Pjesë novele

V.

Xhemi ndenji një copë herë me raportin në duar. Pas leximit të ngjarjeve të tilla, kish vënë re se e kaplonte një lloj mpirjeje dhe një dëshirë shurdhe për gjumë. Po, ndoshta s’do të ishte keq të flija pak, mendoi. Dremkën e drekës (që thoshin se ish një zakon i Lindjes së Mesme), e quanin në mënyrë aq joshëse edhe “gjumë i bukurisë”. Donte të shihej në pasqyrë, thjesht për një verifikim ashtu, por përtoi. Po të ngrihej, do të ikte një herë e mirë për atë ditë nga zyra, dhe për këtë ishte pak si herët. Përsëri mendoi sesi ishte e mundur që fjalët “rropulli”, “kokërdhok” dhe “bilirubinë” nuk ishin të ruajtura ende me kopirajt. Si dhe fjala aq e përdorur “kurm”. Po, tha me vete, ashtu siç nuk mund të bëhen dot të gjithë përdorues lëngu, ka edhe fjalë që i shpëtojnë mrekullisht kopirajtit. Ky i fundit ishte një faktor ndihmues në shitjen e zgjuesve. Këtë përfundim kishte arritur një studim i një grupi analitik, të cilin ai e kish pajtuar për një qasje më profesionale në vlerësimin e prirjeve bashkëkohore. Sa më shumë kopirajte, aq më shumë lëng i shitur, kishte konkluduar studimi. Lidhja mund të mos jetë shkakore, por vërehet një shoqërim i qëndrueshëm mes dy prirjeve. Kur nuk kish gjë më të mirë për të menduar, Xhemit i pëlqente të përsiaste mbi shkakun e mundshëm të kësaj lidhjeje. E bënte të ndihej edhe analist, përveçse afarist të suksesshëm. Kjo i shtonte respektin për veten.

Xhemi donte të përfytyronte një rast hipotetik shkrimtari që bareste në një kopsht plot me mollë mëkati dhe dëshirën për t’i këputur medoemos ato, fjalët kopirajtëse, të skuqura nga mirëqenia e shëndeti, - fjala “ngulfat” gjallonte nën gjethet e jeshilit të rëndomtë si një starkingë aromatike, fjala tjetër “ngjëroj” si një Golden Delicious, fjala “ngjallavit” si një Gala… I mbiu si rëndom një dëshirë e vërtetë për një mollë nga ato që t’i mbajnë larg doktorët, por ta sjellin pranë komisionin me ndëshkim, dhe mu aty ndjeu përsëri një sëmbim të lehtë në brendësi të trupit, nga ato sëmbime që nuk i përcakton dot se ku e kanë qendrën, diku nëpër rropulli, i tha vetes, diku në kurm, për sa kohë që dikush nuk ka kopirajt në këto fjalë, nuk kam pse kërkoj leje për vendin e sëmbimit tim, apo jo? Më vonë mbase do të më duhet, tani jo, sëmbo lirisht, o pankreas, dhe ti, o tëmth, sëmbo. Po vërtet: si e ndihmon shitjen e lëngut kopirajti i fjalëve? Të ishte e njëmendtë ajo që i thosh ndihmësi mbi gjuhën e ndaluar që e bën njëkohësisht më të vrullshëm buisjen e saj? Si prerja barin e livadheve? Ndalimi i gjuhës nga perandoria e fundit e vërtetë pushtuese jo vetëm nuk e kish shuar të shkruarit, por përkundrazi, kish përkuar me hedhjen e themeleve të gjuhës së shkruar. Pastaj mendoi: pse një fëmijë i përkujdesur, gjëja e parë që mëson kur del jashtë, janë pikërisht fjalët e ndaluara? Në fund të fundit, ky terror plagjiati që kishte shpërthyer nuk ishte gjë tjetër veçse një thirrje joshëse prej ligji për kriminelët e mundshëm që ta thyenin atë. Dhe kjo atmosferë e tendosur prej kopjimit ishte sak klima që i duhej biznesit të tij. Prohibicioni nuk e kish dëmtuar shitjen e alkoolit, përkundrazi. Me të shkruarit normal, të papenguar nga gjëkafshë, me tekste që lexoheshin apo dëgjoheshin vetëm nga shoqëria e ngushtë, njerëzit do të lodheshin dikur, dhe për pasojë biznesi i lëngut do të ishte tharë qysh kur. Letërsia në përgjithësi gjithnjë ka qenë e mërzitshme, tha duke psherëtirë së brendshmi, sepse dështimet e saj janë një shumëfish i llahtarshëm krahasuar me sukseset aq të pakta, dhe unë duhet të bekoj fatin që ajo është e tillë, pritshmërisht e mërzitshme, pasi vetëm si e mërzitshme ajo mund të shkrihet në masat e njerëzve. 

