, realiteti është se një pjesë e tyre jeton jashtë Shqipërisë, por që kthehen me intervale jo të shkurtëra, dhe pjesa tjetër në Tiranë. Qeveritë vendore, fondacionet, institucionet ndërkombëtare apo sektori privat në Tiranë kanë qenë përftuesit kryesorë të tyre o me kohë të plotë o me kohë të pjesshme. Për të dëshmuar në punën e tyre reale do përmend eventin për Tiranën të konferencave prestigjoze TED, fondacionin Down Syndrome Albania që merret me trajtimin e fëmijve me sindromën Down, apo në individe si Altin Prenga i cili ka risjell në vëmendje rëndësin e të ushqyerit me produkte vendi, Aleksandër Trajce me punën e tij në mbrojtje të kafshëve të egra, apo Altin Veshtin kardiologun më të ri për fëmij i cili ka shëruar me qindra fëmijë me probleme jetësore zemre. Lista vazhdon me drejtues e këshilltar në administratën qendrore qoft në qeverisjen e shkuar qoftë në këtë të tanishme apo në institucionet ndërkombëtare si Banka Botërore apo prezenca e Bashkimit Europian e që vazhdon me tutje me bizneset private në telekomunikacion, teknologji informacioni, konsulencë financiare e ligjore.

Duhej të dija me një farë saktësie, dhe të mos dyshoja në perceptimin tim, se sa të përfshirë janë ato në edukimin e profesionistëve të  rinj, në njësitë e qeverisjes vendore apo kompanitë private të qyteteve përjashto Tiranën. Punën e terrenit e zhvillova në qytetin tim të lindjes, Elbasan, ku kisha kontakte më të shumta në burimet njerëzore të Universitetit, Bashkisë, Prefekturës, Këshillit të Qarkut dhe nga 5 kompanitë më të madha. Informacionin e kërkuar e hollova në thjesht personel, qoft dhe me kohë të pjesshme, që kanë përfunduar një shkollim (bachelor, master apo doktoraturë) në një universitet të një vendi në Bashkimin Europian. Rezulton se vetëm 6 personel nga 528 në Bashki, 1 nga 87 në Këshillin e Qarkut dhe 3 nga 41 në Prefekturë, 7 nga 96 pedagog të brendshëm e rreth 100 të jashtëm në Fakultet e Shkencave dhe Ekonomikut i përgjigjeshin kërkesës sime. Ndërsa në biznesin privat, profesionistët e shkolluar në perëndim jane inekzistent. E meqë perceptimi im ishte i saktë i shtrova një pyetje naive vetes thjesht për tu siguruar për shëndetin e mirë të arsyetimit: A kanë nevoje reale qytetet për to?  

Në këto njëzet vite, qytetet hasin një problematik therëse që ende nuk është adresuar as nga sektori publik e as nga ai privat: zhvillimin e qëndrueshëm. Rrugë të sapo ripërtërira që mbajnë uj pas shiut, pallate të reja pa masa sigurie, degë universiteti që hapen e mbyllen cdo vit, plane rregulluese që cbëhen e ribëhen, qendër qyteti që mban brenda vetes shëtitoren kryesore dhe nuk ofron dot sigurinë e qytetarëve nga krimi dhe aksidentet rrugore janë vec disa prej gjymtyrëve të një organizmi që ngrihet e më pas rrëzohet, vazhdimisht në një lak, që nuk e lejon të ec. Po flisja me një grup të tyre këto ditë dhe nuk e kuptonim se si ne gjithë rrugët e sapo ripërtërira të Elbasanit nuk u krijua një rruginë për bicikleta, por hapësira iu dha një rripi bimësie që asnjë nga ne nuk kish një opinion të fortë për estetikën e tij. Apo se si në  Korcë një rrugë dykalimshe me mundësi parkimi nga njëra anë në zonë jorezidenciale, por në zonë institucionesh e shkollash (universitetit, shkollave të mesme, pallatit të sportit),  shndërrohet në një kalimshe me mundësi parkimi nga dy anët.

Realiteti i rekrutimeve në qeverisjet qëndrore, fondacionet e bizneset e suksesshme, institucionet ndërkombëtare është një dëshmi për modelin që duhet ndjekur nga sektori publik e privat vendor. Pa mohuar vlerat e padiskutueshme të specialistëve që kanë studiuar në  Shqipëri, përfshirja e profesionistëve të edukuar në universitete elitare, me pasion për punën e me virtyte do rris kalibrin e cilësis së projekteve të qytetit e do ofrojë zgjidhje të monitorueshme e të matshme të problemeve. Të gjitha mundësitë e marrjes së konsulencës me kohë të plotë ose të pjesshme në formë të kontratave apo dhe të modelit gjerman të mini-job duhen aplikuar nga të dy sektorët për të mirën e zhvillimit të qëndrueshëm të qytetit.

Universitetet në bashkëpunim me njësitë vendore do duhet të zhvillojnë qendra rinore apo shkolla verore për talente nga shkolla e mesme. Këto shkolla, qendra do përbënin fillimin e një rryme që do prodhonte profesionistë elitarë. Do ishte e rëndësishme që universitet të identifikojne dhe rrisin nxënës e studentë të talentuar. Këto qendra kanë rezultuar të suksesshme në Shtetet e Bashkuara duke rritur talente si Mark Zuckerberg themelues i Facebook, Sergey Brin bashkë-themeluesi i Google, këngëtaren Lady Gaga, nobelistin në Fizikë Adam Riess. Për qytetet e Edukimit e Cilësis sigurisht këto do shërbenin. Mbetet vec të bëhen ftesat me zë të fortë e të mirëpriten sic i takon vendi në qytete...ne qytetet e secilit.

Andi Bejleri, Hulumtues, TU Darmstadt, Germany

 

4 Komente

Hej, tiçër, liv em kidz ëlon smiley

Sa e ka rrogen mujore te themi nje nepunes i mesem i bashkise se Elbasanit apo Korces? Ndoshta 50 mije leke! Po a ja vlen sakrifica financiare dhe mishtore bere per shkollimin dhe dipllomimin te shperblehet me 50 mije leke????? 

Bukur, me pelqeu si artikull edhe si problem qe ngrinte, veç autori duhet te kete parasysh se 50% e administrates apo punonjesve te qeverise, shtetit, etj instancave atje, e kane menien si te zhvatin noi gjo nga qytetaret, si te vjedhin, si te perfitojne ne kurriz te ligjit dhe shoqerise, dhe nuk e kane menien se si njeriun qe mendon per progresin, ta vendosin ne krye te punes apo te pakten ta ndigjojne. 

Mbase per ato qe jane kthyer do ishte mire. Jan qe jan pse mos punojn edhe per bashkit part-time

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).