Janë rreth 54 mijë fatura që do të hiqen nga sistemi i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në zbatim të dy vendimeve të Entit Rregullator të Energjisë që i anuloi katër vjet më parë. Detajet mbi këtë vendim i bëri të ditura dje gjatë një konference për shtyp kreu i qeverisë, Edi Rama, i cili tha se qytetarët çlirohen nga një borxh 41 milionë dollarë. “Nga futja në rrugën e ligjshmërisë në raport me energjinë elektrike, OSHEE jo vetëm mbledh detyrimet e konsumatorëve ndaj kompanisë, gjë që do ta bëjë pa pushim, një për një dhe pa asnjë lëshim, por për herë të parë në historinë e turpshme të tranzicionit në këtë sektor kritik, njeh detyrimin e vet ndaj 53 900 konsumatorëve, në masën e 41.8 miliardë lekëve, ose 41.8 milionë dollarëve”, tha Rama dje.

Në nëntor të 2010-s, Enti Rregullator i Energjisë do të anulonte mbi 51 500 fatura energjie, të cilat ishin ankimuar nga qytetarët për faktin se kompania i kishte mbifaturuar me argumentin e dëmit ekonomik dhe energji e pamatur. Në fillim të 2011- s, këtij grupi do t’i bashkoheshin edhe 2 400 të tjera. “Të gjitha faturimet e kryera nga ana e CEZ Shpërndarje sh.a. ndaj klientëve familjarë dhe jofamiljarë, me emërtimin ‘dëm ekonomik’ apo ‘energji e pamatur’ pas hyrjes në fuqi të ligjit nr. 9997, datë 22.09.2008, janë të paligjshme”, do të shprehej ERE në vendimin e tij. Në atë kohë, rregullatori do të gjobiste çekët dhe do të kërkonte që të zgjidhet situata duke bërë ndryshimet e nevojshme në sistem. Por çekët e CEZ nuk do të merrnin asnjë vendim për t’i hequr nga sistemi mbifaturimet, veprimi i vetëm që ndërmorën ishte ai i ankimimit të gjobës. Kjo bëri që qytetarët të refuzojnë pagesën e faturave, që nga ERE u quajtën abuzive, ndërkohë që kompania do të përkeqësonte pozicionin e saj me vendimet e mëpasme të ndërprerjes së energjisë në mënyrë kolektive. Që nga ajo kohë, në sistem mbeten pezull me mijëra fatura të papaguara dhe vendimi i ERE-s nuk u zbatua dhe nuk u njoh nga CEZ Shpërndarje deri tani që kompania është në pronësi shtetërore.

Administratori i OSHEEsë, Adrian Çela, tha dje për gazetën se gjatë kësaj kohe është bërë një analizë e thelluar e këtyre faturimeve të anuluara nga ERE dhe që rezultojnë në vite të ndryshme nga 2008 deri në 2011. Në masën më të madhe, këto fatura rezultojnë të papaguara nga ana e qytetarëve dhe sipas Çelës do të çohet deri në fund kërkesa e ERE për ta hequr këtë detyrim nga qytetarët. Sipas Çelës, bëhet fjalë për vendimin me numër 90 të vitit 2010 dhe që përfshin 51 500 fatura që kanë të cilësuar në faturim “dëm ekonomik” apo “energji e pamatur”. Të gjitha këto fatura të lëshuara nga CEZ në atë kohë kishin shuma të fryra, duke tejkaluar mesataren mujore të konsumit të qytetarëve. Po kështu, grupit i shtohen edhe mbifaturime aforfe të kthyera nga ERE që në total e çojnë numrin në 54 mijë. Çela tha se nga analiza që u është bërë faturimeve rezulton që shumica nuk e kanë paguar këtë detyrim, por që për çdo rast që mund të ketë pasur ngatërresë apo pagesë, do të ketë trajtim specifik për të gjetur edhe zgjidhjen optimale për palët. Gjithsesi, administratori i OSHEE-së vë theksin se këto do të jenë të vetmet fatura që do të hiqen nga sistemi. Për rastet e tjera kur konsumatorët janë debitorë, do të procedohet me arkëtimin e detyrimit në zbatim të strategjisë që po zbatohet për gjithë sektorin.

 

6 Komente

Eh po shyqyr, ndoshta fillon nje ere e re smiley

Shpresojme te mbyllet kjo situate rrumpalle edhe pse nuk kemi te bejme me reciprocitet.

nese kompania per cfaredo arsye heq dritat ne 12 te nates dhe i sjell ne 9 te mengjesit asqe nuk shkohet neper mend te rimborsohet biznesi apo qytetari. nje arbitraritet qe si ka hije shtetit qe po pretendojne qe po ngrene e tipit: Paguaj pastaj ankohu...

Shume e drejt,kam nje apartament qe jeton ime me por de fakto ri te motrat,dhe muajt e dimrit vetem sa shkon nje her ne jave per te pare.Para ca ditesh me tha qe me ka ardhur fatura e dhjetorit dhe janarit me nga njezete ca mij lek!!!!

Nuk ke ci ben se dhe per nje ankese duhet te rrish gjysem dite ne rradhe e prit te te vijne. skane ci bejne njerezit e shkrete dhe paguajne.

Tani filluan faturat me cmimet e reja e do shohin te gjithe sa eshte ulur cmimi...

Su del e gjithe kjo, por vene edhe 100L ne cdo fature qe nxjerrin per te paguar programet edukative dhe mjaft cilesore qe pregatit Televizioni Shqiptar.

Nje vendim shum i drejte qe duhet mirepritur ! Opozita te uli koken ne fund te kembeve se eshte mutsihania e saj ! 

Dakort qe i hoqen keto faturat se jane bere gabime ne faturim, po keto familje ne kete periudhe kohe kane harxhu ndonje kw apo jo?

Kjo me duket si amnisti se ne te kundert veprohet rast pas rasti.

Malli i shtetit, mall belik.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).