Askund nuk gjen politikanë më të korruptuar dhe njëkohësisht më të duartrokitur se në shtetin Pakokë, thoshte shkenctari Do. Kjo gjendje e pashpresë e shtetit të tij e kishte shtyrë atë në një përpjekje të gjatë për shpikjen e një vaksine që do t'i bënte zyrtarët shtetrorë të shmangnin çdo sjellje që do ta dëmtonte shtetin. Dhe pas shumë studimesh për gjithçka e netësh pa gjumë, ai e zbuloi vaksinën e tij të cilën e quajti vaksinë kundër korrupcionit. Sipas tij, zyrtari shtetëror që do ta merrte këtë vaksinë nuk mund të korruptohej e as të gënjente. Megjithatë qysh në fillim i doli një problem jo i vogël. S'kishte ku ta provonte vaksinën. Për këtë iu desh të korruptonte një zyrtar të cilit i dha një shumë të madhe parash vetëm e vetëm që ta provonte këtë vaksinë. Inspektori shtetëror që do ta provonte i pari, nuk besonte në efiktin e saj, prandaj futi paratë në xhep dhe i tha shkencëtarit Do që ta kryej punën e tij. Megjithatë, të nesërmen kur doli
në punë ai kishte ndryshuar shumë.  Këtë e vërejtën tregtarët në dyqanet e të cilëve, inspektori zbarkonte shpesh dhe sigurisht gjente edhe parregullsi. Edhe tani ai gjeti shumë parregullsi, për të cilat si asnjëherë tjetër mbajti edhe shënim. Kjo sjellje e çuditi pak tregtarin, megjithatë ai krejt natyrshëm dhe me një gjest rutinor i ofroi sasinë e njëjtë të parave që i kishte dhënë edhe herave të tjera, me të cilat shteti do t'bëhej sikur s'ka parë gjë. Por inspektori e shikoi  i habitur.

 - Ju po më ofroni para?! e pyeti me një ton e me një qëndrim që tregtari s'e kishte dëgjuar as parë tek asjnë zyrtarë tjetër. Bëtë gabim, megjithatë kësaj here po ju fal, tha inspektori dhe doli.

Tregtari mbeti i shtangur. Dora me para i mbeti e zgjatur, njësoj sikurse zgjatë dorën ta përshëndesësh një mik e s'ke asnjë mëdyshje se edhe ai do ta zgjasë dorën. Shikoi një copë herë në drejtimin nga u largua inspektori dhe ende nuk besonte që kjo që pa e dëgjoi mund të ishte edhe e vërtet.

Inspektori shkoi edhe tek tregtari tjetër, e tek tjetri, e të gjithë i shtangu me sjelljen e vet. Kështu të nesërmen e të pasnesërmen...Kjo sjellje jashtë çdo standardi i bëri njerëzit të flasin. Të kërkojnë shkakun, arsyen e një sjellje të tillë të pakuptimtë. Por askush s'dinte të tregonte se çfarë po ndodhte me inspektorin shtetëror. Vetëm pasi u derdhën përrenjë thashethemesh gjithandej, u mor vesh për shpikjen e shkencëtarit Do. Njerëzit e Pakokës e pëlqyen këtë shpikje dhe kërkuan që të gjithë zyrtarët të vaksinoheshin. Një herë qetë e secilën herë e më zëshëm, pastaj në rrugë e me kërkesa të qarta. Pushtetarët rezistuan, por kur rezistenca më s'i bëri punë, lejuan të vaksinoheshin zyrtarët lokal.