Gjëja e bukur e lodh shpejt gjindjen, vazhdoi me vete. Sepse pavarësisht klishesë, gjëja e bukur nuk mund të jetë e thjeshtë, dhe kësisoji ajo do tretur e pakkush e ka atë sistem tretës, ato rropulli. E bukura nuk e arrin dot shumicën e njerëzve, ajo çka ata e marrin për të bukur është shpesh një surrogat i saj, ose një dështim i saj – çfarë merret si e bukur ka jo rrallë edhe ngashnjimin e altruistit, duartrokitjen për maratonistin që nuk e arriti fundin e garës, por u përpoq, është një “bravo” mëshirëmadhe. Fakti që shkruesit mund të mbronin tekstet e tyre, pra që mund të shkruanin fraza të tilla si “ndalohet kopjimi ose përhapja për qëllime fitimi pa lejen e autorit”, shpallte tërthor vlerën e punës së tyre, pasi nënkuptonte që dikush do ta lakmonte atë. Kjo e bënte gjithë procesin e të shkruarit shumë tërheqës e hirplotë, krijonte pikërisht atë realitet paralel, të cilin tekstet vetë nuk e krijonin dot, megjithëse e kishin për detyrë ta krijonin, përderisa mëtonin të ishin letërsi. 

Xhemi u ngrit nga karrigia dhe doli vendosmërisht nga zyra. Ajo ditë pune dukej sikur kishte vdekur, përsiatjet e shumta i bëjnë keq biznesit, mendoi, dhe këtë ai e dinte prej kohësh. Mbase nuk duhej ta kishte lejuar autorin e dorëshkrimit që ta vazhdonte bisedën, sapo mori vesh që nuk po sillte lule, por tekst.

Zyra e ndihmësit ishte përpara, si një karakoll në shtegun e shpëtimit, dera e katërt në mesoren dalëse. E dinte që ajo derë e hapur do ta thithte, vrimë e zezë me gravitetin e vet të errët si prej faji. Nuk mundi të mos shihte brenda, dhe ndihmësi këtë radhë e pa edhe ai, i bëri një shenjë me dorë që nuk u kuptua në ishte një eja, apo një përshëndetje e thjeshtë.

- E, si duket? - e pyeti Xhemi kinse si pa interes, si “meqë më ra rruga e u ndodha”.

Ndihmësi bëri përsëri një shenjë me dorë që prapë nuk u mor vesh në ish mirë a keq. 

- Fol, - i tha Xhemi. – Thuaje.

- Nuk e di, - tha ndihmësi. – Mund të jetë e mirë, por mund edhe që jo. E kam fjalën që nuk e di si mund të merret atje jashtë, nëse do të themi që autori përdori një lëng special tonin.

- Dakord. Por po të pyes ty. Ty si t’u duk?

- Kisha kohë që nuk kisha lexuar dorëshkrime të kësaj natyre.

- Ti ke kohë që nuk lexon asnjë dorëshkrim, - i tha Xhemi. – Madje nuk e di a ke lexuar ndonjë.

- Oh, kam lexuar, - tha si me dhembje ndihmësi. – Si u bëra ndihmësi juaj? Harruat?

Xhemit iu kujtua në çast se si e kishte zgjedhur si ndihmës kryesor mote të shkuara, pikërisht kur tjetri i kishte rekomanduar vjershën “Përjetësisht” për një spot publicitar të zgjuesit të “gjeniut të panjohur në ty”, e cila u bë brenda natës një sukses i vërtetë kombëtar. Vajzat e reja e dinin përmendësh, kritikët e quajtën rubini i ri në kurorën e letërsisë romantike, ndërsa djemtë e dërgonin me kartolinat e fshehta, kur donin t’u tregonin vajzave përkushtimin e tyre:

Edhe pse gjallon marrëzisht mbi epidermat
Penetrim i ngulur
Agsholit,
Ti më mungon
Si:
Ylberi shiut 
Poleni bletës së çartur…
Hëna krahasimit,
Vesa agsholit…

- Jo, nuk kam harruar, - tha Xhemi. – Vjersha “Përjetësisht” ishte një sukses që neve na duhet ta përsërisim për shkak të sezonalitetit të biznesit. Më kujtohet fare mirë se si në të gjithë vendin atëbotë shfryu një lektisje të paparë. Vajzat përgjigjeshin me pjesën e dytë të poezisë që vazhdonte me pyetje.

Dhe Xhemi deklamoi:

I sheh
Kodrat e mia
Bukurane?
“Ngjiti”, e di, ti je alpinist i përsosur (këtu po të shkel syrin),
Pushtomi majat,
Gropën…

Derdhu!
Por shpejt ama,
Se nuk pres
D
   oh
       t
Që në finisht 
Vdekjah t’ma kalojë
…………………….. Sërisht.

