Ishulli i Pashkëve në Oqeanin Paqësor është i famshëm për më shumë se 100 statujat e tij prej guri deri në 10 metra të larta, të ashtuquajturatmoai. Zbuluesit e ishullit duhet të jenë përballur me një enigmë të fortë në momentet e para të zbulimit të ishullit në një të diel të Pashkëve të vitit 1772. (prej nga vjen edhe emri i ishullit). Për të ndërtuar statuja të tilla gjigante si ato moai duheshin trungje druri, slita druri për tërheqjen e blloqeve prej guri masiv e të tjera mjete transporti. Mirëpo ishulli ishte tërësisht i zhveshur; shkurrja më e madhe ishte më pak se 2 m e lartë. Diçka duhej të kishte vajtur ters në atë ishull! Në fakt, ishulli i Pashkëve, sipas analizave mikrobiologjike rezulton të ketë qenë dendësisht i pyllëzuar. Rreth vitit 900 para Krishtit, banorët e parë filluan të përdornin pyllin si resursin kryesor për mbijetesën e tyre. Kur burimet botanike filluan të pakësoheshin, banorët iu vërsulën faunës tokësore dhe detare dhe, së fundi, filluan të ushqeheshin edhe me minj. Shpërtheu kriza e urisë, popullsia erdhi duke u pakësuar, çdo gjurmë kulturore filloi të zhdukej, derisa më në fund, kanibalizmi i vuri vulën gjithçkaje.

Kjo histori, të cilën Jared Diamond, biolog për çështje të evolucionit, e përshkruan mjeshtërisht në librin e tij “Collapse. How societies choose to fail or succeed”, më vjen ndërmend kur kaloj nga diga pranë Liqenit Artificial dhe shoh sheshin e qëruar nga pishat, vendin e të cilave e ka zënë një gropë e frikshme, brenda së cilës pritet të lëshojnë shtat disa pallate shumëkatëshe. Teksa shoh zonën e shkretuar dhe gërmadhën me kolonat e hekurit të shtrira përdhè pyes veten: “Si kemi arritur deri këtu? Si është e mundur që askush nuk është në gjendje ta frenojë shtetin në vrasjen ekologjike që ai i bën vetes dhe kombit? Si është e mundur që asnjëri nga shtetarët nuk e kupton se duhet të marrë fund një orë e më parë prerja e pemëve dhe zhdukja e hapësirave të gjelbra? Jared Diamond pyet: “çfarë duhet të ketë menduar ai banor i ishullit të Pashkëve, i cili hodhi në tokë pemën e fundit të ishullit duke vulosur në këtë mënyrë tatëpjetën e pandalshme të një kulture 700-vjeçare?” Përgjigja që i jep vetë Diamond pyetjes së tij është sa e thjeshtë aq dhe realiste: “me siguri ka menduar se kështu janë prerë pemët gjithmonë dhe se është krejt normale të pritet edhe pema e fundit”.

Pyes veten: “Çfarë mendon vallë ai kryebashkiaku kur, bashkë me anëtarët e këshillit bashkiak, jep leje për sulmin kundër parqeve dhe pemëve malit me sëpata dhe sharra elektrike? Po atij biznesmenit të ndërtimit, i cili tek çdo sipërfaqe e gjelbër të qytetit sheh mundësinë për një kompleks betoni shumëkatësh, a thua i shkon nëpër mend se me gjithë atë arsenal teknologjik që ai ka në dispozicion për shkatërrimin e natyrës, ai po rrezikon degradimin e pakthyeshëm të ekzistencës së tij brenda një kohe shumë më të shkurtër se ajo që i është dashur banorëve të ishullit të Pashkëve qindra vite më parë”? Dhe përgjigjem: “Ka shumë pak gjasa që kryebashkiaku, anëtarët e këshillit bashkiak apo biznesmeni i ndërtimit, që po sharrojnë bashkërisht pemët e parkut dhe degën ku janë ulur, ta shtrojnë një pyetje të tillë. Kjo që po ndodh tani, sipas tyre, ka ndodhur edhe më parë dhe nuk ka pse të mos ndodhë edhe tani”.

Me shfarosjen e pyjeve, ashtu si edhe me shumë mëkate të tjera ekologjike në Shqipëri ndodh ajo që, sipas Schopenhauer-it ndodh me çdo problem social. Sipas Schopenhauer-it, çdo problem social kalon nëpër tri faza. Fillimisht problemi përqeshet, pastaj luftohet dhe, në fazën e fundit ai pranohet dhe konsiderohet nga të gjithë si i vetëkuptueshëm, si gjëja më e natyrshme në botë. Me shumë gjasa kështu duhet të ketë ndodhur edhe në ishullin e Pashkëve. Në fillim askush nuk duhet ta ketë marrë seriozisht paralajmëruesin e katastrofës ekologjike, ndoshta e kanë tallur shqetësimin e tij. Më pas, mund ta kenë luftuar, mund të jenë përpjekur t’ia shtypin me forcë mendimin. Në fund, i gjithë komuniteti mund të ketë menduar: “tani s’ka më pikë rëndësie. Situata nuk ndryshon më!” E njëjta gjë po ndodh edhe me parkun tek Liqeni Artificial. Askush nuk po e merr seriozisht grupin e protestuesve që kundërshtojnë çdo ditë publikisht zhdukjen e hapësirës së fundit të gjelbër që i ka mbetur Tiranës. Askush nuk po i mbështet, sepse, në fund të fundit, i gjithë komuniteti mendon që tani s’ka më pikë rëndësie dhe se situata është e pakthyeshme.