Komunat u këndellën. Qytetarët në fillim shikonin me habi se si zyrtarët komunal i përshëndesnin me respekt e ua kryenin punët pa asnjë vonesë. Zyrtarët e vaksinuar po bëheshin shërbëtor të tyre. Shërbëtorë të shërbëtorëve, sepse qytëtarët ende nuk kishin mësuar të silleshin si zotërinjë.
Pastaj, si njeriu që ka prekur të mirën dhe s'do të shqitet nga ajo, qytetarët  kërkuan që të vaksinoheshin edhe zyrtarët qendror. U luajt e njëjta dramë. Pushtetarët rezistuan me vendosmëri, por njerëzit e Pakokës kishin filluar të silleshin si të ishin ata pronarë të vendit të tyre. Kjo i zbrapsi pushtetarët të cilët s'patën rrugë tjetër veqse të lëshojnë pe. Kësaj radhe do të vaksinoheshin deputetët të cilët meqë u gjenden në presion nga të dy anët u bënë sikur kjo ishte edhe dëshira e tyre. U vaksinuan edhe këta, në radhë pas të parëve.
Gjendja po kthehej përmbys në shtetin Pakokë. Deputetët kishin ndërruar fjalët. Ata po flisnin siq do të fliste shteti Pakokë po të kishte kokë. Në fakt ata tani po bëheshin koka e këtij shteti. Një deputet i pozitës që deri dje ishte pjesë e teatrit qeveritar në luftën kundër koorupcionit, sot godiste në shenjë. Kjo qeveri, thoshte, është në konflikt interesi në luftën kundër korrupcionit sepse nuk mund ta luftoj vetveten. Korrupcioni do të thahej në secilin nivel nëse nuk do të përfshihej qeveria. Se korrupcioni përhapet nga lartë poshtë e jo anasjelltas, tha ai. Ndërsa deputeti i opozitës fajsonte edhe opozinën. Opozita bënë roje derisa qeveria vjedh, thoshte . Sikur opozita të ishte e pastër edhe qeveria nuk do guxonte të vidhte, jo kaq hapur. E deputeti që i përkiste partisë së fjalimeve patriotike, e hoqi flamurin kombëtar nga tavolina e deputetit në sallën e kuvendit, të cilin ai e shokët e tij e kishin mbajtur për një kohë të gjatë. Nuk ka
patriotizëm me piskamë, tha. Madje edhe kur dikush e thotë të vërtetën me të bërtitura, ai vetëm sa e fsheh atë. Zhurma është mjegull, edhe zhurmaxhinjtë vetëm mjegull krijojnë, e mjegulla nuk i bënë mirë kombit.
Kështu flisnin tani deputetët. Këto gjëra që ata i kishin ditur edhe përpara e s'ia kishin thënë as vetes, tani po i thoshin krejt hapur. Edhe po kërkonin ndryshime. një qeverisje tjetër, jo më vetëm për disa por për të gjithë, edhe për të paslindurit.
Ata kërkuan vaksinimin edhe të qeveritarëve, të cilët nuk rezistuan fare. Kalaja tashmë ishte marrë dhe ushtarët deputetë nuk i mbronin më. Madje u dëgjuan zëra që edhe klerikët të vaksinoheshin por shkencëtari Do kundërshtoi. Jo, tha ai. Nëse do të vaksinonim klerikët, feja do të vdiste. Feja nuk mund të rroj as edhe një ditë pa klerikët e saj. Janë këta që me interpretimet e tyre na bëjnë të besojmë e jo librat fetar, dhe klerikët u liruan nga vaksinimi. Megjithatë kjo s'paraqiti asnjë problem.
Shteti Pakokë, nga një mal me therra ku asgjë nuk frymonte e as rritej, u bë një kopësht me lule e me drunjë gjithfare, që tani të papenguar  nisën të shkonin përpjetë. Të gjithë ishin më të lumtur, madje edhe ish zyrtarët e korruptuar të cilët do të silleshin sikurse tani edhe pa vaksinën e shkencëtarit Do sikur ta dinin që edhe lumturia e tyre gjendet këtu, në shtetin e të gjithëve.

3 Komente

Perralla me perqendrim pushteti ne menyre vullnetare per peshqit qe ti zeje gjumi.

ku jeton ky shteti PAKOK??  smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).