- Ë? - tha gjithë i kënaqur. - Një mrekulli stilistike! Guxim, çiltërsi, të gjitha i kishe aty. Po, është koha për një sukses të ngjashëm. Si i “Përjetësisht” dhe i “Të ka lali xhan”, me kryevargun “Marrëzisht të ndjej”. Të lumtë për të dyja këto, korporata të vlerëson. Pati atëherë disa “të mençur” që thanë se “marrëzisht të ndjej” nuk bënkësh kuptim, se qenkësh një budallallëk (ë-hëm!) par excellence, kupton, madje edhe unë sikur u stepa një çikëz, për të qenë krejt i sinqertë, sepse vërtet, po ta mendosh, njeriu nuk mund të ndiejë marrëzisht. Mirëpo ti pe aq qartë, kishe një kuptim aq të drejtë e vizion të situatës, the se pikërisht ngaqë nuk bën kuptim, ai varg është një margaritar, dhe se po të bënte kuptim, nuk do kish asnjë shans të vërtet për sukses. Ja, merr për shembull, - vazhdoi me vrull, - këngën me vargje nga poezia e njohur “Mall”. E kush pyeti apo pyet për të? Kurse “Të ka lali xhan” saora shkoi deri në Izrael e më tej. Andaj unë të besoj dhe andaj po të pyes ç’do të bëjmë me dorëshkrimin. Sepse po nuhas një mundësi biznesi këtu, dhe si çdo biznesmen, unë i besoj më tepër hundës sime se trurit.

- Nuk është aq e thjeshtë, shef. Unë jam i dyzuar. Risku më duket shumë i madh.

- Pse?

- Unë menjëherë e ndiej, sapo me bie në dorë, një material suksesi. Për shembull, vargu “marrëzisht të ndjej” e ka gjithë indin që i duhet për një kryevarg. Për atë nuk do mendohesha as një sekondë.

- Po ky dorëshkrim, si duket?

- S’di…

- Mos po më thua ta shikoj vetë një herë?

- Nuk do ishte keq.

- Po ku është me pak fjalë problemi?

- Njerëzit janë çmësuar që prej vitesh me letërsi nga ky lloj. Të ishim në kohërat e para, dakord, mirëpo kam një frikë e s'e di nëse lexuesit që e gëlltisin këtë lloj letërsie janë ende në jetë. Po edhe në qofshin, me siguri që janë të gjithë pleq tashmë.

- Hëmm, segmenti i pleqve është interesant, e kam menduar disa herë. Vërtet, pse i kemi lënë pas dore?

- Sepse ata nuk premtojnë vazhdimësi biznesi, shef. Jeta e tyre si klientë është, nga Zoti, shumë e shkurtër.

- Hëmm.

- Po, kjo është arsyeja kryesore që parapëlqimet e tyre nuk janë ndonjë përparësi. Përveç kësaj, pleqtë sikur nuk para kanë besim të plotë në vlerën e zgjuesve. Ata janë kandidatë të flenë të madhin, çdo lloj zgjimi për ta do shkonte kundër natyrës, a nuk është kështu? Por edhe në paçin, pleqtë nuk para shkruajnë poezi, pra në zhanrin kryesor të të ardhurave tona.

- Hëmm.

- Pra kriteri i pasigurisë sime është demografik, - tha ndihmësi.

 Xhemi e ndjeu që rrjedha e asaj bisede duhej ndërprerë. Sa herë që ndihmësi fillonte të fliste me fjalë teknike, ku hynte edhe “kriteri demografik”, Xhemi e dinte se ishte koha për një këputje të bisedës.

- Mirë, - tha, - pa të shohim si duket një herë. Ndonjë fashikull mund që e lexoj edhe në shtëpi.

- Patjetër, - u dha i gatshëm ndihmësi. – Urdhëroni një fashikull që sapo e zgjodha rastësisht.

Xhemi e mori pa e parë, e futi në sqetull, dhe në ikje e sipër tha pa e ditur as vetë pse, me një lloj gazmimi të çuditshëm që s’mund të ishte veç cinizëm: 

- Arrivederci!

2 Komente

Gjuha e pasur shqipe qe Emigranti perdor ketu, eshte e çuditeshme, shum fjale jane te panjohura edhe per mua, jo me per publikun e gjere. Une po te isha minister Kulture, do ta kisha shpallur Emigrantin per rreth 1 vit; Monument Kulture smiley dhe do ngreja nje grup pune gjuhetaresh per te krrerur nga ai sa me shum fjale te vjetra shqipe. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).