Por kush mendon se me Tiranën nuk mund të ndodhë ajo që ka ndodhur me Ishullin e Pashkëve, gabon. Bile tek ne, situata është akoma më dramatike. Së pari, nëse kanë mjaftuar mijëra njerëz me vegla guri e druri dhe me forcën e tyre të muskujve për të shkatërruar ambientin e tyre dhe, në këtë mënyrë, shoqërinë e tyre, atëherë merret me mend dëmi që mund të shkaktojnë dhjetëra ndërtues të pangopur për fitime me vegla metali dhe makineri të sofistikuara. Së dyti, efekti i shkatërrimit merr përmasa të frikshme përballë indiferencës totale të komunitetit dhe pjesëmarrjes aktive të institucioneve shtetërore në këtë shkatërrim. Situata bëhet akoma më e rëndë përballë mentalitetit pushtetor, i cili e argumenton shkatërrimin e hapësirave të gjelbra me rritjen ekonomike dhe rritjen e produktit të brendshëm bruto. Por kjo rritje është e përkohshme. Çdo pemë që rrëzohet përdhé duhet të jetë për shtetarët tanë sinjal se çmimi i rritjes ekonomike në kurriz të ekologjisë është çmim tejet i lartë për t’u paguar. Dëmet ekologjike që vijnë nga skizofrenia e rritjes ekonomike janë kaq të tmerrshme, saqë brezave që do vijnë nuk do t’u mbetet gjë tjetër veçse të merren me strategji mbijetese dhe riparim dëmesh kolosale. Pa llogaritur faktin që e gjithë kjo lojë e pandërprerë rritjeje ekonomike nuk na bën aspak më të lumtur, por gjithnjë e më të pakënaqur, gjithnjë e më skizofrenë.

9 Komente

Pyes veten: “Çfarë mendon vallë ai kryebashkiaku kur, bashkë me anëtarët e këshillit bashkiak, jep leje për sulmin kundër parqeve dhe pemëve malit me sëpata dhe sharra elektrike?

 

Per sa kohe e pyet veten gabim nuk do te gjesh kurre nje pergjigje te skate. 

Nga ana tjeter artikulli permban nje naivitet te tille qe me verte ta peshtiros ....

te jene valle te gjithe 'analistet' shqiptare te tille smiley

 

Epo edhe te gjithe cinike nuk do jene!!!!!  Mund te thuash qe ketu nuk ka zgjidhje se eshte bere si xhungel! 

Artikulli, me vuri vertet ne mendime te thella, dhe nje pyetje me erdhi ndermend; Pse nuk e ruajne mushkrine e Tiranes? Le ti bejne ndertesat andej nga Kamza apo me siper, ose nga Mulleti, ose nga Uzberishti, ose nga Peza. 

Eh mer Bakall, shqiptaret jane nje popull qe jane mesuar me dru "dru me pre"

Nuk i pelqejne rregullat nuk i pelqejne ligjet, i quajne diktature !

Liri demokraci, "dru me pre"  sa te dush !

Per kete luftuam, ju, ne ata ato  !

Tani bej sa te duash shkrime, dru me pre, nuk e ndalon dot, as me moral as me shkrime teorike morale ne gazete ! Lodhesh kot, i bo qefin vetes, dhe punlikut lexues, dhe jo i atij qe eshte me i madh dhe qe nuk i lexojne gazetat dhe shkrimet per prerje e pyllit !

A nuk eshte filluar keshtu  "  Demokracia  ?"

Sa pyje sa peme peme frutore u prene ne "revolucionin demokrastik " ne vitet 90` ?

smiley

 

...Ne vitin 90 kishim 22.000 ha me vreshta.Ne vitin 1994 siperfaqja ra ne 8000 ha ! U prene te gjith fermave e kooperativave sepse i ..." kishte mbjelle Enveri" ! 

Sot jemi diku te 14.000 ha dhe me e keqja eshte se vreshtaria ka ra poshte, duke zene toka fushore, tokat are, tokat e shfrytezimit, potencialisht,  me dy dhe tre kultura brenda vitit! 

Sot gjeja me e panevojshme eshte ...shkenca ! Gjersa prin shkenca e " drureve " , merret vesh qe jane " druret ne shkence " qe ckikojne Shqiperine ...me ambicje evropiane! Pika ambicjes ! 

U prene te gjith fermave e kooperativave sepse i ..." kishte mbjelle Enveri" ! 

Deri tani s'kam takuar ndonje fshatar qe t'i kete prere vreshtat apo pyjet pse i kishte mbjelle Enveri. Di qe i prene dhe per dru per tu ngrohur (vete dhe shitur). Apo i prene qe te lirojne toke per gjeter gje.

Ke te drejte per mungesen e shkences. Nuk di si ja bejne fshataret tanim, a marrin agronome ne pune apo mendesia e pergjithshme shqiptare qe i dime vete te gjitha e s'ka nevoje te na mesoje njeri.

Habitem qe ne Tirane te kete nje mungese vullneti per protesteberje nga ato qe e kane ate luks: mjeket, mesuesit, apo çdo qytetar tjeter qe jeton ne kushte relativisht te mira. Per me teper proteste per mbrojtje interesash dhe kushtesh te mira jetike, se sa principesh te larta qe ua lejon jeta qe bejne. 

.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).